Kostë Gjika/ Lipe Kasapi fanolist dhe i dekoruar “Për Veprimtari Patriotike”…

1009
Sigal

Në  Amerikë  kontribuon në  Shoqatën  Pan Shqiptare “Vatra”,  më 1912 u bë përkrahës i ideve Noliste

Lipe Jorgaq Kasapi u lind në Hoshtevë të krahinës së Zagorisë më 1882, në një familje të nderuar e të  njohur  për  traditat  atdhetare e patriotike sikurse treva e vendlindjes së tij, duke kaluar një pjesë të jetës së bashku me tre motrat e tij  Paskalinë, Licën dhe Sile Kasapin. Në moshë fare të re, në vitin 1903 ai emigroi në Turqi, (Stamboll)  ku u lidh me patriotët shqiptarë të asaj periudhe. Me ndërmjetësimin e z.Dhimosten Mandit nga Korça (Përfaqësues i Shoqatës Shqiptare në Bukuresht) ai  u mor me  shpërndarjen e Revistës “Drita”, “Shkëndia”  dhe librave  në Gjuhën Shqip. Për këtë arsye ndalohet nga autoritet shtetërore otomane, burgoset, torturohet dhe internet në Selanik të Greqisë.  Më pas  e shoqërojnë për në burgun e  Janinës, duke e përshkuar rrugën për plot 20 ditë në këmbë. Pas këtij kalvari dhimbjesh njerëzore, në vitin 1906 autoritetet policore e shoqërojnë për në dhomat e izolimit në Gjirokastër dhe më vonë në Tepelenë , ku pas pak javësh e lënë të lirë për tu kthyer në vendlindjen e tij – Hoshtevë. (Sipas dorëshkrimeve nga arkiva e tij familjare).  Ashtu i  sfilitur fizikisht, ai ishte i motivuar shpirtërisht akoma më shumë për të  përçuar tek bashkatdhetarët e tij idetë përparimtare të kohës.

  1. Lipe Kasapi në  Amerikë  kontribuon në  Shoqatën  Pan Shqiptare “Vatra” 

Më  1907, hoshtevjati Lipe Kasapi emigroi në Amerikë,  ku u përshtat shpejt me punën, gjuhën, por dhe ambientin përparimtar shqiptar të asaj periudhe… Kështu  më 1912 u bë përkrahës i ideve Noliste  duke kontribuar si anëtar i zellshëm i shoqatës panshqiptare “Vatra” dhe u zgjodh në funksionet  drejtuese të saj.  Së bashkume  shqiptarë të  tjerë  ata  u bënë  zëri i arsyes  në veprimtarinë e saj. “Konkretisht ishin kundër ndarjes fetare në Shqipëri dhe mbrojtën idenë se Kombi Shqiptar s’është as Mysliman e as Kristian, por vetëm shqiptar”. (Beqir Meta federata panshqiptare “Vatra” Tr.2002,f.78).

Me entuziazëm e pritën ata ditën e  shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali në Vlorë. Me këtë rast, 24 Hoshtevjatë midis tyre dhe Lipe Kasapi, më 1912, në qytetin e Bideford Mein të SHBA, fiksuan në një fotografi kujtimi, këtë ditë të shënuar, si një dhuratë të bukur  të ndjenjës së atdhedashurisë së tyre në mërgim(Sipas librit “Hoshteva dhe Hoshtevjatët” f, 115.)  Theksojmë se shumë prej tyre ishin anëtar të shoqatës panshqiptare “Vatra”.  Së bashku me Gaçe Dhoqon, Stathi e Perikli Sulin, Lipe Kasapin, Ilia Andonin etj., ata dërguan në vendlindje libra, lapsa, fletore dhe abetare në gjuhën shqipe.  Po kështu dhe të tjerë bashkatdhetarë të tij me banim në Amerikë, Argjentinë, Kanada e gjetkë ndihmuan sa mundën për arsimin me mjete mësimore, e libra shkollorë jo vetëm për krahinat e tyre, por për gjithë trevën shqiptare.

  1. Zagoria  më 1924  mbështeti  Qeverinë Demokratike  të  F. S. Nolit   

Në vitin 1922, Lipe Kasapi kthehet në atdheduke qenë zëdhënës i denjë i ideve të F.S.Nolit në ambientin shqiptar të atyre viteve në Gjirokastër, Sarandë, në Zagorie etj.. Për këtë flet qartë telegrami i Zagories dërguar Qeverisë Demokratike të F.S.Nolit, ku shkruet se: “Triumfi i nacionalistëve demokratë që besuan në duart tuaja dhe të shokëve, realizimin e idealeve kombëtare ka entuziazmuar krahinën tonë të Zagorisë dhe në emër të saj ju dërgojmë urimet dhe japim besën që do t’ju përkrahim veprën me çdo therrori”. Në emër të popullit të Zagorisë; Sofokli Çapi, Janaq Bulo, Lipe Kasapi. (Marrë nga gazeta “Drita”, Gjirokastër, 2 korrik 1924).  Kur njihesh me këtë fakt domethënës, mund të thuhet veçse;  Respekt dhe mirënjohje të parëve zagoritë  për përkrahjen e tyre ndaj Qeverisë Demokratike të F.S.Nolit, në emër të besnikërisë së trevës patriotike zagorite.

  1. Më 1965, Lipe Kasapi,  dekorohet me Medaljen “Për veprimtari patriotike”

Vetëm një vit pas kthimit në Shqipëri ai ngriti në Gjirokastër më 1923, restorantin “Shpresa” dhe më vonë një tjetër  lokal në Sarandë. Në Gjirokastër u aktivizua në radhët e grupit të parë demokrat  të quajtur  “Opinga”,  për propagandimin e ideve atdhetare e përparimtare  përkrah  F. S. Nolit dhe Avni Rustemit. Në bashkëpunim me  z. Kristo Luarasi ndihmoi në  botimin dhe shpërndarjen e revistave  dhe të gazetave në gjuhën shqip, në funksion të zgjimit të ndenjës atdhetare kombëtare. Për këtë atij i  erdhi në ndihmë aktiviteti i tij ekonomik që e afroi  edhe më shumë me njerëzit e të gjitha kategorive , e sidomos me bashkëfshatarët e tij.   Pasioni i tij ishte me dashamirësi të ndihmonte këdo, duke përfshirë këtu dhe komunitetin Zagorit. Le të sjellim dy shembuj për këtë;

Në restorantin e tij në Gjirokastër drekonte Prefekti i saj Z.Rexhep Jella. Në mënyrë të argumentuar xha Lipi i kërkoi atij që të zbatohej ligji për padrejtësinë që po u bëhej bashkëfshatarëve të tij Hoshtevjatë, me qëllim që mali i Hoshtevës t’i kthehej asaj pas përpjekjeve që bënte padrejtësisht fshati Bual i Përmetit për ta përvetësuar atë. Dhe në fakt kjo qe e vërteta sipas tapive në gjuhën turke. Dhe kështu u bë. Prefekti i kërkoi Gjykatës së Gjirokastrës që dokumenti i pronësisë mbi malin e Hoshtevës, nga turqisht të përkthehej në shqip dhe të legalizohej në organet përkatëse. Pas kësaj, gjyqi në prezencën trupit gjykues dhe palët e interesuara e zhvilluan atë në Zasekë, ku ishte dhe konflikti. Drejtësia u vendos më në fund, Hoshteva e fitoi gjyqin, duke ju gëzuar malit të saj, ku siguronte të ardhurat blegtorale për të jetuar.

(Nga  libri “Hoshteva dhe Hoshtevjatët f, 127.)

b) Nga kujtimet e Trifon Nikës për Vito Viton nga Fshati i Vogël, botuar tek publicistika letrare e autorit të ndjerë  zagorit Jorgo Telo, vjen mes nesh personazhi i këtij shkrimi Lipe Kasapi. Kthimi i xha Vitos nga kurbeti në Amerikë nëpërmjet pikës doganore të Sarandës do gjente gatishmërinë e tij për ta ndihmuar në çdo drejtim këtë zagorit pa hezitim e  me shumë  bujari pas peripecive që ai kaloi si pasojë e sjelljes të padenjë të një punonjësi të saj ndaj tij.   Sipas tij; “Lipe Kasapi, patriot, atë kohë kishte influencë të madhe në Sarandë. Tek ky burrë gjenin përkrahje të gjithë zagoritët që shkonin në Amerikë ose ktheheshin prej Amerikës”.  Kujtojmë këtu se në lokalin e tij në Sarandëtë frekuentuar dhe nga klientë të huaj  ai jo vetëm që prezantonte njeriun mikpritës e human për cilindo por dhe u bë zëdhënës  ngado  e në çdo mënyrë idetë fanoliste. Të njëjtin konstatim e gjen dhe pas viteve 1934  kur ai  banoi në Tiranë nga kujtimet e bisedat  e bashkëfshatarëve të tij. Por kënaqësia e xha Lipes ishte të ndërtonte jetën në Hoshtevë në dheun e të parëve të tij. Prandaj me  kursimet e kurbetit në Amerikë ai ndërtoi shtëpinë e tij të bukur,  aty pranë me ato të kushërinjve të tij të parë, Rako e Jano Kasapi (të cilët po ashtu me kursimet e  emigracionit në Kanada ndërtuan shtëpitë e tyre të reja përkarshi Kishës së Shën Pjetrit në vendlindjen e tyre Hoshtevjate.). Por këto ndërtesa  të kushtueshme dhe karakteristike nga pikëpamja arkitekturore u dogjën gjatë të Luftës N-ÇL në operacionin Gjerman të dimrit më 1943. (Ato shërbyen si baza për luftën N-ÇL në ndihmë të shtabit të zonës së parë operative Vlorë- Gjirokastër)

I martuar me vajzën sheperjote Theodhorën, jeta e  gëzoi atë  me ardhjen në jetë të tre vajzave të tij; Lirisë, Folites dhe Florikës. Por ky  gëzim nuk e shoqëroi atë deri në pleqëri. Në vitin 1967, në moshën 85- vjeçare Lipe Kasapi u nda nga jeta së bashku me hidhërimin e vazhdueshëm për humbjen në moshë të re të  Lirisë dhe Folites.  Dhe në 1971 ndahet nga jeta dhe Florika, e cila la pas  djalin e saj të vetëm  Ylli Spahiun, i cili kujton me nostalgji, respekt dhe mirënjohje figurën e nënës dhe gjyshit të tij të dashur, ndërkohë që prezanton në shoqëri  cilësitë më të vyera të karakterit  të tyre.  Nga bashkëbisedues me miq e të njohur të tij mëson se: “Ai ishte njeri i thjeshtë e praktik në jetë, burrë i qetë dhe i Kuvendit, shumë dashamirës, korrekt e tepër human, i mençur dhe atdhetar.  Në këto detaje të sjelljes së tij gjen cilësitë më të spikatura atdhetare të  karakterit shqiptar.Për këtë arsye Presidiumi i Kuvendit Popullor të Rep. Pop. të Shqipërisë  me

Dekret nr. 4040  datë;  14. 7. 1965, e dekoroi, Lipe Jorgaq Kasapin me medaljen; “Për veprimtari patriotike” me motivacionin;  “Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll bie në kontakt me patriotët dhe punon për shpërndarjen e gazetave e librave shqipe. Për aktivitetin e tij patriotik burgoset nga qeveria turke dhe më pas dëbohet nga Stambolli. Në vitin 1907 emigron në Amerikë, merr pjesë aktive në lëvizjen  patriotike dhe veçanërisht në aktivitetin e drejtimit të Shoqërisë “Vatra”. Ka ushqyer vazhdimisht ndjenjat përparimtare dhe në vitin 1924 merr pjesë në lëvizjen opozitës”. Pra me respekt e admirim mund të thuhet se;  Në çdo kohë e për çdo situatë figura të tilla patriotike  si Lipe Kasapi nuk i kanë munguar kurrë Shqipërisë,  prandaj ata do të  kujtohen të  respektuar në memorien e brezave.