Kolë Ndreka/ Intelektuali Tahir Minxhozi, partizani e shtetari model që kujtohet me mirënjohje

3211
Sigal

Personalitete si Tahir Minxhozi, nuk takohen shpesh kur është fjala për taktin e sjelljes, marrëdhëniet me njerëz dhe figurën morale në të gjitha aspektet e saj. Ai arriti të mbarë vlerësimin më të lartë që mund ta meritojë një drejtues i rangut madhor politik apo shtetëror. Lindi 90 vjet më parë në një fshat të thellë malor të krahinës së Matit, bir i një familje të nderuar për vlerat e veçanta shoqërore e atdhetare në krahinë. Në luftën e fundit kundër nazifashistëve, prej shtëpisë së Minxhozit i pari doli i zoti i shtëpisë, Hasan Minxhozi dhe pas tij e dy bijtë, Beqiri dhe Tahiri 16 vjeçar. Nëna u burgos nga fashistët bashkë me vajzën Mine dhe djalin e vogël Ymerin. Tahir Minxhozi do të rreshtohej me forcat e Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në Brigadën 22-të Sulmuese, në atë moshë rinore, iu besua detyra e zëvendës komisarit të batalionit, të cilën e kreu me sukses në betejat luftarake për të shporrur nazizmin edhe nga Mali i Zi, Kosova etj.. Luftën për një Shqipëri të re ai e nisi së pari në vendlindjen e tij si drejtues i pushtetit popullor në rrethin e Matit. Atij iu besua drejtimi i Qarkut të Dibrës nga varej dhe Mati. Kur Tahir Minxhozi e la Dibrën për të shkuar në Moskë me studime, la pas në vazhdim punët e mëdha që kësaj krahine do t’i jepnin zë të mirë në mbarë vendin. Udhëheqja e Lartë e Partisë së Punës u bind se Tahir Minxhozi duhej të drejtonte punët në rrethin e Kukësit, si sekretar i Parë i Komitetit të Partisë. Gjatë kësaj periudhe, nuk la fshat e lagje pa e njohur. Ai, për zyrë kryesore kishte praninë e vet, aty ku ngrihej diga, aty ku hapeshin tokat e reja, aty ku Radio Kukësi përcillte këngë të bukura. Tahir Minxhozi e la Kukësin me një spital të dëgjuar, 17 qendra shëndetësore, 21 shtëpi lindje, 150 km rrugë automobilistike. U vunë në funksion 29 shtëpi kulture, u ngritën 32 muzeume, 6 librari dhe 2 kinema. Kruja po shndërrohej një në një zonë industriale, aty do të lindte edhe qyteti i ri i Laçit me banorë të ardhur nga disa krahina të vendit… Pas arritjeve të suksesshme mes krutaneve, në shndërrimet që u bënë, ai do të mbetej njeriu fisnik i atij populli të mirë dhe e priste një detyrë  që do ta befasonte shumë, por edhe do t’ia bënte më të dukshme vlerat si personalitet i lartë. Tahir Minxhozi u përzgjodh për të qenë Sekretar i Komitetit të Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Qëndrimi i tij, i mbajtur përballë shtjellimeve të ngjarjeve në kupolën e Forcave të Armatosura, për ato kushte është i jashtëzakonshëm, ai edhe aty i qëndroi besnik drejtësisë për t’i parë e vlerësuar ngjarjet në atë brendi që kishin. Futja e një fryme të re nuk u prit mirë nga ata madhorë që forcën e kërkonin tek imponimi përmes arrogancës e prepotencës, ndaj me sebepin se shoku Tahir nuk i njeh problemet e ushtrisë arritën ta bindnin Udhëheqjen e Lartë të Partisë së Punës, që ai të largohet nga ajo detyrë. Tahir Minxhozi e ndjeu thellë keqardhjen kur doli nga ajo ministri sepse la me mijëra ushtarë dhe oficerë me ndjenja të lodhura prej ngjarjeve, ku ishin përfshirë. Më pas ai u emërua drejtor i Kombinatit të Drurit “Misto Mame” në Tiranë me po atë sukses si në detyrat e tij të mëparshme… Pas vitit 1990 figura e Tahir Minxhozit u lartësua më shumë si drejtues i papërsëritshëm popullor. Demokrat i vërtetë i lindur për ideale të mëdha! Ai u la pasardhësve të tij pasurinë më të çmuar, emrin e mirë dhe porosinë që ta fitojnë jetën me punë të ndershme. Ai s’u bëri vend padrejtësive, se nuk e mësoi gjuhën e urrejtjeve. Vendin e zgjodhi midis njerëzve, aty ku rron lavdia e përjetshme.