Kritika e verdhë, nga dacibaot kineze te fletë-rrufetë tona

789
Sigal

Flet Agim Mero, ish sekretari i Parë i KQ të Rinisë, mbi përvojën e revolucionit kulturor kinez në Shqipëri

(Vijon nga numri i kaluar)

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha edhe në këtë rast diti ta kthente situatën në favor të vet. Ndërsa, në një anë shkruante, që nga viti 1962 në ditarin për Kinën, për dyshimet në politikën kineze, nga ana tjetër në shkrimet e fjalimet publike, u thurte himne Kinës dhe Mao Ce Dunit. Po, kur filloi Revolucioni i Madh Kulturor-Proletar, në qershor të vitit 1966, në Kinë, u duk sikur diçka u frenua në marrëdhëniet me Kinën. Në opinion, por edhe në udhëheqjen e lartë të partisë dhe vetë tek Enver Hoxha dukej se ngjarjet e fillimit të atij revolucioni përcilleshin me shqetësim. Por, pa dyshim shqetësimin më të madh Enver Hoxha e pati kur në Kinë u hodh parulla: “Bombardoni shtabin” Kuptohej, shtabi ishte partia dhe udhëheqja e saj. Klima midis dy vendeve sikur u ftoh dhe pritej me interesim të veçantë, se a do të çonte Kina delegacion në Kongresin e pestë të PPSH, në nëntor të atij viti dhe kush do ta kryesonte?