Korça- “Paris i Vogël”

4121
Sigal

Këtë emër ia dha Kasabaja dhe shtëpitë publike të Varoshit

KORÇË- Shumëkush mendon se Korça u quajt “Paris i Vogël” që nga e diela e 22 tetorit 1916, kur ushtria franceze hyri në Korçë; ka të tjerë që mendojnë se këtë emër e mori në vitin 1917 kur u çel liceu francez, ashtu siç ka të tjerë akoma që thonë se ishin vetë francezët që e quajtën Korçën “Paris i Vogël”, pasi  kur zbritën nga malet e Mborjes dhe hodhën sytë mbi qytet, u shëmbëlleu shumë me një Paris në miniaturë dhe që nga ajo ditë ata e quajtën “Paris i Vogël”. Ka edhe nga ata që shprehen me siguri të plotë se ushtarët francezë, komandantët dhe gjeneralët e tyre, nxirrnin mallin e Parisit sa herë që hidhnin sytë mbi Korçën e Vogël. Nuk mungojnë as ata që përpiqen edhe sot e kësaj dite të gjejnë pika të përbashkëta ngjashmërie me Parisin. E kërkojnë krahasimin te ndonjë rrugë, te ndonjë shtëpi, te ndonjë lagje apo shesh të Korçës, dhe jo rrallë herë ia dalin mbanë; gjithnjë arrijnë të zbulojnë pika të përbashkëta me kryeqytetin francez! Thuhet se edhe kulla në qendër të Korçës për këtë qëllim u ngrit. “Parisi i Vogël” nuk mund të kuptohej dot edhe pa kullën e vogël “Eiffel”. Me ngritjen e “Eiffel”-it, askush nuk do të guxonte më të vinte në dyshim ngjashmërinë e Korçës me Parisin. Madje pritet, që kur turistët francezë të vijnë në Korçë, të mbeten të mahnitur nga bukuria, magjia dhe eleganca e kullës “Eiffel”. Dhe e gjitha kjo mrekulli, fal dyshes Filo-Peleshi. Mirëpo e vërteta nuk është kështu. Korça është quajtur “ Paris i Vogël” që nga koha e Perandorisë Osmane, kur ende nuk kishin ardhur as grekët, as austrohungarezët, as francezët, as italianët, dhe as ndonjë ushtri tjetër. Këtë emër Korçës ia dha “Kasabaja” (Korça e vjetër) dhe shtëpitë publike të Varoshit (fshati Peskëpi) që shtrihej në periferi të qytetit. Shumëkush nuk do të dojë ta besojë këtë gjë, por ne do të sjellim fakte, madje të pakundërshtueshme.

Korça shkëlqente

Fillimisht, ideja e magjishme për ta quajtur Korçën “ Paris i Vogël” u nxit nga shkrimtarja dhe udhëtarja e famshme britanike, adhuruesja e Shqipërisë, Edit Durham (1863-1944), e cila vizitoi Korçën në vitin 1904. Në të vërtetë as ajo nuk e quajti “ Paris të vogël”, por vlerësimet që dha për Korçën ishin kaq të mrekullueshme sa gjithë banorët mbetën të lumturuar. Që nga ai çast ata mund të huazonin për Korçën emrin e çdo kryeqyteti europian dhe Korçës do t’i rrinte mirë. Megjithatë, deri në ardhjen e Edit Durhamit le të shohim kush ishte Korça në ato kohëra, për të kuptuar më mirë rrëfimin që do të vijojë më poshtë. Korça vërtet kishte nisur të shkëlqente. “Sipas një dokumenti të viteve 1647-1648, tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës Veneto-Turke (1644-1669), kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbyllur, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sojadhë – Korfuz – Venedik. Gjatë rrugës në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë, dyllë) prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga Venediku”. (S. Naçi, “Të dhëna mbi Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut sipas një dokumenti të shek. XVII”, Bul. Shk. Shoq., II, 1957, F.223-225)  Këto vite e bënë Korçën edhe më të njohur. Gjithashtu, sipas dokumenteve të vitit 1712, mësojmë se banorët e Voskopojës kishin shkuar te mjeshtrit e kazasë së Korçës, ku kishin punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepsisë, këpucarisë dhe të farkëtarisë”. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, v.III, Tiranë, 1962, dok. 197). Kjo tregon qartë  shpjegon studiuesi Pirro Thomo, “se në atë kohë zejet në këtë qytet, (në Korçë) ishin në lulëzim, përderisa banorët e Voskopojës, e cila kishte arritur një nivel të lartë si qendër e rëndësishme tregtare e kulturore, vinin këtu (në Korçë) dhe mësonin zanatet”.

Korça rivalizonte

Veç sa më sipër, Korça kishte arritur të bëhej rivale e tregjeve të tjera. Në mesin e shek. XIX ,emri i Korçës ishte lartësuar edhe më shumë, aq sa konsulli i Austrisë në Janinë, albanologu Han, vërente: “…Tani në kohët e fundit po bëhet Korça që është në lulëzim e sipër, një konkurrent i rrezikshëm i Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut…. Pozita e saj, ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, është shumë e përshtatshme për tregtinë, ndaj tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”. (J.G.Hahn, Albanesische Studien, Jena, 1854, f.55). Ndërsa sipas Karmicit, “Korça është depoja natyrale e Selanikut dhe e Stambollit dhe pjesërisht e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale dhe natyrale të Evropës e të kolonive siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj, në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”. (Karamici, Gjeografia e Korçës dhe e Rrethit, Selanik, 1888, përk në AIH, F.12). Gjithashtu, “që nga shekulli i XIX qyteti kishte mjekë”. (Th. Mitko, “Topografia e Korçës, f. 571). “Më 1892 funksiononte barnatorja” (N.D.N., Korça  dhe katundet e qarkut, Korçë, 1923, f.41) Ndërsa udhëtari August Dozon, më 1874, i shkruante qerisë së vet: “Për të ardhmen mendohet krijimi i një spitali e qysh tani po bëhen përgatitjet për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”. (P.Pepo, Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të shek. XVIII-fillimi i shek. XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), 1, Tiranë 1981, f.6. (Të gjitha citimet e mësipërme i kemi shkëputur nga libri i studiuesit Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”).

Mbërritja e Edit Durhamit

Shkrimtarja dhe udhëtarja britanike, adhuruese e Shqipërisë, Edit Durham, kishte mbërritur në Korçë. Përshtypjet e saj  për qytetin (Kasabanë) ishin të mrekullueshme. Për të, në gjithë pellgun e Korçës gjithçka ishte ndryshe: Ja çfarë shkruan Edit Durham te libri i saj “Brenga e Ballkanit”: “Zbritëm të poshtë një shpati të pjerrët nëpër një shteg dredha-dredha dhe parasysh na doli liqeni i vogël i Maliqit, i katërti për nga madhësia në Shqipëri, nëpër të cilin rrjedh lumi Devoll. Para nesh u hap një fushë e madhe pjellore. Këtu s’kishte më kasolle prej balte. Në faqet e kodrave shtriheshin fshatra të rregullta me shtëpi prej guri e me tjegulla të kuqe të ndërtuara mirë. Mes tyre spikatin shtëpitë e mëdha të bejlerëve të pasur. Toka ishte e punuar bukur, rrugët shumë të mira dhe burrat ecnin me kokën lart e duke u lëkundur paksa. “Këtu çdo gjë është shqiptare”, më tha shoku im, dhe e kuptova se kisha hyrë në atë pjesë të gadishullit ku ndodhesha si në shtëpinë time”. Ndërsa më tej Edit Durham vijon: “…Në malet afër qytetit nxirret qymyr i cilësisë së dobët, dhe Korça krenohet me mullirin me avull që ka, (bëhet fjalë për mullirin me avull te Alo bej Dishnicës, shënimi ynë V.H), po të lidhej me hekurudhë me bregdetin, Korça me siguri që do të zhvillohej shumë shpejt, qymyri është aq i mirë sa eksportohet. Me gjithë vështirësitë e tanishme të komunikacionit, në dyqane gjen një sasi të habitshme mallrash importi. Begëtia e Korçës më të shumtën vjen nga paratë e kurbetit, sepse ndonëse në kushtet aktuale shqiptari e ka të vështirë të përparojë në vendin e tij, ai tregon aftësi të mëdha pune në vende të tjera, dhe shqiptarët janë aq patriotë, sa paratë e fituara në mërgim, i prishin në atdhe”.

Korça e qytetëruar, Ohri mesjetar

“Ndërsa Ohri është ende mesjetar, shkruan Edit Durham. Korça është e qytetëruar. Në shkollën shqipe të vajzave m’ u bë një pritje shumë e ngrohtë. Shkolla ishte aq “moderne”, sa m’ u duk sikur befas isha kthyer prapë në Evropë. Është e vetmja shkollë në të gjithë Shqipërinë e Jugut ku fëmijët shqiptarë lejohen të mësojnë shkrim e këndim në gjuhën e tyre amtare. Në shkollë përdoret alfabet i veçantë i shqipes dhe jo ai latin”. “…Me qenë se Korça është një nga qytetet që Greqia kërkon ta aneksojë, dhespoti grek i Korçës është kundër mësimit të gjuhës amtare. Kurse shkolla e vajzave deri tani i kanë bërë ballë çdo furtune, sepse është nën mbrojtjen e austriakëve dhe amerikanëve” “…Korçarët më pritën shumë mirë dhe u entuziazmuan me planin tim për udhëtimet me kalë nëpër Shqipëri. Familjet ku shkova ishin të gjitha shqiptare, shtëpitë ishin të rehatshme dhe të rregulluara me shije”. Ndërkohë Edit Durham kishte dhënë dhe vlerësimet e saj të famshme për qytetin e Korçës, të cilat kanë mbetur të paharruara: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë…”.

Kasabaja

Pas kësaj, Edit Durhami u largua nga Korça për të udhëtuar në drejtim të Kolonjës (Ersekës). Vendmbërritja e saj do të ishte Tepelena e Ali Pashës. Megjithatë, vlerësimet e saj për Korçën mbetën përjetësisht të gjalla, nuk u harruan kurrë, as sot e kësaj dite. Për Edit Durhamin Korça ishte një qytet i qytetëruar europian. Sigurisht, Kasabaja, (Korça e vjetër), i meritonte të gjitha sa thuheshin për të. Aty gjendeshin hanet, dyqanet, hotelet, restorantet, lokalet, kazinotë, vilat; aty gjenin akomodim të huaj e vizitorë që vinin nga vende të tjera, të afërta dhe të largëta të planetit, avokatë, mësues, intelektualë, tregtarë, qeveritarë, udhëtarë, shkrimtarë dhe misionarë që shfaqeshin herë pas herë. Aty gjendej shkolla e parë e ndërtuar në Shqipëri që nga viti 1500 (dhe që nuk e përmend askush), aty gjendeshin biblioteka, shtypshkronja, spitali, farmacia, institucionet e bamirësisë, furrat e bukës dhe mensat falas për të varfrit. Aty gjendej bukuria dhe madhështia e kohës. Për Korçën edhe vetë Britania kishte treguar interes të veçantë, kishte bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e rrugëve të favorshme të tregtisë mes saj dhe Korçës. Sipas studiuesit Ilia Ballauri, gjatë viteve 1858-1862, në Korçë kishte funksionuar një nënkonsulatë britanike. Mes të tjerash Ballauri shpjegon: “Nënkonsulata britanike kishte për detyrë zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Korçës dhe tregut britanik të mallrave. Konsulli, i quajtur Georgevich, zyrtarisht e mori funksionin e mësipërm më 18 mars të vitit 1861, ndërsa jo zyrtarisht kish nisur të punonte muaj më parë. Qëllimi ishte që Korça të zhvillonte marrëdhënie tregtare direkt me Britaninë dhe jo nëpërmjet Manastirit”.

Korça, “Paris i Vogël”

Që nga dita e ardhjes së Edit Durhamit në Korçë, njerëzit kishin nisur ta vështronin Kasabanë (Korçën) me një sy tjetër, kishin mundur të kuptonin që jetonin në një qytet të famshëm e të qytetëruar. Fjalët e Durhamit: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë…”. çdokush i gjen edhe sot te pazari i vjetër i Korçës, i cili shtrihej brenda ansamblit urbanistik dhe arkitekturor të Kasabasë. Të njëjtën gjë thotë edhe studiuesi Piro Thomo te libri i tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, ku shkruan: “Nga ana urbanistike pazari i Korçës dallohej për një strukturë mjaft kompakte dhe një rregullsi thuajse gjeometrike. Një rrjet i rregullt, me rrugë të drejta, që ndërpriten ndërmjet tyre me kënde kryesisht të drejta, kufizojnë parcela të mbushura me ndërtime”. Gjithashtu, studiues të tjerë kishin vërejtur se “Pazari i Korçës ka rrugë të drejta dhe është vërtet i vogël, por është më i bukur se Pazari i Bitolit”, (Manastitit). Megjithatë, duhet thënë se Edit Durhami nuk e krahasoi Korçën me një “ Paris të Vogël”, por vetë banorët e saj kishin filluar ta mendonin gjithnjë e më shumë si një qytet europian. Krahasimi me Parisin duket se kishte nisur të artikulohej edhe nga të huaj të tjerë. Gazeta “Korça”, 17 gusht 1909, në një artikull të saj që flet për një çështje tjetër, midis të tjerash shkruan: “Ky qytet, të cilin shumë të huaj evropianë që kanë shëtitur në Shqipëri, e kanë quajtur “Paris të Vogël”…, tregon se 5 vjet më pas nga vizita e Edit Durhamit, banorët e qytetit jo vetëm që ishin familjarizuar me termin “Paris i Vogël”, por kishin filluar ta përmendin kështu edhe në shtypin e kohës. Gjithashtu, fakti i mësipërm tregon qartë se Korça ishte quajtur “Paris i Vogël”, para ardhjes së grekëve, të austro-hungarezëve apo edhe të francezëve.

Shtëpitë publike

Megjithatë në pagëzimin e Korçës me emrin “ Paris i Vogël” duket se nuk kanë qenë pa rol edhe “gratë publike”, kështu quheshin prostitutat në atë kohë. Kasabaja ose qyteti i Korçës shtrihej më të majtë të lumit të Mborjes, ndërsa më të djathtë të tij shtrihej Varoshi, ose fshati Peskëpi. Në Varoshin e Poshtëm, kishin nisur të shfaqeshin “gratë publike”, ato përmenden edhe në shtypin e kohës që nga viti 1909. Gazeta “Korça” në faqet e saj pasqyron edhe ngjarje të tilla. Kjo duket se e plotësonte panoramën e “Parisit të Vogël”; një qytet ku gjithçka shkëlqen dhe një periferi e ngjashme me atë të shumë qyteteve të tjera europiane. Për këtë arsye, jo rrallë herë, “Parisi i Vogël” shqiptohej edhe me ironi. Më pas, gratë publike nisën të shfaqen edhe në Varoshin e Sipërm, veçanërisht pas ardhjes së ushtrisë franceze. Ja çfarë thuhet në një kronikë që përshkruan periudhën nga pushtimi francez, (1916), deri në vitin 1926: “Në kohën e okupimit francez , këtu, gratë imorale shëtitnin me një mënyrë jashtë njerëzimit rrugët e gjithë qytetit dhe skandalizonin gjendjen. Më pas, ky ves i lig u zhduk se policia shqiptare i ndaloi skandalozët të shëtitnin nëpër qytet. Me kohë, duket se u harrua ndalimi i tyre dhe po shikojmë që të shëtitin të tillat me një veshje dhe pamje jo njerëzore për turp të udhëtarëve që na vizitojnë dhe të gjendjes. Kujtojmë se kompetentët tanë do të vënë në veprim ndalimin e tyre, sikurse ishte zakon në kohët e para, ose dalja e tyre të jetë në mënyrë njerëzore, përndryshe të rrinë nëpër viset (shtëpitë) e tyre pa pasur të drejtë të shëtitin qytetin, por vetëm pazarin kur kanë nevojë”. (Zëri i Korçës, 1 maj 1926). Gjithsesi, gratë publike që kishin nisur të shfaqeshin që nga viti 1909 sollën vetiu shtëpinë e parë publike të ligjshme në maj të vitit 1921, ndërsa në janar të vitit 1943 në qytetin e Korçës kishte pesë shtëpi të tilla, tri italiane: Liberativ, Castiello dhe Orsini, dhe dy shqiptare: Meriga dhe Mariano.

Ironia e Mihal Gramenos

Gjithsesi, le t’i kthehemi edhe për një çast të vetëm rrëfimit tonë, me qëllim për ta bërë më të plotë atë. Që Korça ishte quajtur “ Paris i Vogël” edhe për shkak të grave publike e gjejmë edhe në një rast tjetër. Që nga viti 1909, në Korçë ekzistonte edhe një shoqëri artistike e quajtur “Anagjenisi”, që në shqip do të thotë “Rilindje” ose “Përlindje”, e krijuar nga grekomanët, si kundërpeshë të shoqërisë “Banda e Lirisë”, e cila ishte themeluar nga shoqëria “Dituria Shqip” dhe patriotët më në zë të Korçës; një shoqëri kjo që mbeti e pavdekshme. Megjithatë. anëtarët e “Përlindjes” kishin nisur të pretendonin se ishin ata që me artin e tyre jo vetëm që kishin sjellë “emancipimin” e vajzave të Korçës, por në të njëjtën kohë kishin mundur t’i jepnin edhe  Korçës emrin “ Paris i Vogël”. Në të vërtetë kjo shoqëri mbeti e dështuar që nga lindja e saj. Mihal Grameno ironizonte shpesh me “Anagjenisin”, nëpërmjet gazetës së tij “Lidhja Ortodokse”. Ja çfarë shkruante në një rast të tillë: “Besojmë që do të çuditen shumë,- siç u çuditëm edhe ne,- kur të mësojnë që qyteti Korça është i vetmi në botë që shëmbëllen Parisin. Dhe ky përparim, vijon me ironi gazeta “Lidhja ortodhokse”, i detyrohet grekomanizmës edhe silogut “Përlindja”. Kishim dëgjuar, vazhdon më tej gazeta, që vetëm në Paris shumë nga kishat u bënë theatro, por nuk e besonim, gjersa na u dha rasti (ta shohim) edhe në Korçë. Ndërkaq “Lidhja ortodokse” shpjegon çfarë ka ndodhur: “Ditën e Pashkës, në ngjalljen e dytë, kur fedakët vinin të faleshin, qëndronin domosdo në dera e madhe që të lëçitnin një kartë të ngjitur, me shkronja të mëdha. Qëndruam edhe neve, duke besuar që do të jetë si në të gjithë kishat e botës, rregullorja e javës së Pashkës si edhe lëçitjet, por mbetëm të çuditur kur kënduam këto radhë (rreshta): “Lojtje theatrale: “I dashuri i Voskopulës!” Pyetmë Epitropët e kishës për këtë, por zotëri e tyre nuk e dinin, edhe si shtrënguan shërbëtorët, thanë që e ngjiti pleqësi e silogut…” (Lidhja ortodokse, 14 prill 1910). Tashmë, në përfundim të këtij shkrimi, mund të themi se “Parisi i Vogël” i kishte të dy anët e monedhës edhe shkëlqimin e Kasabasë, që thuhej me zë të lartë, edhe anën tjetër, atë që quhej “Përlindje”, për të cilën pëshpëritej dhe bëhej ironi.

Vepror HASANI