Kur kujtojmë profesorin e rinisë Filip Ndocaj

1445
Sigal

 Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit  dhe mësuesit, poetit dhe gazetarit të talentuar

Përfytyroni një burrë të dalluar për energjinë e tij fizike dhe mendore, se si mund të jetojë, i paralizuar prej gjashtë vjetësh, mes vuajtjeve fizike dhe shpirtërore!…

 Ai ngrihej në këmbë vetëm kur i vinte ndonjë shok. Një ditë, aty nga fundi i shtatorit 1983, e befasoi mikun e tij të vjetër, shkrimtarin Agim Cerga: “Më vjen keq o Gim, si nuk u shërova , vetëm për ca ditë; sa të shkoja edhe një herë në Pukë!… ”

Pas dy javësh, profesori, poeti, shkrimtari, gazetari, përkthyesi e kritiku letrar, do të mbyllte sytë në moshën 68-vjeçare.

                   “Bëmë baba të të ngjaj!”

 Ai u lind në Gjakovë me 2 tetor 1914 nga prindër shkodranë. I ati, Engjëlli, ishte mësues në shkollën e këtij qyteti. Në vitin 1919, familja Ndocaj transferohet në Shkup dhe pas gjashtë vjetësh, kthehet përfundimisht në Shkodër. Pas mbarimit të gjimnazit të shtetit , djaloshi Filip ka dëshirë të shkojë në Universitet, por nuk i akordohet bursë studimi. Atë vit, nis profesionin e të atit, si mësues i shkollës fillore në Krumë të Hasit. Më 1935 mësuesit të ri, i takon të hapë të parën shkollë në fshatin Dardhë të Pukës. Për dy vjet drejtori dhe kolegu i tij do të jetë Gjergj Millosh Nikolla, por… dhe i pari njeri që e orientoi drejt letërsisë dhe i dha kurajon për të shkruar. Migjenin ai nuk do ta harronte kurrë.

Universiteti, ajo ëndrra e vjetër e tij, u bë realitet në sajë të kursimeve të bacës Lush dhe nanës Domenikë që ngrysej dhe gdhihej me gjergjef në dorë. Pas dy viteve me korrespondencë, 23-vjecari Filip, është student i rregullt në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Firence. Ishin kohë të vështira por në gjirin e studentëve, shqiptarë dhe italianë, pati djem e vajza që shikonin përpara. Shqipëria kish nevojë për djem të tillë, ndaj Filip Ndocaj, Gaspër Pali e shumë të tjerë, mbi ëndrrat e moshës dhe joshjet e realitetit, vunë atdheun. Nuk mund të gënjeheshin nga propaganda e një shteti qe trumbetonte lumturinë përmes kulmeve të fashizmit. Ja pse, në festën ndërkombëtare të studentëve, Filip Ndocaj parakalon duke mbajtur me krenari flamurin shqiptar dhe po i tillë kthehet në Shkodër më 1939. Sapo kish mbaruar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të qytetit- simbol të artit e kulturës europiane.

Një jetë e re, e cila do të vihej tërësisht në shërbim të brezave të rinj. Një pjesë e maturës së vitit 1940 rrëmbeu armët me idealin e lirisë. Më 1941, mësuesi i ri jep lëndën e letërsisë në Gjimnazin e Prishtinës. Çlirimi e gjen përsëri në Shkodër. Në dhjetor 1945, profesori dhe regjisori Filip Ndocaj krijon trupën e parë teatrale të qytetit me nxënësit e tij të Gjimnazit të Shtetit. Elementët e zbuluar nga ai, do të përbënin bërthamën e trupës profesioniste të teatrit “Migjeni”, aktorë që më pas shkëlqyen në skenë dhe në ekran. Po intelektualët e vërtetë të djepit të kulturës sonë kombëtare, nuk do ta kishin të gjatë.

       1948. Profesor Ndocaj duhet të vuajë një dëbim për mendimet e tija që s’përputheshin me politikën e kohës. E dërgojnë në pedagogjiken e Beratit. Po ish-nxënësit shkodranë nuk mund ta pranonin izolimin e profesorit. Tish Daija, Vehbi Canga, Ndrek Luca e të tjerë, kurrë nuk ia ndanë letrat plot dashuri dhe respekt. Qetësia dhe nervat e tendosura nuk e tradhtuan kurrë.

 Një ditë ai u vendos përfundimisht në Tiranë. Ia dinin vlerat paçka se nuk e donin. Që nga viti 1951 ai dha lëndën e letërsisë në shkollat e mesme, në Universitet dhe në Institutin e Lartë të Arteve, pa harruar se ishte nga të paktët pedagogë që dhanë lëndën e italishtes në shkollat tona të larta. E kështu, deri sa doli në pension në vitin 1971.

Sot, ish-nxënësit dhe studentët e tij, e kujtojnë atë profesorin që u rrinte gjithmonë pranë, i qeshur e plot humor, por i rreptë në klasa e auditorë… Ata mburren me mikun e rinisë së tyre që i drejtoi në jetë, me ato që u dha gjatë e pas mësimit. Dhe të gjithë provuan se profesor Filipi nuk kish gabuar në ato që u serviri, nganjëherë me guxim të tepruar. Po! I tillë ishte ai. Edhe 50-vjetorin e lindjes, e festoi me nxënësit e tij të gjimnazit “Çajupi” të Tiranës,  një pjesë e të cilëve sot janë ndër njerëzit më të nderuar të shkencës dhe kulturës sonë. Të gjithë ia dinë për nder edhe profesorit të letërsisë.

                          Poeti, shkrimtari, studiuesi …

 Filip Ndocaj është ndër anëtarët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai kish botuar në shtypin e kohës qysh në vitet 30-40 të shekullit të kaluar,  krahas firmave të njohura si Migjeni, Koliqi, Kokona etj. Kish vazhduar të shkruajë drama, novela e tregime, duke patur edhe një rol aktiv në kritikën letrare të viteve në vazhdim. Vëllimin e tij të parë poetik “Në sytë e rinisë”, ia kushton brezit që po edukonte. Në vazhdim,  boton monografinë e Hil Mosit me titull “Zani i Atdheut” si dhe përgatit për botim  së bashku me kolegun Nasho Jorgaqi, vëllimin “Hyjt mbi greminë” si një homazh për mikun e tij te rinise, poetin Gaspër Pali, që pati fatin e Migjenit. Filip Ndocaj bëhet i njohur si shkrimtar me novelat “Dashuri dhe Urrejtje” e në vazhdim janë dy romanet “Vlaga e Dheut” dhe “Diell nën Kreshta” që i kushtohen jetës dhe traditave të banorëve të Pukës. Kjo krahinë ishte një kapitull më vete në jetën e tij të ngarkuar. Po përse?

Atje  filloi të hedhë vargjet e para e mendimet për jetën, atje u bë mik me Migjenin, atje njohu malësinë dhe njerëzit e saj të dlirët si bora maleve dhe të paepur si pyjet shekullore. Edhe lejet krijuese atje i kalonte … Një pjesë të dorëshkrimeve që ruhen ende, janë frymëzime nga kjo zonë. Po ç’është tërë kjo dashuri për  Pukën dhe ashpërsinë e saj gjeografike? Kjo shpjegohet vetëm me botën e madhe shpirtërore të artistit të vërtetë ku zunë vend malësori e intelektuali, shoferi e mjeku, mësuesi e minatori etj, etj. Ai ka arritur t’i paraqesë me tërë kompleksitetin shpirtëror, ndonëse i dinte mirë kufizimet që ia impononte ideologjia e kohës.

Ishte ndër të paktët që përkrahu talentet e reja qe po lindnin në letërsi në fillimin e viteve 70-të. I lexonte veprat e tyre me laps në dorë, u fliste me pasion dhe bëhej baba i rreptë kur e meritonin. Shokët e tij të vjetër mbajnë mend ende sot diskutimet e tij të guximshme në të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve, jo vetëm për letërsinë por edhe për muzikën, pikturën, teatrin, filmin, televizionin etj.

Studiuesi Filip Ndocaj është ndër kritikët më aktivë në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”. Ai nuk nguron të kontribuojë edhe në fushën e arsimit duke përgatitur për nxënësit e shkollave të mesme veprën e njohur “Zemra” të pajisur me shënime, po kështu “Makbethin”, paralelisht përkthen romanin “Familja e Malavolajve të shkrimtarit italian Xhovani Verga…  Kolegët e mbanin ndër njohësit më të mirë të veprës së Fishtës dhe Dante Aligierit, të letërsisë antike dhe të historisë  së teatrit botëror. Në çdo kohë, i vuri ato në shërbim të rinisë me kurajon e intelektualit rebel.

Në vitin 1973, do të botonte novelën “Duke kërkuar lumturinë”, i cili u prit shumë mirë nga lexuesi. Në qendër të tij është përsëri malësori pukjan po këtë radhë një mjek i ri, që e ka nisur jetën në kryeqytet si student. Filipi kishte në dorë pjesën e tretë të ciklit të romaneve për Pukën me titull “Në zemër të maleve”; kishte përfunduar romanin “Kur ishim të rinj”, një homazh për brezin e tij, një monografi për Bajram Currin, për të cilin ndjente një detyrim të veçantë. Plaku i Maleve dhe miku i të  atit kishte qenë kumbara i djalit të zotni Lushit në Gjakovë. Po Filipi nuk arriti ta përfundonte …

                 Pas 30 vjetësh

 Në një shtëpi të vjetër, pranë shkollës së Kuqe në Tiranë, ruhet ende sot, ai këndi i thjeshtë i krijuesit. Aty ka mbetur makina e tij e shkrimit, prodhim gjerman i vitit 1937, mijëra faqe dorëshkrime të sistemuara nëpër dosje, ditarët e mësuesit, ku mund të lexosh emrat e qindra ish-nxënësve e studentëve që rriti e edukoi, e mes tyre edhe fletë të tëra të zverdhura. Janë krijimet e tij të para: poezi, drama, përkthime të kolosëve të letërsisë italiane si dhe plot dokumente e foto me vlerë… Dhe si një dekor klasik i atij këndi, qëndron ende një bibliotekë e vjetër me rreth 1500 volume në shqip dhe mbi 800 të tjera në italisht, frëngjisht e rusisht, mes të cilave edhe kryevepra të letërsisë botërore. Eh, sa herë dolën ato libra nga kjo bibliotekë për t’u lexuar nga të rinjtë që edukoi! Nganjëherë, edhe libra që regjimi i kish ndaluar. Po ata që i lexuan e që sot janë dikushi në kulturë, art, shkencë e politikë, nuk e harrojnë. Mes nostalgjisë për rininë  e tyre dhe respektit për profesorin, lartësohet mirënjohja për prindin e dytë.

Po t’i pyesësh dy djemtë e tij për babain, të flasin shkurt: “Ai ishte shumë serioz me ne. Kurrë nuk na ndenji mbi kokë!… Mësoni vetë, siç kam bërë edhe unë! – na thoshte. Ashtu bëmë! Mësuam të ecim vetë në jetë!”

Një ditë, kur sëmundja e kish rënduar shumë, u tha: “Kurrë mos e harroni mirënjohjen! Ajo është një borxh moral që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Të gjithë kemi nevojë për pak mirënjohje, sidomos në shoqërinë tonë!”

Profesori u shua më 23 tetor 1983, gati i harruar, por  kontributin 38-vjeçar në arsim e kulturë dhe veprën letrare s’mund t’ia mohojë askush. Vlerësimin më të madh ia kanë dhënë brezat, për të cilët shkriu tërë energjitë e tij: ishte “Profesori i Rinisë”

Albert Z. ZHOLI