KIÇO MUSTAQI, NGA MINISTËR NË EMIGRANT

983
Nga Gëzim LOKA
Kiço Mustaqi, profili i një idealisti. Nga majat e pushtetit komunist, emigrant në Athinë

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes
Që nga takimi im i parë me Kiço Mustaqin, ish-shefin e përgjithshëm të Ushtrisë dhe Ministrin e Mbrojtjes, kanë kaluar tridhjetë vjet dhe njohja ime me të, nga kontaktet e rastit është kthyer në miqësi, duke bërë që ai të jetë për mua një model, jo vetëm si koleg, si epror, si funksionar i lartë i ushtrisë dhe mbrojtjes kombëtare, por dhe si njeri. Modestia, përkushtimi, shpirti i sakrificës, shpirtçiltërsia, përgatitja ushtarake dhe formimi intelektual janë disa nga cilësitë më të spikatura të tij. Me emrin e Kiço Mustaqit lidhet një pjesë e rëndësishme e historisë së mbrojtjes sonë kombëtare në epokën e komunizmit, ku ai e nisi karrierën si oficer në radhët e Ushtrisë Popullore për të mbërritur në majat e atij pushteti, deri në postin e lartë të ministrit të Mbrojtjes. Ndodhi që fati dhe rrethanat, por mbi të gjitha përkushtimi dhe ndjenja e detyrës, ta ngrinin një djalë të thjeshtë fshati drejt majave që kurrë nuk i pati ëndërruar, vit pas viti e kohë pas kohe, deri në majat më të larta të udhëheqjes së një shteti. Fakti që ky person banonte në mes të një komuniteti minoritar të Delvinës e bën akoma më surprizues këtë ecje, këtë ngjitje në një terren të vështirë, ku ai bashkë me rritjen e vet si njeri, rriti ëndrrat dhe dashuritë e një njeriu të devotshëm për kohën, kur la gjurmët e tij në gjysmë shekullin e shkuar të socializmit, duke u bërë edhe përfaqësues i tyre në Parlament, si deputet. Ka lindur në fshatin Pecë të Delvinës më 22.03.1938, bir i një familje të varfër, që mezi siguronin bukën e gojës gjatë gjithë vitit, por me një trashëgimi morale dhe vlerash e virtytesh, që mëkoheshin bashkë me gjirin e nënës. Nga që toka e pakët mezi iu siguronte nëntë muaj bukë në mot, pjesën tjetër e siguronin duke bredhur fushave të Dropullit e Vrugut, me shitje mallrash e frutash, që ata nuk i kishin në zonën e tyre, ku, siç shkruan vetë në shënimet e tij autobiografike: “Në vitin më të vështirë arritëm që të shkëmbenim pesë kg djathë për një kg miell”.Mes varfërisë deri në skamje, epoka e re që po trokiste në trojet shqiptare zgjoi tek djaloshi dëshirën për dije, si një mundësi për ta çarë perden e trishtë të atij realiteti, që e favorizonte dhe mjedisi i ri politik e social, që po sendërtohej në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Në rrethanat e vështira të pas Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria me varfëri ekstreme, plagë dhe dhimbje po tentonte të rimëkëmbej, djaloshi minoritar i bënte detyrat dhe lexonte nën dritën e kandilit, në rrekje për të ikur nga fshati për një jetë më të mirë. Pas një odiseje ecejakesh të pafund poshtë e lart, nga Delvina në Sarandë e gjetkë, me letra lutjeje e dokumente në duar, i del bursa për të vazhduar Shkollën e Rezervave të Punës në qytetin Stalin (Kuçovë) dhe më pas duke përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm, në të njëjtën kohë duke punuar në TEC-in e Kuçovës. Puna mes njerëzve, me lodhjen, sakrificat, përkushtimin ishte një tjetër shkollë e Mustaqit, një shkollë ku ai mësoi artin e komunikimit me njerëzit, që është arti më i vështirë, të cilin e zotërojnë vetëm pak njerëz. Ishte ky art që më vonë, pas kryerjes së shërbimit ushtarak dhe kryerjes së studimeve në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”, do ta ngrinin dalëngadalë, por në mënyrë të pakthyeshme, drejt majave të pushtetit ekzekutiv të asaj kohe. Ishte viti 1960, viti i ngrirjes së madhe, kur në mbarë botën ujërat qenë trazuar dhe patën ndodhur ngjarje të mëdha politike e aq më shumë në Shqipëri, kur nisën të frynin erërat e akullta të ndarjes me një nga superfuqitë e botës, me ish-BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Pas ndarjes ideologjike me ish-Jugosllavinë, për Shqipërinë po trokiste një ndarje tjetër e madhe, që do të sillte me vete një dramë të pafund, një ndarje totale nga bota. Tashmë ishim plotësisht të izoluar dhe udhëheqja komuniste e kohës po i hidhte sytë larg, në lindjen e largët, tek Kina komuniste me një popullsi prej 900 milionë njerëzish (në atë periudhë). Ishin vitet kur ushtria shqiptare u tendos e tëra dhe ishte në gatishmërinë më të lartë luftarake. Këto qenë vitet kur “çdo shqiptar ishte dhe një ushtar” i Partisë. Pasi punoi për tre muaj me detyrën e komandantit të togës në Regjimentin e Mekanizuar 1105 Tiranë, katër vjet të tjerë në detyrën e komandantit të togës dhe një vit komandant kompanie, nga viti 1964 deri në vitin 1966 do të vazhdonte Akademinë Ushtarake, ku u përgatit në mënyrë shkencore për të drejtuar njësitë më të larta të ushtrisë. Dhjetor 1966 deri nga mesi i vitit 1969 do të kryente detyrën e shefit të Shtabit të Brigadës Sulmuese të Tropojës, ku vitin e fundi emërohet komandant i saj. Më vonë emërohet komandant i Brigadës 30 të këmbësorisë në Vaun e Dejës Shkodër, për të vijuar si drejtor i Drejtorisë së Përgatitjes Luftarake në Ministrinë e Mbrojtjes. Në maj 1976 ngarkohet me detyrën e komandantit të Korpusit të katërt të Mbrojtjes Bregdetare në Tiranë. Në vitet e vështira 1979-1982 ka kryer detyrën e drejtorit operativ dhe zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa në vitin 1982-1990 shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe në vitin 1991-1992 postin e lartë të ministrit të Mbrojtjes. Stërvitjet intensive, në borë e në shi, në diell e në vapën përvëluese, kontaktet me njerëz që përbënin elitën ushtarake dhe politike të kohës, gatishmëria e lartë, shpirti i sakrificës, do të ishin pjesë e pandashme e figurës morale, politike dhe ushtarake të Kiço Mustaqit. Që nga viti 1976, Kiço Mustaqi deri në vitin 1992, është zgjedhur si deputet në zonat e minoritetit. Në vitin 1986 është zgjedhur edhe në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Në postin e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, si ushtarak karriere dhe me aftësi evidente profesionale dhe si ministër mbrojtje, që vinte nga një shkollim i plotë profesional në fushën e ushtrisë, Kiço Mustaqi la gjurmë në përgatitjen e komandave dhe shtabeve në përballimin e situatave të vështira e detyrave të tjera specifike. Në kulmin e aftësive dhe fuqive intelektuale e njerëzore, në prill të vitit 1992 doli në rezervë dhe në vitin 1993 del në pension të plotë. Është koha kur agjitpropi blu hodhi ndaj tij një lumë me akuza si ‘bashkëpunëtor me Ramiz Alinë’, ‘Enverist’, ‘i shitur’, akuza që dalëngadalë me kalimin e kohës filluan të fashiteshin dhe doli në pah karakteri i tij i vërtetë, ndershmëria, përkushtimi dhe drejtësia, pasioni për vlerat dhe atdhetaria, si modele që e kanë motivuar gjithmonë në jetën e tij. Rrugëtimi i tij drejt majave të pushtetit është shoqëruar me punë e përkushtim shembullor, me mbresa e takime të veçanta me figurat më emblematike të partisë e të shtetit, si Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Enver Hoxhën, kryeministrin Mehmet Shehu, Hysni Kapon dhe gjithë elitën politike dhe pushtetarëve të kohës. Ishte vizioni i tij prej njeriu paqësor dhe që e donte me shpirt vendin dhe popullin e tij, që e shtyu Kiço Mustaqin që në vitet e ndryshimeve historike që pësoi shoqëria shqiptare, gjatë kalimit nga komunizmi në demokracinë anarkiste që ende vazhdon, të ruante ekuilibrat dhe të mos vritej e cenohej askush. Për të krijuar një jetë më të mirë, pasi edhe pse ishte në majë të piramidës së një pushteti që quhej “diktaturë:, nuk kishte asnjë lloj pasurie dhe nuk trashëgoi asnjë lloj konforti, luksi e privilegji, punoi për shumë vite si emigrant në Greqi, për t’u kthyer tash disa vite sërishmi në Tiranë. Tani, edhe pse nuk ka shumë informacion rreth asaj se çfarë ka ndodhur këto vite me Forcat e Armatosura Shqiptare, e ndjen dhe e vuan shthurjen e saj, shitjen e armëve dhe municioneve në tregun e zi të mafies, heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe shprehet se dikur, në periudhën e socializmit, ushtria vërtet ishte tërësisht e politizuar dhe për çdo gjë udhëhiqej nga Partia e Punës, por ushtria ishte një forcë që vërtetë e garantonte lirinë dhe sovranitetin kombëtar dhe nuk kishte nevojë për të qenë nën “kapelën” e askujt. Jam krenar dhe i lumtur që e kam njohur kur ai ishte në kulmin e shkëlqimit të karrierës së tij dhe gjatë gjithë kësaj kohe, deri më sot, marrëdhëniet tona kanë njohur një kurbë ngritjeje. Kiço Mustaqi është një profil që të bën për vete e të frymëzon me aktin e tij fisnik njerëzor të modestisë e shpirtbardhësisë, profili i një idealisti, i cili që nga majat e pushtetit komunist, ku arriti gjer në postin e ministrit të Mbrojtjes, nuk përfitoi asgjë, por i varfër si shumica e shqiptarëve të thjeshtë të këtij vendin, vajti për të punuar si emigrant në Athinë, për një jetë më të mirë për vete dhe familjen e tij. 
Sigal