Kujtim Spahivogli, sot 81 vjetori i lindjes së gjigandit të kulturës shqiptare që e kaloi jetën nëpër internime

960
Sigal

Si e dëbuan Kujtimin nga Teatri Kombëtar 40 vjet më parë dhe vdekja tragjike pas infarktit të tretë

 Kujtim Spahivogli lindi dhe vdiq në muajin korrik. Ai lindi më 30 korrik të vitit 1932 në Lushnje dhe vdiq më 7 korrik të vitit 1987, ishte aktor i njohur shqiptar. Sot mbushen 81 vjet nga lindja e tij, ose fiks 40 vjet nga dëbimi i tij, prej Teatrit Kombëtar. Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët brilantë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjeset: “I Çuditëshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj. Kujtim Spahivogli është themeluesi i Fjalës artistike. Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”.Poashtu vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës (komuniste), bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier. Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh: Ai shkroi edhe poezi, artikuj e ese. Vdiq në vitin 1987 në moshë të re, pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Vllasova, bashkëshortja që e deshi gjithë jetën

Nga ana e vet, bashkëshortja e tij, Vllasova Musta e cila njihej si poete e talentuar, pavarësisht nga ngricat dimërore që shkaktonte politika, ajo e deshi gjithë jetën, me një dashuri të pastër. Ja çfarë tregon Vllasova për njohjen e parë me këtë njeri të madh të artit: “Jam njohur me Kujtimin kur isha studente e vitit të parë për gjuhë-letërsi në Fakultetin e Filologjisë, ndërsa ai ishte pedagog në Institutin e Arteve. Asokohe zhvillohej kongresi i dytë i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, me të pranishëm nga i gjithë vendi dhe unë isha ndër më të rejat në sallë. Në një pushim midis seancave, kur të gjithë dolën jashtë godinës ku bëhej kongresi (Parlamenti i sotëm), isha bashkë me tim vëlla, Rolandin. Teksa po lëviznim në një kohë pushimi, dëgjoj një zë: “Vllasova”, kthej kokën dhe shikoj që më avitet Kujtimi. Ngela e befasuar nga fakti që më thirri. Më tej më pyeti: ‘Do bëjmë një fotografi? ’E pashë veten çuditërisht të përqafuar, dola në fotografi, krejt papritur dhe tepër spontane. Ai ishte i adhuruari i të gjithëve. Teksa po rrinim në këtë pushim që bëhej midis seancave, Kujtimi më shikon mua bashkë me vëllanë dhe i thotë poetit të njohur të asaj kohe, Llazar Siliqit, “Sa e mirë kjo!Poedhe ai qenka i mirë”. –“Jo i thotë, Siliqi, është vëllai”, “Vëllai?”-pyet i habitur Kujtimi. Nga ky moment mori shtysë, që më thirri dhe u tregua shumë i çlirët që në bisedën e parë.Parase të dilnim në këtë pushim, pashë që në hollin e ambientit ku bëhej kongresi ishte një stendë dhe aty, Kujtimi vendosi mbi 10 karikatura me portretet e shkrimtarëve dhe poetëve të pranishëm. Kishte aftësinë të realizonte bukur karikatura, i pëlqente piktura, poezia, ishte dramaturg, aktor, pedagog, regjisor. Një njeri i kompletuar, një njeri me dritë në shumë drejtime. Në momentin kur vendosi karikaturat, gjithë kërshëri po shikoja mënyrën sesi i kishte kapur si karaktere qoftë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin dhe të tjerë emra të njohur të kohës. Gjithashtu, Vllasova Musta thotë se vuajtjet e Kujtimit nuk kishin të mbaruar nëpër internime, ndërsa në burgje, ai nuk u fut asnjëherë. Regjimi donte ta shkatërronte Kujtimin, dhe për këtë arsye e torturonte nëpër internime, duke mos e futur asnjëherë në burg. Por Spahivogli ishte një guximtar që nuk u përul para asgjëje.

Ferdinand Radi, miku i afërt i Spahivoglit

Ferdinant Radi ka qenë një nga miqtë më të afërt të Spahivoglit. Kur atij iu desh të zgjidhte midis sportit dhe artit, këtu ndikoi edhe miqësia me Spahivoglin dhe vendosi për këtë të fundit. Spahivogli u bë shoku dhe miku i tij më i ngushtë, i cili ndikoi drejtpërdrejt në formimin e tij artistik. Në vitin 1965, krahas punës në uzinën “Partizani”, Radi fillon edhe aktivitetin e tij artistik me amatorët e kësaj uzine. Në vitin 1968 mbaron kursin e regjisurës nën drejtimin e pedagogëve të nderuar, Pandi Stillu e Pirro Mani. E megjithatë, formimi i tij nuk ishte i kompletuar, ndaj në vitin 1970 ndjek një kurs pasuniversitar për regjisurë, nën drejtimin e Spahivoglit. Krahas aktivitetit të tij me amatorët, Radi punoi me kontratë edhe pranë Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të ILA (Akademia e Arteve). Këtu interpreton në një sërë pjesësh, të cilat evidentuan aftësitë aktoriale të tij. Kjo pjesëmarrje me trupën profesioniste ndikoi edhe në aktivizimin e tij në film. Me dënimin e Kujtim Spahivoglit në 1974-ën, kur Ferdinand Radit iu hap një plagë e madhe në shpirt, mori fund edhe ëndrra e tij për t’u bërë aktor profesionist. Shto këtu edhe vështirësi të tjera politike të familjes, Radi nuk arriti të bëhej i tillë, vetëm atëherë kur u shemb diktatura.

Dita e fundit e jetës

Dita e fundit e jetës së tij ishte 7 korriku i vitit 1987. Atë mëngjes, regjisori i njohur i Teatrit Kombëtar, Kujtim Spahivogli, kishte shkuar si shumë herë të tjera në teatër, për të takuar miqtë e tij të vjetër dhe për të pirë një kafe me ta. Dita ishte mjaft e nxehtë dhe, në drekë, këmbët e kishin drejtuar regjisorin për në shtëpi. Atje ai jetonte i vetëm, prej vitesh, sepse “partia” kishte dashur që ai të jetonte i ndarë nga njerëzit e tij më të dashur. Edhe atë ditë, sikurse edhe shumë ditë të tjera, shtëpia e tij ishte bosh, pa frymë njeriu brenda e plot vetmi. Dhe, në atë vetmi të përbindshme, ai i kishte thënë lamtumirë kësaj jete. E kishin gjetur orë më pas, të shtrirë në dysheme, pa gjak në fytyrë dhe me një dorë të shtrirë për tek kutia e ilaçeve të zemrës. Nuk kishte mundur t’i merrte. Ataku i fortë e kishte rrëzuar menjëherë përtokë dhe ia kishte marrë jetën. Ishte goditja e tretë që regjisori  merrte nga zemra e tij e sëmurë. Por ishte edhe më e forta, ajo që e mposhti. Dukej si në ato çastet e fundit tek luante Shekspirin, në skenën e teatrit. Kështu vdiq gjeniu i madh i skenës shqiptare, i cili nuk bërë asnjë faj në këtë botë. Por për dikaturën komuniste, faji i tij, i vetëm, ishte fakti se ai ishte një njeri i talentuar dhe i dashur me njerëzit.

I.B