Sigal

Abaz Hoxha

Këtë lloj Shqipërie që propagandoni çdo ditë në takimet tuaja me militantët që edhe i ofendoni dhe i vini në lojë, nuk e duam. Kjo është Shqipëria e juaj e propagandës dhe e gënjeshtrës dhe mashtrimit mbasi çdo gjë që thuhet aty ështe një mashtrim dhe demagogji mbasi në jetë është një Shqipëri tjetër, krejtësisht e kundërta e asaj që ju propagandoni. Flisni vazhdimisht për aplikimet on line, për aplikimet në një sportel të vetëm, për problemet që do tu zgjidhen qytetarëve brënda 8 ose dhjetë ditëve, për masat e ashpëra që do merren kundër nëpunësve që sorollatin qytetarët të cilët për këto sorollatje jo vetëm që do lënë vendin e punës por edhe do kalojnë në procedime penale. Keni krijuar edhe një portal elektronik të quajtur Shqipëria që duam.al i cili simbas jush ka lidhje me bashkëbisedim me qytetarët dhe se nëpërmjet tij problemet do zgjidhen shpejt dhe nuk do sorollaten qytetarët. Keni marrë edhe disa masa për sy e faqe për peshqit e vegjël që sorollatin qytetarët. Por në praktikë si veprohet jashtë kësaj demagogjie të kulluar që don të tregojë se juve ju digjet zemra për qytetarët dhe jeni ju që i doni ata. Ky portal në thelbin e tij tregon se nuk ekziston shteti, se nuk ka nëpunës që u shërbejnë qytetarëve, që aparati shtetëror është inegzistent dhe jo vetëm nuk merren me zgjidhjen e halleve të qytetarëve të cilët i paguajnë por i sorollatin ata me muaj e me vite, u marrin shpirtin, u përvetësojnë pronat, i fusin në konflikte me njëri tjetrin dhe u shkurtojnë jetën. Dhe siç e vërtetoni dhe ju vetë duke mos patur besim te ky aparat shtetëror që nuk funksionon do ja u zgjidhni ju vetë problemet që qëndroni pas këtij portali. Kjo tregon njëkohësisht se tek ne është vendosur një sistem diktatorial ku sundon njëshi, është ai që duhet të kontrollojë cdo gjë që ndodh, është ai që kontrollon të gjithë dhe fut edhe frikën tek aparatcikët. Ky njëshi që u don të mirën popullit dhe taksapaguesve shqiptarë jeni ju prandaj duhet ti keni të gjithë në zap. Ç’farë është ky shtet kur nuk funksionon në hallkat e tij më elementare, kur askush nuk përgjigjet për ankesat dhe kërkesat e qytetarëve. A e dini zoti Kryeministër që sot është eliminuar plotësisht pritja e popullit nga drejtuesit e niveleve të ndryshme që nga kryetari i Bashkisë, zv/ministrat, drejtorët e drejtorive e le pastaj ministrat që nuk kanë të afishuar pritjen e popullit. Si është e mundur që të bësh një kërkesë për takim, jo vetëm që nuk denjojnë drejtorat, zv/ministrat e ministrat por të marrin në pyetje gjysëm ore sekretaret sikur je para gjyqit dhe përfundimisht të thonë se duhet që kërkesën ta bësh nëpërmjet adresave te internetit. A e dini zoti Kryeministër se kërkesat e qytetarëve nuk regjistrohen askund dhe nuk dihet kane vajtur ose jo në destinacion? Kemi kritikuar shumë sistemin e kaluar por duhet thënë se atëhere mbi derën e kuadrove kryesorë të dikastereve ishte e shkruar kur ishte pritja e popullit dhe kishte një korektesë në pritje deri tek ministri. A e dini zoti Kryeministër se të jepnin përgjigje brënda një afati dhe të kërkonin falje nëqoftëse kishin kaluar ato afate. Unë kam një përvojë disavjeçare. Iu drejtova kryeministrit të kohës për një problem dhe përgjigja u vonua 15 ditë, mbas 15 ditëve më thirrën dhe bashkë me drejtorin e marrdhënien me publikun shkuam bashkarisht tek ministria e Arsimit dhe atje para se të lexohej kërkesa ime më kërkuan falje për arsyet pse ishte vonuar. Po bëjmë demagogji zoti Rama, po ecim mbrapa, aparati shtetëror nuk ekziston. Të kërkosh një takim të bën gjyqin më parë sekretarja duke kërkuar të ja thuash asaj fill e për pe të gjithë problemin dhe përfundimisht të thotë që bëje me shkrim ose nëpërmjet internetit që nuk të përgjigjen kurrë. Këto që po të shkruaj i kam provuar disa herë vetë dhe për të qënë më korrekt jo vetëm gjatë kohës që e keni ju pushtetin por edhe te paraardhësit.

Por le të futemi më konkretisht nga përvoja ime personale vetëm  këto 5 vjetët e fundit

Si historian dhe studjues arti desha të ngrija një Institut Mbarëkombëtar të Informacionit për Artet dhe për këtë bëra nje kërkesë dhe bleva nje truall në Tiranë që në vitin 1992. Plotësova të gjitha dokumentacionet, projektet, preventivat e tj e regjistrova që në vitin 1992 në hipotekë. Kërkova lejen e ndërtimit, më sorollatën 3 vjet me pretekste të ndryshme dhe nuk më jepnin leje. Hodha në gjyq Bashkinë dhe çuditërisht mbas 7 seancash që nuk u paraqit asnjëherë përfaqësonjësi I Bashkisë, gjykata/ e pa korruptuar!!!/ e nxori jashtë juridiksionit si çështje administrative ndonëse unë pikërisht për administratën ankohesha. Një arkitekt I ndërgjegjeshëm në Bashki më tha në koridor: “Zotni! Ti I ke dokumentat të plota dhe të sakta si askush tjetër por nuk duan të ta japin se duan ta marrin për vete”. Dhe praktikisht kështu ndodhi. Në vitin 1997 kur unë sapo u ktheva nga jashtë shtetit ku kisha siguruar edhe fonde për këtë institucion, pashë se në truallin t’im kishin filluar punimet. U ankova në Bashki , u paraqita dokumentet e pronësisë dhe kërkova të ndërpriteshin punimet, por ato vazhdonin.Më në fund më thanë të drejtohesha në polici se ata i kishin dokumentat. Vajta në polici kërkova takim me komisarin dhe më dërgoi në sportel një kapadai që i hipur mbi tavolinën e oficerit të rojes më tha:  ‘Ç’farë trualli don ti or xhajë, ik se do hash një grykë automatiku dhe do përfundosh në kanal: dhe nuk mjaftoi me kaq por më dërgoi edhe një njeri nga prapa duke më kërcënuar. Kur mora vesh kush e ndërtoi një ndërtesë mbi truallin t’im pa leje kërkova të bisedoja me të /1998/ mbas disa hezitimesh më në fund ai pranoi të bisedonim I dhashë gjithë dokumentat e pronësisë dhe caktuam një datë kur do takoheshim mbasi të kishte vërtetuar pronësinë time mbi truallin. Ai jo vetëm që nuk erdhi por edhe më kërcënoi dhe ofendoi rëndë edhe bashkëshorten time të moshuar dhe më nisi badigardët. I bëra disa herë thirrje të merreshim vesh si intelektualë por ai gjatë kësaj kohe bëri manovrime me miqtë e tij, duke mashtruar dhe e hodhi  mbi vete truallin t’im ndërsa 18 vjet më vonë miqtë e tij të Aluiznit ja legalizuan si një ndërtim informal ndërsa mua më dhanë përgjigje se trualli im ka mbivendosje. Absurde! Unë e kisha të regjistruar në hipotekë që në vitin 1992 ndërsa atij ju legalizua në vitin 2010 dhe unë e kisha mbivendosur!!!! Pra ky është një abuzim I pastër I hipotekës që duke e pasur dokumentin për pronësinë e truallit ja legalizoi atij 18 vjet më vonë. Ç’farë nuk bëra, kujt nuk iu drejtova, që nga Policisë ndërtimorë, policisë së shtetit, ministrave të drejtësisë etj. Kur kam shkuar në hipotekë dhe shikojnë dokumentat më thonë verbalisht se ky truall duhet të të paguhet ndërsa me shkrim nuk e përmendin fare emrin t’im por thonë emrin e uzurpatorit. Ti lëmë sorollotjet e para se të merrnit ju pushteti, Ti referohemi kësaj periudhe. I jam drejtuar disa herë brënda 5 vjetëve drejtorit të përgjithëm të Aluiznit zotit Artan Lame, me internet, postë të zakonëshme dhe kam kërkuar edhe takim nëpërmjet sekretares së tij. Nuk më jep asnjë përgjigje/ 5 vjet!!!!! Dhe jo 10 ditë që ju pretendoni/. Kjo nuk është thjeshtë mungesë përgjgjësie shtetërore por është tallje dhe këtë e bën me mua që jam një personalitet në fushën time si i vetmi studjues dhe historian i kinematografisë një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, themelues, organizator dhe drejtues për 17 vjet të Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit, autor i 23 librave për kinematografinë shqipëtare e botërore, pedagog për shumë vite i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të filmit e multimedias, anëtar i redaksisë së Arteve dhe arkitekturës për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Kombëtar të Akademisë së Shkencave, veteran i  Luftës Antifashiste etj. Po me njerëzit më të thjeshtë ç’farë bëjnë këta kapadai që e kanë marrë karriken për ti shërbyer vetvetes dhe na bëjnë demagogji për ditë në emisionet e ndryshme televizive. Ç’farë i kam kërkuar zotit Lame. Thjesht të veprohet edhe me rastin tim si në rastin e ndërtimeve informale të disa dhjetramijve të cilëve po u legalizohen ndërtimet e tyre dhe pronarëve ose shtetit i paguhet trualli I zënë pa leje. Ku janë dhjetë ditët e përgjigjes që ju pretendoni zoti Kryeministër. Po për zotin Lame nuk do merrni ndonjë masë administrative ose proçedim siç pretendoni për të tjerët?

Të shkojmë më tej. Për këtë çështje dhe një problem tjetër që po sorollatet përsëri 24 vjet i jam drejtuar zonjës ministre Etilda Gjonaj që në 16 prill 2018, pra tre muaj e gjysëm, asnjë përgjigje. Kërkesën e bëra fillimisht në rrugë elektronike duke e shoqëruar me 27 fletë dokumente. Më thanë që ose ti drejtohem portalit “Shqipëriaqëduam.al”  ose nëpërmjet postët së zakonëshme. Ja u dërgova me postë të zakonëshme. Prita gjatë, jo dhjetë ditë dhe kërkova të më përgjigjeshin. Mu përgjgijën përsëri që duhet ta bëj nëpërmjet postës. I sqarova se aty e keni shikoni dokumentat. Më në fund para një muaji më thanë se ankesën time ja kanë dërguar portalit “Shqipëriaqëduam.al” dhe ata do më japin përgjgje. Edhe unë personalisht i jam drejtuar portalit tuaj “Shqipëria që duam.al”.Ende sot pas tre muaj e gjysëm nuk kam asnjë përgjigje-dhe jo 10 ditë siç pretendoni ju!!!! Po për këtë ministren e drejtësisë dhe aparatin e saj do merret ndonjë masë administrative ose ligjore që po më sorollat?. Çuditërisht përgjigjet e ministrisë më vinë nga një person pa emër. Përse nuk e vë poshtë emrin ta di edhe unë se kush e dërgon. Përveç të tjerave a nuk është kjo sorollatje- unë ja dërgoj ankesën ministres që ka në vartësi si Aluiznin ashtu edhe ATP ndërsa ata më thonë se ja kemi dërguar portalit Shqipëria që duam- dhe pastaj sigurisht ky portal do ja dërgojë përsëri ministrisë që duhet ta trajtojë?!!!!!

Të shkojmë më tej. Kam bërë kërkesë që në vitin 1994 për kthimin e pronave të babait t’im Tahir Hoxha të sekuestruara nga regjimi i kaluar në fshatin Tragjas të Vlorës. Ti lëmë peripecitë e regjimit para jush. Dokumentet e pronësisë janë të trashëguara nga stërgjyshi dhe të transkriptuara në emërin e babait tim dhe janë të sakta në Arkivin Qëndror të Shtetit. Kopjet e Arkivit I ka marrë paralelisht edhe Agjensia e Trajtimit të Pronave. Nga viti 2013 kemi bërë procesverbalin përfundimtar me sektorin përkatës të shoqëruar me vendet dhe hartat përkatëse digitale simbas kërkesave të ATP. Disa herë I jam drejtuar zonjës Sonila Qato/ sot ministre/ dhe vartësve të saj si nëpërmjet postës elektronike ashtu edhe kam shkuar disa herë personalisht. Përsëri sorollatje me pretekste banale duke thënë se janë në shqyrtim ndonëse e pranojnë se që në vitin 2013 janë bërë të gjitha procedurat dhe është sqaruar çdo gjë. Nuk ka asgjë për të sqaruar, këto skjarime janë bërë që në vitin 2008 kur ne I kemi paraqitur dokumentat dhe hartat përkatëse në emër të babait tonë dhe të xhaxhait me të cilin kemi qënë të pandarë. Por çuditërisht ndërsa që në vitin 2008 trashëgimtarët e xhaxhait bënë kërkesë më vete dhe nga hartat e përbashkëta u ndanë pjesa që u takonte atyre dhe ju njohën jo për 24 vjet por brënda tre muajve/ shtator 2018/. Si është e mundur që hartat janë ndarë përgjysmë dhe atyre u janë dhënë brënda tre muajve ndërsa neve ende sot  duhen të shqyrtohen. Por trashëgimtarët e xhaxhait kishin mbështetje politike dhe nivel ekonomik dhe unë nuk I kam këto mbështetje. Shikoni hartat poshtë si janë paraqitur të përbashkëta me xhaxhain dhe pasi atyre u janë ndarë gjysma. Ç’farë ka këtu ende për të shqyrtuar qe na thonë vazhdimisht janë në shqyrtim? Ato janë shqyrtuar që në vitin 2008 kur u shkëput gjysma.

Pse tallen me neve. Përveç të tjerave tek ATP ka një kaos dhe sa herë ndërrohet personali të japin përgjigje të ndryshme dhe pa përgjgjësi siç është rasti Zonjës Kosova që mbas kërkesës sime dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit më jep një përgjigje që s’ka të bëjë fare me process-verbalin që kemi hartuar bashkarisht që në vitin 2013 me juristen e ATP zonjën Violeta Kashuri. Po për këto vonesa sorollatje, shkatërrim nervash për një periudhë 24 vjeçare, kush përgjigjet. A duhet të përgjgjet zonja Qato dhe vartësit e saj? Nuk flitet për 10 ditë por për 5 vjet sorollatje kur çdo gjë është sqaruar që në vitin 2008 kur gjysma e tokave ju legalizuan trashëgimtarëve të xhaxhait tonë. Sa do presim zoti kryeministër, unë jam 88 vjeç, pothuajse të gjithë trashëgimtarët e tjerë nuk egzistojnë më. Kjo është ajo Shqipëria që duam që ju na e propagandoni çdo ditë sa që i kemi mësuar përmendësh fjalët tuaja. Prandaj lëreni demagogjinë dhe vini dorë mbi administratën. Mos shikoni vetëm peshqit e vegjël por në radhë të parë peshqit e mëdhenj, se peshku qelbet nga koka dhe jo nga bishti