Krenar në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut

178

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Dëshmorët dhe protagonistët e luftës. LANÇ-i dhe 29 Nëntori 1944

Jehonë e ngjarjeve dhe momenteve kombëtare

Të gjitha vendet në botë kanë historinë e tyre dhe historia përgjithësisht nuk është për t’u mohuar dhe as për t’u turpëruar. Është historia e një populli dhe rruga në të cilën po ky popull ka ecur gjatë shekujve dhe në kohë. Të gjitha historitë e të gjithë vendeve, kanë momente pozitive dhe momente negative. Historia nuk bëhet në kohët e pasme, ajo vetëm mund të shkruhet. Historia as të vjen mbrapa, e as e korrigjon dot. Gjaku i derdhur në fushëbeteja nga dëshmorët ka të bëjë me krenarinë tonë kombëtare, por edhe me krenarinë e ndërgjegjen time dhe të çdo qytetari. Kemi hedhur hapat e parë në vitin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut nga nazifashizmi dhe tradhtarët e vendit. Bota, vitin që shkoi përkujtoi me madhështi 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Aleatët e mëdhenj Perëndimor e kanë të shenjtë gjakun e derdhur e sakrificat sublime të bëra nga popujt e tyre në Luftën e Dytë Botërore kundër nazifashizmit dhe përkrahësve të tyre. I gjithë populli dhe shtetarët “krenohen me LANÇ-it”, luftë që na lidhi me aleatët e mëdhenj: Britaninë e Madhe, BRSS dhe SHBA-në, pra me fitimtarët. Të gjithë kemi parë, por edhe keni marrë pjesë në shtetet evropiane ku festoheshin e do të festohen përvjetorët e fitores botërore mbi bishën fashiste. Është kjo luftë, pra LANÇ-i, partizanët dhe luftëtarët që e bënë këtë luftë, në emër të gjakut të derdhur e të sakrificave të panumërta të bëra nga një popull i tërë. Edhe të huajt e vlerësojnë dhe e nderojnë këtë luftë dhe shtetarët besojnë në aleatët strategjik të vendit, që ishin dhe në kohën e LANÇ-it, për gjaku e sakrificat e popullit tonë në luftën botërore. Dhe për këtë ndodhi edhe populli shqiptar ndihej krenar për vlerësimin e faktorit të jashtëm, për ndihmesën e dhënë prej tij në luftë. Thënë më thjeshtë, të përuleni me nderim e respekt të thellë, pa mëdyshje, pa përkatësi partiake, por thjesht si atdhetarë. Për këtë luftë legjendare, për të gjitha ato akte sublime të dëshmorëve dhe heronjve të saj, për atë prurje madhore të çlirimit të vendit në krah të aleatëve të mëdhenj antifashist, të mos e ngrini zërin, por të heshtni, edhe pasi ka filluar viti i 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Dëshmorët dhe protagonistët e ngjarjeve

Dëshmorët e kësaj lufte, ranë për lirinë e atdheut dhe jo për një kurorë me lule një herë në vit. Në të 36 grup varrezat ku prehen bijtë dhe bijat e rënë në luftë, në shkallë vendi të dëshmorëve janë në gjendje jo të mirë, po kështu dhe lapidarët, pllakat përkujtimore, muzeume të prishura, e jo vetëm të LANÇ-it. Po një buxhet sado i vogël për t‘i riparuar, nuk u gjet. Këto varreza dhe objekte në kujtim të luftërave dhe të rënëve, duke i krahasuar me varret e të parëve tanë, apo dhe me vendet e ndryshme evropiane, lënë shumë për të dëshiruar. Pasardhësit e ish pushtuesve, italian e gjerman në tokën tonë vijnë e nderojnë luftëtarët e tyre të rënë kundër UNÇSH dhe u kanë ngritur përmendore. Tashmë vajti vite që në Jug të Shqipërisë janë ngritur varreza për grekët e rënë në luftën italo-greke, bëjnë ceremoni, bile dhe provokojnë ndjenjat kombëtare dhe shtetarët heshtin, ndërsa harrojmë, përflasim e nëpërkëmbim idealin e veprën e heronjve e dëshmorëve të luftës çlirimtare. Historia e popullit tonë dhe e popujve të tjerë, ka data e ngjarje me rëndësi. Protagonistët e ngjarjeve, mbi bazën e vlerësimeve e të gjykimeve të kohës dhe të vlerave që mbartnin dhe përcillnin për të ardhmen, i kanë përcaktuar ngjarje me rëndësi lokale apo kombëtare. Mbi këtë bazë, janë përcaktuar festat kombëtare e datat përkujtimore. Brezat pasardhës i kanë festuar e përkujtuar e do t‘i festojnë e përkujtojnë këto me nderim e respekt. Mbresat e Luftës së Dytë Botërore janë ende të gjalla në kujtesën e popujve dhe të popullit shqiptar. Fitorja e Aleatëve të Mëdhenj dhe e popullit tonë, si pjesë e pandarë dhe aktive mbi nazifashizmin, ishte fitore e demokracisë dhe lirisë, fitore e së mirës mbi të keqen. Ndaj është në nderin e kujtdo, që jo vetëm të mos mohojë, por as të mos zbejë vlerat e tyre.

LANÇ-i dhe 29 Nëntori 1944

LANÇ-i në kushtet e fitores së Aleatëve të Mëdhenj, merr rëndësi të veçantë për ardhmërinë e shtetit të mbetur shqiptar, shtetit të cunguar të vitit 1913. Dhe më keq po të ishim rreshtuar me të humburit? Shqipëria do të paguante haraçet e aleancës me fashizmin. Dhe këtë në radhë të parë fqinjët të cilët jo pak troje kanë marrë në të kaluarën, ëndërronin sërish në fundin e luftës. Madje pse të rreshtuar me Aleatët dhe me një ndihmesë të çmuar në këtë luftë, në Konferencën e Paqes më 1946 u vu në diskutim Shqipëria e Jugut. Si çdo luftë ajo ka patur probleme. Ajo që nuk mund të diskutohet është se lufta u fitua, vendi u çlirua më 29 Nëntor 1944. Këtë populli e skaliti fuqishëm në ndërgjegjen e tij, e festoi dhe e feston me shumë përkushtim për 74 vjet me radhë dhe këtë vit edhe 75 vjetorin. 29 Nëntori i vitit 1944 u arrit, duke e filluar nga hiçi dhe hap pas hapi, sakrificë pas sakrifice, fitore pas fitore në fushëbeteja, edhe pse me kundërvënie të forcave politike e ushtarake të kohës që ishin protagonistë të saj. Por forca kryesore ushtarake dhe shumica absolute e popullit, e zhvilluan luftën pa lëkundje për objektivin kryesor, çlirimin e atdheut nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Çlirimi i vendit nuk ishte një akt i menjëhershëm por një proces i tërë me akte, me vendime e ngjarje që pasuan njëra tjetrën. 29 Nëntorit të vitit 1944 i parapriu 16 Shtatori 1942 ku u krijua Frontit ANÇ, i cili siguroi bashkimin e popullit në luftën antifashiste, pavarësisht besimit fetar e përkatësisë krahinore etj. I parapriu 10 Korriku 1943 duke krijuar dhe organizuar krahun e armatosur të popullit në kryengritje të armatosur, Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, që në dhjetëra dekada është përkujtuar dita e krijimit të ushtrisë, të organizuar në tre korparmata dhe 8 divizione, 24 brigadave sulmuese, krahas formacioneve mbarëpopullore vullnetare të armatosura në gjithë vendin. I parapriu 24 Maji i vitit 1944 me Kongresin e Përmetit ku u vendos për të kaluar në mësymje për çlirimin e gjithë territorit të vendit tonë duke bërë edhe riorganizimin e UNÇSH dhe të Shtabit të Përgjithshëm në raport me detyrat e mëdha strategjike që do të kryheshin për çlirimin e vendit. Ju paraprinë një sërë urdhrash ushtarak të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH si: për çlirimin e kryeqytetit, Tiranë, dërgimi i dy divizioneve të UNÇSH (Div. 5, 6 S) jashtë kufijve, krahas atyre që gjendeshin më parë në Kosovë, në ndjekje të trupave fashiste e në zbatim të detyrimeve si anëtarë të Aleancës së Madhe Antifashiste botërore. Ndaj dhe partizanëve që bënë këtë luftë disa vjeçare u takonte e drejta dhe nderi, të përcaktonin ngjarjet e datat më të rëndësishme të LANÇ-it, ditët përkujtimore dhe festat. Shtetarët sot kanë të drejtë të përcaktojnë data e festa të periudhës së tranzicionit ku ata janë pjesëmarrës aktiv. Protagonistët, për motivet që bënë luftën, rrjedhojat që ajo pruri në të mirë të vendit e vlerat morale që përfaqëson në jetën e popullit tonë vendosën, dhe për dhjetëra vite festuan, 29 Nëntorin si ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist, sikurse caktuan si ditë përkujtimore të krijimit të UNÇSH datën 10 Korrik. Ngjarjet e mëdha historike nuk çrrënjosen nga ndërgjegjja kombëtare me dekrete, ashtu sikurse edhe nuk vendosen, në se nuk kanë përmbajtje, vlera e ngarkesa kombëtare. 29 Nëntori, si dita e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Ajo nuk mund të tjetërsohet as nga shtetarë dhe të ashtuquajtur historianë-politikanë. Forcat politike dhe shtetarët grinden për pushtet dhe harrojnë se kemi hyrë në vitin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut, e çdo ngjarje e saj, çdo dëshmor e heroi i rënë duhet përkujtuar me solemnitet dhe dinjitet.