Kiço SHTIKA/ E vërteta për të ashtuquajturën ‘Kryengritja e Postribës’ më 1946

1143
Sigal

Ishte përpjekje për marrjen me dhunë të pushtetit lëgjitim të popullit nga kolaboracionistë e bashkëpunëtorë të tyre

 Nga bandat nuk shpëtoi asnjëherë ky popull i shumëvuajtur. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit bandat me maska e pa maska i kanë sjellë dëme të pallogaritshme. Por nëse këto banda sot hiqen sikur nuk kanë qëllime politike, prapa tyre fshihet padyshim politika që i nxit, inkurajon e i mbron. Këto na kujtojnë bandat e kriminelëve të Luftës në Shqipërinë e pasçlirimit e mbarimit të Luftës II Botërore, të cilave shkëlqimi i dritës së lirisë u vriste sytë, prandaj u fshehën nëpër shpella e skuta dhe prisnin t’i turreshin popullit për t’ia përmbysur pushtetin e fituar, e votuar dhe vendosur nga vetë populli. Dhe fjalën e kemi edhe një herë për ato banda reaksionare që organizuan në Malësinë e Shkodrës në vitin 1946 atë që sot pinjollët e atyre e bënë, e quajnë “Kryengritja e Postribës” dhe që e përkrahin pa rezerva të djathtë ekstremë dhe ndoca palo historianë të cilët çmojnë  si një “vepër të lavdishme”. Në fakt ajo lëvizje ishte po aq vepër tradhtie e kriminale, në mos më shumë, se sa veprat që ata bënë gjatë LANÇ ndaj popullit e Atdheut. E tillë  është vlerësuar që në fillim, e tillë vlerësohet edhe sot nga historiografia e vërtetë e objektive e realiste,  ndonëse ish-kolaboracionistët, kriminelët e luftës e pinjollët e tyre vazhdojë ta mbajnë si veprën më të lavdishme,  me të cilën mburren sepse, sipas tyre, ishte kryengritje kundër regjimit komunist.  Këtu qëndron çudia dhe hipokrizia e kohës. Se e vërteta qe ndryshe: ata kriminelë kërkonin parajsën e humbur. Të luftosh për vite me radhë kundër popullit tënd në krah të nazifashistëve, t’i vrasësh atij bijtë e bijat më të mira, t’u djegësh fshatrat e qytetet, t’u shkrumbosh shtëpitë e katanditë, t’u vjedhësh pasurinë e bagëtinë dhe të ngresh në lavdi Postribën, kjo nuk ka emër tjetër veçse mashtrim i ri, tradhti e re ndaj popullit e atdheut.Zotërinj, viti që kaloi ishte vit jubilar i 70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga nazifashizmi, përse nuk trumbetuat në asnjë rast ndonjë betejë apo aksion të Ballit e Legaliteti gjatë luftës, por u morët vetëm me sharje, shpifje e absurditete nga më monstruozet ndaj luftës së partizanëve? Është fare e qartë dhe e kuptueshme: Kur nuk ka pasur të tilla ç’të tregonit e të analizonit?! Prandaj mbetët vetëm te “Kryengritja e Postribës” siç e quani ju dhe që na paska vlera shumë të mëdha, për Shqipërinë, për ballkanin e për Europën… Pse me aq zell e pasion, me aq përkushtim sillni vazhdimisht Postribë si pikë referimi të lavdisë tuaj të zezë?

Po ç’ishte në fakt ajo që ju e quajtkeni “Kryengritje të Postribës”? Nuk ka historian në botë që ta quajë kryengritje rebelimin e organizuar në banda e të udhëhequr nga kriminelë të luftës? Kryengritjet i bën populli. Ajo biçim kryengritje siç rrekeni ta quani e ta fryni ju, vinte nga shpellat, jo nga shpirti i popullit as nga sheshi i betejës. Ajo ishte një zbatim urdhri e përpjekje e dështuar e mbeturinave kriminale të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit që kishin në shpirt vetëm urrejtjen e etjen për pushtet, kthimin e parajsës së humbur. Lëvizja e Postribës i vinte hapur në ndihmë reaksionit shqiptar që kërkonte copëtimin e Shqipërisë dhe humbjen e pavarësisë së vërtetë e të lirisë të porsafituar me kryengritje e madhe, të paparë në historinë e këtij populli kryengritës,  që  e pagoi lirinë e vet me gjakun e bijve të tij, 28 mijë dëshmorëve.

Po le të rikthehemi edhe një herë te ngjarja.Dokumentet e kohës, brenda e jashtë vendit, arkiv më arkiv, e gazetë më gazetë, pohojnë se këtë lëvizje e organizuan dhe e udhëhoqën kriminelët e Luftës së II Botërore, bashkëpunëtorë dhe spiunë të fashizmit e nazizmit. Nuk ishte e paparashikuar.  Se aty nga fundi i Luftës, mbas çlirimit të Tiranës e  në prag të çlirimit të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, të gjithë bashkëpunëtorët e fashizmit që udhëhiqnin e mbushnin Ballin e Legalitetin, ja mbathën drejt Veriut, drejt Shkodrës, jo me qef, por se atje po i çoi furtuna partizane. E kishte marrë ferra uratën për ta, prandaj si zagarë  ndiqnin pas nazistët. Këta farë patriotësh, krerët e krimit e mashtrimit, ca ja mbathën bashkë me nazistët e përfunduan nëpër botë, ca të tjerë u futën shpellave e prisnin urdhrin e ndërhyrjes së aleatëve për të bërë luftë civile e për ta kthyer vendin në kasapanë, më keq se ç’e kthyen gjatë LANÇ. Më këtë kuptim e ashtuquajtura Kryengritje e Postribës, që e vlerësojnë dhe e ngrejnë aq lart, medemek historianë, si kryengritje antikomuniste, ishte gjesti më i ulët, më i shëmtuar dhe më i zi që tentuan të ndërmarrin cubat e bandave kriminale. Këta i kishin të lyera duart me gjak deri në bërryl, kishin vrarë, prerë e masakruar njerëz të pafajshëm, kishin sabotuan luftën e popullit për liri duke bashkëpunuar ngushtësisht me nazifashizmin dhe e dinin fort mirë, se nuk do t’i shpëtonin drejtësisë e ndëshkimit të popullit, dhe fshiheshin si minj nëpër skutat e zeza, në male e shpella, në bodrumet e “shtëpive të zotit” dhe kurdisnin si të vrisnin njerëz, të merrnin pushtetin me armë, kur pushtetin e kishte fituar me gjak populli.  Duke e ndjerë që herët përmbysjen, frikën që u kishte hyrë gjer në palcë, më 18 nëntor 1944, françeskanët organizuan një mbledhje që e quajtën Kuvendi Françeskan me gjithë krerët e reaksionit: Mitat Frashëri, Medi Frashëri, Patër Arapi, Mark Gjon Marku, Gjon Marka Gjoni, Lef Nosi, Maliq Bushati, Jup Kazazi etj. ku u vendos: Pjesa e krerëve që kishin lyer duart me gjak të arratiseshin jashtë shtetit dhe atje në një kohë më të përshtatshme të zbarkonin në Shqipëri. Pjesa tjetër të tërhiqej në male e të organizonte luftën kundër qeverisë së Tiranës deri sa të zbarkonin aleatët… dhe të arratisurit, dhe kështu të përmbysnin qeverinë e dalë nga populli. Dhe dihet tashmë që një pjesë e krerëve, me Mit’hat Frashërin në krye, u larguan bashkë me kolonat gjermane dhe pjesa tjetër, rrëmbyen një motobarkë dhe nëpërmes Bunës dolën në det dhe shkuan në Itali. Pjesa që mbeti në Shqipëri u organizua në banda. Dhe pas 29 Nëntorit 1944, kur populli nën drejtimin e qeverisë demokratike popullore filloi rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, në qarkun e Shkodrës: Koplik, Pukë, Mirditë, Dukagjin e Lezhë etj, filloi ndërtimi dhe organizimi i bandave të kriminelëve. Kështu: Në periferi të Shkodrës vepronte banda e Llesh Marashit, Preng Calit, Jup Kazazit etj.;  Në rrethin e Lezhës – banda e ish -gjeneralit nazist në rezervë Ded Cuku; Në Pukë -banda e  Pal e Pashuk Bib Miraka;  Në Mirditë banda e Mark Gjon Markut etj;  Në Dukagjin banda e Nik Sokolit; Në Mat banda e Bilal Kolës;Në Kukës banda e Muharrem Bajraktarit dhe në Peshkopi banda e Cen Elezit etj. Këto banda ditën fshiheshin shpellave e thurnin plane se kë do të vrisnin,  natën dilnin, vrisnin e kërcënonin veprimtarët e pushtetit dhe i di historia vrasjet e kryera prej tyre; vrasja e mësuesit Ndrec Ndue Gjoka, vrasjet e cucave heroina të Mirditës, vrasjen e Bardhok Bibës e shumë të tjerëve.  Nuk ka dyshim se Qeveria Demokratike Popullore e dalë nga zgjedhjet e lira pluraliste të 2 dhjetorit 1945, edhe pse pa përvojë,  në këto zona mobilizoi popullin, forcat e ushtrisë, policisë e ndjekjes dhe shumë nga këto banda u eleminuan, një pjesë u arratisën, një pjesë u kapën ose u dorëzuan…  Por krerët e bandave, me gjithë goditjet e disfatën që pësuan gjatë 1945-46-ës, nuk e ndërprenë veprimtarinë terroriste. Nëpër fshatra e qytete për të futur panik e për ngjallur urrejtje për regjimin në popull. Dokumentet e arkivave tona, që edhe pse mund të jenë zhdukur, flisnin qartë për këto. Po dhe në janë zhdukur historia nuk mund të zhduket se ajo rron në popull.  Si e planifikuan sulmin mbi pushtetin e popullit? Në fillim, natën do të sulmohej në mënyrë të menjëhershme e do të pushtohej Shkodra dhe nënprefekturat e saj e mandej do niste marshimi drejt Tiranës… Të gjitha bandat që u përmendën më lart  kishin planin e tyre të sulmeve atje ku vepronin… Por  dhe elementë të klerit, vepronin brenda qytetit për të krijuar turbullira e goditje të forcave qeveritare. U përdorët të gjitha mjetet dhe manovrat djallëzore për të terrorizuar popullin. Gjatë 7 dhe 8 nëntorit 1946 në fshatrat e Postribës banda e Jup Kazazit hapi fjalë se forcat anglo-amerikane dëbuan partizanët nga Shkodra dhe tregtarët kanë braktisur dyqanet dhe janë mbyllur nëpër shtëpi ose nëpër fshatra. Shumë fshatarë besuan dhe u mblodhën pas Jup Kazazit, i cili për të fituar lavdi, u sul i pari për të pushtuar Shkodrën, në bashkëpunim me bandën e Hasan Isufit, Xhelal Hordollit e Ded Shabanit, si dhe me disa baza në qytetin e Shkodrës. Ata vërshuan nga verilindja e qytetit të Shkodrës. Filluan vrasjet: Që në ndeshjen e parë me rojet e garnizonit ushtarak u vra oficeri rojes dhe dy partizanë. Bandat vërshuan drejt qytetit. Banda e Hasan Isufit në fshatin Bërdicë u ndesh me një repart partizanësh dhe u tërhoq nga kishte ardhur. Repartet e ushtrisë, policisë dhe të ndjekjes u hodhën në sulm kundër bandës së Jup Kazasit. Një numër u kapën të gjallë. Pjesa tjetër s’u panë nga ikën. Të tjerët u dorëzuan. Të nesërmen Radio “Shkodra” njoftoi për aventurën e Jup Kazazit dhe Hasn Isufit si dhe dështimin e plotë të tyre. Mbi bazën e dokumenteve të plota të pakontenstueshme, u arrestuan një numër personash kryesorë të lidhur me Jup Kazazin në fshatrat e Shkodrës, midis të cilëve edhe disa klerikë si Franc Gjinin, Vinçes Prenushin e Cipujan Nikën. Nga kontrolli që u bë në institucionet katolike, në dhomat e gjumit dhe të punës së tyre u gjetën të fshehura në tavanet, dyshemetë dhe muret, armatime lufte dhe valixhe me dokumente të ish-qeverive kuislinge të bashkëpunimit me pushtuesit. Sipas vetë klerikëve në hetuesi e gjyq, këto armatime ishin fshehur si vende më të sigurta dhe për t’i përdorur kundër qeverisë komuniste kur të vinte në fuqi.  Pra kjo që sot quhet kryengritje nuk ishte gjë tjetër veçse një aventurë antipopullore dhe përfundoi siç përfundojnë gjithë aventurat. Organizatorët, bashkëpunëtorë të nazifashizmit, kriminelë të luftës, iu dhanë gjyqit të popullit dhe shpata e drejtësisë u dha dënimin e merituar… Hapini dosjet e tyre dhe shikojini se si me gojën e tyre ata pohojnë se çfarë krimesh e  masakrash bënë dhe kasapanën e madhe që do të bënin në sulm për të marrë pushtetin me të cilën ishin mësuar të sundonin popullin.  Po këta kriminelë për çudi, si në asnjë vend tjetër të botës që u ngrit kundër nazifashzmit, në këtë tranzicion të stërmundimshëm të Shqipërisë u mbuluan me lavdi, iu ngritën monuente e buste, u dekoruan e po dekorohen në mënyrë provokative dhe disa u kaluan në anën e fitimtarëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!… Veteranët e LANÇ, pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve, invalidët e LANÇ ndjehen të provokuar, të fyer dhe të revoltuar njëkohësisht, për këto marrëzi e aventura në përkrahje të bandave kriminale e kriminelëve dhe paralajmërojnë se demokracia dhe uniteti i popullit janë të rrezikuar.