Kur luftonte Tahir Murrizi

Enver CAKAJ

Kur flasim për Veleshnjen, na shfaqet përpara syve Lufta. Me siguri edhe sot janë nëpër pyje e shkurre plumbat e copat e predhave gjithfarëshe. Edhe arat janë të mbushura me plumba. Lufta e Tendës së Qypit, që nuk ka gjeneral ta përshkruajë, hodhi shumë plumba mbi këtë tokë. Që nga Cerova deri në Nishicë, arat e pyjet nuk kishin bimë e drurë, por vetëm plumba. Ishte janar i vitit 1944, kur luftëtarët e lirisë u sulën drejt vdekjes. Zylyftar Veleshnja, Tahir Kadiu, Teki Veleshnja me shokë, lanë gjakun e tyre në betejë. E tërë Veleshnja ishte në luftë. U bënë njësh me forcat partizane, që gjermanët të mos kalonin Tendën e Qypit. Zotimi i tyre ishte ligj dhe ajo qafë nuk u kalua nga pushtuesit, që kishin qëllime të mbrapshta. Ne do të ndalemi vetëm për një luftëtar, që edhe pse luftoi për 30-vjet, sikur u harrua. As Lufta, as njerëzit e Luftës, nuk mund t’i fshijë asnjë llojë sistemi e harrese, sepse njollat e gjakut nuk mund t’i fshijë asnjë llojë solucioni. Natyrisht njerëzit nuk mund të jetojnë përjetësisht, po gjaku dhe heroizmi i tyre do të mbeten nëpër male siç lanë rininë e tyre. Andej e la rininë dhe gjakun edhe patrioti, veteran dhe invalidi i Luftës, Tahir Kadiu, që gjatë luftrave u njoh me emrin Tahir Murrizi. Patriot e bëri ideali, veteran dhe invalid e bëri Lufta. Tahiri nuk shikoi kurrë nga ajo kasolle atje nw majw tw malit, por i hodhi sytë nga kasollja e madhe. Plagë ia kishte bwrw rrypi i pushkës supin, po ai nuk e hoqi derisa u shëruan plagët e nënës së madhe. Si e nisi, ku e nisi dhe kur e shkrepi pushkën e parë, kush i tha dhe pse i thanë, do ta tregojmë më poshtë. Ky burrë, i lindur që në vitin 1890, nuk iu nda luftës. Atje e kërkonte lirinë dhe pasurinë. Ato ara rripçina, të mbjella me plumba, nuk mund të merrnin frymë, kur e shkelte dhe digjte këmba e pushtuesve. As ai nuk e mbante dot Veleshnjen, as Veleshnja nuk e mbante dot atë. Që të harronte urinë dhe dhimbjet e kohës, zgjodhi rrugën më të vështirë, luftën.Ai ishte betuar përpara fëmijëve dhe kombit: O t’u sillte lirinë, o le të mbetej nëpër beteja. Dhe e nisi luftën nga Vlora në vitin 1920 kundër pipinove italianë, që i hodhën në det të gjithë. Tahir Murrizi nuhaste ku të dëgjonte krisma që të shkonte. Lufta i ishte bërë pjesë e jetës. Ai donte të formohej si njeri, si luftëtar e patriot. Dhe koha kishte ardhur për ta vënë veten në provë. Që atje në Qafën ë Murrizit, ku kishte ngritur një ngrehinë, që e quajtën shtëpi, i dëgjoi krismat e pushkëve të Çetës së Parë të Skraparit, që vinin nga Qafa e Kulmakut. U armatos me ato që kërkonte Lufta dhe në gusht të vitit 1942 i bashkoi krismat me Çetën e Mestan Ujanikut. Këtu do të bëjmë një parantezë. Tahir Kadiu, që njihej me mbiemrin Murrizi, ishte nga Veleshnja, po përse e kishte ngritur atë strehëz me kashtë në atë kodrinë, pranë Tendës së Qypit? Atij i pëlqenin majat, sepse që andej i diktonte të gjitha betejat e luftës. Ai donte të ishte maja e luftëtarëve. Çeta e nisi misionin e saj me 25-luftëtarë, pastaj i kaloi 84 luftëtarë. Strukturat e shtetit fashist ndjenë se po u tundeshin themelet dhe nisën korrespondencat mes tyre: “Gjendja e rrethit tonë të nënprefekturës së Skraparit është bërë kaotike me gjithë kuptimin e fjalës duke lënë në faza kaotike edhe autoritetet qeveritare….Qeveria mbretërore të dërgojë sa më parë një detashment të posaçëm forcash ushtarake për stabilizimin e gjendjes.” Ajo që ishte nisur nuk kthehej më. Në 5-shtator 1942, Çeta e shkallmoi pushtetin lokal fashist të Skraparit dhe vendosi pushtetin e saj. I gjithë vendi i kthehu sytë nga Skrapari, jo për ta parë, po për ta kopjuar. Të gjitha formacionet partizane që vepronin në Skrapar, nisën t’i dërgonin informacionet e tyre me siglën “Zonë e Lirë”. Formacionet e vogla partizane u shndërruan në formacione më të mëdha. Çeta u shkri në Batalionin partizan “Riza Cerova”, që u krijua në 22 qershor 1943. Aty u inkuadrua dhe Tahir Murrizi. Batalioneve “Riza Cerova” dhe “Rinia” u vinin udhëzime nga Shtabi Qarkor i Beratit, me siglën, “Ku të jenë”. Mustafa Radovicka ka shkruar: “Kaluam për në rrethin e Fierit, ku krimineli Isa Toska po bënte kërdinë mbi njerëzit. Atje do të takonim oficerin italian për të biseduar, megjithë që unë isha më afër se 300-400 metra, i thirra Mustafait të mos afrohej, por ai sipas propozimit të oficerit hipi në tankun armik dhe iku në Zharrëz për t’u marrë vesh me kolonelin rreth ultimatumit. Mbas një gjysmë ore u kthye me një veturë po me atë oficer. Oficeri kërkonte që të vinte dhe komandanti për marrëveshje, mbasi koloneli kish frikë të delte nga fortina dhe, sipas oficerit, ish njeri i lig e frikacak po të vinim ne, ai ndoshta do të bindesh për t’u dorëzuar dhe “fundja, tha togeri, ne bëhemi me ju e do ta luftojmë kolonelin me oficerët që mund të ketë me vete.” Zylyftar Veleshnja tregonte: “Bashkë me Mustafanë muarëm dhe partizanin plak e trim, Tahir Murrizin, sot invalid. Xha Tahiri mbante dy gjerdhanë me fishekë, një përbeli dhe një krahqafë si dhe katër bomba çipe të varura me këllëfë. Mustaqet ai i kishte të ngritura spicë. E porositëm xha Tahirin që, nëse do na ndodhte gjë neve, me bombat që kishte të na hidhte në erë bashkë me italianët. Kur shkuam në Zharrëz, u hap porta e madhe që lejonte hyrjen nga vargu i gjerë i telave me gjëmba,që rrethonte Zharrzën dhe ne na shpunë në një barakë të bukur, ku ndodhesh koloneli. Atje ishin dhe katër oficerë të tjerë. U ulëm rreth një tavoline të shtruar me likerna e ëmbëlsira. Vetëm xha Tahiri, megjithë që iu lut një kapiten, sipas porosisë sonë, nuk u ul, po qëndroi në këmbë te dera duke mbajtur pushkën pranë këmbës,si një ushtar serioz.” Duallëm nga krahu tjetër i Zharrzës, dërguam e lidhëm telin e telefonit dhe nisëm partizanin Mazllëm Sevrani për në Fier me letër të veçantë për postëkomandantin e qendrës,kapter Abazin. Në këtë letër kapter Abazit i shkruanim që ai, për të shlyer gjithë gjynahet, bashkë me gjindarmin të kapë të gjallë ose të vdekur Isa Toskën, ndryshe do të ishte përgjegjës. Mazllëmi e kishte kapter Abazin fshatar të tij dhe prandaj e mori përsipër me gjithë qejf këtë shërbim. Isanë gjenerali nuk e mbajti. Isai doli në Fier dhe gjindarmëria me reshter Hysen Bilishtin në krye, qëlluan dhe e vranë, po kur gjermanët dëgjuan pushkët pandehën se plasi kryengritja dhe me tanke zunë të qëllonin çdo njeri që shikonin. Ata vranë 17-veta mes tyre edhe reshterin që vrau Isanë. Vëllai Isait, Faslliu, shpëtoi nga Fieri por u kap pas dy-tri ditësh nga forcat partizane të Mallakastrës.” Në organizimin për vrasjen e Isa Toskës, kishte gisht edhe Tahir Murrizi. Koloneli tha se, sipas urdhërit të Zotit Gjeneral, Isai me krerët e bandës së tij ishte dërguar me dy autoblinda në Fier gjysmë ore përpara. Neve që kërkonim Isanë si kërkonim dikur Judën, na u ngrit leshtë e kokës dhe i ramë fort tavolinës me grusht. Gotat që qenë përsipër u derdhën. Koloneli hodhi sytë nga Tahir Murrizi dhe ky u vrenjt në fytyrë, ia tundi një herë kokën dhe i kërciti dhëmbët. Në këtë kohë koloneli kërkonte me duar një fonogram në një dosje që nxori nga sirtari i tavolinës dhe duke iu dredhur duart e duke iu marrë goja,thoshte: “Na për favore, sinjor komandante çe ordine, vedi,vedi.” Po sytë i mbante nga plaku Tahir, që akërrohesh duke tundur kokën e kërcitur dhëmbët”. Ne e paralajmëruam kolonelin frikacak. Populli i Myzeqesë dhe Mallakastrës është grumbulluar këtu rreth jush dhe ne me zor po i përmbajmë për të mos u derdhur gjak. Ti do të jesh përgjegjës me kokë në qoftë se e mban Isanë apo e shpëton gjenerali në Fier. Isai është kriminel i tetëqind viktimave.Gjenerali sikur e mblodhi veten dhe na tha: “Po neve ai na ka shërbyer.”Më në fund,i ndodhur ngushtë ai u bind dhe ndodhi ajo që ndodhi. 

Tahir Murrizi nuk e kishte llogaritur kurrë vdekjen edhe pse ishte çdo ditë pranë saj. Në Kiçok atij i vajti vdekja fare pranë, po me manovrat që bëri i shpëtoi. Forcat italiane ishin të shumta dhe të armatosura rëndë. Ato i drejtonin gjeneralë të lartë, që kishin mbaruar akademira ushtarake. Ata nuk e kishin menduar kurrë, se në ato shpate me shkurre, do të përballeshin me gjeneralë të vuajtur si Vaip Gogua dhe Tahir Murrizi, që nuk i lëshonin pozicionet veçse të vdekur.