Kiço Mustaqi: Si menaxhuam revoltën në Zall-Herr e Skrapar pas rrëzimit të busteve të Enverit

1051
Sigal

Rrëfimi i ish Shefit të Shtatmadhorisë për situatën në ushtri e në vend pas rrëzimit të busteve të Enverit, rolin e Ramiz Alisë, udhëheqësve të tjerë komunistë dhe revoltën e Shkollës së Bashkuar

(Vijon nga numri i djeshëm)

Çfarë ndodhi gjatë natës dhe ditën e 21 shkurtit 1991 në Shkollën e Bashkuar, përplasjet midis grupit të moderatorëve dhe ekstremistëve, si përcaktoi situata në Skrapar, Gjirokastër, repartin ushtarak të Zall Herrit e shumë rrethe të vendit pas rrëzimit të busteve të Enverit, roli i Ramizit, Fatos Nanos, etj…? Këto tregon në vazhdim Kiço Mustaqi, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë…

HISTORIA E TANKUT

Tanku shtiu në drejtim të murit, sepse forcat rebele  gërmonin murin deri sa u shpua dhe u krijua një e çarë. Atje ishte objektivi. Por nuk kishte arësye tjetër për qitje. Të shtimet e tankut ishin për të bërë të qartë, se ne po mbrohemi, nuk po sulmomë. Ndalni mos sulmoni Shkollën. Shkolla është e shenjtë. Ajo është e popullit dhe e asnjë partie. Ndoshta këto të shtime nga mitralozi i tankut brenda mureve të Shkollës së Bashkuar bënë që Shkolla të mos sulmohej. Ishte një moment provokues shumë i rrezikshëm.

SULMI I PAMOTIVUAR

Do të doja këtu të sqaroj se sulmi ndaj shkollës ishte i pamotivuar, ndërsa mbrojtja nga ana e efektivit të shkollës ishte e motivuar, “do mbronin shkollën armatimin, vetveten, repartin ushtarak”. Në mëngjesin e 21 shkurtit 1991 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ishte informuar se një numër i madh oficerësh në brigadën e tankeve të Zall Herrit, kishin dorëzuar teserat  e Partisë së Punës në mënyrë demonstrative, dhe në shenjë proteste për rrëzimin e monumentit  të Enver Hoxhës. Vendosa të mbledh efektivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t’i porosisja që të lidheshin me të gjitha njësitë e Republikës, për të shmangur aventura të tilla si dorëzimet e teserave apo uljen e gatishmërisë luftarake. Në kohën që hidhja në letër disa pika për të disiplinuar materialin, mendimet që do të shprehja, më merr në telefon sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Skraparit Elmas Puto. Ai më thotë: Gjithë populli i Skraparit është mbledhur para Komitetit të Partisë dhe kërkon të dijë se përse  u lejua rrëzimi i bustit. Njerëzit, kërkojnë armë që të mbrojnë  Enver Hoxhën. Çfarë t’u them unë?.  Lidhu me shokun Ramiz, pasi je Sekretar i parë i rrethit dhe  tek ai i merr detyrat, iu përgjigja. E kam marrë disa herë, po atje s’ më del njeri, ngriti supet matanë telit Elmas Puto dhe pastaj shtoi: “Po sikur të bëhem bashkë me 2-3 sekretarë  të tjerë (e kishte fjalën për Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën) a na çon tek shou Ramiz?” Hajdeni dhe vij edhe unë bashkë me  ju, i them. Pastaj u ngrita dhe u nisa për në mbledhje. Rrugës u futa në mendime  të thella. Gjithçka po shkatërrohej. Partia, sekretarët e parë të rretheve nuk dinin çfarë të bënin, nga ana tjetër po dorëzoheshin dokumentet e partisë. Në këto kushte të shpërbërjes a mund të kishte ushtri të fortë? Çfarë argumenti t’u sillja  oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes …

SPECIALISTËT DINË TË VEPROJNË

Në mars 1991, kur po transportonin me “Skanie” një kompani tankesh nga Vora për në Durrës, më informuan se kolona u sulmua nga njerëz të pakënaqur që ktheheshin pasi ishin shkarkuar nga vaporet dhe nuk u lanë  për të ikur jashtë. Nga ky sulm u thye vetëm një xham makine. Unë u habita me kaq pak dëm dhe thirra menjëherë komandantin e batalionit të tankeve që shoqëronte kolonën, shokun Cane Nanaj (një oficer i shkëlqyer me të cilin kemi mbaruar bashkë shkollën dhe kemi raporte shumë të mira shoqërore). E thirra Canen jo për  dëmin por si kishte vepruar ai? Desha të dëgjoja nga goja e tijë si kishte vepruar. (Kur sulmohet një kolonë tankesh e hipur mbi makina “skanie” unë e përfytyroja të paktën gjysmë të djegur e të asgjësuar). Në fillim Canen e  kritikova duke iu hakërryer se ju thyen xhamin. Çfarë bënit,- i thashë, flinit gjumë ju? Pa ma spjego si vepruat? Cania më tha: me të parë këtë situatë  fillestare, zbrita një tank nga skania dhe ju drejtova turmave në drejtim të tyre, gjatë manovrimit me tankun, theva nja dy plepa sa për panik, kështu që turmat nuk panë se nga vanë dhe kolona marshoi e qetë deri në Durrës. Këtë desha të dija prandaj të thirra. Kritikën e fillimit ta bëra që të më tregosh të vërtetën. E falënderova për veprimin e shkëlqyer taktik, teknik e psikologjik dhe pa pasoja në të dy palët. Ja ç’bënë një oficer kur specialist i vërtetë. Për të përballuar situatat e ndërrimit të sistemeve, ministria e punëve të  brendshme na kërkoi tanke, autoblinda etj. Ja dhamë sipas kërkesave, por ata nuk morën oficerët e këtyre armëve për përdorim, megjithëse ju lutem disa herë me gojë e me shkrim. Për rrjedhim në Shkodër u dogjën dy autoblinda, dhe qe fat që shpëtuan shoferët. Në Durrës, kur kryetari i Degës së Brendshme pa një anije në det e urdhëroi tankun ta kapte. Ç’të bënte shoferi? E futi në det dhe mbeti  në ujë tanku. Tanku nuk është mjet luftarak detar, por tokësor. Këtë e sqarojnë më mirë oficerët specialist, prandaj ne këmbëngulnim që Ministria Punëve të Brendshme t’i mertte oficerët dhe t’i dëgjonte për veprimet, për taktikën e teknikën e çfarë tu duhej atyre. Duhej ruajtur bashkëpunimi me specialistët dhe me Ministrinë e Brendshme. Ishin momente inkandeshente. Një lëvizje e gabuar dhe…gjakderdhja mund të ishte në çdo hap. Fjalë, mendim… Situatë lufte do ta komentoja. Duhej ruajtur me çdo kush gjakftohtësia.

TAKIMI ME OFICERËT E MINISTRISË SË MBROJTJES

Me këto mendime hyra në sallën, ku ishin mbledhur oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes. Sapo hyra, u paraqit forca, më me entuziazëm se zakonisht. Në ato momente mendova se gjithçka kishte marrë fund, situata mund të shpërthente nga çasti në çast. Shoku Ramiz nuk komunikonte me mua fare. Ishim në mes katër rrugëve. Qava para 500 oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ata u ngritën në këmbë dhe brohoritën “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë”. E mora më në fund fjalën, dhe u dhashë  udhëzimet, me një frymëzim që nuk e kisha patur ndonjëherë tjetër. U fola për gatishmërinë që duhej të kishte ushtria dhe u theksova se ndofta ka forca të tjera që e dëshirojnë shthurjen e ushtrisë. Pasi mbarova fjalën, më duhej të largohesha për mbledhjen e fundit të qeverisë Çarçani. Me vete mendoja se ishte hera e fundit  që u flisja si ministër. Oficerët më thanë: “Duam të vijë këtu shoku Ramiz”. Në mbledhjen e qeverisë asistonte edhe Ramiz Alia, i cili për postin e ministrit të Mbrojtjes kishte caktuar Manxhar Binajn. Kur dëgjova këtë emërim, u ngrita dhe thashë se Manxharin e kam shumë shok dhe e respektoj pa masë, mirëpo situatat e sotme kërkojnë që në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të qëndrojë  një ushtarak, i cili të jetë i orientuar me situatën e tanishme dhe të bindet plotësisht për urdhrat që do të japë. Ka shumë kuadro të aftë, shefi i shtabit, zëvendësit, qoftë dhe një drejtor drejtorie i Ministrisë së Mbrojtjes. Teksa po i thosha këtë sugjerim, Ramizi bëri një lëvizje mospërfilljeje. Atëherë unë i kujtova se në kohë lufte Ministria e Mbrojtjes kthehet në organ të Këshillit të Mbrojtjes dhe situata aktuale  është pothuaj si në luftë, dhe i paraqita kërkesën e efektivit për takimin me Ramizin. Atëherë ai më tha “shko e mblidhe efektivin”.

ÇFARË I KËRKOVA QEVERISË

Ushtria nuk duhej drejtuar nga një ministër, i cili mund të ishte civil, pra, qytetar i thjeshtë.

Në ato kushte tepër të vështira dhe të rrezikshme në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duhej zgjedhur njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili e njihte mirë situatën dhe e kishte ndjekur atë nga afër.

Ministri i ri i Mbrojtjes duhej të ishte i tille që të dinte mirë të zbatonte urdhrat në bazë, në varësi të situatave dhe të vinte firmën e tij vetëm për ato gjëra që ishte i bindur.

Gjendja ishte tepër e rëndë dhe në qoftë se ushtria dhe Forcat e Armatosura do të dilnin jashtë kontrollit, atëherë mund të kishim edhe gjakderdhje.

Oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes duhet të bëjnë një takim me ju.  E lashë Ramiz Alinë në mbledhjen e qeverisë dhe shkova në zyrë. Thirra edhe komandatët e divizioneve të Tiranës dhe pastaj erdhi Ramizi. Oficerët e pritën mjaft ashpër. Pyetja e parë që i bënë ishte se përse u lejua të rëzohej Enveri, pse lejohet shthurja dhe anarkia. Për momentin, Ramiz Alia u përgjigj: “i kam dhënë urdhër Hekuran Isait ta mbrojë me çdo kusht, po nuk e ka zbatuar. Pyetja tjetër ishte përse lejohet gjithë kjo shthurje, veçanërisht në Tiranë? Përgjigja e Ramizit qe: policia nuk i përballon dot të gjitha situatat. Oficerët u kundërpërgjigjën se policia është në gjendje t’i thyejë demonstratat, mirëpo merr urdhër të tërhiqet. Më pas Ramiz Alia foli për ndryshimet në qeveri. Kur tha se në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vihej një person tjetër, atëherë oficerët iu hodhën: “Akoma nuk është tharë boja nga vendimi për emërimin  ministër të Kiço Mustaqit, pse doni ta hiqni?!. Ne nuk duam ministër tjetër. Atëherë Ramiz Alia formuloi akuzën se kam tre muaj që Kiços dhe Hekuran Isait u kam dhënë detyrën të marrin masa për të përballuar shthurjet dhe demonstrimet dhe këtë se kanë bërë. Iu përgjigja aty për aty dhe i thashë se unë asnjëherë nuk e kam marrë një detyrë të tillë. Dhe vazhdova, se edhe tani po të marr një urdhër të tillë, me ushtrinë nuk do të veproj. Ato që po thoni ju janë detyra për Ministrinë e Brendshme që disponon ligjet, forcat dhe mjetet për ta bërë. Atje ku i kanë munguar forcat  dhe mjetet Ministrisë së Brendshme, i ka marrë nga ushtria, për t’i përdorur sipas ligjit. Ministria e Brendshme ka agjenturën, ka sigurimin dhe mund të përcaktojë kush janë organizatorët, që të marrë masat kundër tyre.. Më pas Ramiz Alia tha se ai e kishte gati dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtë zakonshme dhe ngriti në dorë një letër me nja dhjetë rreshta. Unë jam gati ta shpall gjendjen e jashtë zakonshme, tha, por pa ushtrinë nuk e bëj dot dhe ushtria nuk ka fuqi ta ndërmarrë gjendjen e jashtëzakonshme. Kur Ramiz Alia u tha oficerëve të Ministrisë së Mbrojtjes se “unë jam gati ta shpall gjendjen e jashtëzakonshme, por pa ushtrinë nuk e bëj dot dhe ushtria nuk ka fuqi ta ndërmarrë gjendjen e jashtëzakonshme”,  iu përgjigja Ramizit aty për aty: “Shpalle gjendjen e jashtëzakonshme dhe unë do ta përballoj vetëm me oficerët dhe nënoficerët e ushtrisë. Por më parë duhet aprovuar ligji mbi gjendjen e jashtëzakonshme, projektin e të cilit ne ua kemi dërguar që prej 3-4 muajsh dhe ju nuk e keni aprovuar.

RIKTHIM TEK MBLEDHJA

Por le t’i kthehemi edhe njëherë mbledhjes së qeverisë. Pas debatit për gjendjen e jashtëzakonshme, Ramizi u largua dhe unë e përcolla deri tek makina. Rrugës më tha: “Ti, Kiço do të mbetesh ministër i Mbrojtjes”. Në atë moment e kuptova që mua ajo udhëheqje nuk më donte për Ministër. Qëndrimi im në qeveri ishte rezultat i presionit të oficerëve në mbledhje. Atëherë u detyrova t’i bëj një analizë vetvetes. Kur këta njerëz nuk më duan për ministër, si mundem unë të zbatoj urdhrat e tyre? Nga ana tjetër arsyetoja; si munden ata të drejtojnë  pa një ministër që të ishte kokë e këmbë “i tyre?!“ Unë u kisha thënë hapur që urdhra në kundërshtim  me ligjin nuk zbatoj! Do të kisha dëshirë  të më thërriste edhe Fatos Nano, t’ia shpjegoja  këtë, por Nano nuk më thirri, pasi ai i merrte urdhrat  nga Ramizi. I mendova të gjitha këto dhe vendosa të jap dorëheqjen. U ula dhe shkrova me dorën time  një letër në drejtim të udhëheqjes, ku nënvizoja se, për shkak të situatave të ndryshme, e gjykoja të arësyeshme të jap dorëheqjen. Përafërsisht, pasi nuk kam mbajtur kopje, në letrën e dorëheqjes shkruaja këto pak fjalë: “Në gjendjen aktuale tepër të rënduar për të gjithë  vendin, pavarësisht nga ri qëndrimi im në qeveri për shkak të dëshirës së oficerëve  për të mos më ndërruar  me ndonjë njeri tjetër, jam i gatshëm ta jap vetë dorëheqjen, në çdo moment që të shikohet e arsyeshme nga ju. Ministri i Mbrojtjes Popullore: Kiço Mustaqi. Letrën e shkrova vetë, me shkrim dore, nuk doja ta merrte vesh njeri, as daktilografistët. Edhe numrin e protokollit e vendosa vetë, për të njëjtin qëllim. Letrën e nisa me shefin e protokollit të dokumentave  tepër sekrete  me Rëndësi të Veçantë (TSRV), Nezhdet Kambo. Letra u dërgua me emër: një kopje shoku Ramiz dhe një kopje shokut Fatos Nano si Kryeministër. Pasi kaluan 2-3 ditë, më telefonoi Xhelil Gjoni, Sekretar i KQ të PPSH, që mbahej afër nga Ramiz Alia dhe bashkëpunonte për çdo gjë me të. Më tha: “Pse e ke bërë letrën e dorëheqjes, kur ty të duan gjithë oficerët dhe mbete përsëri ministër?” Unë iu përgjigja se e bëra këtë gjë për ta pasur ju më të letë, nëse largimi im kërkohet nga interesi i përgjithshëm. Nga ana tjetër nuk dëshiroj që ndokush të mendojë se unë kam qëllime karrieriste. Nga Fatos Nano nuk mora përgjigje, por kam përshtypjen se e kishte diskutuar me shokun Ramiz.

DEKLARATA E ÇUDIÇME E SALI BERISHËS

Më 7 shkurt 1991, Sali Berisha i deklaroi  radios “Zëri i Amerikës” se ka përherë e më shumë shenja  se Kiço Mustaqi po përgatit grusht shteti. Berisha u bëri apel forcave të armatosura, duke theksuar se Partia Demokratike ka besim të plotë, se ju kurrë në asnjë rrethanë nuk do të ngriheni kundër fëmijëve tuaj, kundër interesave  të atdheut. Natyrisht, e përgënjeshtrova liderin e opozitës, duke theksuar se “nuk më habit fakti që “Zëri i Amerikës” flet për grusht shteti…, bile financuesit e tij, amerikanët, sipas mendimit tim, ishin edhe organizatorë të grushteve të shtetit në vende si ato të Amerikës Latine  apo në Afrikë. Po më bëri përshtypje që ushqyes  i një shpifjeje të tillë në drejtim  të Shqipërisë, u bë një shqiptar, një udhëheqës kryesor i PD-së, Sali Berisha”. Paralajmërimi për grusht shteti nuk ishte produkt i Berishës. Kur ai e tha kët për mua, indirekt u tha ushtarakëve  të përgatiteshin për grusht shteti. Kjo teori nuk ishte produkt i Berishës, pasi Berisha nuk kishte pushtet që t’ia merrja unë me ushtrinë. Pushtetin e kishte Ramiz Alia. Kjo mund të ishte një farë para përgatitje, pse kishte ndonjë llaf  nga njerëz kompetentë atje brenda, që Kiçoja është i përshtatshëm për këtë punë. Për sa më përket mua, kjo do të ishte një aventurë e madhe dhe nuk më ka shkuar kurrë në mend. Së dyti, asnjë ushtarak nuk mund ta merrte  me dhunë pushtetin, sepse veprimet e ushtrisë nuk mund të drejtoheshin kundër popullit të tij, sepse populli, që bënte i gjithë shërbim ushtarak, aktiv apo reservist i njihte shumë mirë ligjet ushtarake. Ndokush në udhëheqje mund ta kishte një mendim të tillë. Nuk dua të bëhem cinik, por ndofta kishte njerëz që e prisnin një grusht shteti. Këtyre unë u them: Ja, e zëmë se unë e mendova, siç thoni ju grushtin e shtetit. E mendova dhe e bëra… Çfarë do të arrija? Nuk e dija unë se do të ndërpriteshin ndihmat nga Europa, atëhere çfarë do t’i jepja unë popullit për të ngrënë? A s’do të ngriheshin kundër meje të uriturit?! Pastaj, kë do të komandoja, cilën ushtri, atë që po shthurej, të gjithë kishin ikur në Greqi, në Itali, kishin marrë rrugët e botës. Dhe tjetra, cili grusht shteti në botë ishte quajtur i drejtë nga sistemi ynë komunist?!. Ramizi u pozicionua shumë ashpër ndaj meje, a thua se gjithë përgjegjësitë për çfarë kishte ndodhur deri atëherë i kisha unë, Kiço Mustaqi. I binte edhe tavolinës me grusht. Në ato momente kisha përshtypjen se po imitonte Enver Hoxhën. Por nuk i shkonte fare në asnjë aspekt.

PROVOKIMI I ROJAS NË SHTËPINË E PARTISË

Ish oficeri Thoma Noti nga Gjirokastra pasi u lirua nga  ushtria fillimisht i shërbeu Partisë Demokratike. Duke udhëtuar për në Tiranë më tregon: Më 21 shkurt 1991 së bashku me një të burgosur politik morën detyrën nga Sali Berisha direkt që të shkonim  e të provokonim rojan e cila  ruante  shtëpinë, ku u krijua Partia Komuniste Shqiptare. Ne u porositëm që të provokonim rojan se janë  marrë të gjitha  masat për të filluar demonstratat dhe prapa  na shoqëronte  një turmë  civilësh që do të bënin shkarkimet pas provokimit tonë. Sa më shumë i afroheshim rojas gryka e pushkës na dukesh grykë topi. Shoqëruesi, i burgosur politik i tha Notit: Pash nerin, or zotni, unë 15 vjet burg i kam ba, 7 veta më presin në shtëpi, prandaj po iki për shtëpi, dhe iku. Unë vazhdova dhe ca, (vazhdon Noti), por duke qenë ushtarak mendova se provokimi i rojas do të më kushtonte  jetën prandaj ç’më duheshin mua filmat pas vdekjes? Në këtë moment dëgjoi nga turma  e pasme se shkolla e bashkuar po sulmohet, atëherë mora kurajën e i drejtohem turmës dakord shkojmë dhe ne në shkollë, të gjithë u kthyen e ikën të pa organizuar. Unë thotë Thoma Noti, pasi piva një kafe e mora një paketë cigaresh  ia mbatha prapa shkollës së bashkuar. Pashë situatën dhe ishte ashtu  si ma tregoni ju shoku Kiço. Pastaj ika në Kinostudio e drejtë e në shtëpi. Për këtë moszbatim urdhri  mora nga PD-ja 3 muaj burg. Kështu që emigrova në Greqi. Po mirë, more i dashur Thoma Not,i unë i kam shkruar mendimet e mia ashtu si kanë ndodhur e siç i njoh unë, po juve pse nuk i shkruani? Ne po t’i shkruajmë  na vrasin më tha, ka forca të errëta. I thashë  se neve duhet të njihemi  edhe ç’ka  bërë  shkolla e ushtria, por edhe ç’kam bërë forcat që sulmuan shkollën, pse e sulmuan, qëllimi i tyre, kush i komandonte. Vetëm ju nuk shkruani deri tani…. E vërteta historike duhet të njihet që të mos gabojnë nipërit e stërnipërit tanë dhe të mos bëhen viktima e armiq me njëri-tjetrin. Ne duhet të themi ato që pamë, menduam e bëmë. Historia e kohëve të qeta le të na gjykoi.

ARGUMENTET ABSURDE TË RAMIZ ALISË

Si e argumentonte Ramiz Alia qëndrimin e vet të ashpër ndaj meje.

Pas konkluzionit që i dërgova Ramizit nga takimi me oficerët e portit në Durrës që: atje ku nuk vepron Ministria e Punëve të Brendshme kërkohet forca e armëve të ushtrisë, u thirrëm urgjent, që për 1 orë të ishim në zyrën e tij. Unë edhe të gjithë zëvendësit e mi. Kur e kujtoj dhe sot çuditem. Ai argumentonte, që ne nuk kemi marrë masa për krijimin  e disa brigadave. Këtu do të zgjatem pak që të bëhet më e qartë se përse ishte fjala. Nga fundi i shkurtit apo fillimi i marsit 1991, morëm një urdhër  nga Ramiz Alia që të krijonim disa brigada të lehta, me ushtarë të zgjedhur, të cilat të kishin mundësi  të realizonin detyra të ndryshme, që do t’i merrnin më vonë. E morëm urdhrin  në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes përgatitëm gjithë dokumentacionin, me detajet më të hollësishme, deri tek caktimi i ushtarëve në formacione, fjetina e krevate. Vepruam në gjendje alarmi, për mos i dhënë shkas Komandantit të Përgjithshëm  (Ramiz Alisë), të na akuzonte  për moszbatim urdhri. Në këto formacione të reja ushtarake  përfshiheshin 2-3 brigada në Tiranë, dy në Durrës dhe nga një në Shkodër, Vlorë, Elbasan, etj. I telefonova Ramizit dhe i thashë se dokumentet i kishim dërguar në sekretariatin e Këshillit të Mbrotjes dhe duheshin nënshkruar nga ai vetë. Krijimi i brigadave  ishte në kompetencë të Këshillit të Mbrotjes, ndërsa, Ministri i Mbrojtjes kishte të drejtë të krijonte deri batalion.  Këtë Ramiz Alia e quante moszbatim urdhri dhe i binte tavolinës me grusht. Kërkonte të më vinte  para përgjegjësisë, ndërsa në fakt ishte ai që nuk e kishte nënshkruar urdhrin. Pastaj, diskutuan të gjithë sa ishin atje, (7-8 vetë), të cilët argumentuan se përse nuk ishin  zbatuar detyrat, pasi pritej nënshkrimi nga Ramiz Alia, etj, etj. Pasi e morën fjalën edhe zëvendësshefat e Shtabit, drejtori politik (që gjithashtu më mbështetën), Ramiz Alia e ktheu pllakën 180 gradë, dhe më falënderoi për punën e mirë që kisha bërë gjatë gjithë  asaj kohe. Kështu përfundoi ajo mbledhje. Nuk është protokolluar asgjë, por ishin gjithë ata dëshmitarë. Besoj se nuk ka nevojë  të komentohet se përse e bëri  Ramiz Alia atë mbledhje…. Mbase detajet nuk kanë shumë rëndësi. ajo që dua të sqaroj për këto debate me Ramiz Alinë është konkluzioni se ai më kritikonte pa të drejtë dhe po kështu hidhte pa të drejtë baltë mbi ushtrinë, e cila po mbante peshën kryesore në këto ngjarje. Më dukej sikur hapur kërkohej gjaku i ushtrisë. Kërkohej gjaku i ushtrisë që të justifikohej vendosja  e demokracisë. Domethënë, të kërkosh që të ndeshet ushtria, të vrasë popullin, që nesër të dalësh e të thuash: Demokracia erdhi nga unë, pasi ushtria ishte kundër meje. Më shkon në mendje gjithmonë kjo gjë e mundet të ketë qenë kështu. Ky mund të ishte edhe skenari që u zbatua në vitin 1997….

(Vijon nesër)