Koalicioni antifashist dhe “Lufta e Ftohtë”

2323
Sigal

Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria rreshtohet në koalicionin Antifashist Botëror të kryesuar nga SHBA, ish-B.S. dhe Anglia.

 

Fronti Antifashist Botëror dhe “Lufta e Ftohtë”

 

Nga Safet R. Ramolli

 

Lufta II Botërore mori udhë si revansh i forcave fashiste dhe arriti në finish si triumf i forcave përparimtare. U zhvillua (1 shtator 1939 – 8 maj 1945) si një përleshje e përgjithshme midis 61 shteteve, që përbënin 80 % të popullsisë të globit. Veprimet luftarake u kryen në territoret e 40 shteteve në Evropë, Azi dhe Afrikë. Më 8 maj 1945 njerëzimi mbylli siparin e tragjedisë më të përgjakshme në historinë e tij: 32 milionë njerëz të rënë në fushëbetejat. Më shumë se 20 milionë u vranë nga goditjet e avionëve, artilerisë dhe ato bërthamore. Çdo ditë shuheshin më shumë se 24 mijë jetë njerëzore, 500 miliardë franga ari zvicerane, dëmi ekonomik dhe 1.126.000 ton pleh i krijuar nga djegiet e trupave të njerëzve etj.

Nuk kishin kaluar as 21 vjet nga përfundimi i Luftës Parë Botërore dhe ende diskutohej rreth saj si dhe punohej për eliminimin e pasojave… Nënat ishin ende me veshje të zeza, ndërkohë, bijtë e bijat, nipat e mbesat nuk kishin gjetur akoma varret e prindërve apo gjyshërve të tyre… Disa vende ndodheshin në gjendje lufte, të tjera ndiheshin të pakënaqur nga traktatet e nënshkruara pas përfundimit të luftës së mëparshme dhe Lidhja e Kombeve ndihej e pafuqishme të sfumonte mosmarrëveshjet mes tyre, por edhe të menaxhonte konfliktet që ndizeshin gati në gjithë globin. Megjithatë, politikanët me “koka të nxehta” në kulisat e fshehta sajonin shkaqe për të futur në përleshje vrasëse grupime shtetesh me njëri-tjetrin, por edhe popullsinë e të njëjtit komb, duke ia arritur këtij qëllimi kobzi.

Historiografia botërore ka fiksuar si datë fillimi 1 shtatorin 1939, kur Gjermania në zbatim të teorisë për të “Siguruar hapësirën e nevojshme jetike”, nën thirrjen histerike “Të jemi të pamëshirshëm, nëse duam të ardhmen”, sulmoi Poloninë. Por realisht lufta kishte filluar kohë më parë, më 1931 Japonia pushtoi Mançurinë, më 1935 Italia pushtoi Etiopinë, më 1936 e 1937 bie Spanja e Kina; Austria e Çekosllovakia, më 1938, Shqipëria më 1939, më 1940 fatin e luftës e pësojnë disa shtete të Azisë Juglindore, Greqia, Franca, Holanda dhe Belgjika. Vendet Skandinave e Danimarka u pushtuan në vitet 1940-’41, dhe duke u gdhirë 22 qershori 1941 Gjermania sulmon Ish-B.S., duke u shndërruar kështu në një katastrofe të përbotshme. Si datë e përfundimit është fiksuar 9 maji 1945, por në fakt veprimet luftarake vijuan edhe disa muaj më pas.

Koalicionet Ushtarake gjatë Luftës II Botërore

Lufta II Botërore u parapri nga aleanca politiko-ushtarake mes Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, me emërtimin “Boshti Berlin-Romë-Tokio” dhe gjatë zhvillimit iu bashkëngjitën shtete të tjera. Fillimi i luftës u shoqërua me negociata, marrëveshje dhe traktate të ndryshme, të cilat shpesh kanë ndryshuar edhe kahun e lidhjeve e të ndërveprimeve. Më 3 shtator 1939 Anglia e Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Italia si partnere e Gjermanisë, më 10 qershor 1940 deklarohet për luftë me Anglinë dhe ish-B. S. Më 7 dhjetor 1941 Sh.B.A i shpallin luftë Japonisë. Pas katër muajsh Gjermania deklarohet për luftë me Sh.BA. Duke u gdhirë 22 qershor 1941 Gjermania në mënyrë të njëanshme prish paktin me Ish-B.S. dhe e sulmon në befasi, ngjarje që vuri në lëvizje serioze diplomacinë botërore, për të gjetur rrugët për të shpëtuar njerëzimin nga kjo katastrofë me shtrirje në tre kontinente (Evropë, Azi dhe Afrikë). Fuqitë e Mëdha dhe forcat progresive në vende të ndryshme, angazhohen në tratativa diplomatike duke krijuar Koalicionin Antifashist Botëror. Pas sulmit mbi Ish-B.S kryeministri anglez Çërçill dhe presidenti amerikan Ruzvelt, në emër të qeverive të tyre, u artikuluan botërisht qartë dhe prerazi për mbështetje morale dhe materiale ndaj Ish-B.S. Në gusht 1941 u zhvillua Konferenca Anglo-Amerikane, që shpalli dekretin, “Karta e Atlantikut”. Në shtator 1941 në Londër mbahet Konferenca e Përfaqësuesve të Ish-B.S, Çekosllovakisë, Belgjikës, Greqisë, Polonisë, Hollandës, Norvegjisë, Luksemburgut dhe “Francës së Lirë” (kjo e fundit e drejtuar nga De Goli me qëndrim rezident në Angli S.R.) Më 29 shtator dhe në tetor 1941 u mbajt në Moskë, Konferenca e Tre Fuqive të Mëdha: Angli, Ish-B.S. dhe Sh.B.A., që u shpreh për ndihmë konkrete ndaj Ish- B.S., i cili mbante peshën kryesore të Luftës. Përfshirja e Japonisë në veprime luftarake në Port Herber, bëri që në krah të Sh.B.A. të rreshtohen, Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, Bashkimi Jugafrikan, India, Egjipti, Kina, dhe disa vende të kontinentit Amerikano-latin. Këto më 1 janar 1942 në Uashington nënshkruan Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, me të cilën konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre ushtarake kundër fashizmit. Kështu konsiderohet e organizuar rezistenca kundër nazifashizmit, e cila do të çojë hap pas hapi, por me siguri, në shembjen e makinës ushtarake agresive, më e egra dhe më gjakësorja që ka parë njerëzimi, për t’u krijuar shteteve dhe popujve kudo në botë mundësi reale për të jetuar në liri dhe prosperitet.

Tashmë globi u nda në dy pjesë. Në njërën anë u pozicionuan shtetet luftënxitës: Gjermania, Italia e Japonia, dhe disa të tjera, duke krijuar një lidhje ushtarake ndjellakeqe. Në anën tjetër u grupuan shtete, popuj dhe forca përparimtare, që krijuan Koalicionin Antifashist Botëror, të kryesuar nga Sh.B.A., Ish-B.S. dhe Anglia, i cili udhëhiqej nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill, të cilët menaxhuan me mençuri dhe ndjeshmëri të thellë zhvillimet sa të ashpra aq edhe gjakderdhëse.

Ky Koalicion, që për fat të mirë u rreshtua edhe Shqipëria, në sajë të vullnetit dhe vendosmërisë të këtyre Burrave të Mëdhenj, funksionoi në mënyrë perfekt dhe efektive, sidomos në vitet 1941-1943, për t’u krijuar disa të çara më vonë, dhe që nxorën krye më qartë më 1944, e sidomos pas përfundimit të Luftës II Botërore, për të degjeneruar më vonë në një ndarje makabre të globit midis dy blloqeve apo kampeve me prirje ideologjike dhe vullnet diametralisht të kundërt. Ja pak a shumë si funksionoi ky koalicion i komplikuar, i vështirë, por edhe i mirorganizuar dhe kontrolluar. Dy ditë pas sulmit nazist mbi Ish-B.S. presidenti Ruzvelt zhbllokoi disa pasuri ruse me vlerë 39 milionë dollarë dhe, tre muaj më pas, u  angazhua të dërgojë një ndihmë prej 1 milion dollarë gjatë 12 muajve në vazhdim. (Dërgimi i ngarkesave dhe furnizimeve të para filloi në tetor 1941, S.R). Uzinat e paralizuara ruse u pajisën me makineri e lëndë të parë, si dhe pajisje të blinduara për tanket. Ushtria Ruse merrte furnizime së paku në 4 mijë aeroplanë dhe 500 tanke në muaj; 5 mijë makina të tjera në muajtë pasardhës, sasi të mëdha armatimi kundërtank, armë kundërajrore të kalibrave, ushqime, veshmbathje, etj. etj. Vetëm në Tetor u dërguan 5500 kamionë. Në verë 1942, përveç pajisjeve të tjera të miratuara, ish-B.S do të furnizohej çdo muaj me 500 xhipe, 10 mijë kamionë, 200 mijë mitraloza etj., kështu u dërguan më shumë se 400 mijë kamionë. Sipas protokollit të dytë, çdo muaj do të dërgoheshin 200 aeroplanë gjuajtës dhe bombardues të lehtë, dhe 12 bombardues mesatarë. Më 1943 u transportuan 360 mijë tonë ngarkesa. U porosit dhe u realizua prodhimi i 1900 lokomotivave me avull, 66 të tjera me naftë, 9920 vagonë-cisternë etj.

Pra, mund të gjykohet qartësisht, se në këtë koalicion kanë dhënë kontribut me vlera të pallogaritëshme Ish-B.S. me resurse njerëzore, ndërsa Sh.B.A. dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me ushqime e veshmbathje, aq të domosdoshme për veprime luftarake të suksesshme. S’duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më pak të fuqishme, por që, përveç të tjerash, shërbenin edhe si prapavijë e besueshme e Koalicionit Antifashist Botëror. Ndër ta është vlerësuar edhe ndihmesa e popullit shqiptar, i cili ndër të parët organizoi qëndresën e armatosur kundër pushtuesit të huaj, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në rrethinat e Tiranës, në fshatin Pezë. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar shkoi në një linjë me motivin e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha, për të çliruar vendin nga pushtuesit e huaj dhe për të kontribuar në kuadrin e aleancës edhe jashtë kufijve shtetërorë. Në bilancin e Luftës II Botërore çështja shqiptare u kualifikua si vijon: pati 12 mijë viktima në njerëz; 20 mijë shtëpi u shkatërruan; 90 mijë bagëti të trasha dhe 150 mijë të imta u asgjësuan; 25 mijë kv. drithëra u dëmtuan; si dhe shumë të holla të vjedhura në bankat dhe nga plaçkitjet. Me gjithë devijimet në disa raste nga kjo vijë, gjithësesi ajo mbetet një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar forcat agresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio, po të mbajmë parasysh numrin e popullsisë të kufizuar si dhe gjëndjen ekonomike dhe organizative mjaft të dobët të vendit tonë.

“Lufta e Ftohtë” e pranishme atë mot e sidomos në të ardhmen

Historiografia botërore shprehet qartë se “Lufta e Ftohtë”, që do të vijonte gati për gjysëm shekulli, nuk lindi brenda një dite. Përkundrazi, e ka zanafillën nga fundi i dhjetëvjeçarit të dytë të shek.XX, pikërisht kur bota u nda në dy pjesë për shkak të ideologjive krejt të kundërta. Por ishte rasti i fillimit të Luftës II Botërore, e sidomos kur ajo mori karakter botëror, që si domosdoshmëri të krijohej një lidhje midis shteteve dhe popujve përparimtarë për të ndalur murtajën nazifashiste. Ideatorët dhe krijuesit e Koalicionit Antifashist Botëror, mbeten Franklin D. Ruzvelt, udhëheqësi i Sh.B.A; Josif V. Stalin, udhëheqësi prej gati 20 vitesh i Ish-B. S., dhe Uinston Çërçilli, udhëheqësi mjaft brilant i Anglisë. Edhe pse kishin formim dhe vizion të ndryshëm, për zhvillimin dhe prosperitetin e popujve të tyre dhe të botës, në kushtet aktuale e sidomos në të ardhmen, gjithësesi, gjetën gjuhën e arësyes dhe muarën përgjegjësi të mëdha, që të bashkëpunojnë në harmoni dhe me transparencë, për të menaxhuar teatrin e stërmadh të zhvillimeve luftarake, të paparë për nga egërsia dhe intensiteti në atë mot dhe deri në ditët e sotme.

E njihnin mjaft mirë njëri-tjetrin (edhe pse Stalini e Ruzvelti u takuan vetëm dy herë; në nëntor 1943 në Teheran dhe në shkurt 1945 në Jaltë, S.R.), sa i përket formimit dhe karakterit individual, por sidomos për ideologjinë që i udhëhiqte në drejtimin e shteteve të tyre. Ruzvelti, së paku deri në shkurt 1940, përveç të tjerash, për zhvillimet në ish-B.S, rezervon mendimin se ky shtet udhëhiqet nga një sistem po aq absurd sa çdo sistem tjetër diktatorial në botë. Njëherësh, Ai me Çërçillin, për Stalinin kishin mendimin se ai “.. nuk ishte i vetmi i burgosur i pashpresë i ideologjisë leniniste”, por gjithësesi ishin të vetëdijëshëm se, demokracitë e vendeve të tyre i detyroheshin shumë Ushtrisë së Kuqe për disfatën e ardhshme të Adolf Hitlerit. Ata pohojnë me sinqeritet se, dita e zbarkimit në Normandi nuk do të kishte ardhur kurrë, nëse Stalini nuk do të kishte ndalur ushtrinë naziste në Frontin e Lindjes. Shprehimisht ata pranojnë se, “… në kohën kur Treshja e Madhe u mblodh në Jaltë, (shkurt 1945, S.R) Ushtria e Kuqe ishte vetëm 17 km. larg Berlinit”. Kësisoj na kthjellohet edhe më mendimi se, kemi të bëjmë jo vetëm me transparencë si çështje karakteri, por edhe me përgjegjësinë, aq të nevojshme për ata që e quajnë veten “Burra Shteti”.

Për domosdoshmërinë e krijimit të Koalicionit Antifashist Botëror, Ruzvelti, jo vetëm praktik por edhe mjaft parashikues i së ardhmes, pati rekomandimin edhe të Xhozef E. Dejvis, ish-ambasador i Sh.B.A në Ish-B.S. më 1936-1938, i cili e këshilloi në fillimviti 1939 se, nëse kryeministri anglez Nevill Çambërleini vazhdon të ruajë paqen me Gjermaninë, kur Hitleri marshon fitimtar nëpër Evropë, atëhere Stalini, i lodhur duke mbajtur shpresa të kota nga Perëndimi, do ta vendoste, në mënyrën e tij, paqen me Gjermaninë, e cila si për ironi, u realizua në gusht të po këtij viti, me nënshkrimin e paktit sovjeto-nazist për paqe.

Midis “Treshes së Madhe”, Ruzvelti veçohet për kontributin për ta ruajtur këtë aleancë botërore. Është rasti të sjellim në vëmëndjen e lexuesit se, në fundviti 1943, kohë kur kanë filluar “të krisurat” e para në aleancë, Ruzvelti urdhëron në mënyrë të prerë, që të plotësohen deri në një porositë e sovjetikëve për pajisjet, edhe pse kjo do të thoshte një sakrificë më tepër për Sh.B.A-në. Njëherësh jepte porosi të formës së prerë, që mos abuzohej me këtë fakt, pra e thënë më shqip, kjo ndihmë kurrë të mos keqpërdorej si mjet manipulimi për të nxjerrë informacion nga Ish-B.S., ose për atë. Me këtë Ai njëkohësisht synonte edhe që t’i tregonte Stalinit kapacitetin real prodhues dhe qëndrueshmërinë e fuqinë industriale të një shoqërie demokratike.

Edhe pse kjo Aleancë nga analistët është konsideruar perfekt dhe padyshim efektive, ajo nuk mundi t’u shpëtojë ndikimeve ideologjike të drejtuesve të Fuqive të Mëdha, krejt të kundërta këto. “Plasaritja” e parë shfaqet në tetor 1943, kohë kur Stalini shprehet me tone mjaft të ashpra se gjoja, qeveria sovjetike nuk është mbajtur në korrent të ngjarjeve e të negociatave anglo-amerikane me italianët, pas kapitullimit në shtator 1943, çka nga dokumentet arkivore nuk rezulton kështu. “Plasaritja” e dytë vjen në mars 1945, kur nga pala sovjetike merret vesh një plan që bën fjalë për dorëzimin e gjermanëve në Itali pa prezencën e përfaqësuesit rus. “Plasaritja” më serioze vjen pas Jaltës, kur sovjetikët, për gjërat që nuk duken, akuzojnë palën tjetër se, nuk po u përmbahen më detyrimeve që rrjedhin nga të qenët në koalicion. Por për këtë çështje ka të dhëna që dëshmojnë se, që para zhvillimit të Konferencës së Jaltës, Stalini kishte vendosur t’i jepte fund bashkëpunimit të pasluftës. Këtë na e dëshmon Zhak Dëkloja, zyrtari përgjegjës i Kominternit për partitë komuniste perëndimore, kur në prill 1945, referuar homologut të tij Uilliam Z. Foster në Sh.B.A, pas të tjerash shkruan se, administrata e Ruzveltit edhe pas Luftës do të vijonte të ishte e njëjtë ashtu si deri atëherë, pra, thjesht një qeveri imperialiste. Por gjykuar në zhvillimin e ngjarjeve dhe, sidomos në qëndrimet e Ruzveltit, mendojmë se ky përfundim nuk qëndron. Në mjaft dokumente pohohet se, Ruzvelti në periudhën 1943-1945 kishte vënë si detyrë vendimtare që, së pari, të përfshinte Sh.B.A në strukturat e paqes të pasluftës. Detyrë tjetër të rëndësishme, Ai konsideronte bashkimin e forcave sovjetike në luftën kundër Japonisë, dhe, së fundi, arritjen e një marrëveshjeje me sovjetikët për të gjetur një zgjidhje për synimet e tyre në Evropën Lindore, dhe më tej, për ndarjen e zonave të kontrollit në Gjermani, por gjithsesi në mënyrë që popujt të kenë të drejtë të zgjedhin formën e qeverisjes që do të administrojë jetën e tyre.

Ruzvelti udhëhiqej nga bindja se, pasi të fitohej lufta, paqja do të vendosej nga “Katër Policët”: Ai, Stalini, Çërçilli dhe Çian Kai Shia, të cilët do t’i jepnin formën dhe do të mbikëqyrnin botën e pasluftës, me legjitimitetin se, ata përfaqësonin popujt më të fuqishëm (as më shumë e as më pak por kishin 1 miliard banorë, S.R). Kjo aspiratë nuk ka lindur në vitin 1945, as më 1944 apo më 1943, por në qershor 1942, kur Ai këtë plan ia pati transmetuar Vjashesllav Molotovit, atëherë komisar i punëve të jashtme të Ish-B.S. Më 5 janar 1945, vetëm fare pak ditë para se të ndahej nga jeta, Ai porosit që të bëhet çdo përpjekje për të vazhduar ndihmën e plotë dhe të pandërprerë ndaj Ish-B.S, por që fatkeqësisht me vdekjen e tij, ajo u ndërpre si me thikë pas ditës së fitores në Evropë më 8 maj 1945, për të vazhduar e tillë, por tashmë e pagëzuar me emrin ndjellakeq “Lufta e Ftohtë” për gati gjysmë shekulli. Pasojat e kësaj ndarjeje mizore dhe po aq të hidhur do t’i vuante edhe populli shqiptar për shkak të vendosjes së tij në kampin e drejtuar nga ideologjia marksiste-leniniste.