Sigal

Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

Gani Elezi thotë se kur ende punonte në repartet e zbulimit, në detashment, i doli e drejta për të vazhduar studimet në akademinë ushtarake, e cila në atë kohë mbante emrin “Mehmet Shehu”, Sdutimet i filloi në shtator të vitit 1974. Programi ishte 2 vjeçar dhe synonte të përgatiste kuadro për komandimin e njësive të ushtrisë dhe për shtabet e tyre. Akademia ushtarake konsiderohej si niveli më i lartë në sistemin e arsimit ushtarak.

Si do të ecte studimi në Akademi?

Nuk zhvilluam më shumë se dy muaj mësim, përgatitje teorike, sepse akademisë iu ndërprenë studimet, për vitin e parë, në kuadrin e situatës që u krijua në ushtri, pas zbulimit të grupit “armiqësor” të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe të Hito Çakos. Ky grup ishte i dyti në rradhë, pas goditjes së grupit në fushën e kulturës dhe të arteve me Todi Lubonjën, Fadil Paçramin, etj. Si edhe shumë kuadro të tjerë të lartë, edhe dy drejtuesit kryesorë të akademisë, komandanti Vaskë Gjino, një nga ish gjeneralët më me emër të ushtrisë dhe komisari Ziqiri Mero u vunë nën një kritikë të fortë, gjë që e shihnim edhe në pamjen e tyre të jashtme. Në kuadrin e punës për eliminimin e pasojave të këtij grupi, u quajt e nevojshme të ndërpritej programi Akademisë për të rifilluar më vonë me një program të ri, që do të ishte i çliruar nga ndikimet armiqësore.

Me çfarë u morët pas ndërprerjes së studimeve?

Gjatë muajit tetor dhe nëntor, në mënyrë të organizuar, u punuan dy pjesë të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, që deri në atë kohë nuk ishin vënë në dispozicion të masës së gjerë të kuadrove të ushtrisë, pjesën mbi detyrat e artit operativ dhe pjesën mbi artin taktik të Luftës popullore. Gjatë muajit nëntor 1974, efektivi i akademisë u angazhua në përgatitjen e paradës ushtarake, që do të zhvillohej me 29 nëntor, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit të vendit. Pas përfundimit të paradës, akademistët e vitit të parë u kthyen pranë reparteve të tyre, prej nga kishin ardhur, në pritje të rifillimit të studimeve . Ndërkohë, një grup oficerësh, ndër të cilët Luçi Stefa, Virgjil Janku, Veri Koçi, Kostaq Karoli, Roland Çepele dhe unë, u ngarkuam të ripunonim rregulloren e luftimit taktik të nënreparteve të këmbësorisë, nga ushtari, skuadra, toga dhe deri tek kompania e këmbësorisë. Një punë e tillë ishte inkuadruar në masat që po merreshin për likujdimin e pasojave të punës së grupit puçist në ushtri. Në krye të grupit për ripunimin e rregullores, ishte vënë Spiro Adhami, i cili kishte qenë, deri në atë kohë, komandant i shkollës së bashkuar “Enver Hoxha” dhe që, po në kuadrin e këtyre masave, ishte larguar nga kjo detyrë.

Si do të ishte regullorja e re që hartuar?

Punuam me mjaft përkushtim për ripunimin e rregullores. Çdo njëri nga ne, ose edhe dy-tre vetë së bashku, punonte për një kapitull të veçantë, i cili pasi përfundohej, diskutohej me të gjithë grupin. Unë punova kryesisht për temat që kishin të bënin me aktivitetin e zbulimit. Diskutimi në grup drejtohej nga Spiro, i cili krahasonte çdo kapitull të ripunuar me kërkesat e tekstit të artit ushtarak, që sapo ishte vënë në përdorim në disa institucione si akademia. Spiro ishte mjaft këmbëngulës që çdo kapitull të mbështetej në parimet që shtronte arti ushtarak, gjë që padyshim bëri që rregullorja që ne ripunuam, të dukej si një minitekst i artit ushtarak. Një fakt të tillë ne e kishim konstatuar edhe vetë, gjatë procesit të ripunimit të rregullores, por veçanërisht më vonë kur e studionim atë, në përputhje me kërkesat konkrete të përgatitjes taktike të trupave, kjo gjë binte më shumë në sy.

Ishte një punë që u kritikua apo u lavdërua nga instancat?

Në fakt u vlerësua nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes. Në një mbledhje të kolegjumit të kësaj ministrie, që u bë për problemin e ripunimit të rregulloreve të ushtrisë, Mehmet Shehu, në atë kohë edhe në detyrën e ministrit të mbrojtjes, e quajti rregulloren e përgatitjes taktike të nënreparteve të këmbësorisë si “rregulloren e parë shqiptare” dhe të një niveli të lartë, gjë që evidentoi jo vetëm kotributin tonë në këtë aktivitet, por vuri në lëvizje edhe vlerësimin e opinionit ushtarak të asaj kohe. Që nga ky çast, si duket, mori rrugë edhe vlerësimi për Spiro Adhamin, i cili më vonë u ngarkua nga Mehmeti të kalojë nëpër duar dhe të kontrollojë të gjitha rregulloret që kishin përgatitur grupe të tjera kuadrosh. Në përfundim të kësaj pune, Spiros iu dha titulli Profesor në shkencat ushtarake. Pas punës me rregulloret, unë u ktheva përsëri në repart.

Mendosi se në ushtri kishte vërtet një grup armiqësor?

Sado që tashmë ka kaluar një kohë e gjatë, ngjarjet që u zhvilluan në ushtri në ato vite dhe masat që u morën nga udhëheqja e lartë e PPSH ndaj grupit “puçist” mbeten në kujtesë si ngjarje jo të zakonshme. Ishte një periudhë tepër e ngarkuar nga pikëpamja morale dhe psikologjike për çdo kuadër, të çdo rangu qoftë. Ngelet e errët arsyeja e vërtetë e goditjes së grupit të udhëheqjes së lartë të ushtrisë, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe një sërë kuadrosh të tjerë të lartë, të nivelit të drejtorëve në ministri dhe të komandave të korpuseve të ushtrisë. Unë dhe brezi im i oficerëve në atë kohë ishim kuadro me stazh të vogël, me funksione të ulëta dhe më përvojë të pakët në problemet e mbrojtjes në tërësi. Në këto kushte, nuk kishim ndonjë gjykim realist për problemet që ngriheshin në adresë të këtij grupi, rrjedhimisht edhe qëndrimi ynë ishte pothuajse pasiv. Ndryshe ishte çështja me kategorinë e kuadrove të rangjeve të larta. Ata kishin përvojën e duhur, por në të njëjtën kohë, kishin edhe përgjegjësi për çështjet që shtroheshin dhe diskutoheshin në kuadrin e analizave të kësaj veprimtarie “armiqësore”. Për këtë kategori kuadrosh kjo periudhë ka qenë me të vërtetë një periudhë e rëndë, me plot pasiguri për të ardhmen e karierës së tyre, mbase edhe të jetës së tyre.

Cilat ishte “faktet” që dekonspiruan “grupin puçist”?

Flitej për një material teorik, që u kundërvihej tezave të Këshillit të Mbrojtjes, të cilat deri në atë kohë nuk ishin bërë të njohura për ushtrinë, material i cili në atë kohë u quajt materiali i zi ose antitezat. Në analizat e bëra në ushtri, në kuadrin e dënimit të veprimtarisë së këtij grupi, veç këtij materiali, u ngritën një sërë problemesh, që më shumë kishin të bënin me karakterin dhe sjelljen e kuadrove të lartë të ministrisë dhe të njësive të ushtrisë, gjë që e rëndoi edhe më tepër pozitën e tyre. Në këtë kuadër, Enver Hoxha mbajti një sërë fjalimesh në Byronë Politike, në plenumet e KQ, me kuadrot kryesore të ushtrisë dhe të aparatit të MM, në të cilat kërkonte “…të fshihej me fshesë të hekurt çdo ndikim i punës armiqësore të këtij grupi në ushtri”. Këto fjalime, si duket, ishin nxitja kryesore për disa kritizerë, të cilët e përdorën të gjithë arsenalin e tyre për të gjetur veprime “puçiste” në aktivitetin e kuadrove të lartë të ushtrisë. Në këtë kohë, unë vetë isha në akademinë ushtarake dhe nuk e jetova të gjithë ngarkesën psikologjike të këtyre analizave. Nuk dua të “dal i larë”, por që në atë kohë nuk kam patur ndonjë ndjenjë të zhvilluar për të bërë kritika të tilla të rënda, jo vetëm kur nuk kishte baza, por edhe në rastet kur kishte arsye për një gjë të tillë. Kështu që edhe në këto analiza, nuk kam ngritur probleme direkte për kuadrot e lartë drejtues. Bile tani vonë, pas vitit 1990 Shamet Shabani, të cilin e kam patur në një grup, më kujton se në një rast kur më paska pyetur: – “çfarë do të themi për drejtorin e zbulimit, Andon Shetin”, i paskam thënë: – “nuk kam se çfarë të them, ne e njohim si një kuadër të përkushtuar dhe të aftë në detyrë”.

PËRVOJA

Tetë vitet e Detashmentit

“Kam punuar në detashment nga gushti ‘67 deri në korrik ‘75, gati për 8 vjet dhe pohoj me bindje se pas shkollave ushtarake, formimin më të plotë si oficer, vullnetin për të përballuar e për të kapërcyer vështirësitë e jetës ushtarake, aftësitë teorike e praktike për të organizuar e për të drejtuar përgatitjen ushtarake të trupave i kam përfituar nga përvoja e këtij reparti. Në shtator 1967, kur fillova punë në këtë repart kam gjetur Meçan Ismailin, Azem Hykën, Hysen Sharrën, Nesti Qiricin, Novruz Turkun, Fiqiri Dodën, Eqerem Gaxhollin, Kapllan Subashin, Tigër Godon, Rustem Toron e Ymer Hykën”.

SITUATA

Por po të bisedosh me kuadrot që i kanë përjetuar këto analiza në aparatin e MM, në shtabet e njësive kryesore të ushtrise, kupton se vitet ‘74 –‘75 kanë qenë vite të një periudhe të vështirë, ngarkuar me emocione e pasiguri të mëdha për çka do të ngjiste. Në këto analiza kishte kritika të drejta, që buronin nga mangësitë reale në aktivitetin e komandave dhe të shtabeve ushtarake, por kishte kritika që buronin nga “reflektime” të detyruara, për të qenë në rregull me kërkesat e Partisë së Punës dhe, aq më keq, kishte kritika që buronin nga egoja personale dhe mëritë e vogla ndaj kuadrove që kërkonin dhe që kishin bërë karierë të shpejtë në ushtri. Pikërisht nga ky lloj reflektimi e kanë pësuar mjaft kuadro të aftë të ushtrisë, si në njësi, ashtu edhe në aparatin e MM. Prepotenca, disa sjellje arrogante, mungesa e taktit të disa kuadrove drejtues të ushtrisë, disa shfaqje të përfitimeve personale ekonomike, të trajtimit të familjeve të tyre etj, u bënë shkak për t’i akuzuar ata për veprime armiqësore, për qëndrime në kundërshtim me vijën dhe vendimet e PPSH, deri edhe në akuza të rënda tradhëtie që mund t’i rrezikonin me dënime kapitale, siç ndodhi me disa prej tyre. Kështu u zhvillua një situatë, që po ta analizosh sot, të duket tragji-komike. Në kuadrin e autokritikave, mjaft kuadro e anëtarë të PPSH ngritën probleme për veten e tyre, duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe qëndrim ndëshkues nga ana e instancave eprore. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. E keqja fillonte në momentin kur të deleguarit, të cilët hiqeshin si të përkryer për vete, fillonin dhe analizonin të këqijat që mund të vinin nga këto gabime të vetëpranuara dhe të kërkonin se çfarë masash propozonin vetë ata që bënin autokritikën. Ishte për të ardhur keq, por edhe për të qeshur, se mjaft nga këto kuadro e kanë pësuar nga ky sinqeritet para partisë dhe udhëheqjes.

 ANALIZA

Pyetjes se a ishte ky grup në pozita armiqësore, Gani Elezi i përgjigjet: “Kjo pyetje edhe sot, pas kaq vitesh, nuk ka marrë përgjigje të plotë. Pjestarët e këtij grupi ende nuk janë rehabilituar plotësisht, në bazë të rregullave dhe të procedurave. Personalisht unë, gjykuar nga largesia e viteve, në dritën e ngjarjeve të sotme, nuk kam gjetur fakte që ky të ishte një grup i organizuar armiqësor me qëllim përmbysjen e pushtetit të PPSH dhe të Enver Hoxhës. Aq më shumë nuk gjej fakte që ai të ishte i lidhur me qarqe të huaja politike dhe ushtarake, për të organizuar ndonjë veprim ushtarak për të ndryshuar regjimin politik dhe ekonomik në Shqipëri. Po të kishte fakte të tilla, në kushtet e sotme, ato do të ishin bërë të njohura, siç janë bërë të njohura shumë veprime të agjenturave të huaja që kanë vepruar kundër vendit tonë, nën dirigjimin e shërbimeve të huaja, amerikane, angleze, jugosllave, greke etj, fakte që deri në prag të ndryshimeve politike as që mendoheshin të deklaroheshin ndonjëherë. Duke mos u njohur me asnjë të dhënë të një karakteri që vërteton “armiqësinë“ e këtij grupi, e kam quajtur eliminimin e drejtuesve të lartë të ushtrisë, si edhe të sektoreve të tjerë, si një luftë në mes klaneve në udhëheqjen e PPSH dhe të qeverisë. Në kuadrin e luftës për mbrojtjen e vijës së partisë si duket realizoheshin edhe objektivat e klaneve që konkuronin për udhëheqjen e lartë të partisë dhe të shtetit. Këtë gjë e vërtetojnë, nëse mund të merren si të sakta, akuzat e kohëve të fundit që ngarkojnë Ramiz Alinë dhe një grup të ngushtë rreth tij, për të gjitha këto veprime në dëm të udhëheqësve të lartë të partisë dhe të shtetit shqiptar.Veç kësaj, unë kam menduar edhe një arsye tjetër, kam aluduar se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në kuadrin e praktikës së udhëheqjes së PPSH, që vazhdimisht ka zbatuar parimin që e çonte luftën ndaj të metave dhe gabimeve, të pashmangshme në aktivitetin shoqëror, pra edhe në ushtri, deri në ekstrem, deri në shpalljen e përgjegjësve për këto gabime si tradhëtare, duke i dënuar edhe me dënime kapitale, me ekzekutim fizik, siç ndodhi me drejtuesit kryesore të ushtrisë Beqirin, Petritin dhe Hiton. Çështjen e implikimit të grupit të udhëheqjes së lartë të ushtrisë në veprimtari agjenturore dhe armiqësore kundër vendit tonë e vë në diskutim edhe botimi, në vitin 2004, i shumë materialeve, dosierëve të hetimit të veprimtarisë së Mehmet Shehut dhe të personave të tjere të gjykuar si armiq, në shtyp, nga disa kuadro të lartë të hetimit apo të sigurimit të shtetit, si Bekim Budo, Kristofor Mërtiro, etj. Sipas këtyre dosjeve, një ish drejtues i lartë i Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për sigurimin e shtetit, me pseudonimin “gjenerali”, deklaron të dhëna të shumta, të cilat implikojnë jo vetëm drejtuesit e lartë të ushtrisë, për të cilët kam folur deri tani, por edhe kuadro të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, të ushtrisë dhe të sektoreve të tjerë që nga Kadri Hazbiu, Mihallaq dhe Llambi Ziçishti, Panajot Plaku, Feçor Shehu, etj. duke patur në krye të këtij grupi Mehmet Shehun, i cili për një kohë shumë të gjatë ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Në këtë dosje flitet për takime dhe aktivitet në shërbim të agjenturës serbe, ruse, angleze, greke, polake, amerikane etj, flitet për takime me kuadro të lartë të shtetit jugosllav, deri edhe me Titon, siç bëhet fjalë për takimin e tij me Mehmet Shehun, flitet për një mbledhje sekrete në Priskë me një delegacion ushtarak kinez, në të cilën paska marrë pjesë edhe Manush Myftiu, ku qenka diskutuar një marrëveshje e mundur tre palëshe Rumani-Jugosllavi-Shqipëri etj. Hedhja në diskutim e materialeve të tilla e hap plotësisht për rivlerësim çështjen e “grupeve armiqësore” që janë zbuluar dhe goditur gjatë viteve 70-të, më parë apo dhe më pas. Kështu që nuk mund të deklarohet më me plot gojën, as që kjo ka qenë lojë e Enver Hoxhës për të ruajtur pushtetin e tij personal, por as që grupi i kuadrove kryesore të ushtrisë ka qenë vënë në shërbim të agjenturave dhe fuqive të jashtme për të rrëzuar sistemin politik në Shqipëri. Të dyja hipotezat mund të jenë të mundshme”.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Përgatitja e ushtarëve dhe e punonjësve civile të reparteve të radiozbulimit

Kualifikimi i oficerëve rezervistë të reparteve të zbulimit dhe atyre sulmuese