Kujtim Beqiri, intelektuali gjenial dhe patriot

1989
Fatos Çoçoli

Në vitin 1940, 77 vjet më parë, ata që mbaronin me medalje ari në universitetet e njohura të Evropës, ishin shumë të paktë. Disa dhjetëra. Një prej tyre ishte edhe 24 vjeçari i talentuar shqiptar nga fshati Velçë i Vlorës, Kujtim Ali Beqiri. Kujtimit autoritetet e Universitetit të Vjenës, ku dhe u laureua inxhinier civil me rezultate të shkëlqyera, i bënë ofertë punësimi si pedagog pranë këtij Universiteti, por ai nuk pranoi. Ishte i biri i Ali Beqirit, bashkëpunëtorit të Ismail Qemalit. Në mendje të tij kishte vetëm atdheun, Shqipërinë. La Vjenën dhe udhëtoi plot mall drejt saj. Dhe në më pak se pesë vjet, arriti të përfundojë disa vepra inxhinierike me vlerë edhe në ditët e sotme. Ura e Rrogozhinës i ka “këllqet” e hekurta nga dora e Kujtimit. Dy ura në Kosovë mbajnë emrin e tij. Kujtimi ishte gjithë vrull e pasion për projektet e reja për rindërtimin e vendit, me ide që i pulsonin në kokë. E pranoi me entuziazëm emërimin si drejtor i kantierit për tharjen e kënetës së Maliqit në korrik 1946. Në pak muaj bëri një punë kolosale në atë kantier, ashtu sikurse dinte të punonte ai. Me një përkushtim të plotë, me fisnikëri e mirësjellje. Ata që i mbijetuan reprezaljeve të diktaturës dhe kishin punuar me të, flisnin për një kontribut të dhënë dhe punë të kryer me ndershmëri, seriozitet dhe profesionalizëm të lartë nga Kujtimi. Por kjo nuk mjaftonte për drejtuesit e Partisë Komuniste dhe të Sigurimit të Shtetit, të cilët e akuzuan si sabotator dhe i dhanë si “shpërblim” për ndihmesën e tij të jashtëzakonshme e gjeniale inxhinierike dhe organizuese në tharjen e kënetës së Maliqit, vdekjen në litar. Me 22 nëntor 1946, ëndrrat, shpresat, idetë, projektet e të riut gjenial 30 vjeçar, foto e të cilit qëndron në stendën e studentëve më të shkëlqyer të të gjitha kohërave të Universitetit Publik të Vjenës, përfunduan në baltën famëkeqe të kënetës së Maliqit… Por jo figura, vepra dhe shpirti patriotik i tij. Fjalët e fundit të inxhinier Kujtimit përpara litarit ishin: “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria!!!”. Historia tregoi se ky gjeni inxhinierie pati “fajin” të besonte se Shqipëria bëhet, se kombi shqiptar mund të lulëzojë, se eterit na lanë një truall të begatë dhe njerëz fisnikë, për të cilët ia vlen të sakrifikosh. Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, z. Bujar Nishani, me propozimin e një personaliteti të nderuar si z. Bujar Leskaj, më 20 qershor 2017 i akordoi inxhinierit Kujtim Beqiri medaljen “Nderi i Kombit”, pas vdekjes. Të njëjtën medalje (Nderi i Kombit) Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani ia dha edhe babait të tij, patriotit Ali Beqiri, si një nga 12 anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, në një ceremoni të zhvilluar në 3 korrik 2015 në Vlorë. Pra, atë e bir tashmë janë në panteon të vatanit, si dy nga figurat më të shquara jo vetëm të Vlorës, por të gjithë Shqipërisë.Prehu i qetë inxhiner Kujtimi, edhe pse eshtrat nuk do të të gjenden më. “Materia” jote, shpirti yt, pasioni për shkencën, dëshira për t’i shërbyer atdheut, njerëzve te tu, studimi i thellë, etja e pashuar për dije të reja dhe puna vetëmohuese janë që të gjitha këtu, me ne. Ato nuk shkërmoqen, nuk treten, nuk humbin kurrë. Prandaj të kemi më të gjallë mes nesh tani! Të kemi në ëndrrat e çdo te riu të këtij vendi që kërkon të studiojë e të diplomohet jashtë shtetit, por me idealizmin e pastër se një dite do te kthehet dhe atë çka mësuar do ta realizojë e zbatojë këtu. Të kemi në kontaktet e çdo te riu të talentuar shqiptar, te laureuar jashtë, qe sheh me kërshëri e shpresë për nga kompanitë private të suksesshme në Shqipëri, ose për nga mundësitë e punësimit në agjencitë shtetërore tek ne. Vepra dhe sakrifica jote i japin vaj të pashtershëm kandilit të shpresës se edhe Shqipëria jone do të bëhet. Ti jeton tek idetë, ëndrrat dhe idealet e këtyre të rinjve, inxhinier Kujtimi! 
Sigal