Kleriku bektashian dhe populli liridashës i Martaneshit

2117
Nga Agim Krypi
(Në 75-vjetorin e formimit të Çetës Partizane “Baba Faja Martaneshi” dhe çlirimit të krahinës”)
Në këtë 75-vjetor të rrugës së lavdishme dhe Heroike që ka bërë Çeta Partizane e formuar nga djem dhe vajza të krahinës, të udhëhequr me largpamësi si një strateg i vërtetë, nga Mustafa Dalip Xhani (Baba Faja Martaneshi, Heroi i popullit), la një histori të larë me gjak e heroizma. Po shkruajmë plot respekt disa rreshta kushtuar kësaj ngjarjeje madhore e patriotike e L.A.N.Ç ( Luftës Anti-fashiste Nacional Çlirimtare) për popullin e Martaneshit dhe gjithë popullin shqiptar. Krahina e Martaneshit shtrihet mes maleve që ndan Shqipërinë e Mesme me atë Veri-lindore dhe kufizohet me: Librazhdin, Bulqizën (ku sot jemi pjesë administrative e saj) me Matin dhe Tiranën. Martaneshi ka në përbërjen e tij 7 fshatra ku lumi i Matit (i cili buron nga mali “Kaptina” e Martaneshit është mjaft strategjik e gjarpëron mes për mes, duke e ndarë në dy anë të barabarta) dhe pastaj futet në Luginën e Matit nga ku ka marrë dhe emërtimin tij. Krahina rrethohet nga çdo anë me male të larta që i rrinë mbi krye si mburojë si “Shqiponja” dy krenare që mbart në vetvete historitë e lavdishme që ka përshkruar ky vend që në gjenezat e para dhe për t’i ruajtur e transmetuar ato nga brezi në brez. Edhe pse i rrethuar me male që në vështrimin e parë janë strategjike, përmbajnë në vetvete mjaft resurse të mëdha ekonomike, zhvillohet bujqësia dhe blegtoria , si dhe në thellësi të këtyre maleve ka minerale të çmuara veçanërisht kromi, kur dikur çante bllokadën. Populli i kësaj treve ka një moshë mesatarisht të re të arsimuar e të aftë për punë. Besimi i saj fetar është i sektit Bektashi dhe nëpërmjet saj përcillet paqe e dashuri. Është i dashur dhe i lidhur brenda vetes dhe ndaj fqinjëve që e rrethojnë dhe kujtdo që përcjell paqe e dashuri, popull mikpritës, trim dhe bujar, i besës dhe fjalës i traditës. Në këto rrethana ka influencuar shumë besimi fetar bektashian dhe mishëron “Bektashizëm”. Të flasësh për heroizma në breza s‘mund të lësh në harresë Martaneshin, këtë krahinë me veçori e karakteristika të rralla. S’ka pasur epokë, s’ka pasur standard zhvillimi që bijtë e kësaj treve të mos jenë ndeshur me armiq të të gjitha kohërave dhe rreziqeve që ka kaluar populli shqiptar. Toponimet flasin për varreza të ushtrive mizore, ato romake e bizantine, sllave apo osmane deri tek ato më të afërme nazistëve e fashistëve apo mercenarëve të ndryshëm, që kanë lënë eshtrat në luftërat që janë zhvilluar në krahinë. Çdo mal e pllajë, shkëmb e luginë, flet për gjuhë baruti e hekuri, për gjak të derdhur e për një popull të lirë. Burrat e mençur patriotë e atdhetarë, njerëzit e edukuar me këtë frymë, duke u qëndruar besnikë fjalës dhe veprës. Çdo pushtues të çfarëdo ngjyre e kanë pritur me armë në dorë, me një urrejtje e revoltë të thellë, për cilindo që shkelte që plaçkitte e robëronte vendin siç ka ndodhur në etapa të ndryshme të historisë të lavdishme të popullit shqiptar. Që me pushtimin Otoman (Osman) turk, populli i krahinës së Martaneshit bën një qëndresë të fuqishme që të mos binte në duart e turqve. Shembulli i 20 vajzave dhe nuseve që ranë në humnerë për të mos rënë në duart e tyre, duke i lënë krahinës një shembull heroizmi e krenarie të rrallë. Revoltat popullore po merrnin epërsi, duke e kundërshtuar çdo “Sulltan” apo Krajl që mundoheshin të shtypnin popullin. Populli i Martaneshit, aktin heroik e të lavdishëm të bijve të tij në etapa të ndryshme për ruajtjen e kufijve territorialë të tyre dhe kombëtar e ka skalitur në vargje dhe këngë si: 

Muhamed Pasha rrem dragoi 
të nëntë malet i kërkoi
Martaneshin s’mund e shtroi
Martaneshi vend i mirë
s’duron Pasha, s’duron Vezire…. 

Populli çdo ditë e më shumë po ngrihej në revoltë pasi ishte i pashpresë e pa të ardhme, duke refuzuar taksat e larta, duke kundërshtuar me forcë reformën e Tanzimatit që ishte anti popullore. Këto revolta morën një hov të madh nga mesi i viteve 50-60 të shekullit të 19-të, ku popullit i kishte ardhur në palcë. Në krye të këtyre revoltave popullore qëndronin burra të mençur patriotë dhe me reputacion të madh në popull, që fjalët e tyre ngrinin peshë njerëzit si BABA HYSEN MALI, SHEHE FEJZO e shumë atdhetarë të tjerë. Këta jo vetëm u prinin, por kundërshtonin me forcë masat represive që merreshin ndaj fshatarësisë së varfër. Sulltani nga tërbimi e zemërimi që po i kallte shpirtin dërgon në krahinë dy ekspertë ushtarak dhe dy pashallarë me mendimin që do ta gjunjëzonin popullin, por u gabuan, orteku popullor i vuri përpara, duke u përleshur dhëmb për dhëmb dhe duke i zbuar me çdo mjet dhe me forcën e armëve. Vargjet e hedhur në këngë ushtojnë: 

Kush e ndezi pushkën e parë
Shehe Fejza me të vëllanë 
Kush e ndezi pushkën e dytë 
Mahmut Mali me të bijnë.
Kush e ndezi pushkën e tretë
Hysen Mali vetë i tetë… 

Heroizmi lartësohet nga beteja në betejë, nga brezi në brez. Për të sunduar këto male kreshnike dhe këtë popull heroik, Sulltani urdhëron që në Gurëzezë të Çermenikës të ngrihet një garnizon Ushtarak. Çermenenikasit përleshen dhe gjakosen për të mos lejuar ngritjen e këtij garnizoni turk. Situata e nderë merr përmasa të mëdha. Në ndihmë të tyre vijnë 300 burra nga Martaneshi të armatosur e të prirur nga Sul Zhabeli: 

“Kjo Çermenika paska burra
që nuk njohin dy flamura. 
Kjo Çermenika paska trima 
veshin turqit me qefina.
Sul Zhabeli me një thikë
prina përpara moj Çermenikë.
Sul Zhabeli paska thënë 
turqit në Gurëzezë s’do i lëmë! 
Sul Zhabeli i Martaneshit 
shfaros turqit me pallë sheshit” 

Këto ngjarje, këto beteja luftarake po i paraprinin Lidhjes kombëtare dhe historike të Prizrenit, pasi nga fundi i muajt Maj të 1878-s në teqenë e Martaneshit do të vinte udhëheqësi i kësaj lëvizjeje. Rilindësi Abdyl Frashëri do nisej nga aty për në Prizren me një numër Martaneshasish dhe Babai i Teqesë, Jashar Krena që do e shoqëronin dhe ta çonin të sigurt në këtë Kuvend. Në ditët e shpalljes së pavarësisë 600 vullnetarë Martaneshas e Çermenikas nisen në mbrojtje të Shkodrës nga ushtria e Krajlit Nikolla i Malit të Zi, pjesa tjetër nga Martaneshi-Qafthanë do të luftonin kundër 20 mijë ushtarëve të Gjeneralit të Metoviç. Betejat nuk kishin të sosur. Nga beteja në betejë, kjo ishte historia e Shqipërisë së Mesme. Patriotët dhe populli i Krahinës përkrahën një zëri Qeverinë e Ismail Qemalit dhe Fan Nolit. Krerët e Krahinës ishin të lidhur ngushtësisht me patriotë të mëdhenj si Aqif Pashë Elbasani, Bajram Curri, Hasan Prishtina e me të tjerë burra atdhetarë. Lidhja e kësaj krahine me këto luftëtarë të mëdhenj të Kombit i dha krahë dhe shpresë popullit, pasi kishin shumë besim dhe përkrahja e tyre do të ishte shumë e madhe. Populli po kanosej çdo ditë, luftërat padrejtësisht po e lodhnin edhe më shumë. Por, besimi në vetvete, besimi tek feja, u jepte durim e shpresë, që një ditë do të gëzonin frytet e këtyre sakrificave. Teqeja dhe baballarët që shërbenin në to, e mbanin popullin shumë afër dhe e ushqenin me shpresë e optimizëm. Në vitin 1932 vjen në Teqenë e Martaneshit si Dervish, Mustafa Dalip Xhani lindur dhe rritur në një mjedis patriotik siç ishte familja Xhani nga Luzi i madh Kavajës. Dervish Faja në një moshë të re vjen nga teqeja e Elbasanit për të administruar teqenë e Martaneshit, pasi e kishte në vartësi institucionale. Dervish Faja që me ardhjen e tij me sharmin që kishte, intelektin, aftësinë e komunikimit bëri për vete, jo vetëm këshillin e teqesë dhe ata miq e shokë që e rrethonin nga afër, por gjithë masën e popullit. Ardhja e tij në Martanesh hidhëroi shumë shokë e miq nga Elbasani, pasi kishte lënë tek ata mbresa e kujtime të pashlyera. Me largimin e tij nga teqeja e Elbasanit mjeshtri i madh i këngëve popullore i Shqipërisë së Mesme dhe Elbasanit tij të dashur, i madhi Isuf Myzyri, enkas për Baba Fajën thur një këngë shumë mallëngjyese, ku është kënduar dhe këndohet kudo edhe në ditët e sotme në dasma e gëzime dhe kjo titullohet; “Ma mirë në pyll, se sa në qytet…”. Edhe vetë Baba ishte një këngëtar magjepsës me zërin e tij të ëmbël ngjallte plot shpresë. Dervishi i vihet punës në shërbim të fesë bektashiane, në çdo shtëpi e individ, nga njëri fshat në tjetrin, jo vetëm brenda krahinës, por edhe në zonat përreth. Menaxhimi i punëve të Teqesë në mënyrë të shkëlqyer dhe i detyrave të tjera që i përkisnin, bëri që këshilli i teqesë t’i propozonte Teqesë së Elbasanit, që Dervish Faja të gradohej “BABA” dhe kjo kërkesë u aprovua. Më 1934 u emërua “Baba Faja”. Duke qenë kaq i lidhur me popullin shpirtërisht, në mënyrë domethënëse dhe instinktivisht thirrej, “Baba Faja Martaneshi”. Babai ishte mjaft largpamës, situatat i njihte shumë mirë dhe i studionte me qetësi e kurajë, cilësi që e shoqëronin kudo. Rruga për të tashmen ishte e qartë. Përveç obligimit që kishte ndaj fesë bektashiane që predikonte, babait po i dilnin detyra të një rëndësie të veçantë. Teqeja që tashmë administrohej e drejtohej prej tij po bëhej dhe u bë vatra më e madhe e shpresës për liri, ku rinia grumbullohej, duke e kthyer këtë institucion fetar në shkollë edukimi, ku mësohej këndim dhe lexim, ku shkruhej A.b.c.-ja, pasi analfabetizmi ishte ulur këmbë kryq. U bë vatra revolucionare, ku nga ku do të shpërthenin “Viganët e rinj me ide e idealizma revolucionare që do të viheshin në krye të lëvizjes popullore në krahinë apo gjetkë për t’i dalë zot vatanit aty ku ai i thërret. Fjalët që përhapeshin, se Italia fashiste do të pushtojë Shqipërinë po përhapeshin me shpejtësi gjithandej. Rinia filloi të lëvizë e para, kudo kishte grumbullime dhe biseda. Kjo ishte tema e ditës. Po bëheshin takime dhe aksione sporadike, mosbindje dhe shenja të tjera revolucionare. “Baba Faja Martaneshi” si zakonisht mbante me vete një grup të rinjsh, ku spikatnin zgjuarsia dhe trimëria, e të armatosur pothuajse si një grup partizan. Babai po u fliste njerëzve hapur për rrezikun që i kanosej vendit dhe popullit. Babai jo vetëm këto shokë besnikë që i mbante afër, por edhe të tjerë po aq besnikë, se tani e prisnin punë më të rëndësishme se ato te zakonshmet. Tashmë çdo gjë ishte e qartë. 7 prilli i 1939-s ishte një ogur i zi për gjithë popullin shqiptar, por edhe për popullin e krahinës së Martaneshit. Populli, rinia e pritën pushtimin me armë në dorë së bashku me Baba Fajën që do të bëhej prijësi i tyre në beteja e aksione luftarake. Pritje me armë në dorë, rënia heroike e Mujo Ulqinakut, Hero i Popullit, ndezi flakë rininë revolucionare dhe lëshoi kushtrimin për liri. Populli ndodhej në udhëkryq, nga njëra anë pushtimi fashist dhe nga ana tjetër tradhtia zogolliane. Keq më keq. Tashmë Baba Faja Martaneshi si revolucionar dhe një atdhetar i vërtetë, vihet në krye të popullit me armë në dorë për t’u bashkuar e për të qenë të gatshëm për të rrëmbyer armët e për të luftuar këtë armik, pasi pushtimi ishte evident. Baba Faja në fillim doli me grupin që e kishte gjithmonë të gatshëm radhët e të cilit shtoheshin çdo orë e çdo ditë. Baba Faja kishte ndjenja të larta patriotike dhe revolucionare, nuk pajtohej me padrejtësitë që bëheshin dhe me pushtimin jo e jo, pasi pushtuesit robëronin e bastisnin vendin shkelnin me këmbë popujt dhe zgjidhja e vetme për të ishte rrëmbimi i armëve dhe dalja në mal për liri. Pushtimi fashist e indinjoi shumë, por idetë dhe guximi i tij, rruga që do të ndiqte hapnin shtigje të reja për një të ardhme të sigurt, tashmë Baba Fajës si udheheqës lufte. Njerëzit që e rrethonin besimtarë apo jo, gjithë populli e donte dhe dëgjonte, kishin shumë besim te fjala dhe vepra e tij dhe kështu doli. Babai ishte i lidhur ngushtë me shokë të idealit, të lidhur tashmë me lëvizjen ushtarake me drejtues çetash e grupimesh partizane si Haxhi LLeshi, Myslym Peza, Enver Hoxha, Ramadan Çitaku, Vasil Shanto etj. Nga këta jepeshin e dilnin informacione mbi gjendjen aktuale të popullit shqiptar dhe ato të krahinave perspektive. Njerëzit çdo ditë që vinte kuptonin më shumë dhe radhët shtoheshin akoma më shumë në krah të kësaj lëvizjeje. Kjo do të shprehej edhe në nënprefekturën e Elbasanit nga kryeplaku i Martaneshit, Kamer Haslika, kur në emër të popullit që përfaqësonte ngre zërin e revoltës popullore dhe vullnetin e popullit që nuk e duronte këtë pushtues. Këtë mesazh të fuqishëm popullor e dëgjon komunisti i orëve të para djaloshi revolucionar Qemal Stafa “Heroi i Popullit”, pasi ishte ndodhur aty dhe në shenjë respekti e aprovimi për kryeplakun e përqafon me dashuri për këtë entuziazëm që vinte nga ky popull kreshnik që donte paqe e liri. Populli i krahinës së Martaneshit dhe i Çermenikës në shtator të vitit 1940, dërgojnë si përfaqësues të tyre një grup burrash me në krye Baba Fajën për të takuar kryeministrin kuesiling Shefqet Vërlacin në përbërje ishin: Muharrem Gjyla, Sali Fejza, Jashar Muça, Qazim Peshku. T’i thoshim Vërlacit të mos e luante atë çorbën “e qelbur” fashiste për të përfshirë Shqipërinë në luftën Italo-Greke, pasi pasojat e saj ishin me rrezik kombëtar. Në Tiranë tek kafja e Qamil Xhepës i priste “Babë Myslimi” me pezakët e tij. I kërkuan takim që t’i priste e të bisedonin për këtë temë mjaft të nxehtë për kohën, ai jo vetëm nuk i priti, por u fshihet si miu që të gjente vrimë e të futet, pasi e dinte që me Babë Myslimin dhe Baba Fajën nuk do të ndahej mirë. Lëvizja nën drejtimin e Baba Fajës rritej e forcohej, vazhdonin aksione të ndryshme duke parë e ndjekur situatën. Babai tashmë ishte aktiv në lëvizjen ANCL dhe për këtë arsye Teqeja në vitin 1943 digjet nga Italia fashiste, këtë Babain jo vetëm nuk e trembnin, por tashmë rruga e ndritur ishte përpara. Çeta pothuajse ishte formuar që para datës historike të themelimit të saj në 27 shtator të vitit 1942 fill pas Konferencës së Pezës që u morën vendime Historike për fatet e vendit. Në Konferencën e Pezës, populli i Martaneshit përfaqësohej nga Baba Faja i Martaneshit, ku u zgjodh edhe në këshillin ANCL. Këto argumente i sjellin rrethanat e më hershme, kur në gusht të vitit 1942, në teqenë e Martaneshit KQPKSH organizoi një takim me drejtues nga zonat e Dibrës, Matit, Çermenikës, Dajtit e Berzeshtës që të godasin forcat fashiste gjatë ditëve që do të zhvilloheshin punimet e Konferencës historike të Pezës. Çeta u formua dhe sot ka 75 vjetorin e saj. Kënga jehon: 

Muaji shtator dyzetedy
do të shënohet në histori
rreze mali, afër sheshit
u ngrit çeta e Martaneshit!
Baba Faja trim me fletë,
çetës vogël i prinë vetë.”… 

Baba Faja lëshoi kushtrimin për luftë, pa kompromis drejt fitoreve që na presin ‘atdhe dhe fe” . Çeta nga dita në ditë po rritej nga populli i krahinës në çetë merrnin pjesë edhe dy shoqe Zenepe Koxherri (Zene) dhe Fatime Ndreu. Zenja ishte motra e Hysen Koxherrit i cili më vonë ra dëshmorë në kampin e Prishtinës. Drejtuesit e njësive ushtarake brenda çetës ndonëse në moshë farë të re u bënë organizatorë e luftëtarë të mëdhenj, pasi në krye qëndronte Komandanti Syshqiponjë Baba Faja. Mbi bazën e udhëzimeve që po jepte Qarkori i luftës për zgjerimin e saj pasi tashmë ishte kthyer në luftë popullore, në luftë ANCL për çlirimin e plotë të Shqipërisë me 20 qershor 1943 në bazë çete u krijua Batalioni i Parë partizan në Martanesh. Në ditën e përurimit Batalioni kishte 150 partizan. Dita e inaugurimit ishte ditë feste për të gjithë. Në radhët e këtij Batalioni u rreshtuan vullnetarë jo vetëm nga Martaneshi, por edhe nga zona përreth. Fjala e komandantit Baba Faja ngiti peshë te të gjithë të pranishmit që të shtrëngonin armët e të dilnin masivisht në mal. Në krye të këtij Batalioni si drejtues të shtabit ishin: Llambi Dishnica Komisar, Rrahman Lena Zëvendës komandant, Avram Koja Zv. Komisar. Që në ditët e para Batalionin nën drejtimin e shtabit luftarak zhvilluan një veprimtari të gjerë me popullin e Martaneshit, Kostenjës, Nazhdës, në Grykën e madhe Dibër për forcimin e Këshillave ANCl, sidomos për shtimin e radhëve me partizanë. Aksionet luftarake që u zhvilluan në Lunik në prag të përurimit të Batalionit, kundër Post-komandës të Xhandarmerisë së armikut, u pasuan nga aksioni i Drenakut që kreu Batalioni në korrik të 1943-shit. Në tre rrugët automobilistike Dibër-Strugë, në këto aksione armikut iu shkaktuan dëme të mëdha, ku la dhjetëra të vrarë e të plagosur, 70 robër, 100 pushkë e automatikë, 20 arka e municione e të tjerë. Në zbatim të urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, batalioni partizan i Martaneshit në bashkëpunim me çetën partizane të Matit, me një pjesë të Batalionit të Çermenikës si dhe me vullnetarë nga zona e Klosit dhe Martaneshit, pasi bllokuan rrugën Klos-Bulqizë dhe Guribardhë-Linos, me 20 Gusht 1943 sulmuan garnizonin armik në Bulqizë –Qafë Buall. Lufta qe e egër tre ditë me radhë ndaj një armiku të egër dhe të armatosur. Aty ranë historikisht në fushën në nderit shokët, Mehmet Bajraktari dhe Shefqet Muça nga Batalioni i Çermenikës. Me 27 gusht 1943 Batalioni i Martaneshit në bashkëpunim me Batalioni e Dibrës goditën autokolonën fashiste të divizionit Firence që kishte ndërmarrë operacionin ndëshkimor kundër Zerqanit e Bulqizës dhe donte të zhbllokonte rrugën Peshkopi-Burrel që kontrollohej nga forca kryengritëse të këtyre krahinave. Kjo betejë armikut i kushtoi 200 të vrarë. Batalioni partizan i Martaneshit në bashkëpunim me batalione të tjera, si ai i Çermenikës, çeta partizane e Shëngjergjit kryen aksione të rëndësishme, si tek kroi i Pushkashit ku armiku la shumë të vrarë, mjete luftarake duke u detyruar të kthehet mbrapa në drejtim të Elbasanit. Në këtë betejë të ashpër ranë heroikisht Shaban Kënga nga Batalioni i Martaneshit Emin Balla nga çeta partizane e Shëngjergjit. Në këto rrethana komandanti i Batalionit Baba Faja shkruan: aksioni ishte shumë i gjerë dhe me fitime kolosale. Situata në Dibër po bëhej emergjente, pasi armiku ishte egërsuar shumë nga humbjet e njëpasnjëshme që po pësonte. Batalioni partizan do të nisej drejt Dibrës për të mbrojtur qytetin e çliruar, Peshkopinë. Forcat partizane të Dibrës dhe të Martaneshit nën drejtimin e shokut Haxhi Lleshi, Heroi i Popullit zhvilluan luftime të ashpra e të suksesshme në Rodostush dhe në mbrojtje të qytetit të Dibrës. Gjatë operacionit të dimrit ’43-’44 batalioni partizani në bashkëpunim me popullin e krahinës u vunë në mbrojtje të komandës së përgjithshme të L.A.N.Ç me Enver Hoxhën në krye, që për disa kohë ka qëndruar në këto zona, si një bazë e sigurt e Luftës NÇ. Pjesëmarrja dhe rreshtimi i popullit të Martaneshit në Luftën A.N.Ç. do mbetet si epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar është historike. Jemi krenarë për të gjithë ata partizanë që me armë në dorë luftuan me heroizëm dhe dolën fitimtare të lirisë. I përjetshëm qoftë gjaku i të rënëve në betejat e përgjakshme për çlirimin e krahinës dhe gjithë Shqipërisë! Lavdi Komandantit “Baba Faja” Martaneshi (Mustafa Xhani) Heroi i Popullit që bëri gjithçka për këtë luftë! Prandaj brezat e sotëm dhe ato që do vijnë këtë ‘Pishtarë” të lirisë e mbajnë të ndezur, këtë krenari, këtë akt madhor dhe do ta çojnë përpara. Në këtë 75-vjetor të formimit të çetës partizane “Baba Faja Martaneshi”, dhe kontributi i saj në çlirimin e krahinës është akti më madhor që bijtë bëjnë për popullin e tij dhe në këtë Jubile krenare. Krenohu popull i bekuar i Martaneshit me djemtë e tu! Lavdi 75-vjetorit! Lavdi të rënëve!
Sigal