Kontributi i Luigj Gurakuqit në Konferencën e paqes në Paris

1091
Prof. Dr. Lush SUSAJ

Vijon nga numri i kaluar
Në vitin 1918, Luigj Gurakuqi, përsëri është rizgjedhur ministër i arsimit në qeverinë e Durrësit. 
Në përgjigje të situatës së rëndë ku ndodhej çështja jonë kombëtare, në mbledhjen e datës 22-23 Dhjetor 1919, qeveria e asaj kohe pati autorizuar Imzot Luigj Bumçin si kryetar të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris të përbërë nga mendjet ma të ndritura të kohës, si At Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Mehmet Konica. Falë punës dhe përformancës së shkëlqyer të këtij delegacioni përfaqësues dhe gjithëpërfshirës, është siguruar mbështetja e madhe e shteteve Evropiane dhe e ShBA. Performanca e shkëlqyer e delegacionit tonë arriti të sigurojë mbështetjen e Vatikanit dhe të Uashingtonit, të Papa Benediktin XV dhe të Presidentin Wilson, për sigurinë e Integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror në kufijtë e vitit 1913.
Kontributi në mbështetje të Kongresit të Lushnjes dhe si deputet i Shkodrës
Pas largimit të Princ Widit, për një kohë të gjatë (1914-1918), në Shqipëri ka sunduar mungesa e plotë e ligjit dhe stabilitetit. Ka sunduar anarkia me të gjitha pasojat shkatërruese të sajë. Në këto kushte, me 25 Dhjetor 1918, me nxitjen e Italisë, në Durrës është mbajtur një takim kombëtar, ku është vendosur që të organizohej një shtet nën protektoratin e Italisë, me një qeveri të kryesuar nga Turhan Pasha. Përkundër kësaj zgjidhje të sforcuar e të përkohshme, me 21 Janar 1920, është mbajtur Kongresi Kombëtar i Lushnjes ku është krijuar një qeveri kombëtare e cila funksionalizoi një shtet shqiptar legal e të shtrirë në kufijtë e njohur të vitit 1913. Në punimet dhe përfundimet e këtij kongresi, Luigj Gurakuqi ka pasur një rrol vendimtar. Për këtë qeveri që e filloj organizimin shtetëror nga pluhuri dhe hiri i anarkisë së fiseve dhe krahinave të përçara, Libardi (f. 14) ka shkruar: “Shpirti i këtij shteti qe At Gjergj Fishta, Dr. Luigj Gurakuqi, e Mr. Bumçi. Ata vendosën formimin e një këshilli të lartë të përbërë nga katër veta, një kabinet me shtat ministra, një këshill nacional prej 37 përfaqësuesish. Kjo mbledhje do të mbetet e pavdekshme në historinë shqiptare”.Duhet kujtuar fakti që vitet 1920-1924, janë karakterizuar nga një luftë e ashpër politike mes grupeve dhe individëve për interesa të ndryshme politike, ekonomike, ideologjike, e në të shumtën e rasteve edhe për interesa të vogla karrieriste e krahinore. Për të tilla arsye absurde, gjatë periudhës 16 Tetor 1921 e deri me 24 Dhjetor 1924, janë ndërruar 10 kabinete qeveritare apo kryeministra ku asnjëri prej tyre nuk ka qeverisur më shumë se një vit. Në të gjitha rastet, për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, janë përdorur mjetet dhunës, represionit dhe shtypja e çdo kërkese dhe kundërshtie politike dhe ekonomike me ushtri, me xhandarmëri dhe me vullnetarë fanatikë të armatosur që turreshin si të çartun mbi popullsinë e varfër që kundërshtonte mjerimin ekonomik, taksat e larta, arrogancën dhe mungesën e investimeve dhe projekteve shtetërore. Në të tilla kushte, duke filluar nga viti 1923, në trupin e parlamentit shqiptar të kohës, ishte formuar një grup parlamentar opozitar që mori trajtën dhe funksionet e një fraksioni apo të një lëvizje të re politike e kryesuar nga Luigj Gurakuqi, Fan Noli, etj. Opozita e asaj kohe, respektohej dhe mbështetej nga pjesa më e madhe e popullsisë e cila kishte aq shumë besim tek Luigj Gurakuqi. Kjo situatë nuk zgjati shumë sepse në momentin e zgjedhjeve për deputet, administrata dhe servilët e shpërblyer nga qeveria, filluan blerjen masive të votave nga ku degradoj i gjithë procesi zgjedhor dhe parlamenti bashkë me institucionet e politike të dala nga këto zgjedhje të manipuluara. Me gjithë manipulimet e bëra në Shkodër, falë qytetarisë dhe besimit të popullit të Shkodrës ndaj Luigj Gurakuqit, zgjedhjet u fituan nga opozita dhe Gurakuqi u zgjodh deputet i Shkodrës. Në qeverinë e Fan Nolit, Luigj Gurakuqi është zgjedhur në postin e Ministrit të Financave, duke i kontribuar aq shumë funksionimit meritokraktik të administratës dhe të institucioneve të asaj periudhe. Në lidhje me këtë kontribut, Libardi ka shkruar se: “Dr Luigj Gurakuqi ishte shpirti i çdo gjëje dhe it ë gjithëve. Njeri me pikëpamje të jashtëzakonshme për vendin, po të kishte qenë në rrethana të tjera e në një vend tjetër do të ishte bërë ylli i kombit. Gurakuqi bëri të pamundurën për paqen, marrëveshjen dhe mirëkuptimin. Po partitë …bënin sikur kishin ide të përbashkëta, ndërsa nga ana tjetër mbanin të gjallë lidhjet me Ahmetin e arratisur…”
Vrasja politike e Luigj Gurakuqit 
Për shkak të prishjes së procesit zgjedhor, të propagandës dhe të dhunës së vazhdueshme ndajë opozitës, me 1 Qershor 1924, duke filluar nga Shkodra, filloj revolta popullore ndaj mënyrës së qeverisjes. Në këto rrethana, Ahmet Zogu me Osman Gazepin etj, janë larguar nga Tirana për në Beograd, në pritje të momentit për t’u rikthyer me 24 Dhjetor 1924. Në këtë mënyrë, opozita e asaj kohe e mori pushtetin me mjete jodemokratike, me anë të kryengritjes së armatosur që u quajt “Revolucion Demokratik”. Ndërsa 6 muaj më vonë, me 24 Dhjetor 1924, edhe Ahmet Zogu është rikthyer në pushtet me mjete jodemokratike, me dhunë. Pas rikthimit të Zogut, Gurakuqi ka emigruar në Itali ku i është organizuar edhe atentati vdekjeprurës i 2 Marsit 1925. Për nga shkalla e implikimit të trupit diplomatik të shtetit të kohës, për nga mënyra e organizimit dhe për nga dora e zgjedhur për të bërë ekzekutimin e Gurakuqit, padyshim që është vrasja politike më e pisët e këtyre 105 viteve. Luigj Gurakuqi (në moshën 46 vjeçare) është vrarë nga dora e Baltjon Stambollës, djalit të tezes së tij (kushëririt të parë). Pas vrasjes, Fan Noli ka shkruar: 

“Nëno moj, vajto, merr malin, 
Larot t’a përmbysnë djalin 
Që me Ismail Qemalin 
ngriti flamur trimëror. 
Nëno moj, ç’është përpjekur 
Gojë mjalt’ e zemër hekur, 
Syrgjyn gjall’ e syrgjyn vdekur, 
Ky vigan Liberator”.

Ndërsa Sejfi Vllamasi, që ka qenë kundërshtar i Luigjit, duke vlerësuar Gurakuqin, ka shkruar: “Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se Luigj Gurakuqi qe një meteor, një flakadan i çështjes kombëtare shqiptare. Pas kapjes së atentatorit Stambolla, refugjatët politikë shqiptarë i patën kërkuar MPJ të Italisë që të mbante nën mbikëqyrje konsullin shqiptar Çatin Saraçi që ishte marrë gjatë me organizimin e ekzekutimit mafioz. Në lidhje me këtë ngjarje, gazeta “Il Giornale d’Italia”, e datës 13 mars 1925, ka dalë me titullin e madh: “Misteri i arratisjes së konsullit shqiptar në Bari pas vrasjes së ish-ministrit Gurakuqi”.

Më vonë, ish konsulli i Shqipërisë në Bari (Çatin Saraçi), në kujtimet e tij ka pohuar se: “Ia dola t’i fitoja zemrën Zogut dhe të bëhesha njeriu i tij më i besuar”. Ndërsa dy muaj më pas (sipas A Gjergji, 2012), Ceno Beg Kryeziu i ka deklaruar gazetës serbe “Novosti” se: “Unë e kam xanë dhe e kam vra anmikun tuej Marko Raspopoviqin… Unë kam vra Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin – për paqen tuaj e tonën..”. Në këtë mënyrë, në këto 105 vite, herë hapur e herë në mënyrë të nëndheshme, gjithnjë ka dominuar dhe ka fituar dhuna, fryma dhe sjelljet orientale. Në mënyrë të vazhdueshme ka funksionuar mërzitja, mënjanimi, dhunimi, dëbimi e deri dhe vrasjet politike të elitës shtet-formuese dhe njerëzve me kulturë, me sjellje e me mendësi Evropiane. Edhe kjo vrasje e pistë antishqiptare, njëlloj si të tjerat, ka pasur për bazë interesat e klaneve dhe aleancave të njohura antishqiptare dhe anti evropiane, vrasja e Gurakuqit i ka shërbyer prapambetjes së thellë dhe vazhdimësisë së despotizmit dhe sundimit oriental në Shqipëri.
Vijon nesër…
Sigal