Kiço Kutali/ Brigada e 6-të Sulmuese që tundi dheun, në 71-vjetorin e krijimit

1400
Sigal

 Pa LANÇ, nuk do ekzistonte Shqipëria, ajo do ishte e copëtuar

U krijua më 26 janar, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, në qytetin e lavdishëm të Përmetit

 Sa kishte filluar viti 1944. LANÇ në jug të vendit vazhdonte dhe kish marrë përmasa të papara. Populli i gjithë më këmbë e përleshej fyta-fytas me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre ballistë. Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, forcat partizane ishin kthyer në ushtri të rregullt. Në këtë kohë kishin kaluar në formacionin e brigadave. Ishin krijuar brigadat 1,2,3,4,5 ndërsa sulmet, luftimet, goditjet ishin shtuar dhe zjarri partizan sa vinte e bëhej si vullkan, duke djegur e përvëluar edhe brenda kazermave, pushtuesit e ardhur nga prapa diellit. Forcat aleate kishin vënë përpara hordhitë naziste dhe i drejtoheshin për të shkatërruar djepin që e lindi. Situata jashtë kufijve tanë ishte deri-diku e favorshme; vendi ishte futur në një dimër të tmerrshëm. Shiu, breshëri, bora, acari, tufani e suferina të merrte frymën. Kjo gjendje bëhej akoma e më e keqe, tmerrësisht e vështirë nga veprimet agresive, çnjerëzore të armikut e bashkëpunëtorëve të tij, që të goditur, gjakosur, e tmerruar nga partizanët, ishin tërbuar. Kishin filluar Operacionin e Dimrit më qëllim; asgjësimin e plotë të forcave partizane dhe frikësuar popullin kryengritës. Ishin ditë luftarake, të stuhishme, tepër- tepër të vështira, por heroike për UNÇ e popullin tonë që, megjithëse i vogël dhe i varfër, e ndau edhe kafshatën me djemtë e tij që luftonin për liri. Pikërisht në këtë situatë, për të sfiduar forcat pushtuese e tmerruar tradhtarët e atdheut, 71 vjet më parë, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, në qytetin historiko-kulturor dhe të lavdishëm të Përmetit, më 26 Janar, u krijua Brigada 6 S “Hero Populli”. Ishte e para brigadë në qarkun e Gjirokastrës, me partizanët e batalioneve “Asim Zeneli”, “Baba Abaz”, “Abas Shehu”, “Naim Frashëri”, kompania “Thoma Lulo” e batalionit “Çamëria”. Më vonë u fut edhe batalioni “Zaho Koka”. Janë pesë batalione heronj dhe një kompani heroinë. Luftëtarët e saj, që personifikoheshin me epitetin tradicional jugor “çeço”; vinin nga çetat më të vjetra, të krijuara që në vitin 1942, me përvojë të madhe luftarake si: “Toto Bolena”, “Haredin Tremishti”, ”Çerçiz Topulli”, “Avni Rustemi”, ”Musa Fratari”. Ndeshur, përplasur dhe gjakosur sa e sa herë me armikun, duke fituar eksperiencë ne drejtim të luftës partizane, në përdorimin e armatimit, të shfrytëzonin terrenin, natën e kushte të vështira atmosferike, në organizimin e pritave të suksesshme, te sulmonin si rrufeja e të zhdukeshin si era, deri edhe ndeshur trup me trup, thikë më thikë dhe fyta-fytas dhe nëpërmjet sakrificave të panumërta, i shkaktuan dëme të mëdha e mbushur historikun e tyre me fitore. Ishin jo vetëm luftëtarë të përgatitur, që dinin të zbulonin, mashtronin e ta ndillnin atje ku beteja jepte rezultate, por ndërkohë, propagandistë të mirëfilltë. Këta trima, këta çeço luanë, të etur për liri, besnikë deri në vdekje, motivuar e përkushtuar për çlirimin e popullit e atdheut, kompletuan brigadën. Ndaj, krijimi i saj ishte risi e re në UNÇSH, ogur i mirë për popullin, atdheun dhe qarkun e Gjirokastrës. Ishte kjo arsyeja që në luftimet me pushtuesin dhe mercenarët vendas, e filloi me fitore dhe kaloi nga fitorja në fitore, duke dhënë kontributin e saj edhe në ndihmë të shteteve fqinjë. Përmeti ishte në festë, ndërsa fusha ku do të rreshtoheshin batalionet, ishte mbushur me flamurë, parulla, banderola dhe shtruar me lule. Batalioni “Naim Frashëri” i priste në qytet, duke siguruar ambientin, të tjerët, duke qenë në krahina të ndryshme, ju drejtuan Përmetit në mënyrë koncentrike: nga Frashëri, “Asim Zeneli”, nga Gryka e Këlcyrës, “Baba Abaz”, nga  Dhëmbeli, “Abaz Shehu”. Në atë kohë aq të vështirë, majori anglez, Tilman, i atashuar pranë shtabit, kur pa ne Qafën e Dhëmbelit borën e suferinë që të merrte shpirtin dhe partizanët që transportonin të plagosur në krah, i habitur u shpreh: “…Cilët janë më heroikë, të plagosurit, apo transportuesit?”. Ky kuadër i përgatitur e alpinist, që kish kaluar majat më të larta të Himalajave, i dukej më i vështirë marshimi se sa ngjitjet që kish kryer. Në këtë kohë, Komisar Matoiti, pa një lule bore. E mori dhe i’u përgjigjet: “Të dy palët janë heroikë! Kështu janë të gjithë partizanët dhe populli ynë! Jemi kaq të fortë e rezistentë, si kjo lulja në mes të dëborës dhe të ftohtit kallkan, por që lajmëron pranverën! Edhe ne si lulja, jemi pararendës të lirisë. Ndodhemi në mes të dimrit dhe të operacionit armik; në acar e suferinë, por të fortë, të vendosur e me besim të patundur në formimin e brigadës dhe bashkë me njësitë e tjera, do çlirojmë vendin e do ti sjellim pranverën.”.

Kush ka dalë në atë qafë, ka ngelur i befasuar nga pamja që i del para. Është mbresëlënëse e të kënaq shpirtin! Para qyteti historik i Përmetit, Vjosa e lashtë dhe dredha-dredha çante mespërmes këtë natyrë të bukur, duke krijuar luginën përmetare. Në të dy anët e lumit fusha e fshatra, njëri më i bukur se tjetri, të gjithë mbuluar nga jeshillëku. Pyje, male pa fund dhe mbi to shkëlqente Frashëri, ku lindën apostujt e kulturës, kapedanët e rilindjes dhe kalorësit e atdhetarisë;,Abduli, Naimi dhe Samiu. Bredhi i Hotovës një mrekulli natyrore. Në këtë ambient me natyrë magjepsëse, të binin në sy dy objekte të lashta: Guri i Petranit dhe ai i Qytetit.  Ditën e formimit, fusha ishte e mbipopulluar dhe nuk kish gëzim të madh, që, nëpërmjet duartrokitjeve, hedhjeve të luleve, parullave, priste me gëzim partizanët, sepse krijimi i brigadës rriste shpresat për çlirimin e vendit. Kuadrot udhëheqës u emëruan ata që ishin dalluar në betejat e përgjakshme. Komandant Brigade Tahir Kadareja, komisar Mustafa Matoiti, zv/komandant Jaho Gjoliku, zv/komisar Haki Toska. Komandant batalionesh: Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili dhe Feti Bubësi. Mirëpo, populli nuk e pa krijimin, ndaj organizimi i Br6S ka veçori dhe ndryshon nga brigadat e tjera, që u krijuan në mënyrë normale e ceremoniale. Nuk e la pushtuesi me ballistët, mercenarët dhe tradhtarët e vendit. Ajo u krijua, por në luftë e sipër, që vazhdoi 6 dit pa ndërprerje.

Më 26 Janar në mëngjes, ditën kur do të krijohej brigada, situata ndryshoi. Një ditë para, gjermanët nisën nga Berati grupin “verior”, regjimentin e 54 të blinduara në Tepelenë dhe kishin mbërritur në Këlcyrë. Grupi “jugor”, i nisur nga Janina, po i afrohej Petranit, nga Korça nisën grupi “lindor”, me avionë kontrollonin dhe mitralonin zonën. Situatë kritike. Rrezikohej brigada, spitali dhe populli që ndodhej në lëvizje. Komanda e brigadës studioi, vlerësoi situatën dhe mori vendim: Me shpejtësi të kapnin e mbanin rajonin: Guri i Kosinës, Guri i Petranit, qafa e Hajdinit (Mali i Kutalit). Detyra: të ndalonin armikun, ti shkaktonin dëme në njerëz e teknikë, ti siguronin rrugën e lëvizjes spitalit, popullit dhe në luftë e sipër të organizohej. Menjëherë filloi lëvizja dhe në ecje u vunë detyrat luftarake. Të gjithë batalionet kapën lartësitë në të djathtë të lumit Vjosa. Organizimi ishte shembullor. Pararoja u fut në pritë, lugina mori flakë e pas gjashtë ditë luftimesh të ashpra, të përgjakshme, trup me trup, i shkaktoi 49 të vrarë, 32 të plagosur, dy autoblinda të shkatërruar dhe dhjetëra pushkë e municione të kapura. Nga brigada ranë, për të mos vdekur kurrë, tetë partizanë. Që në betejën e pare, e pa u organizuar mirë, Brigade e Gjashtë u përgjak, u pakësua në luftime, por edhe u inaugurua me fitore. Dimë se betejat e mëdha ndodhin, organizohen dhe zhvillohen për probleme të mëdha. Aty në Luginën e Përmetit, me brigadën akoma të pa krijuar, nga kuadrot dhe partizanët, u organizua dhe u zhvillua një betejë e madhe. Kështu do ta fillonte, ashpër, zjarr për zjarr, trup me trup, thikë më thikë, bajonetë më bajonetë, luginë më luginë, shteg më shteg, mal më mal, fshat më fshat dhe qytet më qytet, duke u përplasur me armikun në Përmet, në të gjithë vendin, me luftime të ashpra të pa prera, vdekjeprurëse, pastaj edhe jashtë kufijve shtetërorë, deri në Vishegrad të Jugosllavisë, por me fitore.

Veprimet luftarake të saj në jug të vendit do të përfshinin zonat: Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Mallakastër, Patos dhe Skrapar. Ajo përballoi me sukses disa operacione: të Dimrit, “Magjinë e Pranverës”,“Nepërkën”, “Goja eUjkut” dhe të Qershorit, zhvilloi mbi 89 luftime, tetë beteja, shtatë prita, katër çarje rrethimesh dhe qindra goditje të shkurtra, por luftimet më të ashpra që ja ngritën lart e më lart autoritetin, prestigjin dhe namin e mirë në popullit, atdhe dhe te aleatët, përveç Përmetit, ishte beteja në Lunxhëri, ku u ngrit kënga: Në Qesarat, mu në breg / bajonet’ më bajonet’ / o lufta në Lunxhëri / do ngelesh në histori…. Në Mavrovë – Brataj – Kuç, Partizanët e rënë u përjetuar në këngën: Nëna ju kish rritur për një botë të re /Lule more trima që rat’ për atdhe…dhe “Rrahostrati si Bezhani / e godet me top gjermani/por nuk tundet partizani…”. E treta, beteja e Marglliçit, e cila zgjati tetë orë rresht. Nga brigada ranë 13 dëshmorë, midis tyre komisari i Brigadës, trimi i orëve të para dhe oratori i Labërisë, Heroi i Popullit, Mustafa Matoiti. Të gjithë heronjve, dëshmorëve, ju ngritën këngë, ndërsa komisarit: – “…Bilbil Matoiti, që s’të shoh me sy…” dheme mall shokët të mbuluan/blerim toke të ngarkuan/zemra ju pikonte gjak/për ty do të marrim hak …!

Në operacionin e Dimrit i shkaktoi armikut 397 të vrarë, 475 të plagosur, 628 robër; 3 autoblinda, 3 autoblinda, 5 automjete, kapi 1 top, 7 mortaja, 283 mitraloza, sasi të shumta pushke, automatikë, municione, ushqime dhe veshmbathje. Në operacionet “Magjia e Pranverës, Nepërkës dhe Gryka e ujkut”, 302 ushtarë dhe oficerë, me qindra të plagosur dhe 67 robër. Në operacionin e Qershorit: 107 të vrarë, 124 robër, më shumë se 120 të plagosur, një autoblindë, 4 makina, 1 motoçikletë, 15 kafshë ngarkese, dhe mjaft pushkë, automatikë, mitraloza, municione dhe materiale prapavije”. Aq të mëdha ishin humbjet, sa komanda gjermane, e zëvendësoi komandantin e korparmatës 21, Feh, me gjeneralin Leiser. Për luftimet e ashpra në Kurvelesh, komandanti i Korparmatës së Janinës i raportonte qendrës: “… në rajonin e Malit të Bardhë, Shënvasi, Shushicë, zhvillohen luftime të ashpra…” Këto arritje, treguan se Brigada e Gjashtë ishte e pathyeshme, merrte çdo objekt, qofshin këta edhe të fortifikuar siç qe Mavrova dhe Marglliçi. Në Tomor dhe për herë të parë pas Përmetit u bashkua dhe bëri betimin para popullit dhe atdheut. Aty, komandant do emërohej, besnikun deri në vdekje i popullit e atdheut, plaku trim, Jaho Gjoliku. Në qoftë se nga Operacioni i Dimrit doli e fortë në përballimin e luftimeve dhe vështirësive të motit, në pranverë e bashkë më simotrat e saj, bëri ekuilibrimin e forcave dhe shtoi efektivin, ndërsa pas Operacionit të Qershorit, e gatshme për të kaluar në kundërmësymje të përgjithshme. Br6S edhe në kuadrin e përgjithshëm të UNÇ, ishte njësia që futej për të luftuar në vendet dhe betejat më të forta dhe përballonte forcën goditëse kryesore të armikut. Përdorej nga Shtabi i Përgjithshëm për të rimarrë pozitat e humbura, ku simotrat ishin tërhequr. Për aftësitë e saj, i bindur edhe komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, ndaj dhe për ti treguar armikut, forcën e pathyeshme te UNÇ, në vendet më të rrezikshme, fuste Brigadën e çeçove të Labërisë. Është e vetmja brigadë që i ra atdheut mespërmes. Në krahinat, fshatrat, qytetet ku kaloi, fitoi dashurinë, respektin e simpatinë e popullit, i cili u hapi shtëpitë për ushqim, strehim, u dha zëmër, zjarr, besim e vendosmëri për ta luftuar dhe ndjekur këmbë për këmbë, në mënyrë që armiku të mos gjente kurrë qetësi. Dhe Brigada i kreu me sukses të gjitha detyrat në Elbasan, Tiranë, Burrel, Mirditë, Dibër, Pukë, Tropojë dhe Shkodër. Të ashpra ishin luftimet edhe në Shqipërinë e mesme dhe të veriut, por dhe sidomos beteja e Labinotit dhe në Shënpalit, Mirditë ku ju ngrit këngë borizanit të vrarë: O Naun o lule djalë, borizan mbi borizanë / ish tetori më të dalë, të mori plumbi në ballë / por ti s’vdiqe je i gjallë, borizan mbi burizanë… Në një përpjekje të beftë në Qafëthanë të Dukagjinit, ra djali më i ri, “Heroi i Popullit”, Çelo Sinani.. Akti heroik u përjetua në këngën: “Çeloja një djalë i ri / buzëqeshjen në liri / ja preu një plumb i zi…” dhe doli në veri të Shkodrës.

Për çlirimin e Shkodrës, u angazhuan 2 divizione, 5 brigada, 22 batalione, grupi i Shkodrës, njësitet guerile dhe populli. Atje, përveç gjermanëve, mbledhur dhe forcat e reaksionit, ndaj qëndresa ishte e madhe dhe e ashpër. Luftimet vazhduan disa dit e net. Forcat armike, pësuan humbje të rënda në njerëz, armatim dhe teknikë, lanë depo të tëra me ushqime e veshmbathje. Në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944, hodhën në erë Urrën e Baçallëkut, bënë terror duke vrarë 23 veta në shkollën “Skënderbe” dhe me ngut, filluan tërheqjen. Edhe gjatë tërheqjes, hodhën në erë të gjitha urat që të çojnë në Hani i Hotit. Aq të egërsuar ishin sa kur u bënin xhiro makinat, nuk vinin zhavorr dhe drurë, por trupat e njerëzve të vrarë! Shkodra u çlirua, por ranë 110 dëshmorë. Në këtë kohë brigada përparoi duke e goditur nga Kopliku deri në Han të Hotit. Ecnin kolonat armike, por zjarri therës i Br6S nuk ju nda. Me zjarr e shoqëronte dhe me zjarr e përcolli, deri sa kaloi kufirin nazisti i fundit.

Dita e çlirimit festohej në Shkodër, por Br6S e festoi në Han të Hotit. Gëzonin ditën që solli e vulosi lirinë. Këndonin partizanët, por sytë i kishin nga Komandant Jahoja, i cili, që kur ju vranë dy djemtë, nuk kish kërcyer. Ish dita e çlirimit ndaj, la mënjanë dhimbjet dhe u ngrit i pari. Atje në kufi, në ditën e shënuar të 29 Nëntorit, bashkë me partizanët e partizanet trima, hoqi vallen e kaçakut. Gëzimi kish arritur kulmin. Partizanët, i propozuan të ktheheshin, të shikonin Shkodrën dhe të festonin bashkë me popullin. Komandanti u thotë: “Do ta shohim Shkodrën, por kur të kthehemi. Më parë duhet ndjekur dhe goditur armiku. Është urdhri i komandant Enverit, ndaj pas meje, përpara”. Betejën e parë jashtë kufijve, brigada e dha në kalanë Ilire të Medunit, pastaj në Tuz, Verushë, por më e vështira, e ashpra dhe më e përgjakshmja ishte majë maleve, në Ljeva – Rjeka. Qëndruam disa ditë në Verushë dhe i habiti pritja e popullit. Dëgjuar për luftimet e brigadës, sukseset e sakrificat, qëndrimin, karakterin, rezistencën, përgatitjen luftarake, këngët që këndonim, ndaj i prisnin me krahë hapur e shpreheshin: “Kishim dëgjuar që partizanët janë të mirë por ju, partizanët shqiptarë, qenkeni më të mirë se partizanët”.

Momenti prekës ndodhi në Verushë, në përcjelljen e partizanëve të rënë. Komandant  Jaho, me dhimbje në zemër, afrohet e shikon me radhë të vrarët, që i kishin vendosur me fytyrë nga jugu, për të “parë” për të fundit herë atdheun. Mundohet të mbajë lotin, po zemra i regëtin, buzët dridhen… Me hap të ngadalte kalon tek secili… Dora e tij luftarake ju prek trupi, ballin, flokët… Ju përmend emrat, ju tregon bëmat…drithërimat përshkojnë partizanët, që mbahen dhe do mbahen për tu marrë hakun. I puth dhe i ledhaton… Pastaj kthehet nga shokët dhe thotë: Si mund të ndahesh nga ata, që shtien në dhe me himn dhe krisma pushke? Si mund të veçohen nga ideali, ata, që bien me fjalën diell në buzë? Në këtë kohë oshtiu Verusha nga thirrja partizane: “do tu marrim hakun!”. Dhe, në bashkëveprim me brigadat e tjera, më 14 Shkurt 1945 u çlirua Vishegradi. Në jug të qytetit ishin disa kodra të bukura të Driskos, që u përjetuan në këngë: “Në Drisko në Vishegrad / Po lufton Brigad’ e Gjasht’…ose: Vishogradi maja-maja, gjaku shkon lum’ e rrëke/ pesëqind e ca gjermanë, mbetur shtrirë në xhade… dhe: Lule moj brigadë e Gjashtë / vetëtimë nëpër natë…

Në këtë luftë për jetë a vdekje, ranë në lulen e rinisë 28.000 mijë dëshmorë. Djem dhe vajza; shumë sakrifikuan pjesë nga trupi i tyre, u derdh gjaku lumë dhe jo për vete, por për lirinë e popullit dhe të atdheut. Mijëra familje dhe prindër pritnin djemtë dhe vajzat për ti martuar, por morën mandatën dhe nënat veshën shamitë e zeza, fëmijët prisnin baballarët për ti përkëdhelur e gëzuar, por ngelën jetimë, disa vdiqën në barkun e nënës nga bajonetat naziste etj. Dhe kur kujton këto tmerre që hoqi populli, sakrificat që bëri për të sjellë lirinë, ndërkohë shkatërrimin total që pësoi atdheu, nuk ka se si të të mos të vijë keq, të mos ofendohesh e revoltohesh nga disa politikanë të djathtë, të arsimuar por pa kulturë, që nuk njohin ditën e çlirimit dhe përpiqen ta denigrojnë LANÇ, ndërkohë kërkojnë të ngrenë të vdekurit, bashkëpunëtorët e nazifashistëve, që do thotë nazifashistët shqiptarë, duke u kundërvënë vullnetit të popullit dhe koalicionit fitimtar. Ta kuptojë edhe politikani i arsimuar, po të ngelej vendi në dorën e ballit (parisë), nuk do kishte më Shqipëri. Siç ka ndodhur pas çdo lufte. Do copëtohej nga fituesit! LANÇ e shpëtoi vendin nga kjo katastrofë. Kush nuk e kupton këtë, është injorant, i blerë shqiptar, mercenar dhe i shitur.

Rruga luftarake e Br6S. është e suksesshme, e shkëlqyer, e lavdishme dhe heroike. Përshkoi një itinerar prej 3500 km, i shkaktoi armikut mbi 3500 të vrarë, 1497 robër dhe shumë të plagosur; i kapi mijëra pushkë e automatikë, qindra mitraloza, topa e mortaja dhe me shumicë municione, ushqime e veshmbathje. Brenda vendit shkeli 10 prefektura, 32 krahina, çliroi 8 qytete e i dha atdheut 220 dëshmorë, nga këta 53 jashtë kufijve, 10 heronj, 2 prej të cilëve jetojnë. Nga 110 vajza pjesëmarrëse në brigadë, 10 janë dëshmore, tre heroina të Popullit. Në Luftën e Dytë botërore morën pjesë 60 vende dhe nga nazizmi gjerman u varrën në litar 6 femra, 4 ishin shqiptare. Nga këto, 3 ishin të Br6S. Ish ky aktivitet i suksesshëm, i rëndësishëm, madhor në interes të kombit, atdheut, shteteve fqinje dhe koalicionit, ndaj u nderua me dekoratën më të lartë “Hero Populli”. U ngritën himne, këngët, janë shkruar vjersha, poema etj. Është e vetmja brigadë për të cilën është ngritur epope me titull: “Vij nga Vjosa, më pret Buna”: Brigada që tundi dhenë / në popull ngriti folenë / atje jataku dhe shpirti/ndaj lavdinë lart e ngriti… Për kombin, tokën e lashtë / Grusht çelik Brigada e gjashtë/në beteja, fushë dhe mal/ngriti flamurin shqiptar… Dil nëno dhe shiko jashtë/si lufton Brigada e gjashtë… Trimat tanë të Shqipërisë/sollën dritën e lirisë / në këtë tokë plumb të rëndë/me mençuri, pushkë dhe këngë…