Kontributi i popullit të Tepelenës gjatë Luftës së Dytë Botërore

186

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të Tepelenës)

Tepelena një nga bazat më të fuqishme të luftës

Populli i Tepelenës është shquar në historinë shumëshekullore të popullit shqiptar. Vlerësim dhe vlera mori në periudhën e ndritur të LANÇ-it. Populli i Tepelenës gjatë Luftës së Dytë Botërore, pa me sytë e tij dhe luftën italo-greke e cila u përqendrua në territorin e sa, si dhe mjaft aksione, luftime e beteja kundër pushtuesve fashistë italianë dhe nazistëve gjermanë. Tepelena mori pjesë aktive në LANÇ gjatë Luftës së Dytë Botërore. I gjithë rrethi i Tepelenës, sot Bashkia Tepelenë, u kthye në një nga bazat më të fuqishme dhe një nga zonat e para të çliruara në shkallë vendi. Në Kurvelesh në gjashtë mujorin e parë të vitit 1942, u vendos krijimi i këshillave nacionalçlirimtarë në shkallë vendi, me nismën e veprimtarëve të parë antifashistë si Mustafa Matohiti, Shefqet Peçi, Ago Çela, Ali Lala, Memo Meto, Abaz Shehu. U krijuan këshillat nacionalçlirimtarë thuajse në të gjitha fshatrat bashkë me grupet (njësitet) e armatosura të fshatrave. Më 1 prill 1942, në majën e Shake pranë Gusmarit, u krijua Çeta e Parë Partizane e Kurveleshit dhe nga të parat në shkallë vendi. Nga dhjetori 1942 u krijuan çetat vullnetare territoriale të çdo fshati dhe batalione vullnetare territoriale kryesisht në bazë komune, krahina dhe nënprefekture. Nënprefektura e Gusmarit u çlirua nga administrata fashiste më 28 nëntor 1942. Funksionet e pushtetit në kushtet e luftës i kryente Këshilli Krahinor i krahinave të Kurveleshit, Lopësit, Krahës, Buzit etj. Në Luftën Antifashiste e në krah të Frontit Nacionalçlirimtar u organizua masivisht populli i Tepelenës nëpërmjet përfshirjes dhe aktivizimit në këshillat antifashiste, në organizatat e grave, të rinisë antifashiste e komuniste në çdo fshat, si dhe në grupet e armatosura të fshatrave dhe në çetat e batalionet vullnetare territoriale.

Çeta e Kurveleshit u pasua me çeta të tjera luftëtarësh

Në Tepelenë, krahas Çetës së Parë Partizane të Kurveleshit, e cila në dhjetor 1942 për shkak se pas çlirimit të nënprefekturës u shumua me luftëtarë të lirisë, u nda në dy çeta partizane “Avni Rustemi” e Kurveleshit të Sipërm dhe “Hajredin Tremishti”, u krijua çeta “Naim Frashëri” e formuar më 15 dhjetor 1942 dhe që vepronte në zonat e Krahësit e Buzit. Më 27 janar 1943 u formuan çetat “Selam Musai” nga zona e Sinanaj dhe “Verikoll” në Memaliaj. Më tej u krijuan çeta e “Rinisë” e qarkut të Gjirokastrëve ku bënte pjesë dhe Tepelena. Më pas, e me krijimin e batalioneve partizane në Qarkun e Gjirokastrës e në Zonën e Parë Operative, çetat partizane të Tepelenës “Naim Frashëri” dhe “Selam Musai” ju bashkuan Batalionit Partizan të ish-nënprefekturës Tepelenë, më 10 gusht 1943, në Donie të Kalivaçit. Batalioni mori emrin e atdhetarit “Baba Abazi”, i pushkatua nga fashistët më 25 qershor 1943. Çetat partizane, krahas aksioneve e veprimeve luftarake kryen edhe parapërgatitje të gjerë mes popullsisë së krahinës për përkrahje të luftës së armatosur. Në takime para popullit dhe me përfaqësues të Ballit Kombëtar, ku zbërthehej platforma e forcave politike që përfaqësonin. Të tilla janë bërë në Rehovë, Progonat, Bënçë, etj. Deri në pranverë 1943, çetat partizane të Tepelenës kishin bërë 22 aksione kundër forcave pushtuese. Mes tyre veçojmë çeta “Selam Musai” më 25 shkurt 1943 luftoi me forcat italiane në afërsi të fshatit Turan. Beteja në Shkallë të Zezë e drejtuara nga Abaz Shehu në maj 1943. Më 26 qershor 1943 në Mogila të Vasjarit, çeta “Naim Frashëri” e mbështetur dhe nga forcat territorial luftoi kundër italianëve në zonën e Krahësit dhe më tej luftimet në Qafën e Miricës. Në Gllavë dhe në Rabie çetat partizane u ndeshën me italianët dhe zhvilluan luftime edhe më 25 korrik 1943.

Ballafaqimin i partizanëve me Ballin

Çetat e Tepelenës në bashkëveprim të ngushtë me ato të Mallakastrës organizuan debatin politik më 4 maj 1943 tek Rrapet e Dervenit në Memaliaj, me bashkëpunëtorin e fashizmit, njërin nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrën. Mbi 2000 burra ndoqën ballafaqimin e krerëve të Luftës Nacionalçlirimtare Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli dhe përfaqësuesve të Ballit Kombëtar të përfaqësuar nga Ali Bej Këlcyra. Pas diskutimesh të forta të të dy përfaqësuesve të forcave politike që përfaqësonin, për vazhdimin e pandërprerë të luftës për çlirim nga përfaqësuesit e të dy palëve, u vendos njëzëri nga populli, luftë pa kompromis deri në çlirimin e plotë të vendit. Përfaqësuesit e Frontit NÇ me fakte e dokumente demaskuan ashpër Ali Këlcyrën, duke e akuzuar hapur si bashkëpunëtor të fashizmit. Në Tepelenë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 1943, u organizua edhe organizata e BK-së, duke ngritur disa këshilla dhe në disa fshatra edhe çetë balliste. Ndikimi i tyre në popullsinë vendase, sidomos në raport me Frontin Nacionalçlirimtar ishte i vogël.

Qyteti i çliruar dhe sakrificat e luftës

Ndërkohë, në zonën e Tepelenës, në rezultat të veprimeve luftarake të forcave partizane e vullnetare territoriale, me përpjekjet e qytetit Tepelenë, ku u përqendruan të gjitha forcat italiane, mbeti krahinë e çliruar apo zonë e lirë. Garnizoni italian i Tepelenës më 12 shtator 1943 u rrethua nga batalioni partizan “Baba Abaz”, çetat e zonës dhe batalioni territorial i Kurveleshit të Sipërm. Pasi i detyron forcat italiane të mbledhura në kalanë e Tepelenës, të dorëzohen te forcat partizane dhe ato territoriale, hynë në qytetin e çliruar më 15 shtator 1943. Bijtë dhe bijat e Tepelenës, krahas çetave e batalioneve të para partizane të krijuara në krahinë u rreshtuan masivisht edhe në Brigadat V, VI Sulmuese “Hero i Popullit”, si dhe në Brigadat II, III, VII, VIII, XII, XIV, XVI, XIX, XI Sulmuese, në formacionet luftarake të Zonës së Parë Operative (Grupi i 1-rë, rezervë operative e shtabit në Kurvelesh), si dhe masivisht në formacionet vullnetare territoriale. Veprimet luftarake i shtrinë jo vetëm pranë fshatrave e krahinave të tyre, por edhe më gjerë si në Shkallë të Zezë, në Dukaj, e deri në zonën e Dishnicës, në krahinën e Lumit të Vlorës, Manastiri i Cepos, Ura e Kardhiqit, Humelicë apo në Rrëzomë të Delvinës. Popullsia e Tepelenës e rreshtuar kryesisht në krah të Frontit Nacionalçlirimtar, bashkë me formacionet partizane të UNÇSH-së që vepronin në rrethin e Tepelenës dhe forcat vullnetare territoriale të fshatrave dhe të krahinës, krahas përballimit të operacioneve spastruese të ushtrisë italiane dhe të qeverive kuislinge në gusht 1942, dhjetor 1942, operacionit fashist italian të prillit 1943 etj., përballuan edhe dy mësymje të mëdha të ushtrisë gjermane, operacionin nazist gjerman të dimrit të vitit 1943-1944 dhe të qershorit 1944. Nga të gjithë fshatrat e Tepelenës dolën mbi 2.000 luftëtarë të lirisë të rreshtuar nëpër formacionet partizane, ndërsa në forcat territoriale u angazhuar mbi 6.000 veta. Në katër operacione nazifashiste u dogjën masivisht radhazi shtëpitë në shumicën e fshatrave. Tepelena në fundin e vitit 1944 ishte krahina më e dëmtuar, më e djegur dhe më e shkatërruar ekonomikisht nga operacionet fashiste gjermane në raport me gjithë vendin. Drejtues të Luftës në Tepelenës kanë qenë Mustafa Matohit, Abaz Shehu, Shefqet Peçi, Ago Çeli, Zenel Shehu, Asaf Dragoti etj. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, populli i Tepelenës kontribuoi me çfarë mundi dhe bëri sakrifica të mëdha, ku u dogj dhe u shkatërrua nga pushtuesit. Tepelena i ka dhënë Atdheut 484 dëshmorë dhe 6 “Heronj të Popullit” Mustafa Matohiti, Abaz Shehu, Asim Zeneli, Nimete Progonati, Xheladin Beqiri (Karadaku), Memo Nexhipi.