Kostoja e hidrocentraleve, 50 të vdekur në themele

1194
Albert ZHOLI
Leonard VEIZI
INTERVISTA II/ Farudin Hoxha rrëfen për ndërtimin e veprave të mëdha hidro-energjetike. “Ato i ndërtuan njerëzit heroik jo Partia e Punës”
(Vijon nga numri i kaluar)
Ka qëlluar që të ta shikojë ndonjë i huaj këtë digë gjigande?
Fierza është vizituar nga shumë turistë italianë e francezë, por vetëm me kërkesën e tyre.

Po Enver Hoxha e ka vizituar ndonjëherë Fierzën?
Jo nuk e ka vizituar asnjëherë. Por ka qenë Mehmet Shehu. Nexhmija vizitoi Komanin.

Si punohej nga inxhinierët dhe teknikët në Fierzë?
Në kohën që shkova unë në Fierzë doli që kuadrot të shkonin në bazë, ku projektuesit etj do të shkonin edhe në hidrocentral. Atëherë ka qenë një libër shumë i trashë për udhëzimet e projektit të Fierzës. Pra libër udhëzues i posaçëm. Aty ishte gjithçka e detajuar për mënyrën e ndërtimit dhe masat e sigurimit teknik. Nuk mund të hidhej beton pa firmën e projektuesve. Nuk mund të vihej asnjë skarë hekuri pa firmën e projektuesit. Pra çdo punë që bëhej me firmën e projektuesit. Kaq përgjegjësi të madhe kishte kjo punë. Fierza prandaj qëndron sot në këmbë. Po të ishte bërë ndryshe me ndërmarrjet e sotme nuk do të kishte qëndruar. Atëherë ka pasur një disiplinë të hekurt që shumë zor se mund të vihet sot. Lidhja e hekurit dhe derdhja e betonit bëhej në kushtet e sigurisë dhe përgjegjësisë maksimale. Nuk lejohej as lëvizja më e vogël. Ndërsa sot…

Po sot një shtet në Ballkan a mund ta bëjë një vepër të tillë?
Sigurisht që mund ta bëjnë. Por jo si atëherë. Në atë kohë me një vinç mbaheshin dy ndërmarrje. Dhe e bënim me kontratë 15 ditë njëri dhe 15 ditë tjetri. Pra mund të ndërtohet por vetëm me mjetet e sotme.

A kanë humbur jetën në këtë vepër kaq gjigande?
Sigurisht. E them me keqardhje të madhe. Mua shumë herë më kanë thirrur në KQ dhe shumë herë në Organizatën Bazë të Partisë për punimet. Nuk ka hidrocentral në Shqipëri të mos ketë marrë me vete 50 të vdekur. Sot shumë prej tyre nuk u dihet as varri.

Puna e Fierzës u bë shkak që ju vunë ministër?
Jam bërë ministër rreth viteve ‘80. Dhe nuk e di edhe sot arsyen që unë u vura ministër. 

Çfarë pozicioni ka pasur Petrit Radovicka në Fierzë?
Petriti ka qenë pedagog në universitet dhe ishte kryeinxhinier i kaskadës së Drinit. Petriti ka pasur një shoqëri dhe simpati të madhe me Mehmetin. Ishin dy shokë. Petriti ka qenë partizan me të. Mehmeti besonte vetëm fjalën e Petritit, pasi Petriti ishte i aftë, punëtor, besnik, inteligjent. Të tjerët as që i vinte në kandar as ministrat dhe asnjë tjetër.

A lejohej pija alkoolike në Fierzë?
Kishte dy vjet e gjysmë që kishte filluar Fierza dhe puna ishte shumë e vështirë. Pikërisht në këtë kohë u ndalua një herë me vendim të qeverisë rakia dhe konjaku. Ne punonim në temperaturën -20 gradë Brenda në tunele, në inerte, në fabrikat e betonit. Ishte një punë rraskapitëse. Alkooli ishte i domosdoshëm. Por më vonë u lejua, apo u bë sikur u harrua vendimi. Nuk mund të punohej në atë temperaturë pa pak alkool. Ishte e domosdoshme pija. Atëherë s’kishte shumë lloj pijesh. Të frekuentuara ishin fërneti, konjaku, rakia. 

Cilat ishin profesionet më të vështira?
Shofer. Fierza është një histori më vete. Nuk kishim shoferë për makinat 60 tonësh. Kur vinin ato bëhej zhurma sikur me ardhë kuçedra, ishin 40 makina rresht. Ishin eskavatorët që me kovë mbushnin katër metër kub. Automjetet e fundit ishin Centaura. Fierza ka qenë e pajisur vetëm me këto, pastaj u pajisën të tjerët. Vetëm shoferë mund të ishin 200. 200-300 ishin për tu zëvendësuar dhe i bie 400-500 shoferë. Saldatorët ishin të kategorisë së lartë. Punëtorët që hynin aty ishin me kategori. Prandaj rri në këmbë ajo vepër.

Çarë ushqimi kishte për punëtorët?
Fasule sa të duash, bukë, çaj. Minimumi Fierza ka pasur 2500 punëtorë. Gjithsej në pikun e saj 10.000 punëtorë. Sa qyteti i Sarandës. Fluksi më i madh i punëtorëve ishte në verë që rritej edhe më shumë sepse ishte fluksi më i madh i punës. Nëpër mensat e punëtorëve fasulja ishte natë dhe ditë. Kishte edhe ushqime të tjera si mish apo supë, makarona. Furnizimi i Fierzës me ushqime bëhej nga ushtria. Ishte e pamundur të përballohej ajo vepër vetëm me Bajram Currin. 

Sot kjo vepër ka kujdesin e duhur nga ana teknike?
Jo vetëm ajo. Sot në përgjithësi është më shumë t’i gjejmë punë njerëzve. Nuk tregohet kujdesi i duhur. E di si duhet mirëmbajtur ajo digë?! Eh! Fierza duhet t’i ketë të gjithë inxhinierë ata që e shfrytëzojnë. Atëherë ishin të gjithë me kategori; shoferët, drejtuesit, mekanikët saldatorët etj. Tani i ke të gjithë me shkollë të mesme dhe me shtatë klasë..

Po riparime a i bëhen rregullisht Fierzës dhe Komanit?
I kanë bërë para një viti pas 30 e më shumë vjetësh. Ka një rregull siç është bota industriale. Siç i bëjnë makinës riparime çdo 3-6 muaj. Kështu ka qenë edhe për HEC-et. Ka qenë shërbimi i mesëm dhe shërbimi i plotë. Atëherë kishte SHT-I dhe SHT-2. Sot nuk ka më, me përjashtim makinave që kontrollohen se janë private. Sot ka një liri më shumë seç duhet. Nga ana teknike ka mungesa të theksuara. Duhen bërë provat tani që vjen dimri të hapen dhe të mbyllen portat. Të jenë lyer ato. Të shikohen mekanizmat etj.. Kur është në shtet ka dobësi të mëdha ruajtja, mirëmbajtja. Rregulloret e dikurshme nuk ekzistojnë. Privati nuk e merr. Ndaj është gjithnjë ai oreksi i privatizimit.

Pse ishte kjo përgjegjshmëri e punëtorëve në komunizëm?
Ishte edhe rregulli, por edhe frika dhe vetë sistemi diktatorial. Nga ana tjetër në ndërtim do të punoje se s’bën. Se nuk kishe ku të shkoje më. Se po të kundërshtoje asaj librezës së punës i vihej një vijë e kuqe dhe kishe marrë fund. Prandaj ka qenë edhe parulla “Të gatshëm atje ku na kërkon atdheu”. Atëherë nuk ka qenë ky oreksi për tu pasur. Atëherë nuk mund të dilje mbi të tjerët. Atëherë nuk mund të mendoje se çfarë mund të bëje. Nuk ka pasur punë private çdo gjë ka qenë e shtetit.

Kush ka qenë momenti më i vështirë?
Momente të vështira ka kudo. Por kur punon dhe nxjerr themelin e këtyre veprave. Këto themele duhen përgatitur mirë. Nuk duhet të kenë papastërtira. Duke ngritur ujin 160 metra të filtrohet uji. Këto vepra sa të mira janë aq edhe të rrezikshme janë. Sa janë të këndshme aq edhe të rrezikshme janë.

Kush ka ardhur në inaugurimin e Fierzës?
Adil Çarçani që ishte kryeministër, pasi Mehmeti ishte vetëvrarë. Kishte dhe ministra e drejtorë të tjerë. Për Enverin s’bëhej fjalë sepse ishte i sëmurë. Ramizin nuk e kam parë në këto inaugurime. Por kur isha ministër marrëdhëniet i kam pasur shumë të mira. Ramizi nuk ka qenë i grushtit të tavolinës. Me të flisnim lirshëm. S’të bënte gjë të keqe. Mehmeti ishte më i ashpër, por shumë korrekt, i palodhur, kërkues që i respektonte të aftët. 

Në kohën kur ishte ministër, a bëtë ndonjë vepër tjetër industriale?
Bëmë Komanin. Aty kam qenë projektues dhe shkoja vazhdimisht dhe e shikoja. Në atë kohë ka qenë objekti më i madh që ndërtohej. Po me Fierzën nuk krahasohet asnjë vepër.

Të gjithë këta projekte janë bërë vetëm nga inxhinierët tanë?
Ç’ka qenë pjesë ndërtimore dhe mekanike janë bërë vetëm nga inxhinierët shqiptarë. Kaskada e Drinit nuk mund ta ketë më shoqen në Shqipëri. Drini është gjigand dhe i rrallë. Në Drin është bërë punë me gjak. Në Kaskadën e Drinit ka minimumi 150 të vrarë. Por hidrocentrali nuk është një godinë. Hidrocentrali ka pjesën ndërtimore, tunele, vende me ujë, etj.. Po të shkosh në Fierzë vetëm një tunel është sa një pallat pesëkatësh i lartë, dhe i gjatë 800-900 metra. Ato e çojnë ujin me shpejtësi 30 m në sekondë.

Po Komani në çfarë viti mbaroi?
Inaugurimi u bë në vitin 1982, por si punë mbaroi në vitin 1984. Dhe mbas këtij nuk është ndërtuar më asnjë vepër. Në atë kohë unë kam qenë ministër. Përgjegjësia ishte më e madhe sepse isha projektues dhe përgjigjesha për të gjithë veprën.

Po në këto dy vepra a ka pasur të arrestuar politik?
Jo s’ka pasur. Ka pasur njerëz që janë sëmurë dhe janë edhe sot e kësaj dite sëmurë. Nuk ka qenë e lehtë të realizoheshin këto vepra. E para kanë qenë vështirësitë e natyrës që kanë qenë të mëdha. Komani ka qenë më i lehtë në punime. Ka qenë klima më e ngrohtë.

Makineritë e rënda kush i solli në Shqipëri?
Në Vaun e Dejës kanë qenë një ekip kinezësh që e morën përsipër, ku ka qenë viti 1963-1964. Vau i Dejës në atë kohë është filluar me makina “Zis” që erdhën nga Kina dhe ishin me karroceri metalike. Vau i Dejës ka pasur volume shumë më të vogla se Fierza, pasi është në fund të Drinit. Më pas erdhën disa specialistë anglezë të cilët i cilësuan spiunë. Kontrata ishte që këta për një periudhë të caktuar do të provonin makinat në punë se sa janë rezistentë, sa e kanë rendimentin dhe sa janë të forta. Ata vetëm në mëngjes donin secili nga një shishe konjak Skëndërbeu, biftek, vezë etj.. Ata habiteshin me ushqimin e shqiptarëve. Pastaj më vonë i përzunë ata. Dhe çdo gjë mbeti me forcë shqiptare. 

Po vendet fqinje Maqedonia apo Greqia a kanë hidrocentrale të këtyre përmasave?
Asnjë nga vendet rrotull nesh nuk ka më shumë se ne hidrocentrale të këtyre përmasave. Mali i Zi ka disa ndërsa shumë vende të tjera përdorin TEC-et me qymyr. Por ka shumë ndotje. Ato prodhojnë gaz karbonik që është i ndaluar. Që të kesh TEC-in duhet të kesh edhe qymyr. Mbeturinat e TEC-eve duhet vend se ku t’i hedhësh. TEC-et nuk janë ekologjik, por janë ndotës të mëdhenj. TEC-et duan fuqi të madhe punëtore. HEC-i është i pastër. Hidrocentrali ka vetëm të vështirë fillimin e ndërtimit të saj, po pastaj ajo ecën, nuk ke mbeturina, nuk do shumë fuqi punëtore etj.. 
Pse ndodhin përmbytjet sot?
Nuk i përmbytën hidrocentralet. Njerëzit i interpretojnë gabim ngjarjet. Duhet të jemi realist. HEC-et nuk mund ta mbajnë të gjithë këtë ujë që bie. Në Drin në atë periudhë erdhën 4200 metra kub. Kur vjen periudha me shumë shira kaskadat nuk kanë ku e çojnë ujin e tepërt dhe e shkarkojnë dhe bëhen përmbyten. Përmbytja më e madhe është bërë në vitin 1962, ku erdhën 5500 metër kub. Uji i Drinit nuk vjen vetëm nga Shqipëria vjen nga 48 mijë km katror tokë që rrjedh ujë në territorin shqiptar. Këtu formohen edhe prurjet e mëdha. Kur shkrin bora është e paevitueshme që do të kesh prurje të mëdha. Kaskada lehtëson përmbytjet. Merr dhe mban dhe disa mijëra metra kub ujë.

Çastet e vështira si ministër?
Dy herë në muaj do të raportonim në mbledhjen e qeverisë. Çdo 2-3 muaj ishte mbledhja e Byrosë Politike. Gjëja më e mirë ishte se s’kishe nevojë të mbaje dietë që të dobësohej. Në një nga këto mbledhje të qeverisë apo një paraqitje në Byronë Politike bije në peshë katër kg. E vërtetë, i kishe të sigurta që bije nga pesha. Ministrat e sotëm janë mbretër në postet e tyre. Ata kanë në dorë ministrinë që e mbulojnë. Shtojnë organikë. Zvogëlojnë. Emërojnë. Kanë makina luks. Kanë vetëm lehtësira dhe privilegje. Atëherë ministër ishte vetëm përgjegjësi. Këto njerëz kanë punuar në mënyrë heroike me të vërtetë. Atëherë punonte një dhe mbante dy veta.

Rrugët në krahasim me digat?
Po të marrësh rrugën Durrës-Kukës, është e shkëlqyer, e ndërtuar shumë mirë, por është një vepër e shtrirë në 200 km. Në ndërtimin e Fierzës ishte e gjithë puna e grumbulluar, tunelet, vinçat, sallat, makineritë etj. Në Fierzë nuk shikohet asgjë tjetër, as tunelet, as zhvendosjet, as makineritë. Shihet vetëm diga, ndërtesa e centralit dhe çdo gjë është në tokë. Dihet që një metër nën tokë temperatura nuk lëviz, por puna aty ishte qindra metra nën tokë. Fierza në kohën që është ndërtuar ka qenë në krye të veprave të Europës. Revista “IGOL” tregon ndërtimin e digave më të larta. Është. Atje tregohej se Fierza është në krye. Kur ndërtohej Fierza tregohej sa kanë qenë apo jo 7-8 në të gjithë botën

Si cilësohen Fierza apo Komani sot?
Po të prishet Komani, Fierza dhe Vau i Dejës, përmbyset më shumë se gjysma e Shqipërisë. Këto vepra janë lënë shumë mbas dore. Kaskada e Drinit jep çdo vit gjysmë milioni dollarë fitim për shtetin. Në rastet kur ka reshje ajo prodhon maksimumin. Minimumi i saj është 40 vjet që punon, e sa do të punojnë akoma. Interesi është që të mbahen ato. Që të mirëmbahen ato duhet të vihen njerëzit e posaçëm që t’i përmbajnë. Këto vepra duan përkushtim e ndërgjegje. Njerëzit nuk duhen parë nga bindjet politike, por nga aftësitë e të vihen në shërbim të veprave të mëdha. Prodhimi i energjisë së vendit mbahet nga këto dhe kur ka thatësirë importohet.


Sigal