Komisari i Brigadës 12 Sulmuese, Qemal Ismail Klosi

3590
Sigal

Është lindur në fshatin Klos të Mallakastrës në vitin 1913, në një familje të njohur atdhetare e me veprimtari të hershme patriotike. Babai i tij, Ismail Klosi krijoi çetën e tij dhe shkoi në mbrojtje të qeverisë së Ismail Qemalit, kur ngriti flamurin më 1912. Mori pjesë kundër hordhive të Haxhi Qamilit dhe eshtë vrarë në vitin 1915 bashkë me Haredin Fratarin dhe Baki Gjebrenë nga Gjirokastra, kur Qemali ishte vetëm 2 vjeç.

Qemali e urrente regjimin shtypës dhe anadollak të Zogut dhe mori pjesë në Kryengritjen  e Fierit në vitin 1935, Pas dështimit të kryengritjes Qemali burgoset dhe doli nga burgu kur vendi u pushtua nga fashizmi Italian. Ai ishte nga të parët që përkrahu lëvizjen çlirimtare dhe që nga viti 1942 bëhet njëri nga protagonistët kryesorë të saj në Mallakastër, fillimisht në çetën e fshatit Klos dhe më pas në verën e vitit 1943 bëhet komisar i Batalionit Partizan “Ismail Klosi”.

Në kohën e Konferencës së Labinotit, në mars 1943, kur në këtë konferencë qenë Mehmet Shehu dhe Qemal Klosi, krerët e Ballit të Vlorës dhe të Mallakastrës bëjnë një mbledhje për të propaganduar platformën e Ballit. Qemal Klosi informohet dhe së bashku me Dervish Hekalin, Shefqet Hekalin e Selim Alimerkon lajmërojnë me shpejtësi çetën e Mallakastrës dhe Qarkorin e Vlorës, kryetarët e këshillave nacionalçlirimtare të zonës dhe simpatizantët e lëvizjes, të cilët bënë që ballistët të mos e harronin qëllimin e tyre, por pësuan dështim të plotë.

Për të sqaruar konfliktin mes Ballit dhe Frontit NÇL, u caktua një komision dypalësh që u mblodhën në Aranitas. Përfaqësues të Ballit ishin: Kadri Cakrani, Tefik Cfiri e Haki Ballshi, kurse nga ana e frontit: Mehmet Shehu, Bilbil Klosi dhe Qemal Klosi. Edhe në këtë takim Qemali tregoi se ishte jo vetëm i pushkës por edhe i fjalës, se kishte përgatitje teorike, se kishte forcë bindëse e argumentuese në debat.

Pas operacionit fashist kundër Mallakastrës që dështoi me turp më 5 gusht 1943, në fushën e Klosit krijohet Batalioni “Ismail Klosi”, ku Qemali caktohet komisar i tij. Në udhëheqjen e batalionit Qemali fiton përvojë drejtuese dhe organizative. Tek ai spikatin cilësi të rralla si guximi, trimëria e vendosmëria. Fiton autoritet e respekt në radhët e partizanëve dhe në popull.

Në tetor 1943 Batalioni “Ismail Klosi inkuadrohet në Grupin III Partizan të Mallakastrës dhe Qemali ishte një nga udhëheqësit e tij. Në operacionin gjermano-ballist të dimrit ‘43-‘44 u krijuan listat e zeza për të likuiduar fizikisht këshilltarët dhe drejtuesit e frontit antifashist. Në krye të këtyre listave ishte edhe emir i Qemal Klosit. Kur Grupi III u shpërnda në njësi të vogla, Qemali udhëhoqi disa njësi të tij, në rrugë e pa rrugë, me buke e pa bukë, në acarin e dimrit, Qemali nuk u mposht dhe nuk u ligështua por me optimizëm ruante kompaktësinë e grupeve të partizanëve që drejtonte. Kur ndodhej në prapavijë të armikut, disa spiunë të Ballit zbuluan vendndodhjen e Qemalit dhe të shokëve të tij. Rrethohet natën, por qëndresa dhe vendosmëria në luftim bënë që disa nga ballistët të vriten dhe të tjerët largohen në tmerr.

Nga fundi i muajit mars 1944 forca të shumta gjermane e disa batalione të Ballit kishin zënë kodrat e fortifikuara të Rrerëzit, Margëlliçit, Kasnices dhe Belishovës dhe po zhvillonin luftime të përgjakshme me Grupin III të Mallakastrës. Për t’u ardhur në ndihmë forcave partizane vjen një batalion nga Brigada VI Partizane me në krye komisarin Mustafa Matohiti. Për të shoqëruar këtë batalion që nuk e njihte terrenin u caktua Qemal Klosi i shoqëruar nga 4 partizanë. Në luftimet e Kodrës së Meglliçit ranë 4 heronj të popullit: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Lefter Talo dhe Dino Kalenja. Në këto luftime u plagos edhe Qemal Klosi.

Më 20 maj 1944, një batalion i Grupit të III me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandant Shefit Hekalin, inkuadrohet ne Brigadën e 12 Sulmuese që formohet 4 ditë para Kongresit të Përmetit. Qemali caktohet komisar i kësaj brigade. Detyra kryesore e brigadës ishte mbrojtja e kongresit. Në Kongres delegatë të Mallakastrës ishin: Mehmet Shehu, Bilbil Klosi, Qemal Klosi dhe Qamil Hamzo nga radhët partizane dhe nga terreni: Nuredin Aliu dhe Kapo Abazi. Më 3 qershor 1944 brigada kreu luftime të ashpra në Therepel dhe Vokopolë. Më pas mori pjesë në çlirimin e Himarës, Borshin dhe Sarandën dhe më 22 tetor, së bashku me Brigadën 14 S. pasi shpartalluan një njësi armike në Qafën e Kakomesë, ku u vranë 80 hitlerianë dhe u zunë 30 robër. Pas çlirimit të Vlorës Brigada 12 bëri një betejë të ashpër me një autokolonë të madhe e të mirëarmatosur gjermane.

Me Brigadën e 12, Qemal Klosi vazhdoi rrugën luftarake deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Pas çlirimit, Qemal Klosi ka punuar në detyra të rëndësishme si Kryetar i Qarkut të Vlorës, drejtor i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, drejtor i Shoqërisë Aksionere Shqiptaro-Kineze të Lundrimit, deri sa doli në pension. Kudo që ka punuar është shquar për ndershmëri, përkushtim, zotësi dhe mirëkuptim. Për pjesëmarrje në luftë dhe punë të dalluar është nderuar me urdhra e medalje të ndryshme.

Qemali ishte edhe një baba shembullor. Lindi e rriti tre fëmijë të mrekullueshëm, Fatosin, Landën dhe … Fatosi është një nga pedagogët dhe intelektualët e shquat, ish- drejtor i SHISH –it.

Veteranë dhe mallakastriotët e kujtojnë për herë me nderim e respekt të veçantë veprën e Qemal Klosit.

                        Mystehak Xhanaj

                       Veterani i LANÇ-it