KUR GREQIA QËLLONTE MË MITRALOZ BREGDETIN SHQIPTAR

887
Nga Ergys Alushi
Historia e Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit në vitin 1947, të ngritur për sulmet greke kundër Jugut të Shqipërisë dhe e Kolonel Nesti Kerenxhit, përfaqësuesi i Shqipërisë në mbrojtje të interesave shqiptare në këtë Komision.
Provokacioni i parë i shkaktuar nga anijet greke në ujërat territoriale të Shqipërisë së Jugut, do të ndodhte më 25 qershor të vitit 1945. Një vapor grek kishte kapur dhe kontrolluar një barkë shqiptare në zonën e Ksamilit. Në datën 12 janar 1945 Agjencia e lajmeve “Reuter” në lidhje me pretendimet greke mbi të ashtuquajturin Vorio Epir thotë se kjo çështje nuk mund t’i paraqitet Këshillit të ministrave të Jashtëm Aleatë, pasi Shqipëria nuk ka qenë në gjendje lufte me Greqinë Në seancën e Këshillit të Sigurimit të zhvilluar, më datën 20 janar të vitit 1947, në pikën 5 të rendit të ditës do të ishte “Ankimimi britanik kundër Shqipërisë në lidhje me incidentin e ndodhur në kanalin e Korfuzit”. Në datën 27 janar 1947, delegacioni shqiptar i ngarkuar për të marrë pjesë në këtë Komision kishte mbetur në Shkup, mbasi autoritetet greke refuzojnë t’iu japin vizën e hyrjes për në Greqi Përfshirja e Britanisë në incidentin me mina në kanalin e Korfuzit, i kishte dhënë një rëndësi ndërkombëtare këtij kanali. “Në seancën e parë publike të Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-s, përfaqësuesi i Republikës Popullore të Shqipërisë, Kolonel Nesti Kerenxhi, paraqiti në emër të qeverisë shqiptare një deklaratë në të cilën theksoi se, menjëherë pas mbarimit të Luftës, Shqipëria u bë objekt i sulmeve greke, të cilat kryheshin bile edhe kundër minoritetit shqiptar në Greqi….” Gjenerali Hodgson pohon ndër të tjera në raportin e tij sekret që i ka dërguar Qeverisë britanike më 29 korrik 1945 se marina greke ka bërë provokime kundër Shqipërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë, Hysni Kapo nuk i pranoi akuzat britanike sipas së cilave, Shqipëria kishte minuar kanalin e Korfuzit, ku dy luftanije britanike ndeshën në mina më 22 tetor të vitit 1946. Kolegji Mesdhetar i spastrimit të minave, pa e lajmëruar Shqipërinë dhe pa kërkuar pëlqimin e saj, ia ngarkoi përgjegjësinë e minave në ujërat shqiptare në kanalin e Korfuzit, jo Shqipërisë, por Greqisë. Pasdreken e datës 13 mars, ora 17.30, kaloi tokën shqiptare një nënkomision Komisionit Hetimor i Këshillit të Sigurimit, i cili do të hetonte mbi provokacionet e grekëve në kufirin shqiptaro-grek. Kolonel Kerenxhi parashtroi një sërë argumentesh, se mënyra ilegale e Greqisë kundër Shqipërisë është e egër dhe armiqësore, nëpërmjet krijimit të organizatave antishqiptare, trakteve, propagandës, provokacioneve me armë në kufi e të tjera si këto.

Incidenti i vitit 1946 i njohur si “Incidenti i Kanalit të Korfuzit” ku shpërthimi i dy minave shkaktoi fundosjen e dy anijeve britanike e vrasjen e disa ushtarëve britanikë, ishte kulmi i ngjarjeve të shumta që ndodhnin në detin e Shqipërisë, duke filluar nga Kepi i Stillit deri në Karaburun. Incidente, zbarkime njerëz të armatosur në tokën shqiptare, marrje pengje, grabitje, ishin disa nga ato që ndodhnin gati përditë, në pjesën më të madhe nga mjetet lundruese greke, që nga barkat, motoskafët e deri anijet luftarake. Gjithçka kishte filluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Provokacionet e para – viti 1945
Provokacioni i parë i shkaktuar nga anijet greke në ujërat territorial të Shqipërisë së Jugut, do të ndodhte më 25 qershor të vitit 1945. Një vapor grek kishte kapur dhe kontrolluar një barkë shqiptare në zonën e Ksamilit.

6 korrik të vitit 1945, ndodh një ngjarje edhe më e rëndë. Dy anije greke të nisura nga Korfuzi u afruan brigjeve shqiptare, japin shenja me drita, qëllojnë me mitraloz dhe me top në ajër, ndalojnë një varkë shqiptare që udhëtonte nga Saranda për në Ksamil dhe marrin peng dy pronarët e saj.

7 korrik 1945, ujërat territoriale të Shqipërisë shkelen nga një numër i madh anijesh greke që lëvizin dhe qëndrojnë për rreth dy orë në detin midis Sazanit dhe Karaburunit.

17 korrik 1945, tri anije greke i afrohen Sarandës dhe godasin me mitraloz në drejtim të qytetit. Po në këtë ditë, në ora 23, një tjetër anije i afrohet Sarandës dhe, pasi qëllon për disa minuta me mitraloz, largohet duke bërë shenjë me drita.

21 korrik – 12 tetor 1945, përsëriten rastet e qëllimit me mitraloz në drejtim të qendrave të banuara të bregdetit shqiptar dhe, në disa raste anijet greke, kanë tentuar t’i afrohen fare pranë bregut e të kërkojnë të rrëmbejnë anije peshkimi.

Nëntor 1945
Në datën 12 janar 1945 Agjencia e lajmeve Reuter në lidhje me pretendimet greke mbi të ashtuquajturin Vorio Epir thotë se kjo çështje nuk mund t’i paraqitet Këshillit të ministrave të Jashtëm Aleatë, pasi Shqipëria nuk ka qenë në gjendje lufte me Greqinë. Kjo çështje duhet t’i paraqitet Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Reuters” thotë se qarqet greke janë shumë të shqetësuara nga njohja e Qeverisë shqiptare dhe kujton se lidhja e Kombeve nuk i njohu kërkesat greke kundrejt Shqipërisë së Jugut.

Në ditët e para të Nëntorit, Bashkimi sovjetik kishte njohur Qeverinë shqiptare të dalë pas Luftës së Dytë botërore dhe në ditët në vazhdim atë do ta njihnin edhe SHBA, Anglia e Franca.

Ankimimi britanik kundër Shqipërisë, vendoset në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit
Në seancën e Këshillit të sigurimit të zhvilluar më datën 20 janar të vitit 1947, në pikën 5 të rendit të ditës do të ishte “Ankimimi britanik kundër Shqipërisë në lidhje me incidentin e ndodhur në kanalin e Korfuzit”. Përfaqësuesi i sovjetik në Këshillin e Sigurimit Gromiko e kundërshtoi regjistrimin në rendin e ditës të ankimimit të Britanisë me argumentin: “Në notën e saj, më datë 11 nëntor 1946, dërguar qeverisë britanike, qeveria shqiptare kishte kërkuar që të krijohej një komision mikst për të rregulluar çështjen e spastrimit të minave në ngushticën e Korfuzit…” Qeveria britanike kishte refuzuar bashkëpunim edhe pas një note të dytë të dërguar nga qeveria e Shqipërisë në lidhje me çështjen e lundrimit ndërkombëtar. Në të tilla kushte duke mos pranuar propozimet e Shqipërisë për formimin e një komisioni mikst, Qeveria britanike veproi në kundërshtim me nenin 33 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili kërkon nga vende të ndryshme që të mundohen të zgjidhin grindjet dhe mosmarrëveshjet me anë bisedimesh, ndërmjetësimesh, pajtimesh etj.

Qeveria greke nuk lejon delegacionin shqiptar të hyjë në tokën greke
Ndërsa në Greqi, më 30 janar do të mblidhej Komisioni Hetimor i Këshillit të Sigurimit, , delegacioni shqiptar rrezikonte mospjesëmarrjen në këtë Komision. Në datën 27 janar 1947, delegacioni shqiptar i ngarkuar për të marrë pjesë në këtë Komision kishte mbetur në Shkup, mbasi autoritetet greke refuzojnë t’iu japin vizën e hyrjes për në Greqi. Qeveria e Shqipërisë i dërgoi një telegram Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të ndërhynin pranë qeverisë greke për dhënien sa më parë të vizave. Telegrami është i datës 27 janar dhe i drejtohet Sekretarit të OKB-së z. Trygve Lie me seli në New York. Me gjithë telegramin e dërguar dhe fillimin e punës së Komisionit, delegacionet e Shqipërisë, Jugosllavisë e Bullgarisë, nuk arritën të marrin pjesë në dy mbledhjet e para të Komisionit. Në të tilla kushte, Komisioni vendosi unanimisht që të mos e bisedojë esencën e problemit deri sa të arrinin delegacionet e shteteve që mungonin.

Nesër do të lexoni: Rëndësia e Kanalit të Korfuzit, Shqipëria deklarohet në Komisionin e Këshillit të Sigurimit, Në Korçë hetohet për provokacionet greke
Sigal