Kolec Traboini/ Aristidh Kola, një mendje e ndritur e lënë në harresë

913
Sigal

 Më 8 korrik 2014, ditën e 70 -vjetorit të lindjes së arvanitasit të madh (1944-2000)

….Edhe pas 14 vjetëve të vdekjes së Aristidh Kolës, ende vegjeton një zili për keq, tek ata që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kola” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve. Vështirë është ta pranojmë të vërteten, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm.

Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e tejkalonte kohën e tij. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e munguara në mes të krahëve të shqiponjës. Ai u afroi shqiptareve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemtë”. Kush e di ç’bëjnë djemtë. Kush e di ku janë djemtë. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji , të përzemërt ,me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar. Kush tjetër si ai! E kjo ndodhte se ai kishte një vizion të madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezër gjaku, sepse e dinte se kufijtë ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt.

Aristidh Kola ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kola….

****

 Aristidh Kola, rilindësi arvanitas i kohëve moderne

 Nga Albert Zholi

 Si e kam  njohur, arvanitasin e  shquar Aristidh Kola

 Në vend të një prologu

Pas njohjes  për herë të parë në vitin 1993, kam pasur takime të vazhdueshme me arvanitasin e shquar Aristidh Kolja, deri në vdekjen e parakohshme dhe të papritur të tij (kur ishte në spital fatkeqësisht munda ti shkoj vetëm njëherë, ndërsa varrimin e tij nuk mund ta përshkruaj dot, ku shoqata “Vëllazërimi” e ka të filmuar.  Shumica e bisedave të mia me Aristidhin janë dokumentuar në librin tim të parë të botuar tek shtëpia botuese e Aristidh Kolas “Thamiras”, ku ai vetë e ka korrektuar me përgjegjësi. Në gjithë takimet me të unë do të veçoja:

-Botimin e librit tim të parë “Ikja e madhe” (emigracioni i emigrantëve shqiptar në Greqi), ku sipas tij ishte libri i parë publicistik i një shkrimtari shqiptar të botuar në shtëpinë e tij botuese.

-Organizimin e përbashkët të ardhjes për vizitë në Athinë të poetit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar që ai e kishte shumë për zemër, Dritëro Agolli.

-Mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer në krijimin e shoqatës së parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi “Vllazërimi”, ku unë jo për meritat e mia, por  si më i riu në atë kohë,  nën nxitjen e shumë intelektualëve dhe emigrantëve, për tre vjet isha kryetar i parë i saj, ku në çdo 28 Nëntor në Festën e Flamurit  në krye të podiumit do të ishte Aristidh Kola.

-Dhe (këtu ndoshta gaboj dhe kushdo që do ta lexoj këtë shkrim mund të bëj korrigjimet e duhura, ku unë do ti pranoj me shumë kënaqësi), kam bërë intervistën e parë të plotë në 26 korrik 1996 në gazetën “Zëri i Popullit” (u bë në këtë gazetë jo sepse un kam qenë apo jam anëtar i PS, por sepse ishte dëshira e ish- kryeredaktorit të kësaj gazete, gazetë që atëherë ishte ndër më të shiturat, pasi PS ishte në opozitë), intervistë, e cila pati jehonë në Shqipëri dhe në masën e madhe të emigrantëve tanë në Greqi. Dua të theksoj se pothuajse të gjitha fotografitë e mia me Aristidhin, librat e tij të cilat mi kishte dhuruar me autograf, të gjitha revistat  “Besa”,  botime të shoqatës së arvanitasve të Greqisë, si dhe ditarët e mi, ku përfshihen dhe detaje të bisedave me të, i lashë në Greqi, pasi ikja ime prej fqinjit tonë jugor për arsye të ndryshme, ka qenë e menjëhershme. Thuajse kishte disa ditë që kish ndërruar jetë arvanitasi i madh që dhe unë u largova nga Greqia. Do të doja shumë që shumë prej këtyre dokumenteve t’i paraqisja në këtë shkrim për ta bërë sa më të besueshëm, por që ndoshta do të plotësohen dhe nga miqtë e mi në Greqi, apo në vende të ndryshme të botës, me të cilët mbaj lidhje nëpërmjet  internetit.

Takimet  e veçanta të miat me Aristidh Kolan

28 nëntor 1993:  Ambasada  shqiptare  në  Athinë,  me  rastin  e  festës  kombëtare, organizoi  një  ceremoni  festive  me  trupin  diplomatik  të  akredituar  në Athinë  dhe të  ftuar  emigrantë. Pyeta  nëse kishte  ardhur Aristidh  Kolja  dhe m’u përgjigjën  se po. Kështu, fillova  të  kërkoja  mes  asaj  morie  njerëzish, por  më kot. Mes  shumë  njerëzish në  atë  ambient  të  ngushtë, nuk  isha në gjendje  të  shquaja  profilin  e një  njeriu  që  nuk e  njihja  drejtpërdrejtë, por  vetëm  e përfytyroja  nga  përshkrimet  e miqve  të  mi. Për  të  mos  u  lodhur  më  tej, i  kërkova  ndihmë  gazetarit  R.Goro…

Kështu, iu  prezantova  Aristidhit, shumë i  emocionuar. Ai më  shtrëngoi  dorën  fort dhe më  përqafoi. Fliste një  shqipe  të  bukur, shqipen  e rilindësve. Atë  shqipe  që i  ndjeri dhe i madhi  Sandër  Prosi  e  përcillte  në  mënyrë  virtuoze  tek filmi “Udha e shkronjave”. Sa  bukur  tingëllon  ajo   gjuhë! Për  mua, ajo gjuhë  e rilindësve  është  tërësisht  shqiptare, pa asnjë  deformim, pa  as  një  huazim apo  shtirje. Dhe  Aristidhi  e fliste  aq  bukur  sa ç’e  ka  shkruar  Naimi. Nuk  ngopesha  duke  e dëgjuar. Mes  asaj  zhurme  nuk  mund  të  bisedohej  gjatë, ndaj i  kërkova një  kartëvizitë  dhe më  pas, një  takim. Nuk  hezitoi, përkundrazi. U ndamë  si  miq  të  vjetër. E prisja  me  padurim  takimin  me të. Kur  shkova (Fidhipidhu 6, Athinë 115 26), ai më  priti tek dera e zyrës dhe  duke  më  hedhur  krahun, më  futi në  zyrë. Ishte  një  zyrë  e  thjeshtë  ku  dominonin  librat  dhe  pikturat. Në  faqen ballore  ishte  një  portret i  Marko  Boçarit, një  më  i  vogël i  Skëndërbeut  dhe figura të  tjera   arvanitase  të  revolucionit  grek. Në  faqet e  bibliotekës  gjeje  romane, novela, libra   historikë me  autorë   shqiptarë, kosovarë  dhe  grekë. Pashë dhe librin e Enver Hoxhës “Dy popuj miq”, me autografin e ish udhëheqësit komunist dedikuar Aristidhit. Ndërsa  shihja  botimet  e tij, ai  buzëqeshi  dhe  më tha: “Do të  t’i jap me  shumë  dashuri” dhe  me  buzëqeshjen  e tij, u ul  duke  më  dhënë  me  autograf  ato libra  që  unë  i  ruajta  si gjënë  më  të  shtrenjtë për sa kohë isha në Greqi (…?!!!). Në  bisedë e  sipër  e  pyeta  pse kishte  shumë  fotografi  të Marko Boçarit  e  Skënderbeut,  dhe  ai m’u përgjigj: “Markoja  është  simbol i  arvanitasve, ndërsa  Skëndërbeu i  të  gjithë  shqiptarëve. Këta  dy njerëz  na  e lanë  amanet  gjuhën. Kjo  është  gjuhë  e Perëndisë”.

Në  Qershor  të  vitit  1996, në  organizimet e para  të  shoqatës së parë   të  emigrantëve  në  Athinë, “Vëllazërimi”  (në  të  cilin  unë  pata  privilegjin  të  isha  kryetar i  parë), mundësuam  ardhjen për  vizitë  të  shkrimtarit  të  madh Dritëro Agolli. Takimi u zhvillua në  sallën  e Lidhjes së Shkrimtarëve  të Greqisë. Ishte   një  mbrëmje  fantastike  për  emigrantët, por  edhe  për  miqtë  e ftuar  grekë. Driteroi  i  bëri një  analizë   situatës  politike  në Shqipëri foli  për  Greqinë  dhe  për  Ballkanin. Në  fund të  fjalës së Dritëroit Aristidhi më  tha: “Me  njerëz  të  tillë  të  fjalës dhe  të  penës, Shqipërisë  e  shqiptarëve  u  takon  tjetër  fat. Dhe  besoj se  do  të vijë  dita  ta  kenë”…Mbas  takimit, bashkë  me  Dritëroin, Moikom Zeqon  e  Spartak  Brahon, Aristidhi  na  ftoi  për   darkë  në  shtëpinë  e tij. Biseda  e tij  me  Dritëroin  ishte  aq magjepsëse,  sa  nuk  e kuptuam si ikën  orët  e  drita  e ditës  tjetër  na  gjeti  po  aty, në ballkonin e shtëpisë së tij në periferi të Athinës…

Janar  1997: Shkova  tek Aristidhi  me  dorëshkrimet  e librit “Ikja e   madhe”.Kur  më  pa  me  pako  në  dorë, më tha  me  shaka: “Mos  ke  sjellë  raki  nga Shqipëria?!”. “Kam sjellë për botim një  libër. Dua  ta  botoj  tek shtëpia  jote  botuese”,- i  thashë .

“Dëgjo Alberto. Unë  do  ta  shoh njëherë  librin, pastaj do  të  vendos”,- tha ai. Kur  binte  fjala  për  libra, serioziteti i  tij  ishte  absolut. Më  telefonoi  pas  dhjetë  ditësh dhe kur  e  takova, më  tha: “E kalove  provën. Librin  do  ta  botojmë. Shtëpia  botuese e ka  emrin “Thamiras”, që  në  arvanishten e  lashtë , do të  thotë  “E tha  mirë”. Edhe ti mirë i kishe  thënë  gjërat  në  libër. Suksese!”. Dhe  libri pati vërtetë  sukses. Për  tre muaj  u  shitën  1000 kopje. Ky ishte  dhe libri i parë publicistik  i një  shqiptari në “Thamiras”.

1999: Në  Kosovë, luftë. Në  Greqi  luftë  mediatike. Kosova  digjej,  mediat greke heshtnin. Por  nuk heshti Aristidhi. Ai ishte  i  përnatshëm në  televizionet  greke. Me fakte  historike  ai  trondiste  opinionin  e dizinformuar  të  Greqisë. Akuzat dhe sharjet e ultranacionalistëve grekë ishin nga më të pabesueshmet. Arritën derri aty që të shihnin origjinën në 10 breza dhe ta cilësonin agjent të shqiptarëve (Shqipëria s’mban dot veten jo më të paguajë agjentë !!!!) Në  një  nga  këto ditë, kur  ai  kishte  pak orë pushim, shkova  si  gjithmonë  tek   zyra. Dhe  pse i lodhur  nga  provokimet, ai nuk  ma  kurseu buzëqeshjen. Në  bisedë e sipër, befas  më  bie  celulari. Atë  ditë, si për  inat, dy shqiptarë  kishin  grabitur  një  shtëpi  dhe  kishin  qëlluar  me  thikë  të  zotin  e shtëpisë. Por  kriminelët  nuk  ishin  kapur .Në  telefon  dëgjoj  zërin e  një personi, i  cili  mu  prezantua si  gazetar  i radio SKAI. Duke m’u prezantuar, ai më  thotë  se numrin e  celularit  ia  kishte  dhënë një  miku  im. Lefter Marta. Dhe gazetari  grek më pyet se çfarë  mendimi  kisha  për kriminelët shqiptarë. Dhe  unë  i  them: “Kriminelë  ka edhe në Greqi dhe në Gjermani dhe  në Rusi e Japoni. Kriminelët  kudo që  janë, kanë  një  kombësi me vete- “Kriminelë”. Aristidhi, kur  unë  përgjigjesha, më shtrëngoi  krahun  dhe  tundi  kokën. Në  fund nuk  më tha  asnjë  fjalë, por  vetëm psherëtiu. Ai ndiente  dhimbje  për  trajtimin  jo  real të  shqiptarëve, por  ndjente  dhimbje  se për  muaj  të  tërë  në  televizionet  greke, padrejtësisht  i  vishnin lloj-lloj kostumesh  të  pamerituar, njerëz  që nuk e njihnin historinë. Por, e drejta  e Aristidhit për  luftën  në  Kosovë triumfoi, paçka  se shumë  fitore ai nuk mundi t’i shijojë në  të  gjallë.