Konferenca e Pezës renditi Shqipërinë përkrah aleatëve të mëdhenj antifashtë, sot na ndriçon bashkimin kombëtar

971
Sot është 73 vjetori i Konferencës së Pezës, e cila mbeti në histori si konferenca që hodhi themelet e bashkimit të të gjithë popullit shqiptar, në Luftën Antifashiste të popullit shqiptar. Kjo Konferencë e Pezës, e 16 shtatorit 1942, e renditi luftën e popullit shqiptar, përfundimisht në Aleancën e Madhe Antifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Gazeta “Telegraf”, në forumin kushtuar Konferencës së Pezës, ftoi opinionet e Av. Idajet Beqiri, kryetar i PUK, të Marko Dajtit, kryetar i Frontit të Majtë, të Dalan Buxhetit, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Veteranëve të LANÇL, Adriatik Alimadhi, kryetari i BK, të përfaqësuesve të të përndjekurve politikë, Simon Miraka dhe Besim Ndregjoni. Edhe sot, pas 73 vjetësh, politikanët ndajnë qëndrime të kundërta politike, në lidhje me Konferencën e Pezës. Idajet Beqiri, shprehet se Konferenca e Pezës e renditi Shqipërinë në aleancën e aleatëve të mëdhenj antifashistë, por duhet një akt tjetër madhor, si Konferenca e Pezës, sot, që Shqipëria të kthehet në rrugën e përparimit, qytetërimit dhe integrimit. Marko Dajti, shprehet se apeli i sotëm, që vjen nga Konferenca e Pezës, është se duhet të shpallim lluftën kundër së keqes që ka kapur shtetin tonë. Ndërsa Dalan Buxhepi, thotë se të vërtetat historike, si Konfeenca e Pezës, duhet të projektojnë të ardhmen tonë, dhe brezat tanë, nuk duhet të nisen nga ndjenja e hakmarrjeve historike. Adriatik Alimadhi, thotë se Konferenca e Pezës buron gjak dhe eshtra të nacionalistëve nga krimet e komunistëve. Simon Miraka shprehet se liderët shqiptarë duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me indstitucionet ndërkombëtare për bashkimin kombëtar. Besim Ndregjoni thotë se nuk mund t ëketë pajtim kombëtar, po nuk u pranuan dhe të dënohen vuajtjet e komunizmit. 
Pyetjet e forumit të gazetës “Telegraf”:
Cila është rëndësia historike e Konferencës së Pezës?
Sot sa aktuale është ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve pa dallim feje, krahine, politike?
Av. Idajet Beqiri: Duhet një akt madhor si Konferenca e Pezës, që të kthehemi në rrugën e përparimit
Konferenca e Pezës është një ngjarje madhore për kombin dhe popullin tonë. Vendimet e saj ishin jetike për fatet e Shqipërisë. Në themelet e këtij akti historik qëndron antifashizmi i spikatur i popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, renditja e Shqipërisë përkrah aleatëve të mëdhenj botëror antifashist, të cilët e fituan këtë luftë. Ideja që e karakterizoi dhe e përshkoi këtë Konferencë dhe vendimet e saj për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në luftën antifashiste për çlirimin e vendit dhe ri-ngritjen e shtetit shqiptar, konceptimi i përzgjedhjes dhe përbërja e delegatëve të kësaj Konference, vendimmarrja e saj, janë konkretizimi mbresëlënës i mobilizimit të 70 mijë partizanëve, i rreshtimit të tyre në formacionet luftarake antifashiste, i luftës antifashiste që ata bënë dhe fituan. Pas Kuvendit të Lezhës që udhëhoqi Heroi Legjendar i kombit shqiptar, Skënderbeu, Konferenca e Pezës që udhëhoqi Enver Hoxha, është e dyta për nga vlerat dhe rëndësia historike kombëtare. Kjo ide e Bashkimit të kombit dhe popullit shqiptar pa dallime feje, krahine, ideje, bindje politike në interesin e zhvillimit, përparimit, reformimit dhe integrimit të vendit, mesazhet e Konferencës së Pezës, janë nga më aktualet dhe më të domosdoshme për t’u përqafuar dhe për t’u vënë në jetë prej klasës politike shqiptare. Nëse ndodhemi në këtë katastrofë kombëtare, në këtë përçarje dhe ndarje si kurrë më parë në historinë tonë kombëtare, në se ndodhemi në këtë varfëri të skajshme, nëse vendin dhe popullin po e mbyt e keqja dhe krimi, shkakun kryesor duhet ta kërkojmë te largimi vandal nga idetë e Besëlidhjes së Lezhës dhe të Konferencës së Pezës. Kjo kërkon që të demaskohen dhe të mënjanohen nga jeta jonë shqiptare hartuesit dhe zbatuesit e skenarit ogurzi 25 vjeçar, me Berishën në krye, të cilët i kanë bërë aq shumë dëme këtij kombi e populli, sa duhet domosdoshmërish një akt tjetër madhor, si ai i Konferencës së Pezës, për t’u ndarë përgjithmonë prej rrugës antishqiptare ku ndodhemi dhe për t’u kthyer në rrugën e përparimit, qytetërimit dhe integrimit evropian të shqiptarëve dhe kombit të tyre.
Marko Dajti: Dje apeli kundër armikut, sot është lufta kundër së keqes që ka kapë shtetin dhe shoqërinë
Nga Konferenca e Pezës u hodh dhe u mbështet ideja e bashkimit të gjithë popullit shqiptar pa dallim feje, krahine dhe ideje në luftë kundër pushtuesit fashist. Ishte një ngjarje e madhe në historinë tonë, pasi ishte fillimi i një beteje të madhe që e radhiti popullin tonë në radhën e popujve fitues mbi nazi-fashizmin në Luftën e Dytë Botërore. Është një ngjarje që padyshim duhet të na bëjë krenarë të gjithëve për kontributin e popullit tonë në këtë luftë të madhe. Konferenca e Pezës dihet se u thirr dhe u organizua nga Partia Komuniste që, menjëherë pas themelimit, e kishte vënë luftën kundër pushtuesit si pikën kryesore të programit të saj politik dhe aspirata e çlirimit të vendit bëri që rreth kësaj ideje të bashkoheshin njerëzit e ndershëm dhe patriotët shqiptarë. Është po aq aktuale. Ndërsa atëherë në rendin e ditës ishte lufta kundër pushtuesit, sot në rendin e ditës është lufta kundër së keqes që ka përfshirë shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Edhe sot kërkohet pikërisht një ribashkim i njerëzve të ndershëm dhe patriotë në një përpjekje të madhe për të shpëtuar vendin dhe shoqërinë, që po shkojnë me hap të pandalshëm drejt falimentimit. Armiku ynë sot nuk është pushtuesi, por një klasë e kalbur politike dhe e kriminalizuar që për hir të interesave të ngushta personale e kanë nxjerrë Shqipërinë në ankand dhe po injektojnë përditë e më shumë frymën e injorancës dhe parazitizmit. Është shkatërruar rendi publik, arsimi, shëndetësia, ekonomia kombëtare, mjedisi, ushtria e shumë arritje të tjera madhore të popullit shqiptar në vitet e socializmit. Kanë humbur normat më elementare të mirësjelljes ndërsa arroganca dhe pushteti i krimit janë ngritur në kult. Nëse njerëzit që e duan me të vërtetë këtë vend bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, ashtu si në kohën e Pezës, kemi ende shpresa. Ky vend mund të bëhet, por më së pari kërkon një klasë të re politike dhe vetëm një Front i ri do të na sigurojë një udhëheqje të re, një të ardhme më të mirë.
Dalan Buxheli: Të vërtetat e historisë duhet të projektojnë të ardhmen, dhe jo hakmarrje
Me zgjerimin dhe forcimin e Lëvizjes Antifashiste, në verë të vitit 1942, gjendja politike në Shqipëri kishte pësuar ndryshime të thella dhe rrënjësore. Kriza politike kish arritur kulmin. Njësitet guerile dhe çetat partizane nuk e linin armikun të qetë, as ditë as natë, atij i digjej toka nën këmbë. Në zjarrin e LANÇ po faktohej gjithnjë e më shumë bashkimi i popullit shqiptar. Në vijim të konkretizimit të programit luftarak të PKSH, çështja e krijimit të frontit NÇ shtrohej si një detyrë e vënë në rendin e ditës për t`u zgjidhur. “Të luftojmë me këmbëngulje për krijimin e frontit të përbashkët NÇ” thuhej në direktivat e KQ provizor të PKSH. Por bashkimi i popullit ende nuk është kristalizuar dhe nuk do të ishte i qëndrueshëm nëse nuk do t`i vihej në baza adekuate politike dhe organizative. Për të vënë këtë bazë doli e nevojshme të thirrej një konference kombëtare, që të merrte në Shqipëri çështjen e bashkimit të popullit në një front të vetëm, për përpunimin dhe formimin e një platforme të përshtatshme të organizimit të popullit shqiptar. Në konferencë duhej të përfshiheshin, veç PKSH edhe nacionalistë me pikëpamje të ndryshme politike. Për këtë qëllim u dërguan njerëz për të biseduar me nacionalistë të rrymave të ndryshme që mendohej se mund të pranonin luftën e përbashkët kundër pushtuesve fashistë. Konferenca u mbajt më sukses më 16 shtator 1942 në Pezë. Në të merrnin pjesë 18 veta me cilësinë e të dërguarit të rrymave të ndryshme politike. Në rezolucionin e Konferencës së Pezës thuhej: “Delegatët të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të PKSH, të rinisë popullore shqiptare, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhtarët e shitur tek të huajt, shqyrtuan mirë gjendjen shqiptare dhe veçanërisht theksuan dëshirën dhe nevojën për organizimin e gjithë energjive shqiptare, bashkim të plotë të tyre në LANÇ, për një organizim të shëndoshë të të gjithë shqiptarëve të vërtetë pa dallim feje, krahine, klase dhe synime politike. Jehona e konferencës së Pezës u ndie e fuqishme anembanë Shqipërisë. Këshilli i Përgjithshëm NÇ që doli nga konferenca iu drejtua me një thirrje popullit shqiptar ku thuhej: “Ju japim një lajm gazmor. Delegatët e tërë rrymave politike nacionaliste shqiptare u takuan bashkë me delegatë të PKSH dhe deklaruan vullnetin e tyre për luftë të përbashkët, bashkimin kombëtar në një front të përbashkët dhe formimin e Këshillit të përkohshëm NÇ, i cili do të bëjë të gjallë bashkimin e popullit shqiptar”. Hovi i madh që mori LNÇ në gjysmën e dytë të vitit 1942 i vuri në lëvizje gjithë rrymat dhe grupet politike. Në këtë situatë Balli Kombëtar për të sabotuar lëvizjen NÇ bëri gabimin fatal duke bashkëpunuar me pushtuesit fashistë. Ky bashkëpunim u kurorëzua me një marrëveshje që u nënshkrua me 15 mars 1943 nga Ali Këlcyra e Nuredin Vlora në emër të KQ të Ballit Kombëtar me Romeco Dalmaco. Me anë të këtij dokumenti ballistët merrnin përsipër: “1. Ne sigurojmë duke marrë çdo përgjegjësi se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë e Jugut. 2. Ne japim fjalën e nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryhen eventualisht nga elementë armiq. 3. Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet të ushtarakëve për të”. Idetë dhe platforma e konferencës së Pezës janë shumë aktuale dhe frymëzuese për gjithë ata që e duan këtë vend të zhvilluar e të begatë në plotësimin e dëshirave të studentëve të dhjetorit me shprehjen lapidare “E duan Shqipërinë si gjithë Europa”. U bënë mbi dy dekada qe partitë politike shqiptare premtojnë itegrimin në Europë, por gjendja vazhdon e pandyshuar nga polemikat boshe me synim lufta për pushtet. Në shumë aspekte përjetojmë situata dramatike të luftës politike të viteve 1939-1944. Të vërtetat e historisë tashmë janë bërë të nevojshme, për cdo idivid apo grup shoqëror, si domosdoshmëri për të kuptuar e njohur të djeshmen, por ca më tepër për të projektuar të ardhmen. Ky duhet të jetë për cilindo mesazhi i Konferencës së Pezës. Është e domosdoshme që askush nuk duhet të mendojë për hakmarrje.
Adriatik Alimadhi: Peza kullon gjak shqiptarësh, nuk kishte ide bashkimi kombëtar
Nuk ka pasur në konceptin e Konferencës së Pezës ide bashkimi. I linte Enver Hoxha ata të bashkoheshin? Ka akte të tjera, evenimente të tjera që ka pasur frymën e bashkimit. Nuk ka pasur në brendi të tyre ide bashkimi të shqiptarëve. Ndërsa sot jemi në momentin më të favorshëm të programit politik që ka Balli Kombëtar, pra të bashkimit kombëtar, sepse pavarësia e Kosovës është fillimi i procesit të bashkimit kombëtar. Balli Kombëtar ka thënë se pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka bashkim kombëtar ose Shqipëri Etnike. Ne, si Balli Kombëtar nuk kemi lëvizur asnjëherë nga këto. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm, se nuk themi që sot të bashkohemi me Kosovën, sepse nuk duhet të kuptojmë që të bashkohemi me Kosovën e të lëmë trevat shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Çamëri. Por kurrsesi, ne nuk mund të orientohemi drejt Pezës. Edhe në këto 25 vjet, kjo politikë-bërje nuk bëri atë që duhej. Pra, në histori duhet të kishte paguar ideologjinë kriminale komuniste, ta zëvendësonte me frymën e identitetit të bashkimit kombëtar. Nuk ë bëri dhe sot vazhdon historia e përçarjes së shqiptarëve, nuk u ndëshkuan ata që falsifikuan historinë, ata që vranë. Në vitet 1944-45 u vranë familjet më të kulluara të nacionalizmit shqiptar nga komunistët, sepse ishin frymëzuar nga jugosllavët që në Shqipëri të mos mbetej frymë patriotike kombëtare. Peza kullon gjak shqiptarësh. 
Simon Miraka: Sot lidërët shqiptarë duhet të baqshkëpunojnë për të realizuar bashkimin kombëtar të shqiptarëve
Në Konferencën e Pezës morrën pjesë 20 delegatë të bindjeve të ndryshme politike, fetare e krahinore si Azis Çami, Abaz Kupi, Ndoc Çoba, etj. Nga partia komuniste shqiptare Ymer Dishnica, Koço Tashko, Enver Hoxha e Nexhmije Xhuglini, etj. Konferenca zgjodhi si kryetar Ndoc Çoba dhe nën-kryetar Mustafa Gjinishi. Rëndësia historike e kësaj konference është se ata dolën me një rezolutë të përbashkët në mbështetje të koalicionit kundra bushtit nazisto-fashist. Mbas kësaj konference dhe pas marrjes së pushtetit të gjithë delegatët e Konferencës së Pezës u eliminuan nga Enver Hoxha, me përjashtim të Nexhmije Xhuglinit. Sot, liderët shqiptarë kudo që ndodhen duhet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin dhe me institucionet ndërkombëtare dhe me durim të realizojnë ëndrrën shekullore të bashkimit të trojeve shqiptare, nëpërmjet këtij bashkëpunimi të domosdoshëm të palëve shqiptare mund të realizohet bashkimi kombëtar i shqiptarëve.
Besim Ndregjoni: Nuk ka pajtim, po nuk u pranuan vuajtjet e që shkaktoi komunizmi
Konferenca e Pezës ka rëndësi të veçantë në kohën që është mbajtur dhe mesazhet që i ka përcjellë për kohën vendit tonë. Rëndësinë historike të kësaj konference e zbehu propaganda, ideologjia komuniste me manipulimet që i bëri kësaj ngjarje, dhe fatkeqësisht vazhdon dhe tani që është çjerrë ajo propagandë e gënjeshtërt, por që mbahet akoma e përçohet si helm ndaj brezit të ri nga historianët komunistë, që falsifikojnë fakte të rreme ndaj kësaj ngjarje historike siç është Konferenca e Pezës. Dihet dhe është e njohur botërisht se ajo konferencë nuk ishte vepër e partisë komuniste apo e udhëheqësit të asaj partie Enver Hoxha, por ishte një vepër dhe vendim i burrave të zgjuar të kombit tonë të atyre që nuk deshën Shqipërinë të pushtuar nga fuqitë e huaja. Të atyre nacionalistëve që propaganda dhe historianët gënjeshtarë komunistë dhe partia që ka pushtetin politik e përdorin dhe sot mbas 73 vitesh si një vepër të komunistëve dhe të ideologjisë së tyre. Pajtimi nuk mund të ndodhë nëse nuk pranohen dhe nuk flitet për vuajtjet e dhimbjen që shkaktoi komunizmi në Shqipëri. Edhe sot mbas 23 vitesh këtu nuk janë dënuar krimet e komunizmit, këtu falsifikohen ngjarjet historike siç është rasti i konferencës së Pezës. Pajtim do të ketë atëherë kur ne të pranojmë të vërtetën dhe të dënojmë gënjeshtrën dhe krimin. Aktuale është për shqiptarët bashkimi i shqiptarëve kur ajo te dënojë dhe të ndalojë helmatisjen ideologjike të komunizmit në Shqipëri
Sigal