Kiço Mustaqi: Ja e vërteta e ‘Puçit Ushtarak’ në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve më 1991

1482
Sigal

Ish Shefi i Shtatmadhorisë Mustaqi rrëfen çfarë ndodhi në Akademinë Ushtarake, revoltën studentore dhe masat

 (Vijon nga numri i djeshëm)

Orë pas ore, situate sa vjen dhe rëndohet. Në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, efektivat janë në gatishmëri të plotë luftarake, të armatosur ‘deri në dhëmbë’. Ndërsa jashtë sajë nuk mund të dilet, pasi ajo është e rrethuar me turma civilësh. Drejtuesit e ushtrisë, ndjehen pothuaj krejt vetëm në këtë situatë kritike, e cila nga keq menaxhimi i momentit, mund të sillte tragjedi të rënda. Ramiz Alia, njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm, për ushtarakët, duket inekzistent… Po çfarë ndodhi në Byronë Politike, në ushtri dhe në sheshet e Tiranës e gjithë vendit… Këto e të tjera, i rrëfen në vazhdim ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Kiço Mustaqi…

PUÇI’ I SHKOLLAVE USHTARAKE

Monumenti i Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit ishte rrëzuar, por asgjë nuk kishte përfunduar. Jo vetëm në Shkollën e Bashkuar të Oficereve, por dhe në segmente të tjera gjakrat ishin ndezur ethshëm. Vendosja e një busti në miniaturë, që do të zëvendësonte monumentin e derdhur në 8 ton bronx special, dukej se do të rivendoste nderin e humbur. Dhe ndërsa disa qindra studentë ushtarakë të armatosur ishin të gatshëm ta bënin këtë edhe forcat jashtë territorit të Shkollës bënin një presion të madh. Ndoshta vetëm një shkrepëse dhe konfrontimi i palëve do të realizohej me “sukses të plotë”… por kjo nuk ndodhi. Është e nevojshme të themi që në fillim se kur flitet për ngjarjet e Shkollës së Bashkuar, duhet saktësuar se atje ishin edhe Akademia Ushtarake e Shkolla “Skënderbej”. Pra, tre shkolla. Kështu që më e drejtë është ta quajmë: “Ngjarja në shkollat ushtarake të Tiranës”. Kur jam pyetur për grushtin e shtetit të shkollës, kam theksuar dhe pohuar: se grusht shteti quhet ajo goditje që rrëzon pushtetin dhe merr në dorë drejtimin e tij. Ne e kishim ende pushtetin dhe nuk kishim asnjë arsye që të rrëzonim vetveten. Në qoftë se këtë ankesë do ta kishte Ramiz Alia dhe qeveria e Adil Çarçanit, do të ishte ashtu siç pyesni ju dhe siç e ka pagëzuar PD-ja e Sali Berisha. Pra as që bëhej fjalë për grusht shteti. E vërteta qëndron krejt ndryshe.  jo ngjarje në shkollat ushtarake u quajt grusht shteti për qëllime politike, por ndoshta edhe nga injoranca, nga padia. Qëllimi i vërtetë ka qenë provokimi i shkollave ushtarake (të tilla kemi pasur në shumë reparte ushtarake e në flotë), që ushtarakët të irritoheshin e të përlesheshin me forcat e PD-së, ku natyrisht do të derdhej gjak dhe kështu, sipas një skenari të sofistikuar, do të akuzohej ushtria dhe PPSH-ja. Dhe ajo më kryesorja është që të tregonin se PD-ja e mori pushtetin me gjak, ndërsa siç dihet, ai u fal pa asnjë krismë. Ngjarjet në atë kohë lidhen edhe me rrëzimin e busteve të Enver Hoxhës, sepse fill pas tyre pati reagime popullore gjithandej, përshi edhe ushtrinë.

E VËRTETA MBI ‘GRUSHTIN E SHTETIT’

Janë thënë shumë për këtë shkollë. Midis të tjerave që ajo po përgatitej për sulm për rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës dhe vendosjen e qetësisë. Por, për mendimin tim Shkolla e Bashkuar nuk sulmoi por u sulmua. U sulmua nga forca  regresive që drejtoheshin  nga PD. Ndaj kësaj shkolle filluan provokimet. Provokimi apo sulmi ndaj saj ishte i organizuar  dhe kishte për qëllim që forcat e shkollës  të dilnin në rrugë e të gjakosnin  popullin. E pastaj të thuhej se, ja, ç’bën ushtria e Enverit, vret popullin. Midis shkollës së Bashkuar dhe turmës u vendos policia, pra policia kishte kontaktin  me njerëzit. Policia hante gurët dhe të paktën një polic u vra, kur një udhëheqës i PD hapi portën e një fugoni. Para kësaj  ngjarjeje  ishte krijuar një bërthamë, në krye të së cilës ishte një pedagog shumë i mirë i Akademisë dhe disa pedagogë të Shkollës së Bashkuar. Meqenëse Ramiz Alia dhe udhëheqja kishin shprehur keqardhjen për rrëzimin e monumentit, Shkolla e Bashkuar mori përsipër të vendosin shtatoren në qendër të Tiranës. Po qe nevoja e mbrojmë ne dhe kush të dojë, le të vijë dhe ta rrëzojë, thoshin ata. Më 21 shkurt më telefonoi drejtori i Televizionit e më tha se kishin shkuar dy studentë të Shkollës së Bashkuar me një peticion dhe donin të transmetohej tekstualisht siç e kishin shkruar. Madje e kishin kërcënuar  ose transmetojeni  kështu siç është, ose do ta marrim në televizionin e do ta transmetojmë vetë. Unë iu përgjigja nuk kishte gjë të keqe të transmetohej, përderisa çdo natë transmetoheshin dhjetëra  peticione nga shoqata me dy-tre anëtarë, megjithatë, i thashë, unë nuk jam kompetent, se urdhrat i marr nga lart, nga shoku Ramiz. Sa për televizionin  i thashë, mos ki frikë, nuk merret me forcë, pasi televizioni drejtohet  nga komiteti  Qendror e shoku Ramiz. Pas pak më merr në telefon Vaskë Çifliku, sekretari i Ramiz Alisë e më thotë të njëjtat gjëra .”Ti urdhrat i merr nga shoku Ramiz”. Po, i thashë, e di këtë dhe s’kam dhënë urdhër të veçantë. Pastaj, shtova se, ajo që duan të bëjnë studentët e Shkollës së Bashkuar është gjë e mirë, meqë juve ju ka  ardhur keq që u rrëzua  monumenti, ata duan ta venë prapë në vend. Pra ngrihen për atë që ju qan zemra. Përfundimisht peticioni nuk u transmetua  nga radiotelevizioni. U botua, pa pikën që fliste për rivendosjen e shtatores, vetëm në gazetën Zëri i Popullit, më 22 shkurt 1991.

21 SHKURTI 1991 NË SHKOLLËN E BASHKUAR

Në mbrëmjen e po asaj date, në Shkollën e Bashkuar  po zhvillohej një takim  me pjesëmarrjen e studentëve  dhe pedagogëve, një përfaqësuesi  nga Ministria e Mbrojtjes, (më duket Shefi i Shtabit), Neritan Ceka nga PD, e të tjerë. Ndërsa po vazhdonte takimi u dëgjuan krisma. Ata të PD-së, thanë  e ndërpresim diskutimin, sepse shkolla hap zjarr dhe në kushte lufte  nuk mund të diskutojmë. U ngjitën të gjithë në tarracë dhe panë se të shtënat  vinin nga jashtë, nga ku u plagos një oficer i Shkollës së Bashkuar. Pasi u bindën  se shkolla nuk kishte hapur zjarr, ata u kthyen dhe mbledhja vazhdoi. Shkolla ndërkaq ishte  nën komandë dhe ndodhej e pozicionuar. Në shkollën e Bashkuar kishte pedagogë e studentë, (ndonjë edhe në Akademi), që ishin kompromentuar nga PD ose mendonin se duhej përkrahur ajo. Njerëz të tillë kishte në togat e zbulimit, të prapavijës, dhe kjo përbënte një rrezik, dhe unë dyshoja e kisha frikë që po të ndodhte  ndonjë situatë  brenda shkollës, mund të shkaktohej edhe vëllavrasje. Në të vërtetë, kur u rrethua  Shkolla e Bashkuar nga njerëz provokatorë, këta, që unë dyshoja ishin të parët që u ngritën  kundër rrugaçëve të cilët donin të sulmonin shkollën. Togat e zbulimit e të prapavijës për të cilat dyshoja se ishin më të kompromentuarat, u bënë më luftaraket, sepse u fyen në sedrën e tyre që po u shkelej nderi i ushtarakut nga rrugaçët.

PRAPASKENAT E RRËZIMIT TË BUSTEVE TË ENVERIT

Fakti i thjeshtë që rrëzimet e busteve në Tiranë, në Durrës, në Fier, në Korçë, Vlorë  u bënë të gjitha rreth orës 11.00, na vuri në mendime. E diskutuam edhe në një rreth shumë të ngushtë  në shtabin e përgjithshëm dhe gjykuam se kjo ishte  bërë me orientim. Unë ende mendoj se ishte orientim nga Ramiz Alia. Pra, përshtypja  ime ishte se ato qenë të organizuara. Dhe meqenëse ishte kështu, kjo mund të ndodhte edhe brenda në Shkollën e Bashkuar. Vrisja mendjen se çfarë duhej bërë dhe vendosa që edhe unë duhej të organizoja heqjen e shtatores nga shkolla. Kam thirrur shefin e shtabit e drejtorin e xhenios e u kam thënë: Unë akoma nuk kam marrë lejen e Ramiz Alisë, por do t’i marr leje  dhe vetëm ju do ta dini. Në rast se na japin urdhër  për ta hequr shtatoren  e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar, ti si drejtor i xhenios do të marrësh masa që në mëngjes atje të jetë bërë  një lulishte, nuk dua që të mbetet  gërmadhë.. Pasdite mora Ramiz Alinë në telefon dhe i thashë: “Mesa duket  rrëzimi i busteve ka qenë i organizuar. Nëse është vënë në program që të rrëzohet edhe busti në Shkollën e Bashkuar, ne do të marrim masa që në mëngjes të gdhihet lulishte. Ai më bërtiti fort: “Si, shoku Kiço ke mendimin  të na heqësh komandantin e përgjithshëm?!. Unë kuptohet, nuk i besova. Busti u hoq pas disa muajsh nga qeveria e stabilitetit, dhe nuk u hoq siç e mendoja  unë.

QËNDRIMI I RAMIZ ALISË NË NGJARJET E SHKOLLËS SË BASHKUAR

Edhe sot më duket paksa e çuditshme. Gjatë gjithë asaj kohe të tensionuar unë dhe Ramis Alia, nuk kemi komunikuar me njeri-tjetrin. Vetëm në mbledhjen e qeverisë unë raportova se situata  ishte e ndezur. Nuk më kujtohet, por nuk kam marrë asnjë lloj detyre. Ne kishim punën tonë, të cilën e kishim shumë të qartë. Ramizi ndofta merrte  raporte  nga ndonjë burim  tjetër, por unë nuk e di. Mua nuk më pëlqeu  që brenda në Shkollën e Bashkuar ishte futur zëvendësministri i brendshëm (Aredin Shyti) bashkë me kryetarin e PD-së të Tiranës dhe unë s’isha lajmëruar. Dhe në një moment, kur pati një të shtënë tanku, shoku Haredin Shyti më mori në telefon: “Jam këtu me kryetarin  e PD-së për Tiranën” e më bënte vërejtje për veprimin e tankut. Atëherë nuk m’u durua dhe i fola shumë ashpër, duke i thënë se, nuk jam në varësinë tuaj, kështu foli ministrit tënd, ç’ punë ke me kryetarin e PD-së brenda në shkollë, ju merruni me policët përjashta, prandaj largohuni menjëherë, mos përfitoni  nga mirësjellja e komandës së shkollës, etj. Unë nuk mund ta kuptoj edhe sot e kësaj  dite, se përse MPB dhe degët në rrethe, për çdo gjë informonin  PD-në apo i merrnin  leje asaj, duke mos menduar se kështu i viheshin  më keq fitilat situatës. Kështu ndodhi edhe në Shkodër  e rrethe të tjerë.

SULMI MBI SHKOLLËN E BASHKUAR

Kjo është e vërtetë. Turma nga jashtë herë pas here provokonte Shkollën e Bashkuar. Ata kishin siguruar armë, qoftë të vjedhura, qoftë edhe nga jashtë. Për çudi atëherë, në duart e turmës janë gjetur armë Zastava, armë që nuk qarkullonin  në Shqipëri. Por në kohën e përgatitjeve  tremujore  nuk ishte e vështirë të gjeje armë në Shqipëri, në kuptimin se ishin  kompromentuar  edhe disa oficerë, ishin kompromentuar  edhe disa ushtarë, apo nënoficerë, që gjoja do t’i shërbenin  demokracisë, ose mund të shiteshin armët. Por ato armë ishin të tjera tipa, të tjera kalibra. Nuk ishin të ushtrisë sonë. Turma shtinin  nga tarracat përballë shkollës së Bashkuar, ku na u plagos edhe një oficer. Megjithatë, ngjarja e Shkollës së Bashkuar ishte ajo që e shpjeguam. Qëllimet e tyre  ishin që ta nxirrnin shkollën jashtë e të akuzohej pastaj ushtria për gjakderdhje dhe nga kjo të përfitonte Partia Demokratike. Më pas të akuzohej Partia e Punës (PS),  dhe të thuhej se PD e mori me gjak demokracinë, se ajo nuk iu dhurua. Ndërsa unë kam mendimin  se pushteti iu dhurua dhe nuk e mori as me djersë, pa le me gjak! Pushtetin PD-së ja dhuroi vetë Ramiz Alia.

TË PAVËRTETAT E RAMIZ ALISË

Ramiz Alia thotë në një intervistë  se ushtria do të marshonte drejt Tiranës dhe se ai e shpëtoi vendin nga gjakderdhja. Kjo nuk është aspak e vërtetë  dhe ishte e pamundur të bëhej në ato situate, kur rezervistët që kompletonin  ushtrinë, “marshonin” siç thashë, drejt kufirit e largoheshin si refugjatë nga Shqipëria. Atëherë shtrohet pyetja se cilat forca do të marshonin drejt Tiranës? Ku e paskësh marrë apo parë Ramiz Alia këtë informacion që unë, si ministër i Mbrojtjes nuk e dija? Në qoftë se ishte ashtu, do të thotë  se unë nuk e kisha  në dorë situatën. Atëherë pse e bëri këtë deklaratë Ramiz Alia? Përgjigja ime është se e bëri për të  justifikuar shthurjen, anarkinë dhe shkatërrimin e Shqipërisë. Domethënë i duhej një maskë për të mbuluar mangësitë dhe kjo maskë ishte ushtria. Pra, për mendimin tim, nuk kemi të bëjmë me një pohim të sinqertë të Ramiz Alisë, por me të kundërtën. Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse urdhëroi për shumë kompani  të specializuara që erdhën në Tiranë, pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato ama vlejnë për të akuzuar. Për mobilizimin e forcave nga Dibra, Ramiz Alia përdorte dhe shfrytëzonte shumë Haxhi Lleshin, i cili edhe në shtëpinë e vet qëndronte ato ditë i armatosur me automatik e pistoletën në brez dhe plot krehra fishekësh mbi tavolinë… Për këto urdhra që jepeshin  pa u konsultuar e pa objektiva duhet të japë shpjegime Ramiz Alia. Ju si lexues mund të pyesni; Po Kiço Mustaqi, si ministër i Mbrojtjes Popullore, ç’ bënte me këto urdhra? Mund t’ju përgjigjem se unë i zbatoja ato deri në atë pikë që nuk kishte rreziqe. Për shembull unë e zbatova urdhrin që kompania speciale të  përqendrohet në Tiranë dhe të rrijë në gatishmëri. Nuk u jepja asnjë urdhër  tjetër dhe i ktheja mbrapsht. Këto janë të dokumentuara, se përndryshe për mos zbatim urdhri arrestoheshe.

NËGATISHMËRI LUFTARAKE

Ora e saktë nuk më kujtohet…Kanë kaluar 20 vjet. por duhet të ketë qenë në orët e para të mëngjesit. Shkolla ndenji në gatishmëri një ditë e gjysmë, dy. Domethënë gjithë ditën, natën tjetër provokuesit ikën. Ikën sepse nuk mundën  të rezistonin.

SI U HOQ RRETHIMI CIVIL I SHKOLLËS

Provokuesit, apo rebelët (s’di si t’i quaj), u larguan nga Shkolla e Bashkuar se panë qëndrimin e vendosur të saj. Panë qëndrimin e saj korrekt, që nuk binte në provokacion, panë se as shkolla, as Ministria e Mbrojtjes nuk mund të binin në kurthin e tyre. Edhe “dasma” pritej të bëhej brenda në shkollë, jo jashtë shkollës. Ata shpresonim që ne të dilnim jashtë mureve. Ndërsa ne prisnim të na vinin brenda e atje e ne do të mbroheshim. Do të mbrohej edhe me gjak. Këtë e përcaktonte ligji dhe statusi i saj. Ndërsa jashtë ne s’kishim punë. Sa më shumë të qëndronin ata jashtë, për ta ishte edhe diskreditim politik. Deri atëherë në asnjë vend të botës nuk kishte ndodhur, që turma civilësh të sulmojnë një repart ushtarak. Ngjarjet e Shkollës së Bashkuar ishin një turp i madh për ato forca që i organizuan. Të sulmosh qeverinë, Televizionin, Komitetin Qendror, këto kishin një kuptim, por të merrje Shkollën  e Bashkuar s’kishte kuptim. Ç’kuptim kishte të sulmoje një repart ushtarak. Ajo do të thotë të kërkosh gjakderdhje për të justifikuar rezistencën e madhe që ke pasur ti për të sjellë demokracinë  në Shqipëri. Nga ana tjetër, në qoftë se këtë e ka organizuar dikush i PPSH, atëherë ai e ka bërë për të fituar pikë, domethënë, shiko, të tillë ushtri kemi pasur, që e gjakoste njeriun, për të fituar vlera të tjera. Unë mendoj se më tepër këtë e kërkonte në atë kohë kundërshtari. Kam përshtypjen  që ishin edhe të drejtuara, edhe të organizuara, por realiteti është që unë nuk e di kush i drejtonte forcat e tyre. Shkolla e Bashkuar ishte plotësisht në urdhrat dhe nën kompetencat e urdhrave të mia, kjo nuk diskutohet, domethënë s’kishte asnjë rrezik për të jashtmit. Ajo nuk do të sulmonte kurrë. Trupa e Shkollës pati durimin e jashtëzakonshëm që nuk goditi asnjeri edhe kur iu shkatërruan tërë muret dhe. Ajo u godit ngado, u godit madje edhe komanda, por prej asaj shkolle ushtarake nuk u vrau asnjë njeri. Nëse kjo do t’i kishte ndodhur  një reparti apo shkolle ushtarake amerikane  ruse, apo të çdo ushtrie tjetër do të ishin vrarë shumë njerëz. Shkolla e Bashkuar s’ka pse akuzohet. Faktet janë kokëforte. Dihet mirë kush e bëri sulmin. Ngjarjet janë fotografuar, janë filmuar ato ngjarje.

(Vijon)

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e Kiço Mustaqit, iash  Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Çfarë ndodhi më 21 shkurt në Zall Herr. Si i dorëzuan teserat e Partisë së Punës oficerët tankistë në shenjë revolte se nuk u mbrojt bust ii Enverit

-Revolta në Skrapar, biseda me sekretarin e parë Elmaz Puto dhe debatet që bëri Kiço Mustaqi me Ramiz Alinë për situatën atje.

-Kiço Mustaqi: Rrethimi i Shkollës së Bashkuar nga popullata e irrituar, vendimi i Ramiz Alisë për emërimin e Manxhar Binajt si Ministër Mbrojtje dhe pse e kundërshtova prerë.

-Urdhri për kalimin në gatishmëri luftarake të reparteve të Tiranës dhe situate e rënduar nëpër njësi e reparte.