Krahina “autonome” e Korçës

2597
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Korça paraqiste një interes të veçantë për të dy blloqet ndërluftuese

Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Madhe, deri më 10 dhjetor të vitit 1916 ishte në zhvillim e sipër. Shqipëria ishte bërë shesh beteje, midis forcave ndërluftuese. Ushtritë italiane dhe franceze, kishin zënë Shqipërinë e Jugut, kurse ushtritë austro-hungareze dhe bullgare, Shqipërinë e Mesme. Në Korçë, ishin vendosur forcat pushtuese greke. Rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të Shqipërisë së Jugut, nga shovinistët grekë, ishte tepër i madh. Pikërisht në këtë periudhë kaq të vështirë, forcat patriotike ngritën popullin në këmbë, për t’i dalë zot vendit. Në krahinën e Korçës, vepronin çetat e Themistokli Gërmenjit dhe të Sali Butkës. Gjithashtu patriotët, veçanërisht Themistokli Gërmenji, duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korçë dhe në qarkun e saj, ngritën një komision, dhe në emër të popullsisë së krahinës, u kërkuan forcave franceze, largimin e grekëve nga Korça dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Kështu, autoritetet franceze të pushtimit, u ndodhën përballë një lëvizjeje të fuqishme patriotike shqiptare, që kërkonte me çdo kusht largimin e pushtuesve grekë, nga Korça. Francezët ishin të interesuar të shuanin “vatrat e zjarrit” dhe të kishin siguri e qetësi, në prapavijat e tyre. Për këtë arsye, komandanti francez i zonës së Korçës, koloneli Dekoen, sipas udhëzimeve të komandës së Armatës së Lindjes, vendosi të largonte nga Korça, hordhitë greke të Venizelosit dhe hyri në bisedime. Ndaj dhe Korça paraqiste një interes të veçantë për të dy blloqet ndërluftuese, si në aspektin politik ashtu edhe atë ushtarak. Meqenëse Korça ndodhej në ndërprerjen e udhëve midis Shqipërisë, Greqisë e Serbisë në këto momente ajo ishte kthyer kanali më i përshtatshëm i komunikimit midis Fuqive Qendrore dhe Pallatit Mbretëror të Athinës. Nga ana tjetër midis frontit të “Armatës së Lindjes” dhe forcave italiane ishte krijuar një boshllëk i cili pa pushtimin e Korçës dhe të disa zonave të tjera në perëndim të saj nuk mund të mbushej. Kështu trupat franceze kishin marrë detyrën për mbulimin e një pjese të rrugës Sarandë-Korçë, rrugë kjo e një rëndësie strategjike për Antantën. Më 22 qershor 1916 filluan veprimet e para pushtuese nga ana e francezëve. Tre skuadrone kavalerie të “Armatës së Lindjes” pushtuan qytetin, por pas një jave Gjenerali Saraj i tërhoqi ato për vështirësi furnizimi. Pastaj hynë nënreparte serbe, por pa u ngatërruar në jetën lokale. Më në fund Venezellosi, dërgoi një përfaqësuesin e vet si prefekt.

Presioni i çetave shqiptare

Gjenerali Saraj kishte preokupime serioze për krahun e majtë të rreshtimit të forcave aleate, ku ndodhej një kontigjent i vogël trupash, përballë të cilit Austriakët do të mundnin me lehtësi, në se do të vepronin, të krijonin aty një epërsi forcash. Fillimisht ata u mbështetën në elementin grek të cilit prej dy vjetësh e mbanin të pushtuar rajonin. E gjitha kjo shkaktoi një shqetësim të fshehtë, sipas Sarajt dhe një pakënaqësi të dukshme te shqiptarët që binte në sy në krahasim “me qetësinë” që ekzistonte në territoret nën juridiksionin austriak. Kështu nga mesi i nëntorit 1916, trupat franceze kishin hyrë që tetor në Korçë. Gjenerali Saraj i detyruar edhe nga presioni i çetave shqiptare vendosi shkarkimin prej detyre të gjithë funksionarëve grek, qofshin Venizelistë apo mbretërorë dhe shkrirjen e bandave greke. Të pajisur me këto direktiva ai dërgoi kolonelin Dekoen, që zëvendësoi në Korçë de Burnazelinin, i cili, kishte komanduar para luftës brigadën e kavalerisë greke e njihte mirë ambientin grek dhe ambiciet e tyre për Shqipërinë e Jugut. Koloneli komandonte një detashment të përbërë nga dy kompani të fanterisë franceze, një batalion indokinez, dy skuadrone kavalerie dhe një seksion topash 65 m/m ai hyri pa rezistencë në Korçë. Gazeta “Adriatiku”, e cila në Korçë, por jo shumë e njohur, kjo ditë u kthye në një festë të vërtetë. Njerëzit u mblodhën në shkollën e Shën Gjergjit, që në mëngjes, ku vjen Themistokliu dhe drejtuesit e Korçës. Ndërsa përpara prefekturës, ushtarët francezë, të veshur me uniformë festive, qëndronin për nder armë. Themistokliu u rrëfeu njerëzve shkakun e mbledhjes, ku deklarohet për vetëqeverisje të Shqipërisë, duke theksuar se duhet të kemi vëllazëri e dashuri në mes njëri-tjetrit. Komisioni i ngritur prej katërmbëdhjetë veta, shtatë të krishterë dhe shtatë myslimanë, u nisën për në prefekturë. Në këtë komision, që mori përsipër barrën e kujdesjes për vendin dhe u paraqitën përpara kolonelit, bënin pjesë: Rafail Adhami, Kostandin Noçka, Nikolla Vangjeli, Vasil Singjeli, Vasil Kondi, Llambro Mborja, Thimi Cale, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani dhe Haki Shemshedini. Aty i priti koloneli Dekoen dhe oficerë të tjerë francezë, veshur me uniforma ushtarake dhe me grada. Dr. Haki Mborja i drejtohet komandantit francez e i tregon qëllimin e ardhjes së tyre. Komandanti i priti me buzëqeshje, duke thënë, se duhet bërë protokoll. U bë protokolli. Me mbërritjen e kolonelit Dekoen, nën urdhrat e tij, fillimisht pati rezultate të papritura për komandën e tij eprore, të dy çetat më me zë të trevës të Themistokli Gërmenjit dhe të Sali Butkës ishin të gatshme e para që të bashkëpunonin dhe e dyta që të qëndronte neutrale me francezët në rast se Franca do të shpallte dhe do të mbështeste pavarësinë e kazasë së Korçës. Për këtë pikë bashkëpunimi me eksponentët lokalë, ishte shumë i shpejtë, në interes të popullsisë shqiptare dhe të Francës. Kjo e fundit, në fakt ndiqte dy objektiva: krijonte pavarësinë e Korçës, qytet që shquhesh në Shqipëri për nivelin e saj kulturor dhe jetësor, një nga qendrat e rëndësishme të nacionalizmit shqiptar, dhe që mund të fitonte simpatinë e shqiptarëve me këtë, e nga ana tjetër kishte në dorë një kartë të rëndësishme për të luajtur në të ardhmen pak a shumë të afërme, për të bindur Greqinë që të bashkohet me Antantën.

Qëndrimi burrëror i Themistokli Gërmenjit, para ekzekutimit

Qëndrimi i Themistokliut, përpara gjyqit dhe përpara ekzekutimit, ishte burrëror dhe dinjitoz. Në letrën që i shkruante së shoqes, ai theksonte se: “Jam viktimë e mashtrimeve”, “Vdes i pafajshëm” dhe “Rroftë Shqipëria!”. Ndërsa një oficer francez, i cili e pa me sy vrasjen, e përshkruan kështu ngjarjen. “E kam njohur Themistolkli Gërmenjin dhe u ndodha i pranishëm kur u pushkatua. Ai nuk tregoi asnjë shenjë frike, përpara vdekjes. Të gjithë sa ishim aty, mbetëm të mahnitur. Ai ishte i veshur me rroba kombëtare dhe ecte me hapin e qetë dhe plot dinjitet. Fjalët e tij të fundit, që iu drejtuan përfaqësuesit ushtarak francez, ishin. “Ju, nuk e njihni mentalitetin shqiptar. Nuk e njihni shpirtin e popullit tim! Ju, po bëni një gabim shumë të madh. Rroftë Shqipëria!”. Vrasja e Themistokli Gërmenjit, ishte një humbje e madhe për krahinën “autonome” të Korçës dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Kështu pas pushkatimit të Themistofokli Gërmenjit në 7 nëntor 1917, në Selanik dhe pas presioneve tepër të forta që sa vinin e rriteshin, komanda ushtarake franceze e abrogoi Protokollin më 16 shkurt 1918 duke zbatuar direktivat e politikanëve të tyre. Pas pushkatimit të Themistokliut, organet e sigurimit francez i vazhduan persekutimet e tyre. Ato arrestuan një pjesë te bashkëpunëtoreve të Themistokliut si Qamil Panaritin drejtor i Policisë, Mehmet Pupen, komisar i policisë, si edhe Mehmet, Sejfullah e Maliq bej Pojanin, të cilët u dënuan me vdekje. Mbasi dënimi i tyre u zbrit në 20 vjet të burgosurit u dërguan në Guaiane, një koloni franceze në Amerikën e Jugut. Bashkë me këta u dërguan dhe 30 veta të tjerë. Me dënimin e tyre, Republika e Korçës mori fund…. Pas kësaj, komanda franceze në Korçë e mori drejtpërdrejt nën administrimin e saj. Me gjithë këtë, autoritetet ushtarake franceze, nuk guxuan të zhduknin të gjitha fitoret e arritura nga përpjekjet dhe lufta e patriotëve shqiptarë. Në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar, krahas atij francez dhe shkollat që u hapën, e vazhduan mësimdhënien. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, në maj, të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës. Populli i kujton ata, si aleatë në ato çaste të vështira dhe krahinën “autonome”, si një sukses të asaj periudhe, që ndikoi drejtpërdrejt, në ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut. Ata u larguan, duke lanë pas kujtimin e mirë dhe varret e ushtarëve francezë në Korçë, sikurse edhe liceun francez, që edukoi për dekada të tëra, brezat e rinj.