Kontributi ndërtues e humanitar i trupave (me rastin e 94-vjetorit)

953
Sigal

Më 20 Janar 1921, me vendim të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës,  u krijua  kompania e parë xheniere

Trupat xheniere një strukturë ndërtuese dhe humanitare, në shërbim të njësive dhe reparteve të FA dhe të komunitetit

Më 20 Janar 1921, me vendim të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, u krijua  kompania e parë xheniere, në përbërje të Divizionit të parë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Në këndvështrimin historik, fillesat e veprimeve xheniere janë të hershme, me ngritjen e pritave, të kështjellave dhe objekteve mbrojtëse. Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përdori me mjeshtëri elementet e sigurimit xhenier të luftës të kohës. Jo rastësisht, grumbullimi i gurëve në qafa mali e në rrëpira dhe lëshimi i tyre në momentin e kalimit të armiqve të ndryshëm që kanë sulmuar vendin tonë,  nga historianë të huaj është quajtur “gurëhedhësi shqiptar”.Trupat xheniere në atë kohë kishin si detyrë kryesore kompaktësimin e strukturave të reja në përbërje të Ushtrisë Kombëtare, si dhe punimet në infrastrukturë për vendosjen e ushtrisë në kazerma.Më datën 24. 6 1928, për herë të parë u krijua Komanda e Trupave Xheniere. Me këtë organizim, me përjashtim të një kxh që varej nga komanda e divizionit aktiv, formacionet e tjera xheniere vareshin nga kjo komandë. Në vitin 1929 numëroheshin gjithsej 10 nënreparte xhenierë.Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, nga njësitë partizane u përdoren shumë elementë të sigurimit xhenier e të luftës me mina, edhe pse strukturat xheniere të paraluftës ishin shpërberë. Më 10 Prill të vitit 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ urdhëroi ngritjen e skuadrave të para  minatore, të cilat i dhanë një efikasitet të madh veprimeve luftarake të njësive, duke hedhur kështu bazat e ngritjes së strukturave xheniere pas çlirimit të vendit.Pas luftës, më 10.4.1945, u organizua i pari repart xhenier, batalioni minator, i përbërë nga dy kompani, i cili u vendos menjëherë në plazhin e Durrësit për të kryer çminimin e bregdetit të minuar nga pushtuesit nazifashistë në ikje e sipër. Në këtë aksion shumë të rëndësishëm për sigurinë e jetës së njerëzve dhe zhvillimin e ekonomisë, ra heroikisht dëshmori i parë xhenier, kapiteni Panajot Haxhimihali.Në korrik të vitit 1945, u krijuan nënrepartet xheniere në divizione dhe njësia e parë xheniere, e cila u vendos në Elbasan. Në vitet më vonë, repartet e njësitë xheniere u rritën e u modernizuan duke krijuar njësi të reja si Brigada e Urave në Kavajë, Brigada e Xhenios në Tiranë, si dhe tre Regjimente Xhenierë, që merreshin kryesisht me ndërtimin e objekteve mbrojtës me përmasa të mëdha, si bazat detare Porto Palermo e Shëngjin, baza ajrore Gjadër, objektet në Poliçan, Mjekës, Gramsh etj.

Ne vitin 1983, në kuadër të riorganizimit te ushtrisë dhe shtimit të strukturave të saj, u krijua Divizioni i Xhenios. që përfshinte në strukturën e tij 3 brigada xheniere, 3 regjimente xhenierë dhe 9 batalione fortifikimi. Në kushtet e ndryshimeve të mëdha demokratike në vend e në rajon, në vitin 1993, struktura gjigande e divizionit xhenier u suprimua dhe në vend të tij u krijua Brigada Xheniere-Ndërtuese.

Aktualisht, struktura e trupave xheniere është një batalion xhenier, në përbërje të Komandës Mbështetëse, me këtë strukturë: komanda e shtabi, toga e ruajtjes, toga mbështetëse, kompania e ndërtimeve, nënreparti EOD-i, toga e urave.

  Kontributi ndërtues e humanitar i trupave xheniere

 Kontributi humanitar i trupave xheniere është i hershëm. Ai filloi menjëherë pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë me çminimin e bregdetit të minuar nga pushtuesit nazistë në ikje, nga Currilat deri te Karpeni i Kavajës, me një gjatësi rreth 20 kilometra. Minime ishin kryer gjithashtu në portin e Shëngjinit, në Portin e Vlorës, në Gjirin e Semanit, të Sarandës, dhe në shumë qafa malesh e lugina. Jeta ishte e rrezikuar dhe vdekja trokiste kudo ku shkelte këmba e njerëzve të pafajshëm, që donin të ndërtonin jetën e tyre pas një lufte shkatërrimtare. Kishte ura e rrugë të shkatërruara, banesa dhe godina të rrafshuara.  Në këto kushte të vështira xhenierët e batalionit të parë minator çminuan rreth 200 mijë mina kt e kk, së bashku me R1Xh të krijuar në Elbasan.

Repartet xheniere ishin të pranishëm pas luftës në rindërtimin e urës së Kuçit, mbi lumin Osum, të urës së Semanit, të urës së Vjosës, urës së Matit, të Dragotit dhe Leklit në Tepelenë e shumë ura të tjera. U ndërtuan me dhjetëra ura mekanike “Bejli” të ardhura ndihmë nga UNRRA, si shpërblim për luftën e bërë ndaj nazifashistëve dhe si vend i dëmtuar shumë në Luftën e Dytë Botërore. Dhe vazhdoi pastaj pa pushuar asnjëherë  me ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi, Gramsh-Lozhan, Çorovodë- Frashër, dhe më vonë në rrugën e Malësisë së Madhe. Xhenierët kanë qenë të pranishëm në tharjen e kënetave, në ndërtimin e kanaleve të mëdhenj bonifikues, në ndërtimin e pritave dhe argjinaturave, të hidrovorëve dhe ujësjellësve, kudo ku kishte nevojë vendi. Trupat xheniere nuk pushuan kurrë së vepruari në ndihmë të komunitetit për kapërcimin e fatkeqësive natyrore, në raste përmbytje, zhbllokimin e rrugëve nga dëbora, eliminimin e pasojave të tërmeteve të rënë në Dibër, Tepelenë, Sarandë, e veçanërisht në Shkodër e Lezhë, ku dëmet ishin katastrofike, kontributin e dhënë nga xhenierët për fikjen e pusit të naftës e të gazit në Marinëz, në vitin 1974 etj. Pas viteve `90, në kushtet e ndryshimeve të mëdha demokratike në vend dhe në rajon, trupat xheniere, hoqën dorë nga punimet fortifikuese dhe u hodhën me vrull në punime kryesisht në ndihmë të komunitetit si ndërtimi i një segmenti rrugor në Unazën e madhe të Tiranës, ndërtimi i fshatin Bulçesh, Kamëz, ndërtimi i ujësjellësit në Shupenzë etj.Një kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës në rrugët kryesore të vendit dhe me volum të madh punimesh janë:  zgjerimi i rrugës kombëtare Llogara–Palasë në vitin 2000 (rreth 12 km), zgjerimi i rrugës kombëtare Bogovë–Çorovodë në vitin 2001 (19.5 km), ndërtimi i rrugës kombëtare Qafe Mejdan – Qafë Morinë në vitin 2002 (rreth 7.7 km),  ndërtimi i segmentit rrugor Milot-Rrëshen, pjesë e Aksit Durrës-Kukës-Morinë në vitin 2003-2005 (10.5 km), zgjerimi dhe asfaltimi i segmentit rrugor Kthesa e Dajtit-Qafë Mollë në vitin 2005 (5.5 km), në interes të projektit të shkatërrimit të lëndëve kimike etj.Pjesëmarrja në emergjencat civile ka qenë një tjetër medalje e shkëlqyer e trupave xheniere, krahas strukturave të tjera të FA, si zhbllokimi i rrugëve nga dëbora gjatë dimrit (dimri 2011-2012), eliminimi i pasojave nga përmbytjet, veçanërisht ajo e Shkodrës dhe Lezhës, ndërtimi e përmirësimi i shumë rrugëve në zonat rurale të vendit etj.

Në zbatim të misionit dhe detyrave të përcaktuara, batalioni xhenier ka kontribuar dhe kontribuon në përmirësimin e infrastrukturës së njësive e reparteve të FA. Vetëm gjatë vitit 2014, në zbatim të misionit kryesor të batalionit xhenier për përmirësimin e infrastrukturës së njësive dhe reparteve në FA, ka punuar në 31 njësi e reparte, në të cilët janë angazhuar 231 Forca dhe 76 mjete xheniere.

Ndër punimet më kryesore përmendim: Gërmim shkëmbi dhe dhera të ndryshëm rreth 21638 m3, ngarkim e transport dherash e zhavorri 5862 m3, përhapje e nivelim dherash e zhavorri 15265 m2, rulim shtresë zhavorri 6590 m2, prishje strukturë betoni 103.5 m3, punime betoni M-200, 64,2 m3, punime suvatimi 412 m2, ndërtim muri 15,9 m3, punime bojatisje 3682.5 m2, ngarkim e shkarkim materialesh të rëndë me vinç 91 orë pune, ndriçim natën me agregat ndriçimi 25 orë pune, shtresë asfaltobetoni  1610 m2 etj. Punimet e kryera nga batalioni xhenier janë të shumta e të shumëllojshme. Nuk ka zëra pune që forcat dhe mjetet e tij të mos kenë kryer. Kjo falë edhe strukturës efikase të këtij reparti, por edhe të kapaciteteve të konsiderueshme inxhiniero-teknike dhe specialistëve që disponon, organizimit dhe drejtimit me rendiment të punëve nga komandanti dhe shtabi i batalioni dhe të nënreparteve të tij. Në zbatim të VKM-së Nr. 931, data 09.10.2013, “Për krijimin e Taks–Forcës për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin  e territorit”, batalioni xhenier është angazhuar në 14 objekte për pastrimin e mbeturinave inerte të krijuara nga ndërtesat e prishura dhe sistemimin e ambienteve, si dhe në realizimin me sukses dhe pa aksidente të rrëzimit të ndërtesave, ku janë angazhuar 161 forca,  37 mjete dhe 8 agregate xhenierëNë këto angazhime, xhenierët kanë demonstruar profesionalizëm, disiplinë të lartë dhe ndjenjë sakrifice.Nuk kanë munguar gjatë vitit 2014 edhe ndërtimi dhe riparimi i urave Bejli, kaq të nevojshme nga komuniteti, veçanërisht ai rural, ku nevojat janë të shumta. Janë ndërtuar ura mekanike Bejli në 4 komuna, ku janë angazhuar 43 forca, 19 mjete të ndryshëm dhe 3 agregate, me një gjatësi të urave të ndërtuara 68 metra dhe ura të riparuara 15 metra.Operacionet në komunitet janë për ne “ura komunikimi”, midis ushtrisë dhe popullit, sepse ato e kanë prezantuar nga afër fytyrën humanitare të FA, i kanë bërë ato më të dashura dhe më të pranueshme.Forcat dhe mjetet e batalionit xhenier ishin ndër të parët që u gjendën pranë komunitetit edhe në rastin e emergjencës së përmbytjes në Qarkun e Lezhës nëntorin e kaluar, ku edhe në këtë rast ato demonstruan qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe rendiment në punë në pastrimin e segmenteve rrugorë, transportimin e materialeve inerte për bllokimin e ujërave etj.Në batalionin xhenier bën pjesë edhe nënreparti EOD-i, i specializuar dhe certifikuar nga NATO, për kryerjen e operacioneve speciale për çminim dhe  asgjësimin e municioneve, i cili gjatë këtyre viteve ka kryer me qindra operacione në të katër anët e vendit, duke vënë edhe jetën në rrezik.Një tjetër nënrepart xhenier i konsoliduar dhe me vlera të veçanta është edhe kompania xheniere e luftimit, në përbërje të FT, e cila merr pjesë në përbërje të SEEBRIG-ut, Brigada e Europës Juglindore. Shfrytëzoj rastin për të falënderuar të gjithë punonjësit, ushtarakë e civilë, që kanë derdhur dhe derdhin djersën dhe mundin e tyre për të realizuar me sukses detyra me ngarkesë të lartë fizike dhe psikologjike dhe kanë ngritur lartë emrin e xhenierit në vite. Xhenierët kanë edhe dëshmorët e tyre. Në këtë ditë të shënuar kujtojmë me respekt kolegët tanë xhenierë që dhanë jetën e tyre për një vend të pastër nga minat e municionet e ndryshme vdekjeprurëse, që nga dëshmori i parë xhenier, kapiteni Panajot Haxhimihali, e deri te ata te ditëve tona, siç janë oficerët Nuredin Gorçe, Aqif Karaj, Mehmet Hysa, Flamur Radani, dhe traktoristi Petrit Uku e Ilir Malçi, të cilët janë shembull frymëzimi për xhenierët.

  Përparim Veliu