Koçi Xoxe më hoqi litarin, pas ndërhyrjes së Nesti Kerenxhit

641

ARKIVA IV/ Pjesë nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të madh shqiptar Petro Marko

(Vijon nga numri i kaluar)

Në darkë më thirrën lart në drejtori. Aty ishte Nesti Kerenxhi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më foli butë. Më pyeti dhe iu përgjigja: -“Unë flas vetëm me Koçi Xoxen!” –“Koçi Xoxe nuk mund të vijë këtu!” –“Më shpini mua tek ai. Vetëm me atë do të flas”. -“Kërkon gjëra që nuk bëhen”. -“Po një letër a mund t’i shkruaj?” Unë e njihja Nestin. E njihja mirë dhe ai më njihte mirë. U mendua dhe më tha: -“Shkruaje letrën”. Më dhanë një copë letër dhe një stilograf dhe shkrova: “Koçi! Nëse të ka mbetur ndonjë fije shoqërie nga e kaluara jonë, të lutem për dy gjëra: 1. Jep urdhër të më pushkatojnë sa më parë, se nuk i duroj dot fyerjet e rënda dhe torturat çnjerëzore. 2. “Pse?” E lexoi Nesti dhe më tha: -“Pse, nuk e dije ti organizatën e fshehtë të deputetëve?” – Atëherë unë i thashë se me të vërtetë as që e kisha dëgjuar kurrë këtë organizatë. E mori letrën. Mua më shpunë në një birucë tjetër, përballë me atë të Hasan Reçit. Në atë krah ishin me radhë dhe biruca me shokët: Spiro Ruço, Spiro Dhima, Uan Filipi, Islam Radovicka, Sinan Gjoni, Kolë Berisha… Më lidhën këmbët dhe duart pas dhe u shtriva në dysheme i trullosur dhe i handakosur. Mendoja e thosha: – Sa i fortë është njeriu! Besoja se kafsha më e fortë e universit ishte njeriu normal. Siç dukej, lart ishte ende Kerenxhi, prandaj me radhë i merrnin këta shokë dhe i shpinin në drejtori. Kjo punë vazhdoi dhe të nesërmen: Shokët merreshin në pyetje nga Nesti. Të pasnesërmen, më thirrën lart përsëri. Në drejtori ishte vetëm drejtori dhe Nesti Kerenxhi. –“Letrën ia dorëzova Koçit…,” – më pa me sy njeriu, – dhe më tha: “i thuaj Petros të flerë rehat…” Më kuptove? Kur dola, më dha dorën. Dhe, kur u mbyll dera, ndërsa mua m’u këputën gjunjët nga një ndjesi e papritur, dëgjova zërin e Nestit t’i thoshte drejtorit: -“Në birucën e Petro Markos të mos futet asnjë oficer ose hetues pa lejen e Koçit. Ushqimet që i bien nga shtëpia, t’ia dorëzoni të paprekura, edhe cigaret… Më urdhëroi Koçi…”. Dëgjova zërin e Hasan Reçit, që ishte në birucën kundruall birucës sime: -“Petro, në dalsh i gjallë, kujdesohu për vajzën time. 7 muajsh është.. .” Dhe, atë agim, mandata erdhi… Hasan Reçi, Uan Filipi, Spiro Ruço, Sinan Gjoni, Islam Radovicka, Kolë Berisha – më duket tetë veta – i morën dhe i drejtuan për te bregu i lumit, ku i pushkatuan… Jam plotësisht i bindur se jetën e kam nga Koçi Xoxe. Unë komunikoja me Safon me anën e një shkrimi të hollë gati të padukshëm të bërë me majën e gjilpërës në rrethin e kapakut të sefertasit prej alumini. Me pak fjalë ne kishim zbuluar një komunikim sekret origjinal. Shkurt, bëja të ditur gjendjen time. Ajo pyeste. Kur shokët e mi u pushkatuan, i shkrova: “Shpëtova!” Kurse para dy ditësh, kur erdhi Kerenxhi dhe më tha se Koçi e kishte porositur “të flija rehat, të më jepnin ushqimet pa i prekur dhe të mos hynte njeri në birucën time pa urdhrin e Koçit…”, i kisha shkruar Safos në rrethin e kapakut të sefertasit: “Më duket se shpëtova!” Kur vërtetë nuk u pushkatova si të tjerët, përsëri i shkrova: “Shpëtova për ty… që je munduar më shumë se unë!”

– Pastaj ç’ndodhi?

Erdhën në birucë, më hoqën hekurat e këmbëve dhe më nxorën në korridor, ku ishin edhe shumë të burgosur të tjerë. Na lidhën dy e nga dy. Mua më lidhën me Tika Tezhën, i cili, duke buzëqeshur hidhur, më tha: “Edhe ti këtu? – Pastaj, kur na shtrënguan fort duart, shtoi me të qeshur: – Aq je bërë i pandjeshëm, sa nuk lëshove asnjë psherëtimë. Mua m’u thye kocka nga shtrëngimi i zinxhirit!” Ishim shumë: Të gjithë si skelete. Na nxorën përjashta. Nuk flisnim dot, se na dhanë urdhër të prerë: “Po hapi gojën njeri, do t’ia presim gjuhën!” Tika më shikonte e ngrinte supet. Ishte një shok që e njihja mirë: Pasanik i madh që kishte ndihmuar shumë Luftën me të holla dhe duke transportuar të plagosur partizanë e armë, se kishte makinën e tij. Na çuan te Burgu i Vjetër.

– Si e ndjeve veten, kur dole nga pragu i portës së burgut?

Të them të drejtën, shumë herë kisha dalë nga burgu vite të shkuara, por, që të dilja i gjallë nga ky lloj burgu, nuk e besoja kurrë. U përqafova me shokët që lashë brenda, sidomos me ata me të cilët rrija më shpesh dhe ja, u çel dera e hekurt. Përjashta më priste Safoja, që kishte pesë orë që qëndronte kundruall portës së madhe të Burgut të Vjetër. Çudi! Sytë m’i vrau drita e lirisë… por, kur pashë të më afrohej Safoja ime, m’u bë sikur ndriti gjithë planeti. Në një shtëpi të vogël dhe të vjetër (Rruga e Veriut ose “Bardhok Biba”) një familje fisnike kosovare me mbiemrin Rizvanolli i kishte lëshuar në oborr familjes sime një dhomë e kuzhinë të vogël; ishte aty dhe vjehrra ime dhe biri i saj. Zija, Shefqet dhe Ali Rizvanolli. Vjehrra ishte nga familja Qafëzezi e Kolonjës dhe si burrëreshë e kishte ndihmuar shumë Safon të më priste e të punonte, për të më mbajtur mua dhe familjen. Ajo ishte një grua e rrallë, me edukatën e familjeve të mëdha, me parimet e një morali të shëndoshë shqiptar dhe me një objektivitet të pabesueshëm për një grua, me qëndrimin që mbante ndaj ngjarjeve të hidhura në Luftën e Parë Botërore, për të cilat fliste dhe gjykonte siç gjykonim Skënder Luarasi dhe unë. Skënderi u çudit kur e dëgjoi të fliste, duke goditur kastën e saj, për qëndrime të gabuara dhe duke dhënë hollësi për vdekjen e P. N. Luarasit: si e kishte shpëtuar nga djegia kufomën e tij Dajlan beu, xhaxhai i saj, duke dërguar të armatosur trimin e tij Dake Luarasin, si ndërhyri për t’i bërë një varrim normal. Pas një bisede për rreth dy orë me vjehrrën time, Skënderi doli bashkë me mua i mahnitur se si ajo fliste për të vërtetën objektive pa iu trembur syri dhe tha: “Është fat i madh për mua që njoha një grua të tillë nga fisi i bejlerëve të Qafëzezit”. Gjatë gjithë jetës, me gjithë problemet e rënda që kaloi familja ime, ajo mbeti një grua që me logjikën e saj ndihmoi që jeta te ne të ecte normalisht. Pranoi burgun tim, pa u trembur. Punoi për mua dhe Safon, që ishte aq e re, i thoshte: “Të mos të shkojë mendja se mund të të lejoj ta ndash e të dyshosh për të se është spiun! Ai, është poet, është i ndershëm, i pashëm, për mua është si një shebender (që do të thotë ambasador). Do ta presim dhe do fati del i gjallë, se është rritur jetim rrugëve të luftës!” … Isha si në hava. Ç’të bëja? Njeri nuk më afrohej. Ishte koha kur buka jepej me triska dhe triskë kishin vetëm ata që ishin në punë. Unë nuk isha në punë, gruaja nuk ishte në punë… ishim pa triskën e bukës. Shkova në Ministrinë e Arsimit dhe mezi arrita të flisja me një shok që punonte atje, me Sterjo Spassen, si dhe me Spiro Xhain, që ishte dhe sekretari i partisë. Ata pas shumë muajsh mezi më gjetën një punë më 1952: korrektor letrar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që i kishte zyrat në bulevardin e madh dhe ku punonin shumë përkthyes pa marrë parasysh se në cilën parti kishin bërë pjesë. Drejtor ishte një Miço, i çalë; sekretare partie një grua: A. S. Punoja në një zyrë me mikun tim “X” që përkthente. Këtë “X”. unë e tërhoqa nga qyteti ku kishte qenë mësues dhe e mora kur isha në gazetën “Bashkimi”, se e njihja si poet dhe desha që në gazetë të kisha njerëz me talent e të kulturuar. Tani ai përkthente dhe përkthente shumë mirë nga frëngjishtja. Bisedonim hera-herës dhe ai çuditej pse më kishin burgosur… Një ditë më thirri në zyrë A. S. atje ishin edhe dy shokë të tjerë të sigurimit. Më thanë të ulesha. Pastaj A.S. më pyeti se çfarë kisha folur me “X”-in. Unë i thashë se me atë flasim për çdo gjë, pasi jemi në një zyrë dhe shkëmbejmë ndonjë fjalë. –“Fol! – tha ai i sigurimit. – Çfarë i ke thënë shokut “X”?” “I ke folur kundër pushtetit!” – përsëriti ai i sigurimit. U habita shumë. Mendova shumë. Thashë ta përmbaja veten, se kujtova gruan time të gjorë… –“Unë nuk flas me asnjeri kundër pushtetit, se për këtë pushtet kam dhënë edhe unë rininë time… Prandaj, thirreni këtu shokun “X” dhe le të thotë para meje se çfarë i kam thënë unë kundër pushtetit”. E thirrën. Ai erdhi dyllë i verdhë, se ishte shumë frikacak. E pyetën: -“Fol! Çfarë të ka thënë ky armik i pushtetit?” Ai nuk i kthente sytë nga unë: -“Po të jetë burrë, siç thotë se është burrë, le ta thotë vetë ai…” – tha dhe shikonte nga dritarja. Kur ai tha kështu, me të vërtetë u nxeha shumë, se në jetën time rrallëherë jam nxehur: -“Shoku “X”! Ka dy lloj burrërie: Një si imja dhe një si jotja. Ti, me burrërinë tënde, që e kam dhjerë, jetoje i lumtur në kohë të Zogut, kurse unë vuaja internimeve dhe burgjeve. Burrërinë tënde e kam dhjerë, se ka dy lloj burrërie: Një si jotja dhe një si imja. Me burrërinë tënde jetoje bukur si pasha në kohën e Duçes. Atë burrërinë tënde e kam dhjerë. Kurse unë në atë kohë me burrërinë time torturohesha, burgosesha dhe internohesha. Edhe sot me atë burrërinë tënde, që përsëri e dhjes, ti jeton si pasha në këtë pushtet që ti e urren…” –“Mjaft! – thirri njeriu i sigurimit. – Ti, shoku “X”, shko!” Prisja të më hidhnin hekurat. Po ngjau kjo: -Tani që do të bëhen shkurtime në zyra, këtë pushojeni…” Ata ikën dhe unë shkova në zyrën time, ku “X”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, përkthente. Dhe furtuna erdhi. Pas disa ditësh më thirri shoqja e kuadrit, A. S., dhe më komunikoi pushimin tim. Mendohesha ditë e natë se ç’duhej të bëja. Mbeta pa bukë. Më këshilloi shoku im Mane Nishova, t’i bëja një letër Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm.

Dëshmitari i krimit makabër

Fundi tragjik i inxhinierit Zuber, si e goditi roja me shqelm pas koke

Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: ai, i shtrirë përdhe; unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç’murmuriste, thoshte: -“Tani jam duke bërë një leksion për shkaqet se pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme… Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej”. E ngacmova dhe i thashë: – “Si ka mundësi që një intelektual si ju të besojë?” –“Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vjet. Ti i beson marksizëm-leninizmit… por a do të jetojë qindra ose mijëra vjet kjo ideologji? Feja ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani.” Hynë në birucë dy hetues: Njëri e ngriti Zuberin dhe e nxori jashtë birucës, tjetri ndenji me mua dhe më tha: “Pa pyete këtë armik a ka flori toka shqiptare. Ai ka bërë hartën gjeologjike, por nuk ka shënuar gjëkundi se ku ka flori…” Unë qesha me vete dhe i thashë hetuesit kallp: -“Po të kishte flori, për kë e ka fshehur? Po të ishte për italianët, do ta kishte shënuar. Po të ishte për gjermanët, do ta kishte shënuar. Për kë e ka fshehur?” –“Këta agjentë… janë djallëzorë… Po ti pyete, se nuk ka mundësi që të mos ketë flori gjithë kjo tokë”. Përsëri unë qesha hidhur me vete dhe i premtova se do ta kryeja këtë “detyrë patriotike”, se kështu më tha ai: “është detyrë patriotike kjo që po të ngarkojmë!” Kur u kthye përsëri në birucë Zuberi, u shtri dhe qeshte. –“Pse qesh?” – i thashë. –“Më shtrëngojnë të them, pse nuk kam shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare. Dhe unë u thashë se nuk ka. Ata më shkelmuan dhe më shanë “agjent i shitur”. –“Me të vërtetë, a ka flori Shqipëria?” –“Po të kishte, unë patjetër që do ta kisha shënuar, si të gjitha mineralet e rralla. Në të vërtetë, ka në disa zona, por duhet njëzet herë më shumë flori për ta nxjerrë atë sasi. Këta janë injorantë. Unë, kur kam bërë hartën gjeologjike, e kam bërë si gjeolog dhe jo si agjent ose spiun. Ç’janë këto që po dëgjojmë?!” Dhe përsëri mendimet dhe fantazia jonë morën drejtime të ndryshme. Burgu gjëmonte nga ulërimat. Përnatë merrnin e pushkatonin intelektualë të shquar, specialistë. “A e di? – më tha një ditë Zuberi. – Këtu, ja Enveri, ja Koçi janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektual të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret.” U hap dera. Hyri brenda një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit: -“Ç’punë bën ti?” –“Gjeolog!” – u përgjigja unë. –“Mbylle gojën ti, se s’të pyeti njeri!” –“Gjeologu zbulon pasuritë e nëntokës!” – u përgjigj i frikësuar Zuberi, se e vuri re shprehjen e kriminelit. Roja i këputi me sa fuqi që pati, një shkelm prapa veshit duke i thënë: -“Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës”. – Mbylli derën dhe u largua. Kisha mbyllur sytë dhe çudi se si nuk më pushoi zemra. Me frikë, hapa sytë dhe pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, t’i vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M’u errën sytë. M’u err mendja. Desha të bërtisja, që të më dëgjonte gjithë bota: “Krim! Krim universal! Zuberin e vranë! Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën”. U hap përsëri dera. Hyri ai polici që e goditi, bashkë me dy të tjerë. E panë.  -“Ngordhi qeni!” – tha ai që e goditi. E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë.

Letra për ministrin e Brendshëm

Sekretet e Mehmet Shehut, ja pse vuante luftëtari i Spanjës

Vendosa dhe i shkrova këtë letër Mehmet Shehut: “Shkëlqesisë së tij Mehmet Shehu, ministër i Punëve të Brendshme. Unë që po ju shkruaj këtë letër, quhem Petro Marko dhe të paktën veten time e quaj patriot të ndershëm. Nëse nuk është kështu, se ju i njihni ata që janë armiq, mos m’u përgjigjuni… Kam qenë korrektor letrar në “Naim Frashëri”, ku punojnë njerëz të të gjitha ngjyrave, madje dhe nga ata që bashkëpunuan me gjermanët dhe u pasuruan kur ne luftonim dhe vuanim. Erdhi një urdhër për shkurtim personeli dhe më gjetën mua të më shkurtonin… Tani dua t’ju pyes: Kush e ka fuqinë në dorë, ata armiq që bashkëpunuan me okupatorët apo ne?! Nëse e kanë fuqinë në dorë ata, na thoni të dalim përsëri në mal për të çliruar popullin nga këto shushunja…” Letrën e bëra pa e pyetur gruan, se ajo nuk do të më lejonte kurrë. E shkrova dhe vajta në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk e dija që nuk hyhej nga dera e madhe, karshi ministrisë tjetër, por hyhej nga një derë prapa ndërtesës. Ndenja ca duke pritur, kur për fat po hynte andej zëvendësministri i Mehmetit, Mihallaq Ziçishti, i cili më buzëqeshi me mirësi dhe më pyeti se ç’kërkoja. –“Kam një letër për ekselencën e tij Mehmet Shehu dhe nuk e di se si mund t’ia dorëzoj…” Ai më buzëqeshi: -“Pse i thua ekselencë?! Ti e ke shok! – tha duke më rënë në sup. – Ma jep mua letrën dhe do t’ia jap që tani. Mos u bëj merak”. – E mori letrën dhe u fut brenda. Ishte ditë e premte, kur ia dhashë letrën. Të shtunën në drekë, erdhi një civil në shtëpi, ose më mirë në konakun tim të mjerë, dhe pyeti: -“Këtu banon Petro Marko?” Edhe vjehrra, edhe gruaja u trembën. I thanë se aty banoja. Unë dëgjoja dialogun: -“Ku është tani?” –“Këtu!” – iu përgjigj vjehrra ime, se e pa që nuk kishte ndonjë fytyrë të zymtë. Dola në oborr, ai më dha dorën dhe më tha se më kërkonte shoku Mehmet Shehu në zyrën e tij. Gruaja u tremb pa masë dhe m’u drejtua me lot në sy: -“Ç’ke bërë?” –“Mos u mërzit”, – i tha ai dhe u nisa bashkë me të për te Mehmet Shehu. Kur hyra në zyrën e Mehmetit, ai u ngrit më këmbë, më përqafoi me sy të njomur. –“Ku je, more i uruar!” – Më pa që nga koka e gjer te këmbët, me ato këpucë të vjetra, me këmishë të vjetër… dhe më tha: -“Besomë: unë kam një djalë që quhet Vladimir! U bë gati tetëmuajsh dhe unë nuk e kam parë… Po ti, me të dalë nga burgu, duhej të vije tek unë… Nga bridhje?” U ula dhe ai më pyeste për shumë gjëra. E pashë që ishte shumë nervoz, nuk e zinte vendi. –“Eh, ta dish…” – i shpëtoi kjo frazë, pastaj ndërroi bisedë. Dhe, që të më qetësonte, nisi të më tregonte episode të paharruara nga Spanja. Ndenja aty gati një orë. Pastaj më tha: -“Do ta shtroj lart çështjen tënde dhe do të ngarkojmë shokun Bedri Spahiu të merret me punën tënde. (Bedriu ishte në atë kohë ministër i Arsimit.) U përqafuam gati me lot në sy dhe u ndamë, sikur ta dinim se ç’po gatuhej në krye të Partisë…” Nuk ishte më ai Mehmet që njihja unë dhe shokët e tij, por një Mehmet tjetër. Ai armikun deshi ta kishte përballë dhe jo si tani, që e kishin ngarkuar me atë detyrë delikate, të zbulonte ata të Kolonës së Pestë. Më parë ishin jugosllavët ata që zbulonin dhe zhduknin mijëra e mijëra të Kolonës së Pestë, me urdhër nga lart. Koçi zbatonte urdhrat. Mehmeti, me të cilin ndenja afro një orë, e dinte që biseda jonë regjistrohej, prandaj pati guximin dhe tha: “Unë jam nga ata që armikun e kam luftuar ballë për ballë… Kjo punë nuk më përshtatet, e kam të vështirë.” Kur u ndamë, përsëri u përqafuam dhe aty më pyeti për shokët e tjerë të Spanjës, sidomos për Skënder Luarasin, të cilin e nderonte shumë. –“Të gjithëve jepu të fala nga unë!” Dhe u ndamë pasi më përcolli deri te dera e zyrës së tij. Ne në burg, me Koço Boshnjakun, me Demir Godellin e disa të tjerë kishim folur dhe për Mehmetin dhe çuditeshim se si i duronte dhe i pranonte ky këto persekutime dhe ekzekutime që s’kishin të sosur. Kishte këtë karakter: i bindej verbërisht superiorit të tij, por edhe kërkonte t’i bindeshin verbërisht vartësit e tij. Pas disa ditësh më thirri Bedri Spahiu, ministër i Arsimit. Më priti krahëhapur dhe më tha: -“Bëre mirë që u drejtove më lart se ata… vendosin. (Bënte aluzion për të madhin fare.) U mblodhëm dje në byro dhe u shtrua çështja jote. Të gjithë kishin mendim unanim që ti të sistemoheshe, por tani për tani jo si gazetar. Folën të gjithë mirë për ty duke të cilësuar si një nga revolucionarët më të devotshëm e të ndershëm dhe më porositën të të sistemoja. Meqë ti tani për tani nuk mund të ushtrosh profesionin tënd në gazetari, unë mendova të bëhesh profesor…” U vendos që burgu i vuajtur nga ’47-’50 të mos të përmendet më. Që atë ditë unë u emërova profesor në shkollën pedagogjike me bazë fillore.