Kujtimet e inxhinierit të ndërtimit, Adem Kormaku: Debati me Manush Myftiun për hotelin 15 katësh

1047

 

Sigal

Në kombinatin Metalurgjik në Elbasan

Në dhjetor të vitit
1971 thirrem nga shoku Myqerem Fuga, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit
Popullor të Rrethit të Tiranës, i cili më shpjegoi se udhëheqja kishte vënë
detyrë për një investim të rëndësishëm kombëtar, ndërtimin e kombinatit
metalurgjik në Elbasan, ku ndërtuesit e Tiranës do të përfaqësonin kryeqytetin
në një nga objektet kryesore të këtij kombinati. “Është një objekt i
rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe detyra që është ngarkuar, nuk është e
lehtë. Kemi menduar që atje të shkojë ndërmarrja ’21 Dhjetori’ dhe ti të
drejtosh punimet, ”- më thotë ai. Kështu, në janar të vitit 1972, unë si
drejtor, në krye të një grupi ku ishin dhe kryeinxhinieri i kantierit Skënder
Begeja, vajtëm në drejtorinë e kombinatit në Elbasan për të marrë projektet që
ne do të zbatonim në Bradashesh.  Në
fillim u takuam me kryeinxhinierin Shkëlqim Bumçi, i cili paraprakisht na
shpjegoi rëndësinë e ndërtimit të këtyre objekteve dhe pastaj disa detaje
konkrete të fronteve të punës, të bazës materiale, të akomodimit etj… Në
takim ishte dhe inxhinieri i degës teknike dhe i zyrës së projekteve, shoku
Elmaz Xhediku, një person komunikues që të impononte respekt jo vetëm si njeri,
por edhe si specialist. Me marrjen e projekteve nga grupi i inxhinierëve
(Kryeinxhinier ishte Skënder Begeja, inxhinier zbatimi Hysen Bardhi), ne nisëm
menjëherë nga puna. Në pesëmbëdhjetëditëshin e parë u bënë piketimet dhe
menjëherë nisën punimet në objekte. Veç problemeve të organizimit të kantierit,
patëm një serë problemesh edhe me sistemimin e 
punëtorëve në fjetoret e kombinatit që ishin në Elbasan. Problem ishte
dhe transportimi i tyre i ndërsjellët.

Na u desh një punë
e madhe për normalizimin e fillimit të punimeve, hartimit e realizimit të
grafikëve të punës një mujore, tre mujore etj, gjë që u përballua nga puna me
përkushtim e drejtuesve, stafit inxhiniero-teknik e deri tek punëtori më i
thjeshtë. Përcaktuam brigadat, u treguam frontet e punës në detaje dhe ndiqej
non-stop ecuria e punimeve. U angazhuan tri brigada që drejtoheshin nga Qemal
Koçi, Ahmet Taipi dhe Rifat Shalësi. Brigadat me specialistë ndërtimi ishin nga
Tirana, ndërsa fuqia punëtore e thjeshtë u mor nga Elbasani. Puna, pra, filloi
normalisht, por moti i vështirë (ishte dimër) dhe fusha e Bradasheshit ku ishin
sheshet e ndërtimit të projektit, ishte një vend pothuaj moçalor e paraqiste
probleme vështirësie natyrore dhe teknike, Por falë punës së palodhur e pa
orar, u arrit që këto vështirësi të përballoheshin. Ndodhte që në shumë raste,
të aktivizonim buldozerët ‘Stalines’ të tërhiqnin mjetet që ngelnin në baltë, e
me rimorkim, ti çonin ngarkesat në destinacionin e duhur. Kujtoj këtu, se gjatë
gjithë ditës, duke filluar nga unë, pra nga mëngjesi deri në darkë, ishim në
frontin e punës bashkë me punëtorët.

Nuk mund të mos
përmend ato sakrifica të punëtorëve dhe personelit inxhiniero-teknik, kur në
atë punë të lodhshme me orare të zgjatura, nuk u ankuan një herë. Sa herë jemi
gdhirë në betonimet e vaskave të derdhjes si në repartin e çelikut, ashtu dhe
në atë të gizës se betonet ishin të markave të larta, me shumë armatura hekuri
dhe nuk duhej të ndërpritej betonimi. Bashkë me ne, në këto procese qëndronin
dhe specialistët kinezë. I vështirë dhe i stërmundimshëm ishte transporti i
specialistëve mjeshtër e ndërtues që vinin nga Tirana në Elbasan (në 07:00 të
mëngjesit fillonte puna) në mjete të thjeshta, në karroceri të pambuluara. Po
kështu, dhe ditën e shtunë pasi mbaronin punë, shkonin në drejtim të familjeve
të tyre në Tiranë.  Këta njerëz punëtorë
e të ndershëm, na nderuan si kantier, ku kantieri i Tiranës u vlerësua si
kantier model në cilësinë e punimeve si dhe respektimin e  afateve kohore të grafikëve.  Për shkak të specifikës e rëndësisë që kishte
kjo vepër e rëndësishme industriale, më e madhja në vend, si dhe për faktin se
objektet që bënte kantieri i Tiranës ishin ndër më të rëndësishmet, ne ishim në
qendër të interesit të strukturave më të larta të parisë e të pushtetit të
kohës. Kështu, vinin na takonin e interesoheshin konkretisht për mbarëvajtjen e
punës Manush Myftiu që ishte Sekretar i Parë i PPSH për Tiranën, Kryetari i
Komitetit Ekzekutiv të Tiranës Myqerem Fuga, etj… Puna vazhdoi sipas
parashikimeve dhe përfunduam me sukses realizimin e objekteve të vështira,
bazamentet e derdhjes së gizës dhe çelikut. Puna jonë u vlerësua maksimalisht
edhe nga specialistët kinezë, ku për këtë shkak, një delegacion kinez erdhi dhe
i vizitoi këto punime nga Kina e largët. Kantieri hyri në fazën e montimit të
parafabrikateve. Ne si ndërmarrja ’21 Dhjetori’ kishim një përvojë të mirë të
mëparshme dhe një eksperiencë në montimin e strukturave beton-arme, kështu që
dhamë një kontribut të rëndësishëm në këtë aspekt dhe në ndërtimin e
metalurgjikut. Nën drejtimin e teknikut Aleks Shundi, i cili ishte një mjeshtër
i montimit, me eksperiencë të gjatë në këtë drejtim dhe një njeri shumë i mirë,
u kaluan dhe vështirësitë teknike të montimit të strukturave beton-arme e
sidomos të kapriatave beton-arme, e detyra u realizua me sukses.

Ndërtimi i veprave të rëndësishme në Tiranë

Nga fundi i vitit
1972 u bë një analizë në organet e larta qeverisëse në Tiranë ku doli se në
stadin aktual, ishte e nevojshme ndërtimi i disa objekteve të rëndësishme për
Tiranën. Këto objekte ishin: Një hotel dinjitoz 15 katësh në qendër të Tiranës;
 Hotel-Arbëria, ku është sot Ministria e
Drejtësisë;  Galeria e Arteve;  shkolla përballë Arkivit të Shtetit; godina e
banimit 7 katëshe para Ministrisë së Drejtësisë; Rezidenca e Ambasadës së
Kinës; ndërtimi i hotelit të kinezëve- sot Policia e Shtetit; ndërtimi i
Antibiotikut etj… Në këto kushte, merret vendimi që kantieri jonë i ’21
Dhjetorit’ të tërhiqen nga ndërtimi i mëtejshëm i kombinatit metalurgjik në
Elbasan dhe ti besoheshin ndërtimi i këtyre veprave të rëndësishme në
kryeqytet. Kështu, në fund të këtij viti doli urdhri nga titullari i Ministrisë
së Ndërtimit për dorëzimin e  objekteve
në Elbasan. Mbi bazën e këtij urdhri, me të njëjtën strukturë, ky kantier, u
kthye dhe u vendos në qendër të Tiranës. Urdhri qe i shpejtë dhe për shkak të
afatit të kthimit në Tirana na u desh që të mobilizoheshim maksimalisht për të
përfunduar disa procese të domosdoshme pune në Elbasan. Ardhja në Tiranë e
nisja e  objekteve të reja, kishte
vështirësi të shumta.  Na u desh të
angazhoheshim me të gjitha forcat, mjetet e mënyrat, pasi frontet e punës tani
ishin shumë, objektet që do ngrinim  të
rëndësishme, e ishin në qendër të Tiranës në sy të qytetarëve, drejtuesve
shtetëror, por dhe me ndikim në infrastrukturë, kryesisht atë rrugore. Zyrat e
kantierit i ngritëm në qendër, afër hotelit ’15 katësh’, që e ngritëm më pas
ne. Kryeinxhinier i kantierit u emërua Reshat Karapici. Problemi i
shpronësimeve, prishja e disa objekteve sociale e banimi, ndërtimi i
mbrojtëseve për objekte të tjera pranë që rrezikoheshin, ishin masa të
domosdoshme e delikate për ecurinë normale të punëve. Me prishjen e objekteve
të vjetra ekzistuese u ngarkua Ndërmarrja-Banesa, e cila kishte drejtor Koço
Kamberin, me të cilin patëm një mirëkuptim për prishjen në kohë të objekteve që
na pengonin për ndërtimin e objekteve të reja. Në të gjitha objektet emëruam
personelin inxhiniero-teknik, caktuam brigadat, brigadierët, etj… Në
ndërtimin e hotelit 15 kate, inxhinier zbatimi u caktua Astrit Kuçani dhe
brigadier i brigadës së ndërtimit, Shaqir Stojku. Në ndërtimin e ambasadës
kineze inxhinier zbatimi caktuam Mikel Kojan, ndërsa krijuam njëkohësisht një
brigadë të re ndërtuesish me specialistë nga më të mirët me brigadier Rasim
Matën. Për ndërtimin e  projektit të
Galerisë së Arteve ngarkuam inxhinier Dalip Topi dhe brigadier Mone Gjonçin.
Për hotel ‘Arbanën’ caktuam Xhelal Stërmasin dhe brigadier Qemal Koçin.  Për ndërtimin e godinës 7 kate caktuam
inxhinier Petraq Kolevicën dhe brigadier Rifat Shalsin. Në ndërtimin e shkollës
caktuam teknik Venus Babanin dhe brigadier Ahmet Taipin.  Në ndërtimin e hotelit të Kinezëve, sot
Policia e Shtetit, u caktua inxhinieri Hysen Bardhi me brigadier Liman Zunën.

Në kantierin e
ndërtimit të qendrës ’21 Dhjetori’ (kështu quhej atëherë), të gjitha objektet u
hapën për herë të parë dhe si kantier kryesor që ishim, na duhej të pasqyronim
edhe punën e ndërmarrjes më të madhe e më të vjetër në Republikën e Shqipërisë,
e cila kishte kontribute të mëdha në sektorin e ndërtimit. Kështu, për çdo
objekt u bë plani i organizimit të punimeve, grafikët e detajuara për një
mujor, tremujor e vjetor. Për çdo objekt, gjithashtu, u krijuan zyrat e
drejtuesit të objektit ku ishin të afishuara të gjitha dokumentet e nevojshme e
nga ku drejtoheshin e kontrolloheshin punimet.  
Por siç e përmenda më sipër, çdo gjë e jona ishte nën vëzhgimin publik,
kuptohet dhe nën vëzhgimin e kontrollin e udhëheqjes së lartë të vendit, pasi
objektet ishin në qendër të kryeqytetit. Ja të kujtoj këtu një rast…
Zëvendëskryeministri i vendit, në orët e vona të një nate, kur godina 7 katëshe
ishte drejt përfundimit,  (ishte drejtues
Petraq Kolevica), kishte dal xhiro nga qendra e Tiranës dhe shikon nga godina
ku ishin lyer fasadat e ballkoneve me ngjyra pak të forta , ku veç ndriçimit të
rrugës, ishte lënë dhe një dritë ndezur në fasadën e godinës. Të nesërmen, mua
Xhemal Simitxhiun, drejtorin e ’21 Dhjetorit’, me porosi të Spiro Kolekës, na
thërret Rrahman Hanku, Ministri i Ndërtimit në raport. Ishte bërë alarm
shpenzimi i energjisë (lënia e një drite ndezur) dhe duhej ti bëhej ngarkim
vlera financiare inxhinier Petraq Kolevicës. Pra, dhe për gjërat më të vogla,
atë kohë ne duhet të ishim të kujdesshëm, se jepej llogari. Kështu ishte
objekti i qendrës, me objekte e aktivitet të ekspozuar, në sy të të gjithëve. Në
këto objekte, nuk mund të le pa përmendur punën e topografit Petrit Jasani, i
cili me një ndërgjegje të lartë, me orë e pa orë,  ishte i gatshëm e ndihmoi dhe kontribuoi në
të gjitha objektet tona, që nga piketimi, vendosja e akseve, vendosjen e
kuotave, kontrollin e nivelimit e betonimit të kateve, ku çdo gjë kishte
librezën përkatëse. Bëri një punë që meritoi e meriton respekt dhe mirënjohje.

Kondicionet teknike në ndërtimin e 15 katëshit në Tiranë

Kantierit tonë më
vonë iu besua dhe ndërtimi i Antibiotikut në Tiranë, i cili bëhej me ndihmën e
kinezëve. Në këtë objekt të rëndësishëm, inxhinier zbatimi në fillim ishte Piro
Meçollari dhe më vonë, tekniku Venus Bani. Në këtë objekt, pas përfundimit,
nisi prodhimi i ilaçeve në vendin tonë. Çdo objekt, kishte veçoritë e veta në
zbatimin e punimeve. Por pesëmbëdhjetëkatëshi, ishte dhe vlerësohej për kohën
si objekt i rëndësisë së veçantë.

Një aspekt i
veçantë është për tu theksuar ai në fillim të ndërtimit të hotelit 15 kate.
Ndërmarrja e Ndërtimit ’21 Dhjetori” kishte me dhjetëra inxhinierë me përvojë
pune në zbatimin e shumë veprave të ndërtimit. Shumë prej tyre, u njohëm  me projektin e ndërtimit të hotelit, por
asnjë nuk u afrua që të merrte përsipër ndërtimin e këtij objekti.  Për ndërtimin e tij u ngarkua inxhinieri i ri
Astrit Kuçana, me të cilin ne kishim punuar së sektorin e banesave me kontribut
vullnetar. Ai ishte një djalë me vullnet dhe me dëshirë për të punuar si dhe
kishte interes e dëshirë për të mësuar në praktikë në zbatimin e punimeve të
ndërtimit. Kishte aftësi shumë të mira komunikuese me njerëzit dhe mundohej të
mësonte nga mjeshtrit e ndërtimit. Detyra e vështirë që mori përsipër  për zbatimin e projektit të 15 katëshit, një
objekt me përmasa e vështirësi specifike që realizohej për herë të parë në
vendin tonë, nuk qe e lehtë. Na doli për detyrë që ti qëndrojmë sa më
pranë  gjatë punës për zbatimin e
detyrës, por Astriti dinte të komunikonte dhe të kërkonte ndihmë nga njerëzit
me përvojë. Kjo mënyrë sjellje, përkushtimi e këmbëngulje, korrektësia për
respektimin e çdo detaj teknik, bëri që të kaloheshin mjaft vështirësi. Kështu,
ai fitoi përvojë në zbatim, duke arritur që me një punë të lodhshme të realizoj
me sukses dhe të dorëzoj një vepër dinjitoze siç ishte 15 katëshi në qendër të
Tiranës. E me të drejtë kjo punë e madhe ja rriti vlerat Astrit Kuçanit si
inxhinier zbatimi dhe si kuadër drejtues. Për rezultatet që pati në punën e
tij, ai u emërua kryeinxhinier i kantierit.

E theksoj, se në të
gjitha etapat dhe detajet e këtij objekti, ishte interesimi direkt i udhëheqjes
së kohës. E konsideroj me vend që të theksoj se ky objekt kishte një strukturë
interesante të veçantë sepse: Themelet, që janë në një thellësi 8-10 metra nga
kuota ‘0’ janë me trarë ‘T’ të përmbysur; struktura e tre kateve të shërbimit
(përfshi edhe katin teknik) është me sistem tradicional, tra-kolonë… E
veçanta për nga ana e konstruksionit të këtij objekti janë katet e banimit (12
kate), me strukturën sistem në sistem, mure beton-arme mbajtës për të gjithë
lartësinë e tij. Për ndërtimin e kësaj strukture, janë prodhuar kallëp metalik
të veshur me dru, të cilët garantonin betonimin e mureve beton-arme 12
centimetra. Në kuotën -8-10 metra gjendet një rifuxho e organizuar mirë (për
kohën që u ndërtua) me një soletë e cila përballonte, sikur e gjithë godina të
rrëzohej, me një dalje të fshehtë rreth 50 metra larg godinës. E veçantë tjetër
e këtij objekti është shkalla elikoidale e ambienteve sociale, e cila, për nga
vështirësia e madhështia, është akoma edhe sot një realizim i përsosur nga
specialistët e kohës. Për realizimin e këtij objekti është përdorur
hekurbetoni  që në atë kohë quhej
‘stol-3’ me çimento M-500, duke realizuar një markë betoni 300-350 kilogram për
centimetër katror. Rifiniturat e objektit janë realizuar me mjeshtëri nga
specialistët që realizuan punimet. Janë përdorur kryesisht mermer  vendi si ai i Karaburunit për veshjen e
jashtme, ai i Muhurrit e Sarandës për shtresat e tjera. Shumë materiale si
pajisjet hidro-sanitare, pllakat e qeramikës për shtresat apo për veshjet,
profilet e aluminit për dyert dhe dritaret etj, janë sjellë nga importi. Për ti
dhënë objektit një karakter kombëtar, në realizimin e shumë ornamenteve nga
folku ynë, kanë marrë pjesë shumë artistë të njohur të kohës si Kujtim Buzo,
Taqo Miho, Muntaz Dhrami etj, që me idetë e tyre dhe pjesëmarrjen në realizimin
konkret, arritën të krijonin një stil kombëtar në shumë elementë të godinës si
në shtresa, në bazoreliev, në dekorime dru, hekur etj…

Debati me Manush Myftiun për hotelin 15 katësh

Duhet theksuar se
në ndërtimin e këtij objekti unikal në Shqipëri për kohën dhe më vonë, ishin
përqendruar e thirrur specialistët më të mirë, grupuar në një brigadë prej 30
vetësh, mjeshtër në profesionet e karpentierit, hekurit, suvatimeve,
patinimeve, sistemet hidraulike, saldime, hekur kthyes, marangozë,
elektricist… (Foto 1,2,3) Momente
të vështira kaluam gjatë ndërtimit të 15 katëshit, ku vinçi i blerë nuk mund të
realizonte ndërtimin e kateve të fundit. Për 
këtë kishte marrë informacion dhe Manush Myftiu dhe udhëheqja lart. Një
ditë më vjen një njoftim se më kërkon urgjent Manush Myftiu. Menjëherë u
paraqita në orën e caktuar, e pasi qëndrova pak në paradhomë, futem brenda. –E
dini pse u kam thirrur- me drejtohet Manush Myftiu. ‘Jo shoku Manush!’– i them.
“Ti je anëtar i Komitetit të Partisë të Rrethit, e në qoftë se nuk më thua të
vërtetën, do të mbash përgjegjësi. Më thuaj a do i mbaroj katet e fundit vinçi
i blerë dhe a ka dyshime për konstruksionin e 15 katëshit?_- më thotë ai. I
përgjigjem: “Shoku Manush!. Konstruksioni dhe arkitektura e hotelit 15 katësh
është bërë nga inxhinieri dhe arkitekti me përvojë, siç janë konstruktori me
përvojë Ferit Stërmasi dhe arkitektja Valentina Pistoli. Nuk ka asnjë dyshim
për konstruksionin e zbatuar që nga themelet, katet teknike, kolona, trarë,
ndërsa pjesa e betonimit të hotelit, janë mure betoni me dopio zgarë me
betonime cilësore, me marka të larta betoni. Kështu, ka garanci të plotë e
sikur të bjerë hoteli, do të mbetet si shkrepëse pa prishur!”. Ai më shikonte
drejt në sy e më dëgjoi me vëmendje, pastaj ndërhyri: “Jep garanci ti për
këtë?”. –“Po shoku Manush, kemi garanci të plotë. Për sa i përket vinçit për
mbarimin e kateve, kemi studiuar zgjidhjen që katet që vinçi nuk i kap, do i
realizojmë me një vinç ‘Pionier’ me skelë ndihmëse”- i shpjegova. Më pas i
tregove dhe mënyrën konkrete si do të vepronim. Ai u bind e më tha: “Ti je
thirrur si anëtar i Plenumit. Po ndodhi gjë, do të mbash përgjegjësi!”.  E rigarantova se çdo gjë do të realizohet dhe
se informacionet për dyshime nuk qëndrojnë.