Krijimi i Çetës së parë partizane të Myzeqesë në fshatin Kolonjë

1753
Sigal

Jovan Bizhyti

Krijimi i çetës në 26 dhjetor 1942, sinjali i parë i luftës partizane

Detyra kryesore e Këshillave Nac. Çl. pas Konferencës së Pezës, ishte mobilizimi i popullit në luftë për çlirimin e vendit. Dhe partizanët e parë të Myzeqesë së Lushnjës, u mblodhën në fshatin Kolonjë për të krijuar Çetën e parë partizane në 26 dhjetor 1942. Në 24 dhjetor partizanët ilegal mbërritën në fshatin Gradishtë. Atë mbrëmje u bë mbledhja e celulës së Partisë Komuniste që vendosi për krijimin e çetës dhe vendin se ku do të bëhej ky takim. Të nesërmen në 25 dhjetor 1942, partizanët mbërritën në fshatin Kolonjë dhe u vendosën në baza të sigurta të fshatarëve patriotë, ku së bashku festuan darkën e Krishtlindjeve, një rit fetar nga më të festuarit të besimtarëve ortodoksë. Të nesërmen në 26 dhjetor në mbrëmje, shtëpia e familjes Robo me të parët e saj, vëllezërit Kosta dhe Taqi Robo, priti 21 mysafirët e parë me pushkët në krah e gjerdanët e fishekëve në brez. Oda e madhe e miqve ishte shtruar me qilima e sixhade të leshta, ndërsa zjarri shpërndante ngrohtësi nga oxhaku që flakëronte në krye. Xha Kosta si më i madhi i shtëpisë, i ulur në njërën qoshe, ftoi për karshi Spiro Moisiun, Pipi Bakallin dhe Rahman Uruçin, si më të moshuar dhe pastaj u ulën të tjerët pas tyre. Xhorxhi Robo ishte djali i shtëpisë dhe po kujdesej bashkë me shokët partizanë, Kolin, Irakliun, Nakon dhe Miti Bozon që ishin bashkëfshatarë të tij, për masat mbrojtëse në fshat e rreth shtëpisë dhe për mbarëvajtjen e atij takimi historik. Xha Kosta u uroi mirëseardhjen djemve të luftës dhe Xhoxhi Robo si kryetari i Celulës së Partisë Komuniste për Lushnjën, hapi takimin me sihariqin, se atë natë historike po krijohej Çeta e Parë partizane për nën/prefekturën e Lushnjes, krijesa që do jepte sinjalet e para të luftës partizane, vazhdimi i së cilës do pasohej dhe nga çeta të tjera, nga batalione e brigada të një ushtrie të organizuar, që do bëhej tmerr i armikut deri në çlirimin e plotë të vendit. Pjesëmarrës atë mbrëmje ishin plot 23 partizanë, pothuaj të gjithë të rinj. Në sytë e tyre shihej gëzim e krenari, shihej një optimizëm e besim se kjo shkëndijë luftarake do zgjerohej e do shtrihej në gjithë Myzeqenë e në gjithë Shqipërinë. Spiro Moisiu u zgjodh një zëri këshilltar ushtarak i çetës nga përvoja e gjatë e tij në ushtri. Ai u foli partizanëve për detyrat luftarake që i prisnin në aksionet që do ndërmerrnin.

Çeta zgjodhi gjithashtu një zëri dhe komandantin e saj, Rahman Uruçin, patriot trim dhe i vendosur. Rahmani nuk kishte shkollë ushtarake, por jeta dhe veprimtaria e tij patriotike antifashiste, e kishin bërë luftëtar të zot. Rahmani vinte nga shtresa e fshatarësisë, njihej si antizogist dhe patriot i vendosur për çlirimin e vendit. Në fshatrat kodrinore të Lushnjes e në zonën e Darsisë, ai ishte me influencë, ishte i njohur dhe në fshatrat fushore të Myzeqesë. Lufta dhe aksionet e bënë Rahmanin komandant të aftë, ku më pas ai drejtoi dhe batalionin e parë partizanë, pastaj dhe grupin partizanë të Myzeqesë nga formacionet më të mëdha në qarkun e Beratit me mbi 800 partizanë dhe vite më vonë ai u zgjodh dhe komandant i Brigadës së XVI-të Sulmuese, që u formua në Therepel të Skraparit. Në drejtimin e Çetës, si zv/komandant u zgjodh Vesel Ahmeti, komisar Muharrem Shabani dhe zv/komisar Hasan Gina. Në përbërje të Çetës partizane të Myzeqesë, atë natë përveç Spiro Moisiut dhe Spiro Bakallit, ishin të pranishëm dhe partizanët e parë që formuan çetën: Rahman Uruçi, Xhorxhi Robo, Vesel Ahmeti, Naim Kuçi, Hasan Gina, Muharrem Shabani, Koli Ll. Bozo, Irakli Bozo, Nako Bozo, Miti Bozo, Beqo Arapi, Pasho Zoto, Sefedin Arrëza, Josif Pogaçe, Myslym Emini, Rako Gjermeni, Miti Gjermeni, Naxhi Xherahi, Skënder Libohova, Sadik Koprencka dhe Skënder Çela. Pak ditë pas krijimit, Çeta partizane kreu aksionin e saj të parë kundër batalionit bregdetar dhe postëkomandës së karabinierisë italiane në fshatin Libofshë. Që në aksionin e parë, çetës iu bashkëngjitën dhe partizanë të tjerë nga Libofsha e fshatrat për rreth si: Nikoll Kule, vëllezërit Llaqi dhe Mihal Jano, Spiro Kule, Jovan Sema, Sefer Hajdari e të tjerë. Ky aksion i çetës u bë tmerr për armikun. Gjenerali i brigadës bregdetare italiane Silvio Robino, me anë të një telegrami njoftonte eprorët në Tiranë:”Mbrëmë rreth orës 10 të 28 janarit 1943 në fshatin Libofshë, një çetë e armatosur duke pre linjat telefonike, ka sulmue pa pritur kazermën e vogël të postërojes së kompanisë 428 të batalionit të bregdetit dhe kazermën e armës së karabinierisë me anën e një zjarri të gjallë, të shtime me breshëri e me bomba dore. Sulmuesit ftonin ushtarët duke thirrur,- Dorëzoni armët! Në këtë përpjekje, mbetën të plagosur ushtarët tanë Palumbo dhe Xhuzepe”. Pas disa ditësh, posta e karabinierisë italiane u largua nga Libofsha. Në pranverën e vitit 1943 u krijua dhe organizata e Ballit Kombëtar si kundërpeshë me PKSH, e cila ngriti kudo organizatat e saj. Ata shpallën një program prej 10 pikash që e quajtën “Dekallogu”. Sllogani i tyre ishte, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekja e tradhtarëve”. Në programin e tyre nuk thoshin asnjë fjalë për kundër fashizmit italian, e quanin atë fuqi e madhe, ndaj theksonin që të mos luftohej kundër tij se mund të na sillte pasoja katastrofike. Balli Kombëtar akuzonte komunistët si të shitur tek Rusia, nxisnin konfliktet fetare, duke i quajtur të krishterët si njerëz të komunistëve e tjera. Balli, disa nga bandat kriminale që vepronin në Myzeqe, i tërhoqi në krahun e tij dhe drejtuesit e tyre u vunë në krye të kësaj organizate.

Krerët e Frontit Nac.Çl. të Myzeqesë, bënë të gjitha përpjekjet për të arritur marrëveshje me krerët e Ballit për një luftë të përbashkët kundër fashizmit dhe për të shmangur veprimet përçarëse për një luftë vëllavrasëse. U bënë disa takime, si ai në fshatin Lumth në shtëpinë e Tonç Velos, ku nga Fronti Nac. Çl. ishin Spiro Moisiu e Llazar Bozo, ndërsa nga krerët e Ballit ishin Xhaferr Bali dhe Hamit Matjani. Një takim tjetër u organizua dhe në Libofshë në shtëpinë e Kozma Janos, ku nga Fronti Nac.Çl. ishin Spiro Moisiu e Loni Dhamo, ndërsa nga organizata e Balli ishin, Ibrahim Çela komandant balli dhe drejtuesi i partisë Nacional-Popullore Hiqmet Meçe. Po ashtu u bënë dhe takime të tjera, por të gjitha nuk arritën marrëveshjen e kërkuar. Përfaqësuesit e Ballit kërkonin me këmbëngulje të mos i hapej luftë fashizmit italian, më pas dhe atij gjerman, si ushtri të militarizuara, që ushtria shqiptare nuk mund ti përballonte dot ushtarakisht. Po ashtu ata kërkonin që të ndaheshin dhe zonat e influencës, pasi Balli Kombëtar pretendonte se kishte zona e fshatra ku ai kishte mbështetje masive dhe nuk lejonte që aty të futeshin partizanët. Fronti Nac.Çl. nuk mund të pajtohej me heqjen dorë nga lufta kundër pushtuesve për çlirimin e vendit, as dhe të pranonte ndarjen e Myzeqesë në parcela të partizanëve dhe të ballistëve. Myzeqeja ishte një si e gjithë Shqipëria dhe duhej çliruar me luftë të armatosur kundër okupatorit nazi-fashist.

Radhët e partizanëve sa vinin e shtoheshin, kjo bëri që në marsin e vitit 1943, në Myzeqenë e Lushnjes numëroheshin 4 çeta partizane:

-Çeta e parë vepronte në zonën Karbunarë-Biçakaj.

-Çeta e dytë në zonën Mërtish-Krutje.

-Çeta e tretë në zonën e Karatoprakut, Libofshë-Karavasta-Divjakë.

-Çeta e katërt në zonën kodrinore të Darësisë, Hyzgjokaj-Ballajgat.

Këto çeta, lëviznin sipas situatave dhe ngjarjeve që krijoheshin. Në 20 prill 1943 të gjithë partizanët e çetave të Myzeqesë, u mblodhën në pyllin e Senes pranë fshatit Këmishtaj, ku formuan Batalionin e Parë partizanë. Komandant i batalionit u zgjodh Rahman Uruçi, komisar Muharrem Shabani, zv/komandant Irakli Bozo dhe zv/komisar Loni Dhamo. Spiro Moisiu u caktua gjithashtu këshilltar ushtarak dhe lozi një rrol të rëndësishëm në organizimin ushtarak të batalionit. Xhorxhi Robo në kujtimet e tij bën vlerësime për rrolin dhe kontributin e Spiro Moisiut për organizimin e formacioneve partizane në Myzeqe.–“Ndjej obligim e nder në vlerësimin e atij personaliteti të lartë siç ishte Spiro Moisiu. Ishte shans dhe nder për popullin dhe për ne partizanët e Myzeqesë, që u ndodh në Lushnje në ato kohë historike një personalitet i tillë me potencial ushtarak e intelektual si Spiro Moisiu. Rroli dhe kontributi i tij bëri që në Myzeqe u ngritën që herët formacionet e para partizane, siç ishte Çeta e Parë partizane në dhjetor 1942, u ngritën batalionet, Grupi me 800 partizanë myzeqarë, nga më të mëdhenjtë në qarkun e Beratit dhe më pas brigadat, ku në shumë prej tyre ishin dhe partizanë myzeqarë. Spiro Moisiu ishte jo vetëm këshilltar ushtarak, por dhe ideator e organizator i shumë sulmeve e betejave që përballuan partizanët myzeqarë”. Spiro Moisiu u thirr në Labinot të Elbasanit, ku u zgjodh Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac.Çl. Ato ditë të fillimit të korrikut 1943, erdhi njoftimi se Spiro Moisiu duhet të paraqitej pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. në Labinot të Elbasanit. Spiron e shoqëroi një skuadër me partizanë myzeqarë deri në Labinot në shtëpinë e Bahollëve, ku e priste udhëheqja e lartë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Sipas kujtimeve të vet Spiro Moisiut, ai tregon se fillimisht u takua me Enver Hoxhën, të cilin nuk e njihte deri atëherë. Enveri e takoi me shumë përzemërsi dhe i tha : -Shoku Spiro, ne kemi menduar që ti të jesh Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac.Çl. Ç’thua? Spirua u gjend i pa përgatitur, pasi nuk ishte në dijeni. Heshti pak dhe mandej i tha: -Iu faleminderit shumë për konsideratën, por unë vërtetë jam ushtarak madhor dhe mund të komandoj një regjiment, apo shumë dhe një divizion, por për një ushtri të tërë e ndjej tepër të vështirë ta përballojë. Enveri pasi e dëgjoi, iu përgjigj aty për aty : -Ashtu është. Po si thua ti, a është më mirë të vëmë në krye një major tjetër si Abaz Kupi në vendin tënd?! Më thuaj, se ti e njeh mirë atë nacionalist? Pastaj ti do të jesh mes shokëve të zgjedhur e të njohur. Mua do më kesh pranë, unë si politikan dhe ti si ushtarak. Spirua s’mundi të diskutonte më tej. Ai e kuptonte se Atdheu i robëruar e në rënkim, po i thërriste bijtë e tij në betejën e re për jetë a vdekje. Ndaj me zë të ulët, të qartë e të prerë, dha fjalën, “Dakord” dhe nënshkroi besën e luftës legjendare për çlirimin e atdheut. Nga ajo kohë Spiro Moisiu me udhëheqësit e tjerë organizuan ushtrinë Nac.Çl., që u bë tmerr për armikun deri në fitoren përfundimtare, çlirimin e Shqipërisë. Vite më vonë në kujtimet e tij Xhorxhi Robo si një bashkëpunëtor i afërt me Spiron tregon :-“Me mikun tim Spiro Moisiun, u takuam pas një viti në Kongresin e Rinisë Antifashiste në Helmës të Skraparit. Spirua ishte njeri me zemër të madhe, me reputacion, me kulturë të gjerë të përgjithshme dhe profesionale, një patriot i vendosur me pikëpamje përparimtare, tepër i dashur, sakrifikonte gjithçka për shokët, buzagaz dhe me humor. Unë njoha tek ai një personalitet me kockë dhe shtyllë kurrizore, që se thyen dot monarkistët, fashistët, koçistët e të tjerë kundërshtarë dhe intrigant të më vonshëm. Për mua ai mbetet një strateg dhe gjeneral i talentuar i Kombit”. Roli i Spiro Moisiut në formacionet partizane të Myzeqesë, që nga çeta e parë e më pas, ishte me rëndësi në betejat e njëpasnjëshme të luftës kundër armikut.