Kontrabanda e arit në vitet pas çlirimit

1275
Nga Ergys ALUSHI

Kontrabanda e arit 1946-1947
Çlirimi i vendit më 28 Nëntor 1944, nga ushtria e udhëhequr nga Partia Komuniste, po shoqërohej me vendosjen e rregullave të reja për normalizimin e jetës ekonomike të vendit, që kishte dalë nga Lufta i shkatërruar. Vendosja e zbatimi i shumë ligjeve ekonomike filluan të binin ndesh me shtresat e pasura të vendit, të cilat filluan të prekeshin nga ligjet, duke humbur nga dita në ditë pasuritë e kapitalet e tyre. Në vitet e para, kryesisht 1945-1946 pati kundërshtime të forta nga kjo shtresë, e cila u shoqërua me arrestimin e burgimin e tyre në mënyrë masive. 
-I tillë ishte grupi i italianëve i kryesuar nga profesor Venanzio Lozzi që në bashkëpunim me shqiptarë, dërgoi në Itali, arin e Simoncinit e të tjerë.
-Grupe u gjykuan në Tiranë, Durrës, në Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, në Korë etj.
-Mallrat e fshehura i shisnin me çmime të larta nën dorë, duke zhvilluar tregun e zi. Por më shumë se çdo gjëje ata i dhanë rëndësi floririt.
-Këta njerëz arritën që 1 napolon ar të shitej 25 – 40 napolona letër. Grupi i Krocës kishte bërë kontrabandë 5 mijë napolona ar.
-U zbuluan një grup prej pesë vetësh në Shkodër i cili përgatiti një vulë false. S. Z. I njohur si kundërshtar u komunizmit ra në kontakt me M. S., me punë piktor
Deponime që tregojnë realitetin e kohës
“Që nga marsi i vitit 1945 – depononte Sami Qeribashi ( kryetar i organizatës social-demokrate )- që u tatova me 5 milionë franga shqiptare, kam filluar të ndjej pakënaqësi karshi pushtetit dhe reformave të tij të rënda, si reforma agrare, e të tjerë…se nuk kishte liri, por diktaturë. Për të dalë nga kjo gjendje doli nevoja e krijimit të një grupi. Në të bënin pjesë tregtarët e mëdhenj, të prekur nga tatimet e luftës, pronar të mëdhenj takash e të tjerë…”

“Kishim bërë një lutje – depononte Prof Caka, i tatuar me 15 milionë franga shqiptare – që e përkthyem anglisht dhe ia dërguam misioneve, duke kërkuar që ata të ndërhynin pranë qeverisë shqiptare për këtë çështje. Në lutje thuhej, se të hollat që merrnin nga tatimet shkonin për gjëra të kota, si për ushtrinë”

Të prekura e të dëmtuara nga realiteti i ri në vend, shtresat e pasura nisën organizimin e tyre për të kundërshtuar veprimet që merreshin karshi tyre. Përveç panikut që mundoheshin të krijonin në popull nëpërmjet njerëzve të thjeshtë që i kishin ende në shërbim dhe sabotimeve në sektorë të ndryshëm, ata nisën të kryenin edhe kontrabandën e arit, si një mjet ndër të tjera edhe për të dëmtuar ekonominë, e cila ishte në kolaps.

Kontrabanda e arit
Kontrabanda e arit ishte një drejtim tjetër i veprimtarisë së shtresave të pasura në fushën e financave. Gjatë viteve 1946-1947 zhvilluan një veprimtari të gjerë edhe nëpërmjet kontrabandës së arit. Qeveria shqiptare duke njohur vlerën e arit për ekonominë kombëtare dhe duke ditur që shtresa e pasur shqiptare tendencë kryesore kishte që fitimet t’i kthente në ar, me qëllim që të ndalohej dalja jashtë e tij për këmbim e qarkullim, nxori urdhëresa e caktoi rregulla. Rëndësi e madhe i jepej mosnxjerrjes së arit jashtë. Por, ata që e kishin arin shkuan në kundërshtim me to, duke përdorur forma e metoda nga më të ndryshmet. Nëpërmjet kalimit të kufirit zotëruesit e arit A.C., F.B., A.M. në zonën e Tiranës, e të tjerë në këmbim mallrash nxorën floririn në Greqi. 

Grupi i italianëve
Të huajt që ishin në vendin tonë, të mbetur që nga lufta, sidomos italianët, grumbulluan ar dhe me forma të ndryshme e dërguan në Itali. Italianët prej shumë vitesh të ndodhur në Shqipëri, kishin arritur të grumbullonin sasi të mëdha të arit vendas, duke e pasur qëllim të veprimtarisë së tyre të përditshme. Tirana e Vlora e më pak Durrësi e Korça, ishin qytetet ku italianët kishin qendrat e grumbullimit të arit. I tillë ishte grupi i italianëve i kryesuar nga profesor Venanzio Lozzi që në bashkëpunim me shqiptarë, dërgoi në Itali, arin e Simoncinit e të tjerë. Arin e nisën nëpërmjet njerëzve duke e fshehur me mënyra të ndryshme. Duke përfituar nga fakti që doganat në Vlorë e në Durrës ishin ende deri diku jashtë kontrollit të qeverisë komuniste, pasi mungonin njerëzit e zgjedhur prej saj, nxorën nëpërmjet tyre një sasi të konsiderueshme të arit. 

Shtrirja e kontrabandës
Kontrabanda e arit në ato vite, kur kishte vështirësi të mëdha ekonomike, zinte një nga vendet më të rëndësishme të veprimtarisë në kundërshtim me ligjet e nxjerra pas Luftës. Ajo ishte shumë e rrezikshme, sepse dëmtonte rëndë financën. Metodat e zhvillimit të saj ishin të ndryshme, por qëllimi ishte një: Ajo shprehte luftën e ashpër klasore që sapo kishte filluar. Kontrabanda e arit u ushtrua nga grupe të organizuara në të gjitha rrethet e vendit, por ajo u zhvillua edhe nga individët dhe pati pësoja të rënda për jetën e tyre. Grupe u gjykuan në Tiranë, Durrës, në Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, në Korçë e të tjera. Siç doli edhe në gjyqet e zhvilluara, qëllimi i tyre nuk qe thjesht fitimi dhe pasurimi, por edhe ana politike për ta bërë lekun të pavlefshëm e të pabesueshëm. 

Grupi i Korçës
Në Korçë u zbulua një grup i kryesuar nga Dh. Z. Pjesëtarë të grupit ishin pronarë dhe tregtarë punishtesh, të tatuar nga tatime të jashtëzakonshme mbi fitimet e Luftës. Këta individë nuk u pajtuan me pushtetin komunist që sapo kishte filluar të instalohej e aq më pak me reformat që po ndërmerreshin. Në fillim ata bënë një propagandë të gjerë kundër tatimeve, se gjoja ishin të rënda dhe kalonin, jo vetëm fitimet, por edhe kapitalin, se ata nuk kishin fituar aq shumë, sa komisionet e tatimeve ishin jokompetentë, e të tjerë. Për të mos dhënë tatim fitimet dhe me qëllim që shteti të mos kishte se çfarë të sekuestronte sipas ligjit, e fshehën mallin tek të njohurit e tyre ose vendet e fshehta të përgatitura për këtë qëllim. Mallrat e fshehura i shisnin me çmime të larta nën dorë, duke zhvilluar tregun e zi. Por më shumë se çdo gjëje ata i dhanë rëndësi floririt. Paraja letër ( kartëmonedha ) që grumbullonin nuk i kënaqte, sepse nuk kishin besim në qëndrueshmërinë e saj. 

Si zhvillohej kontrabanda
Prandaj ata vendosën që të shisnin vetëm me ar, të cilit, sipas tyre, jo vetëm nuk i humbiste vlera, por i rritej. Për të realizuar këtë ranë në marrëveshje me njëri tjetrin dhe duke hequr me vete sekserët filluan të grumbullonin ar. Për këtë qëllim organizonin takime të fshehta dhe përdorën parulla sekrete që të merreshin vesh me njëri tjetrin. Disa nga të pandehurit nuk përdorën shitjen e mallit për të grumbulluar ar, por kartëmonedhën e këmbyer me ar. Të njëjtën gjë bënë edhe ata që kishin ar, duke blerë kartëmonedha e duke shitur ar, e anasjelltas. Të gjitha këto këmbime nuk bëheshin nëpërmjet bankës, dhe kurse të caktuara nga shteti, por jashtë saj. Këta njerëz arritën që 1 napolon ar të shitej 25 – 40 napolona letër. Grupi i Korçës kishte bërë kontrabandë 5 mijë napolona ar. Të nisur nga fitimet e mëdha, ata nuk u mjaftuan vetëm me grumbullimin e arit, por dhe e nxorën atë jashtë shtetit duke blerë mall, të cilin e shisnin vetëm me flori ose me këmbim malli. Në këtë mënyrë ata dëmtonin ekonominë. Shtëpitë e dyqanet e tyre u kthyen në qendra të kontrabandës dhe veprimeve të tjera në kundërshtim me ligjet, ku shprehej hapur qëndrimi kundër pushtetit komunist. 

Masat anti-kontrabandë
Organet e sigurimit duke ndjekur veprimtarinë e këtyre grupeve, që shprehnin urrejtjen kundër qeverisë komuniste, zbuluan se ata zhvillonin edhe kontrabandë ari. Masa e parë që u mor për kontrollin e monedhës ishte sursazhimi, që kishte dy qëllime kryesore: së pari, të kontrollonte gjendjen e lekut në prerje kartëmonedha, sepse, siç dihet, pushtuesit kishin abuzuar në këtë drejtim dhe kjo kishte shkaktuar inflacion dhe, së dyti, duke vënë kufizime në sursazhim, pakësoheshin kartëmonedhat e tepërta dhe krijohej një farë stabiliteti. Kjo masë nuk dëmtonte aspak shtresat e varfra e të mesme të fshatit e të qytetit, sepse sasia e hollave që u lihej ishte e mjaftueshme kundrejt të ardhura dhe rezervave që mund të kishin. Veprimtari e këtyre grupeve u shpreh edhe në nxitjen për të shpërndarë të hollat në sa më shumë njerëz që të sursazhonin sa më shumë në kundërshtim me ligjin dhe “të shpërblenin” këmbyesit për “nderin” që u bënin. U zbuluan mjaft prej tyre, në sajë të vigjilencës së popullit që i zbulonte dhe i denonconte, në sajë të nëpunësve që bënin sursazhimin dhe nga persona të ndërgjegjshëm që u afronin ryshfete. Gjithashtu zbulime u bënë dhe nga organe të sigurimit dhe të policisë, që ishin ngarkuar me këtë detyrë, të cilën e kryenin me përgjegjësi. 

Falsifikimi i vulave në kartëmonedha në Shkodër
Grupe individësh punuan edhe për të falsifikuar vulat e sursazhimit. U zbuluan një grup prej pesë vetësh në Shkodër i cili përgatit një vulë false. S. Z. i njohur si kundërshtar i komunizmit ra në kontakt me M.S., me punë piktor. Por organet e punëve të brendshme në Shkodër, u sinjalizuan se një grup njerëzish kanë bërë një vulë false dhe po sursazhojnë monedhën dhe i zbuluan në kohë. Përgatitja e vulës false iu bë e njohur të gjitha rretheve dhe bankat ushtronin kontroll të rreptë mbi këtë. 

Italiani falsifikator në Tiranë
Banka e Tiranës kapi një kartëmonedhë me vulë false por nga ekspertiza rezultoi se nuk ishte karakteristikat e asaj të Shkodrës. U vunë në dijeni organet e punëve të brendshme, të cilat morën një seri masash dhe zbuluan se atë e kishte përgatitur italiani Marcelo Serafini. Në vazhdim të masave për forcimin e monedhës ishte dhe ajo që u mor në 15 korrik 1946 për këmbimin e monedhës. Kjo masë ishte më e avantazhuar se sursazhimi që kishte si pikësynim kryesor verifikimin dhe deri në një farë mase kufizimin dhe kontrollin e kartëmonedhës. Shtresat e pasura e pritën përsëri shumë keq një vendim të tillë dhe u hodhën të gjithë kundër për ta sabotuar. Ata krijuan një gjendje alarmi duke propaganduar “se si sursazhimi dhe këmbimi i monedhës ishin dy anë të një medalje që pasuronin shtetin dhe varfëronin popullin”, “ se shteti grumbullonte paratë e popullit”, e të tjera. Edhe në këmbimin e monedhës të pasurit përdorën po ato forma që përdorën për sursazhimin; si dhënia e emrave false, dhënia e parave për t’ua këmbyer të tjerët me ryshfete, etj. Shumica e zbulimeve në mashtrimin për këmbimin e monedhës u bënë nga populli, nga nëpunësit e këmbimit, të cilët ishin zgjedhur nga njerëzit më të besuar,. 

Ekzekutimi në Vlorë i togerit S. H.
Të vjetrit tregojnë se kur është ekzekutuar në Pusin e Mezinit, toger S. H, një numër i madh burrash nga Vlora kanë shkuar për ta parë nga afër të ekzekutuarin. Togeri ishte i njohur dhe i urryer në Vlorë, për dhunën që ushtronte në kërkim të mbledhjes së floririt, kryesisht në radhët e popullsisë çame. Në vitin 1950, ai do të vriste të parin, M. V, teksa ky i fundit ndodhej në kodrën e Topanasë, kur pasi e vrau I kontrollonte xhepat se mos I gjente flori. Në vazhdim do të vriste myzeqarin V. Ll. Torturat, paraburgimet e burgimet e këtij togeri i kanë provuar në ato vite edhe A.B., I.I, M.B., B.Sh., Shtetasit I.B. do t’i merrnin 400 napolona flori dhe nuk do t’i jepnin asnjë dokument, ndërkohë që edhe pse do t’i merrnin floririn do ta dënonin përsëri me një vit burg. Në vitin 1947, shtetases N. S. e cila kishte mbetur e ve me një djalë 7 muajsh në gji, pas presioneve e dhunës së ushtruar për të nxjerrë floririn e fshehur, do t’i merrnin edhe monedhën e vetme të floririt që do t’i gjenin në shtëpi. Rastet e shumta të dhunës deri në vrasje të këtij togeri do ta detyronin pushtetin komunist që të merrte dënimin kapital për togerin, i cili në vitet e mbledhjes së floririt nga vet pushteti ishte kthyer në tmerrin e banorëve që e zotëronin floririn, kryesisht të popullsisë çame në zonën e Vlorës.
Sigal