Kozma Gjini/ Babëdudasit takohen pas 50 vjetësh

724
“…Pedagogjikes emrin e kemi,’ mësues të ardhshëm të brezit të ri…” …Dhe më vinte në vesh përmallshëm teksti e vija melodike e këngës që u kushtohej pedagogjikeve, brezit të parë të mësuesve që dolën nga bankat e shkollës dhe u bënë përhapës të dritës së diturisë në çdo skaj të republikës. “Matura e vitit 1961-65 (klasa e katërt B) e shkollës së mesme pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” Berat, do të festojë 50 vjetorin e mbarimit të shkollës”.Ky ishte lajmi i gëzuar. Ishte Mihal Çuni, i urti dhe muzikanti i kësaj klase që kishte marrë iniciativën e njoftimeve të të gjithë shokëve që aktualisht janë të shpërndarë në të katër anët e vendit. U gjetën adresat e shokëve, u lajmëruan dhe ata u nisën, ashtu si 50 vjet më parë nga drejtime të ndryshme: nga Vlora, Fieri, Lushnja, Mallakastra, Skrapari, Berati, Tirana, Durrësi etj, për t’u takuar në qytetin e gurtë të Beratit, më 28 maj. Me një ndryshim të madh: Ndërsa atëherë ishin 14-15 vjeçar me një valixhe kompesatoje në dorë, (me ndonjë rrobë e fletore brenda), tani, me 50 vjet më tepër supeve, flokëthinjur, madje paksa të kërrusur nga pesha e viteve, gjyshër me nipër e mbesa, por me një mal me kujtime. 
Zbresin nga makinat personale apo të rastit dhe sapo shkelin në sheshin e Beratit, hedhin vështrimin te njëri-tjetri, tentojnë të sjellin në kujtesë imazhin e fytyrës së rinisë së tyre, por nuk e kanë të lehtë. Është vërtet impresionuese të kesh ngrënë në një tavolinë, të kesh fjetur me një dhomë e të kesh mësuar në një klasë (për katër vite rresht) dhe pas 50 vjetësh, të mos e njohësh shokun. E kështu befasojnë njëri-tjetrin, prezantohen, përqafohen e përloten me mallin e grumbulluar prej vitesh. S’u besohet të jenë ata të pesë dekadave më parë…Shkëmbejnë një kafe e sjellin përmes të qeshurave kujtimet e rinisë, shokët, mësuesit, shkollën…duke kthyer vështrimin pas në kohë. Dhe shikimi mbërthehet te godina e shkollës dhe busti i “Mësuesit të Popullit” Babë Dudë Karbunara, te figura e mësuesit, atij që për nga profesioni, është më i miri në diell, siç thoshte Komenski. Këtu, maturantët u pritën nga drejtori i shkollës, z, Yzedin Hajdaraj. Atyre iu krijuan të gjitha kushtet që të kujtonin kohën e rinisë së tyre, por edhe të informoheshin e vizitonin mjediset e shkollës e cila sot është një shkollë me emër të nderuar në shkallë republike. 
Z. Hajdaraj tregoi se shkolla sot ka 45 mësues me tituj e grada shkencore, ka 25 klasa me nga 8-9 paralele. Gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” është një gjimnaz elitar i cili ka një historik shumë të pasur arritjesh. Nga dyert e tij kanë dalë personalitete në të gjitha fushat si diplomatë, inxhinierë, mjekë, deputetë, shkrimtarë, mësues, ekonomistë… Shumë nxënës të kësaj shkolle kanë mbaruar me medalje ari. Në maturën 2011 njëri prej maturantëve (modestish ai s’deshi ta theksonte se ky ishte djali i tij) i cili ka shkëlqyer në provime dhe është cilësuar nga ministria si maturanti më i mirë i Shqipërisë. Gjimnazi vlerësimin më të madh e ka marrë nga Agjencia Kombëtare e Vlerësimit (në vitin 2011) nderuar me medaljen e bronztë. Ne jemi produkt i një komuniteti që kërkon disiplinë dhe përparim të lart, shprehet drejtori. Në maturën e kaluar shtetërore nga ky gjimnaz janë marrë 40 dhjeta dhe për këtë u përshëndetëm dhe u falënderuam nga Ministria e Arsimit. Nxënësit e kësaj shkolle kanë tre trupa teatrale, janë realizues të një filmi dokumentar, kanë mjaft trofe në olimpiadat në shkallë vendi edhe javët e fundit kjo shkollë fitoi konkursin “Aplikacion kundër stresit”. Në emër të maturës ’65 falënderohet drejtori dhe bibliotekës së shkollës i dhurohen libra nga autorë ish-nxënës. Maturantët më pas futen në klasën e tyre, aty ku 50 vjet më parë ishin nxënës dhe ulen në bankat si dikur. Njëri prej tyre bën apelin: Agron Begaj, Agim Methoxha, Abedin Fasko, Arben Bakia, Arshi Levendi, Agron Strumi, Ali Rushiti, Bilbil Nazëraj, Bashkim Sanxhaku, Gëzim Sulejmani, Isa Gjozi, Janaq Zguri, Lefter Jaupi, Lefter Gjordeni, Kujtim Lushaj, Kozma Gjini, Llazar Bardhi, Mehmet Omeraj, Mihal Cuni, Mikail Gjata, Nezir Mehmeti, Novruz Agalliu, Neki Metaj, Përparim Flamuri, Qemal Osmani, Qamil Pepa, Riza Alushaj, Ramadan Nukaj, Rahman Dashi, Riza Kumanaku, Shyqeri Elezi, Shkëlqim Qafa,Tajar Dine, Tetem Muçaj,Themi Ndreka, Xhelal Plepi, Xhemail Ulaj, Xhemil Avdulaj. Në disa banka… një lule karafil i freskët, në respekt të nxënësve që kanë ndërruar jetë: Arshi Levendi, Gëzim Sulejmani, Abedin Fasko, Rrahman Dashi e Shkëlqim Qafa. Mbahet një minutë heshtje për kujtim të tyre. Maturantët pjesëmarrës që e kishin mundësinë e iu përgjigjën ftesës të takonin pas 50 vjetësh janë: Agron Begaj, Agim Methoxha, Arben Bakia, Ali Rushiti, Lefter Gjordeni, Llazar Bardhi, Mihal Cuni, Qamil Pepa, Riza Kumanaku, Shyqeri Elezi, Tajar Dine, Themi Ndreka, Xhelal Plepi e Kozma Gjini. Ata kanë qenë mësues e drejtues në shkolla të ndryshme të vendit dhe kanë lënë gjurmë në memorjen e nxënësve, kolegëve dhe komunitetit prindëror. Ndaj janë krenar për të kaluarën e tyre. 
Por edhe tani në pension ata janë aktiv dhe angazhohen në detyra kudo që ua kërkon rasti. Nuk mund të anashkalosh matematikanin e klasës, këshilltari i Bashkisë së Fierit, z. Agron Begaj, (drejtues i shoqatës së shahistëve) i cili ka marrë pjesë e është ndeshur me koka të njohura të shahistëve evropianë dhe është kthyer me trofe…Kujtojnë pedagogët e tyre të mrekullueshëm që i kanë mësuar dhe edukuar me durim e dashuri si të hapnin sytë e mendjes e si të bëheshin mësues të devotshëm të atdheut. Ata janë: Elsa e Pandi Vakëflliu, Andon Sinjari, Luçi Nushi, Viktor Papa, Petrit Papa, Vlash Droboniku, Iliaz Velcani, Ismail Shehu, Haki Ago, Ilia Zaka, Burbuqe Gugu, Nuri Borshi, Hëna Gjergjani, Ramiz Haznedari, Agim Doko, Asllan Sulo, Nexhip Hyseni, Pavllo Sahatçiu, Sazan Lakra, Pajtim Polovina, apo drejtorëve të shkollë: Skënder Kameniku, Shkëlqim Gjergjani, Aqif Hoxha…etj. Bëjnë xhiro krah për krah në rrugët e qytetit. Sodisin lulishten (ajo lulishte tashmë e transformuar në gjelbërim, por atëherë kundërmonte aromë trëndafilash), kalanë, shtëpitë një mbi një, kalanë, lumin Osum, sallën historike muze, Pallatin e kulturës, qytetin mes Tomorit e Shpiragut që po pëson zhvillime të reja. Maturantët i rrëmbejnë bisedat, ndryshimet, familjet, gratë, fëmijët, nipërit e mbesat… Prej bankave të kësaj shkolle dhe me kujdesin jashtë mase të pedagogëve përkatës të letërsisë: Elsa Vakëflliu, (firmëtare e Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes), Haki Ago, etj…këtu hodhën hapat e para në krijimtarinë letrare mjaft autorë të njohur të vendit si: Xhevahir Spahiu, Sefedin Çela, Shyqyri Skënderi, Elmaz Qerreti, Zylyftar Hoxha, Xhevahir Lleshi, Mira Lino (Zaimasi), Irakli Papa, Mihal Disha, M. Pasho, Adem Istrefi, Muhamet Papiaj, Mihal Krimce, Kozma Gjini, etj. Ashtu siç nga këta babëdudas, disa kanë punuar në sektorë të ndryshëm shtetërorë a diplomaci si: Jonuz Begaj, Agron Begaj, Arshi Rucaj, Lami Koçi, Kristaq Papa etj, disa prej të cilëve mbajnë grada e tituj shkencorë. Nga fundi i klasës rrinte poeti i çastit satirik, Kujtim Lushaj i gatshëm të qortonte në orët gazmore e me humor pedagogët dhe “shfaqjet e huaja”…Dikush ka marrë me vete edhe fletoren e kujtimeve të para 50 viteve dhe shokët e shfletojnë, shikojnë shkrimin e tyre, mendimet që u ka lënë shokëve, çapkënllëqet e moshës, studimin e pasdites, sportin, liridaljen në qytet… , ikjen nga studimi e shkuarjen në kinema, pse jo edhe të dashurën…Një pasazh: “… E ndiej veten të entuziazmuar se shokut tonë … iu përmirësua nota e sjelljes”. 
Në pushimin e gjatë u mundova të shihja dashnoren time, por mjerisht…ora e tretë. Brenda hyn profesore Elsa (Vakëflliu). Bën vërejtje për mungesat e kësaj dite. Në klasë jemi shokë si të një familjeje. ….Atëherë në mbrëmjen e vitit të ri ti recitove “Vargje të kuq “ të Agim Shehut duke përshëndetur shokët e klasës dhe në përfundim, ne shokët e tu, e ndezëm ambientin me duartrokitje të stuhishme sa gati tronditej salla”. Një tjetër shok (në ditarin e ’65-ës) me vargje humoristike, kritikon gatimin në kuzhinën e asaj kohe: “Miko, bëj kursime/ Me kursime ka fitime/ Qoftë fitime sa një qime”. “Ulu Lushaj! tërheq vëmendjen kujdestari. Në vitet ’60 erdhën në pedagogjike edhe mjaft kosovarë të cilët vazhduan shkollën e u bënë mësues për Shqipërinë si: Xhemail Ulaj, Vehap Demiraj, Elez Beqiri, Rustemi, Rushiti, Perparim Duraku…etj. Xhemail Ulajn, (Bajroni ynë), profesori i rusishtes, Ilia Zaka e mbante afër, sepse ai ishte edhe përkthyesi perfekt i pjesëve letrare nga rusishtja. Maturantët bëjnë vizita në mjediset e gjimnazit. Gjithçka mjediseve të shkollës ka ndryshuar. Nuk kalojnë pa u kujtuar grupi i mandolinatës së klasës apo grupi artistik i shkollës që në konkursin mes shkollave të mesme në shkallë vendi, (me mësuesit Ramiz Haznedari e Agim Doko) u paraqitëm denjësisht me një tabo muzikore e u vlerësuam me çmim. Ja edhe djemtë e grupit të mandolinatës: Mihal Cuni, Agron Begaj, Riza Alushaj, Myfit Alushi, Qamil Pepa, Gezim Sulejmani, Vangjel Mone etj. Orët dhe kokteji kalojnë shpejt dhe vjen çasti i ndarjes. Një drekë e thjeshtë dhe fjala e secilit plot mbresa, do të regjistroheshin edhe në celuloid nga Fatos Dulja. Moshatarët lënë fjalën se duhet të takohen më shpesh e jo vetëm në përvjetorë të rrumbullaktë. Mirë u takofshim!