Kontributi i skënderbegasve në aksionet kombëtare

1162
Ndërtimi i digës së Liqenit Artificial të Tiranës dhe aksioni për ndërtimit e rrugës së Malësisë së Madhe

Aksionet e para të skënderbegasve
Që në projektet e para të shtetit të ri të pasluftës për rindërtimin e vendit të shkatërruar, skënderbegasit kanë dhënë kontributin e tyre të dukshëm, jo vetëm në aksionet lokale, por veçanërisht në ato kombëtare si në ndërtimin e rrugëve për lidhjen e qyteteve në veri, ndërtimin e segmentit të parë hekurudhor në Durrës e në shumë aspekte të ekonomisë së vendit. Ndër të tjera, në historikun zyrtar të shkollës “Skënderbej”, ku flitet për muajt e parë pas hapjes së shkollës më 28 mars 1945, thuhet: “Shkolla mori pjesë disa herë në aksione lokale, në një ndër këta aksione, ishte ajo e prishjes së parullës fashiste në malin e Dajtit. Po ashtu, mori pjesë në gjelbërimin e qytetit. Pemët në Parkun e Madh të Tiranës dhe vendet afër Lanës, janë mbjellë nga pionierët e Shkollës Ushtarake”. Më tej, në vazhdim të dokumentit zyrtar, jepen shifra e fakte mbi pjesëmarrjen e skënderbegasve në këto aksione, vendet përkatëse, numri i skënderbegasve, volumi i punës, të dalluarit dhe vlerësimet morale që janë dhënë. Të dhënat jepen për aksionin e skënderbegasve për ndërtimin e ujësjellësit (më shumë se gjysma e Tiranës ishte paujë për shkak të bombardimeve armike në tubacione), rregullimin e mjediseve të tyre për akomodim në shkollë, prishjen e parullës së madhe murale (shkruar nga fashistët) në malin e Dajtit, pyllëzimi i Tiranës, mbjellja e rrapeve përgjatë lumit të Lanës, ndërtimin e rrugës-Kukës-Peshkopi, në hekurudhën e parë Tiranë-Durrës e më pas Durrës-Elbasan, ndërtimin e digës së Liqenit Artificial në Tiranë etj… Por më tepër se sa dokumentet zyrtare, janë kujtimet e vetë skënderbegasve në dekada lidhur me këto aksione. Ja shkurtimisht disa nga kujtimet e tyre që lidhen me këto aksione:

V. Gjonaj (Partizan i Brigadës V Sulmuese, skënderbegas në ditën e parë të hapjes së shkollës më 28 mars 1945): Ne kishim ardhur nga lufta, e shumë javë flinim mbi dërrasa apo kashtë me armët që s’i hiqnim nga dora. Ne ishim 300 kadetë të parë, por shpejt shtohen. 

Lufta kishte lënë pasoja, ndër të cilat dhe shkatërrimin e ujësjellësit që furnizonte Tiranën me ujë. Ne, por dhe dy të tretat e banorëve vuanin për ujë të pijshëm e rropateshim nëpër ato pak burime që ishin… Një ditë, na rreshtojnë e na thonë se do të gjejmë defektet, do hapim kanale e do sillnim ujë. Gjetën ca vegla se nuk kishte për të gjithë (punonim me sforco duke ndërruar njeri-tjetrin) dhe punonim deri në 16 orë në ditë. Me ne ishin dhe ca gjermanë që ishin robër e që merreshin me riparime në shkollën tonë të sapo hapur. Së fundi, defekti u rregullua. Uji erdhi. Ne ndjemë kënaqësi në atë punë të përbashkët. Po ato dit, me urdhër të komandës, ne skënderbegasit bëmë një aksion për të prishur parullën e madhe fashiste-mur i stërmadh që ishte ndërtuar në faqen e Malit të Dajtit e që lexohej deri shumë larg, deri sa i afrohesh dhe Durrësit. U lodhëm shumë se ishin qindra metër kub kurë të ngulura në sipërfaqen e shpatit. U copëtuam, gjakoseshim dhe nga duart, por e zhdukëm atë parullë, si hakmarrje të fundit mbi armikun barbar që mposhtëm dhe në front…

N. Guga ( skënderbegas i viteve 1946-1949): I shikoni sot ato drurë të mëdhenjsh rrape që janë në dy anët e lumit të Lanës? Po gjelbërimin e zonës së Liqenit Artificial e kodrat për rreth Tiranës? Ne me këta duar i kemi ngulur në aksionin për gjelbërimin e kryeqytetit të djegur e shkatërruar nga lufta. E nëse dikush do të shohë thellë në rrënjët e rrapeve buzë Lanës kur ata të thahen pas dekadash, apo qoftë dhe sot për kuriozitet, a e dini çfarë do të gjeni mes tyre?. Nuk e dini, ja po ua them unë… Në çdo rrënjë peme, do të gjeni një shishe të vogël të taposur me një copë letër Brenda ku janë emrat e skuadrës që i kanë mbjellë ato më shumë se 70 vite më parë…!

…Rrëfime të tilla për pjesëmarrje në aksione lokale e kombëtare të skënderbegasve, janë të shumta.. Disa prej tyre, ato i kanë sjellë duke i bërë pjesë të këtij libri…

Skënderbegasit, 6 muaj në ndërtimin e digës së Liqenit Artificial të Tiranës

Sami Sferdelli

Në historinë e pasur të skënderbegasve dhe Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, një vend të rëndësishëm kanë zënë dhe pjesëmarrje (aksionet) në ndërtimin e dhjetëra vepra të rëndësishme në mbarë Shqipërinë. Ndër to, është dhe pjesëmarrja në ndërtimin e digës së Liqenit Artificial të Tiranës. Unë, kam qenë pjesë e armatës së skënderbegasve, që në mënyrë të organizuar, në një periudhë kohore prej rreth gjashtë muajsh (në vitet 1958-1959), që morën pjesë në ndërtimin e kësaj vepre të rëndësishme. Për periudhën si gjimnazist në shkollën “Skënderbej”, përfshi dhe pjesëmarrjen në ndërtimin e kësaj vepre, ruaj kujtime të shumta, të cilat i kam mbartur me respekt dhe nostalgji gjatë gjithë jetës sime, pjesë të të cilave do i rendis dhe më poshtë…Unë kam lindur më 21 mars 1944 në Tiranë dhe shkollën shtatëvjeçare e kam kryer në shkollën “Luigj Gurakuqi” të kryeqytetit. Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” e kam kryer në vitet 1958-1962 , ndërsa Shkollën e Bashkuar të Oficerëve e kam kryer në vitet 1962-1964 në lokacion, ku u titullova dhe oficer aktiv. Gjithashtu, unë kam kryer me shkëputje nga puna dhe Politeknikumin “7 Nëntori” (vitet 1967-1969) dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike (vitet 1969-1974) në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Karrierën ushtarake e nisa si komandant toge në repartin 3700 në Institutin Bujqësor të Tiranës, për të vazhduar më pas në shkollën e Instruksionit të Ministrisë së Mbrojtjes, inxhinier lokacioni në ofiçinën e Ministrisë së Mbrojtjes, kryeinxhinier i Regjimentit Radioteknik, deri sa dola në pension të parakohshëm në vitin 2001. Nga viti 2001 deri në vitin 2005, kam punuar pranë institucionit shtetëror INIMA, ku dola dhe në pension pleqërie. Më pas, kam punuar në biznes privat në fushën e profesionit tim….Le të kthehem tani tek pjesëmarrja e skënderbegasve në ndërtimin e digës së Liqenit Artificial të Tiranës, ku isha dhe unë. Ka qenë muajt e fundit të vitit 1958, kohë në të cilën nisi realizimi i këtij projekti të madh. U fol se ky projekt do të shërbente për furnizimin me ujë të Termocentralit të Kombinatit (ku ishte fabrika e tekstileve), por ky furnizim u bë nga ai që quhet Liqeni i Thatë në periferi të Tiranës. Pra, siç e përmenda dhe më lart, pjesë e ndërtimit të kësaj vepre ishte dhe efektivi i shkollës “Skënderbej”, krahas shumë ndërmarrjeve të Tiranës, shkollave të mesme, universitetit e shumë sektorëve të tjerë. Për secilin nga këto institucione, ishte caktuar një sektor i veçantë pune. Për shkollën tonë, që ishte më e organizuar dhe me kontingjente të zgjedhura dhe fizikisht, sigurisht që ishte caktuar një nga frontet më të vështira. Kujtoj se për shkak të ujit prezent, strukturës së tokës, vështirësitë ishin të shumta jo vetëm në aspektin fizik, por dhe teknik. Kështu, pjesa më e vështirë, ajo e fillimit ishte duke lënë rrjedhjen e lirë të ujit, ndërsa në vazhdim, duke e kontrolluar me prita provizore. Është e nevojshme të pohoj këtu dhe disa detaje të tjera që lidhen me punën tonë në këtë objekt. Punohej pa ndërprerje çdo ditë nga efektiva të shkollës sonë, por me radhë nga 2-3 toga në ditë. Bënim vetëm punë krahu, me kazma dhe lopata, e sidomos me tokmakë, një lloj pajisje që bëhej nga një trung mbi të cilin gozhdoheshin dy krahë (listela ose drurë), dhe me to ngjeshej me forcën e krahëve shtresa e radhës e argjiltë. zhvendosja e masiveve të dheut, bëhej me karroca. Udhëtimi jonë nga shkolla drejt liqenit e kthim, bëhej në rresht kolonë për tre, nën drejtimin e komanduesve. Njëkohësisht, përveç oficerëve përkatës (toga e kompani), me ne në këtë aksion merrnin pjesë dhe mësuesit e mësueset e shkollës. Çoheshin në mëngjes në orën 05:30. Pasi kryenim ritet e mëngjesit e hanim bukë, në orën 06:30, në kolonë, niseshim nga shkolla e shkonim në frontin e punës. Koha e punës, gjithmonë e normuar, për çdo person e togë, vazhdonte zakonisht deri në orën 15:30. Por kjo kohë, ishte e varur nga realizimi i detyrës ditore. Pastaj niseshim po në kolonë dhe ktheheshin në shkollë, ku hanim bukë e nisnim studimin për ditën e nesërme. Kështu, me radhë me toga e kompani, ky ritual vazhdoi për gati gjashtë muaj. Puna, siç thash, ishte e vështirë, veçanërisht nga fillimet e saj, por ne u ambientuam. Çdo ditë, gjatë kohës së punës, cilësia e saj ndiqej nga specialistë përkatës. Kujtoj se për zbatimin e këtij projekti, kishte një interes të veçantë dhe punimet ndiqeshin sistematikisht dhe nga drejtues e funksionarë të lartë të kohës. Nuk ka se si të mos kujtoj me këtë rast shokët e mijë të klasës pjesëmarrës në këto punime si dhe drejtues, komandues e mësuesit tanë, që ashtu si në mësime e aktivitete të tjera të jetës sonë shkollore, na ndiqnin dhe në aksionet që ne bënim. Kështu, unë kujtoj me respekt e nostalgji shokët e mi: Fatri Balo, Andrea Haxhinasto, Bajram Mane, Faiz Kurti, Levan Dule, Elmaz Lupo, Lutfi Jaho, Sejdi Vidrita, Paskal Budo, Orhan Kaza, Nasi Gjergo, Jani Todri, Baki Saliasi, Andon Vane, Dervish Mero, Beko Hoxha (pilot i vrarë në krye të detyrës), Divid Ibrahimi, Serjan Halili, Zekman Bode, Ilia Kongo, Ymer Baxho etj… Brezi im i skënderbegasve nuk ka si të mos kujtojë me respekt komanduesit, drejtuesit dhe edukatorët, që nga Luto Haxhiu, komandant i shkollës, Vangjo Vando, zëvendësi për punë politike; mësuesit Viron Cinxo, Bejkush Birçe, Gjylizare Çiço; drejtorin e shkollës Stavri Angjeli; komandantin e togës, Muhamet Ormënin etj…Aksioni, apo puna për ndërtimin e digës së Liqenit Artificial të Tiranës, përveç të tjerave, ne skënderbegasve të vegjël, jo vetëm na mësoi edukatën e punës, por forcoi më tej lidhjet shoqërore e vëllazërore, lidhje të tilla në atë shkollë kishin kuptimin real të fjalës, si askund tjetër. Sigurisht, për punën në kohë dhe me cilësi, shkolla jonë u falënderua nga strukturat shtetërore të kohës, gjithashtu, dhe ne pjesëmarrësit në këtë aksion të rëndësishëm, u vlerësuam me stimuj të ndryshëm moral.Nuk mund të rri pa përmendur me këtë rast dhe mësuesit e pedagogët që na mësonin, stërvisnin, por dhe na ndiqnin në aksione të ndryshme ku kemi qenë. Kujtojmë mësuesit Ali Neviri-matematikë, Ali Kasmi-fizikë, Arsino Gjiodeshi, Bejkush Birce-fiskulturë, Drita Hajro-histori, Flutra Xoxe-letërsi, Florika Papajani-letërsi, Gjylizar Çico-letërsi, Gaqo Dilo-matematikë, Irakli Kasneci-histori, Kozma Vasili-psikologji, Llazar Mbreshtanaku-biologji, Lluka Nikollari-Vizatim teknik, Sadete Bajraktari-letërsi, Stavri Angjeli-drejtori i shkollës, Shpresa Shehu-rusisht, Viron Cinxo-matematikë, Viron Pollo-rusisht, Marie Nano-anglisht. Respekt për oficerët e së njëjtës periudhe: Hasan Gjata, Irfan Selenica-Kom, Koli Deneku, Kiço Mustaqi, Muhamet Ormenaj, Refik Kucaj, Lutfi(Luto) Haxhi-komandant i shkollës, Mark Kovaçi, Mithat Duka, Osman Pregja, Sami Zavalani, Skender Bajraktari, Servet Jaupi, Vangjo Vando etj…
Skënderbegasit në aksionin e ndërtimit të rrugës së Malësisë së Madhe

Maksim Ramohito
Nga fundi i muajit qershor të vitit 1968, të gjithë skënderbegasit maturantë që do të nisnin studimet në vit të parë në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, për të shkuar në aksionin kombëtar për ndërtimin e rrugës automobilistike që lidhte Shkodrën me Malësinë e Madhe. Aksioni do të zhvillohej gjatë një periudhe një mujore, përkatësisht gjatë muajit korrik të këtij viti. Bashkë me ne skënderbegasit maturantë, në këtë aksion ishin dhe studentët që kishin mbaruar vitin e parë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Rruga, siç mësuam dhe ne aksionistët pjesëmarrës në këtë aksion kombëtar kishte itinerarin:” Shkodër-Leqet e Hotit-Selcë-Lëpushë e deri në qendër të Malësisë së Madhe. 

Kjo rrugë është një nga ndërtimet më të vështira të kohës, pasi ishte një terren mjaft i vështirë. Për këtë shkak, në pak vende mund të ecnin punimet me mjete të mekanizuara dhe pjesa dërmuese do të bëhej me krahë duke përdorur vare, qysqi, kazma, lopata e sigurisht dhe shpërthime të vazhdueshme me lëndë plasëse. Bile, në mjaft raste, në masive të pjerrëta shkëmborë, duhej të punonim edhe të varur me litarë sigurimi. Siç përmenda më sipër, hapja e kësaj rruge të vështirë shihte aksion kombëtar dhe në ‘të, përveç nesh që në atë kohë ishim forca kryesore e punës, kishte dhe të rinj nga rrethe të ndryshme të vendit. Në këtë aksion, segmentet më të vështirë të punës, na ishin lënë ne skënderbegasve dhe studentëve ushtarakë. Por dhe ushtarë, pjesëtarë të njësive të ndryshme të ushtrisë, ishin në këtë aksion kombëtar ku dhanë dhe ata një kontribut të rëndësishëm. Për shkak të rëndësisë që kishte ky aksion rinor, kishte një angazhim konkret jo vetëm të strukturave shtetërore e shoqërore që kishin efektiva në punë, por dhe drejtues të bejtes politike. Në atë kohë, aksioni ndiqej nga afër dhe nga Lumturi Rexha, që ishte Sekretare e Parë e Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Shqipërisë. Nga ne, punimet ndiqeshin nga afër nga gjeneral Qazim Kapisyzi, që ishte komandanti i shkollës. Unë, në maturën e shkollës “Skënderbej” isha në klasën e IV, por tashmë në këtë aksion, nuk ishim më bashkë, por të ndarë sipas armëve dhe shërbimeve që do të vijonim shkollën e lartë, mbi bazën e urdhrit që kishte firmosur Ministri i Mbrojtjes. Mbaj mend se në atë kohë, punohej me një frymë e mobilizim të lartë nga gjithë pjesëmarrësit. Kishte një organizim të detajuar, me përparësi zbatimi rigoroz i rregullave të sigurimit teknik, në mënyrë që të evitohej çdo ngjarje e mundshme gjatë punës. Kanë qe në dit të lodhshme, e njëkohësisht edhe të bukura pasi punonim në një shoqëri të riorganizuar, ku përveç skënderbegasve, kishte dhe të tjerë të ardhur nga jeta civile. Kujtoj shumë detaje nga ajo kohë, por ndër më të rëndësishmet, ato që na i rifreskojnë këto kujtime dhe shokët, janë fotot që kemi bërë në këtë aksion. Fatmirësisht, një shoku ynë, Mina Qirici, kishte nj aparat fotografik personal dhe kemi bërë disa foto. Unë ruaj ende me shumë nostalgji këto foto të dekadave më parë. Foto të fiksuara me aparatin e tij unë ruaj gjithashtu dhe ato të bëra në Karpen të Kavajës, ku ne ishim në fushimin e zakonshëm vjetor, para se të shkonim në aksionin për ndërtimin e rrugës Shkodër-Malësi e Madhe. Në një nga këto foto, dalë në zonën e Selcës, unë jam me një dorë të fashuar, gjë e cila më kujton një plagosje të lehtë që më ndodhi në punë e sipër. Pasi, siç e përmenda edhe më lart, puna ishte tejet e vështirë, ku me gjithë kujdesin, ndodhnin dhe plagosje të lehta apo gërvishtje. Ajo plagosje, si shkak i rrëzimit të një masivi gurësh sipër frontit ku unë po punoja, mund të kishte përfunduar edhe me tragjedi, por lëvizja e gurëve ishte diktuar nga një shok i grupit tonë dhe na sinjalizoi në kohë. Dua të përmend këtu se zona ku punonim ne ishte pranë kufirit me Jugosllavinë dhe situata mes dy vendeve, atë kohë, ishte tejet e acaruar. Kishte dhe shumë të arratisur nga kjo zonë në Jugosllavi, e kuptohet se në çdo çast ishte vigjilenca për ndonjë ngjarje e rëndë nga armiqtë tej kufirit. Në fakt, përqendrimi i gjithë asaj ushtrie, siç na u tha atëherë, ishte përjetuar me shqetësim dhe nga pala jugosllave, që kishte mobilizuar dhe kishte afruar shumë forca në brezin kufitar përtej kufirit. Ndonëse, ne kishim vajtur atje për stërvitje. Por kuptohet, si ushtarakë që ishim, e jo vetëm ne, ishim dhe shumë vigjilentë. Në një nga ditët, ndonëse ne ishim normalisht në punë, pamë shumë forca kufiri e të tjera në rajon si dhe një tension. U mësua më pas se dy të arratisur të zonës në Jugosllavi dikur, ishin futur ilegalisht në zonën tonë me qëllim akte hakmarrëse, por ishin kapur nga forcat kufitare shqiptare, në bashkëpunim me banorët e zonës.

Ne, nga një muaj që ishte plani, aksionin e çuam në një muaj e dhjetë dit. Banorët e zonës, ndonëse të varfër, ishin njerëz shumë të mirë, bujarë e fisnikë. Dhe këtë, e shfaqnim në çdo moment e në mënyrën më njerëzore. Ka shumë kujtime të asaj kohe, ku dëshmitarë ishim ne. Mbajmë mend se kur përfunduam aksionin, do të bëhej një provë me rrugën. Banorët, ishin tepër kureshtarë, pasi nuk kishin parë asnjëherë makinë me sy. Prova u bë me një makinë ushtarake, shoqëruar me një ambulancë. Ishte çudi për banorët… Habiteshin se si mjete të tilla të mëdha, udhëtonin me njerëz sipër, bënin zhurmë pir nuk konsumonin ushqim… Thash që sot duket çudi, por kështu ka qenë realiteti i atyre viteve në këtë zonë të thellë të vendit, e jo vetëm në ‘të.

Gjatë këtij aksioni, krahas punës, bënim edhe aktivitete të tjera kulturore, artistike dhe sportive. Me përfundimin e punimeve, shkuam si shkollë në Vermosh. U befasuam nga mrekullitë natyrore të këtij vendi të virgjër e uji i kristaltë i Valbonës. Nga maja e Vermoshit, na treguan në distancë dhe një shkëmb, atë shkëmb ku agjentët e UDB-së ku agjentët jugosllavë kishin hedhur djaloshin 11-vjeçar Nik Pjetri…Aksionet, në shkollën “Skënderbej” kanë qenë një praktikë e përvitshme. Kështu, skënderbegasit e viteve ku kam qenë unë, kanë marr pjesë dhe në aksionin për hapjen e tokave të reja në Zall-Herr, Bizë, Martanesh, Prevallë. Ka qenë koha kur vendi ishte përfshirë në nismën kombëtare “Tu qepemi kodrave e maleve e t’i kthejmë në toka pjellore si dhe fushat”. Kujtoj gjithashtu se në nëntor të vitit 1966, kur erdhi për vizitë në Shqipëri Çu En Lai, për nder të tij dhe të Mao Ce Dunit që atë kohë kishte kaluar lumin me not, ne skënderbegasit , kaluam me not e me pajime në situatë luftarake liqenin artificial ë Tiranës. Në fund, Çu En Lai dhe Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku që e shoqëronte, na falënderuan.

Vijon…
Sigal