Kastritot Bezati: Përmenti ka kontribute të larta historike gjatë LANÇ. Në Spanjë luftuan 3 adhetarë

1372
Sigal

-Në Spanjë luftuan së bashku me 35000 vullnetarë të ardhur nga 53 vende të botës dhe 3 atdhetarë nga Dëshnica e Përmetit

– Musa Fratari, Daut Muço Potgorani dhe Sabri Lumani, luftuan në Spanjë ku dy të parët dhanë edhe jetën më 1938: Musai në betejën e Ebros dhe Dauti në frontin e Madridit

– Përmeti u pushtua ushtarakisht nga fashistët e Romës, më 11 prill 1939 nga trupat e kolonel Karazit

Përmeti ka kontribute të larta historike për çlirimin e Shqipërisë

– Qyteti i Përmetit qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë, u çlirua, më 13 shtator 1943

Protesta ndaj pushtimit u shpreh në grevën e 26 marsit 1940, zhvilluar në shoqërinë italiane “Puriçeli” në asfaltimin e rrugës Këlcyrë – Përmet

Më 6 dhjetor 1940 ushtritë greke, duke zbritur nga Dhëmbeli, pushtuan Përmetin, ndërsa më 10 janar pushtuan Këlcyrën

Më 11 tetor 1942, vendlindja e Vëllzërve Frashëri çlirohet nga çeta partizane e Skraparit, e drejtuar nga komisari Ramiz Aranitasi,

Më 27 nëntor 1942 goditet garnizoni fashist italian në qytetin e Përmetit nga çeta partizane e Skraparit

Në hapësirën e viteve 1939 – 1943, midis përfaqësuesve të PKSH dhe të Ballit, u bënë kontakte, u zhvilluan biseda, por nuk u arrit bashkëpunimi,

Kastriot Bezati-historian

Lufta II Botërore përbën konfliktin më të madh në histori. U zhvillua në 2077 ditë dhe u përfshinë në konflikt 61 shtete me 80% të popullsisë së globit. Filloi më 1 shtator 1939, ditë e premte, kur nisën bombardimet e para të nazistëve gjermanë mbi qytetin e vogël të Vielumit dhe, 10 minuta pas këtij sulmi, në orën 4 e dyzet e shtatë minuta anija gjerman “Schleswig Holstein” qëlloi mbi depon e armëve në gadishullin Westerplatte të Polonisë. Përfundoi më 9 maj 1945. Shqipëria u pushtua dhe e filloi luftën antifashiste më 7 prill 1939, ditë e premte, 146 ditë më parë se të pushtohej Polonia. U radhit anëtare në Aleancën e Madhe Antifashiste: Angli, BS dhe SHBA. Në hapësirën e viteve 1939 – 1944 në luftë me fashistët italianë e nazistët gjermanë u radhitën 70 000 luftëtarë në radhët e UNÇSH, u krijuan 54 batalione, 14 grupe, 24 brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata të UNÇSH. “Desh perëndia, dolën në shesh partizanët … dhe jo vetëm nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por edhe e vunë në radhën e të gjallëve, pranë shteteve aleate”, – shkruante Fan Noli në gazetën “Dielli” të Bostonit më 26 mars 1947. Shqipëria i dha Luftës së Madhe 28000 dëshmorë, nga të cilët mbi 1642 u masakruan në kampet e shfarosjes të ngritura nga nazifashistët në Evropë. Përmeti u bë një nga vatrat e fuqishme të luftës për çlirimin e Shqipërisë. Midis vullnetarëve shqiptarë që shkuan në Spanjë dhe luftuan së bashku me 35000 vullnetarë të ardhur nga 53 vende të botës, në radhët e Brigadave Ndërkombëtare kundër fashizmit të Frankos, Hitlerit e Musolinit, ishin edhe 3 atdhetarë nga Dëshnica e Përmetit: Musa Fratari, Daut Muço Potgorani dhe Sabri Lumani, nga të cilët dy të parët dhanë edhe jetën më 1938: Musai në betejën e Ebros dhe Dauti në frontin e Madridit. Përmeti u pushtua ushtarakisht nga fashistët e Romës më 11 prill 1939 nga trupat e kolonel Karazit, të cilat 5 ditë më parë, më 7 prill, kishin pushtuar Sarandën.

Rezistenca antifashiste në vitet 1939 – 1942

Në tre vitet e para të këtij pushtimi, nga prilli i 1939-s deri në prillin e 1942-shit, rezistenca antifashiste u shpreh në fillim nëpërmjet demonstratës së 7 prillit të përmetarëve të drejtuar nga Shoqëria “Leka i Madh” dhe qëndrimit antifashist të 11 prillit të qytetarëve dhe fshatarëve të Përmetit, së dyti, ajo u shpreh me qëndrimin përbuzës dhe urrejtjen që mbanin si fshatarët ashtu dhe qytetarët e kësaj treve ndaj autoriteteve fashiste jo vetëm italiane, por edhe autoriteteve profashiste shqiptare dhe, së treti, urrejtja antifashiste u shpreh me kërkesa ekonomike dhe ngjarja më e rëndësishme me këtë objekt ishte greva e 26 marsit 1940 zhvilluar në shoqërinë italiane “Puriçeli” në asfaltimin e rrugës Këlcyrë – Përmet. Duke raportuar mbi këtë ngjarje, federali i Gjirokastrës, sipas librit të Bandinos “Una Guerra assurda” njoftonte se “të tilla raste … janë përsëritur edhe tjetër herë në atë vend dhe se për të vendosur “rendin dhe qetësinë” shkuan repartet e karabinierisë”, – njoftonte federali i Gjirokastrës.                        Në hapësirën kohore të luftës italo – greke, 28 tetor 1940 – 4 prill 1941, u vështirësua tej mase situata politike, ushtarake dhe ekonomike në trevën e Përmetit. Më 6 dhjetor 1940 ushtritë greke, duke zbritur nga Dhëmbeli, pushtuan Përmetin, ndërsa më 10 janar pushtuan Këlcyrën. Nga luftimet e ashpra greko-italiane treva e Përmetit pati njerëz të vrarë, shtëpi të djegura dhe ekonomia u shkatërrua. Komanda greke ndaloi flamurin shqiptar dhe hoqi gjuhën shqiptare nga administrata. Shefat e ushtrisë greke, sipas udhëzimeve të Athinës, u përpoqën të vinin në jetë planet antishqiptare për aneksimin e trevës së Përmetit nga Greqia. Autoritet italiane të pushtimit nga Gjirokastra i raportonin Qendrës: “Përmeti, qyteti dhe fshatrat, janë prishur tërësisht nga gjylet dhe bombat dhe popullsitë që kanë mbetur ose janë duke u kthyer, janë duke e filluar jetën nëpër kasolle dhe shtëpi të rrëzuara duke u ushqyer me lakra e rrënjë bime”, – thuhet në një nga shkresat që vetë autoritetet italiane të pushtimit nga Gjirokastra i drejtuan qendrës së tyre në Tiranë.

Çlirimi nga pushtuesit i krahinave malore të Përmetit, 1942 – 1943

Më 11 tetor 1942 çlirohet nga çeta partizane e Skraparit, e drejtuar nga komisari Ramiz Aranitasi, si dhe nga forcat territoriale të Dangëllisë vendlindja e Vëllezërve Frashëri dhe e gjithë Dangëllia. Të nesërmen, më 12 tetor, nga frika e sulmit të partizanëve, largohet post-komanda nga Hotova dhe çlirohet Ceria.        Më 27 nëntor 1942 goditet garnizoni fashist Italian në qytetin e Përmetit nga çeta partizane e Skraparit dhe çeta partizane e Kolonjës si dhe nga forcat territoriale të Dangëllisë dhe njësiti territorial i Përmetit. Ky ishte sulmi i parë që bënin forcat partizane në Shqipëri kundra pushtuesit në një qytet, qendër Nënprefekture. Të nesërmen, më 28 nëntor, qytetarët e Përmetit organizojnë demonstratë antifashiste në qendër të Përmetit, duke bërë që të dështoi festa e fashistëve “Marshimi mbi Romë”. Më 12 dhjetor 1942 nga presioni i partizanëve të çetës së Zagories largohet post-komanda e Malëshovës dhe çlirohet krahina e Malëshovës. Tri ditë më vonë, me 15 dhjetor, presioni i vazhdueshëm i çetës partizane të Leskovikut detyroi largimin e post-komandës nga Biovizhda dhe çlirohet krahina e Rrëzës.

Viti 1943

Populli është ngritur në luftë dhe me armë kërkonte çlirimin e vendit. Më 25 shkurt 1943 prefektura e Gjirokastrës i shkruante Këshillit të Ministrave: “Gjithë zona nga Ura e Peratit në lumin e Drinos deri në Tepelenë e deri më tutje nga njëra anë dhe, nga Ura e Peratit në Frashër, në Skrapar e Berat nga ana tjetër, është pikërisht një territor që sundohet nga kryengritësit”. Ushtria fashiste e Musolinit ishte e përqendruar vetëm në disa pika të rrugës automobilistike: në Përmet, në Kuqar dhe në Këlcyrë.

Ndeshjet ideopolitike të Frontit Antifashist me Ballin. Ngritja e çetave partizane të UNÇSH

Në hapësirën e viteve 1939 – 1943, midis përfaqësuesve të PKSH dhe të Ballit, u bënë kontakte, u zhvilluan biseda, por nuk u arrit bashkëpunimi, nuk u evitua as konfrontimi, por u kalua në konfrontim që, në fillim, ishte politik, si për shembull në Goricë të Dëshnicës, ku u vunë përballë më 21 mars 1943, Mustafa Matohiti dhe Ali Këlcyra, në Soropull të Dangëllisë, më 25 mars 1943 u vunë përballë Skënder Çaçi, Sulo Kozeli e Minella Bulka me Safet Butkën, Avni Radovickën e Myslim Zavalanin dhe në Gosnisht të Ceries, më 10 prill 1943 u vunë përballë Dashnor Mamaqi e Dhimitër Lamani me Veli Zleushën e Xhevdet Meçanin.                 Rrjedha e LANÇ-it rriti prestigjin e Frontit Antifashsit Nacionalçlirimtar dhe kompromentoi atë të Ballit Kombëtar. “Populli e urren mjaft organizatën e Ballit”, – i raportonte qendrës së tij në Tiranë më 28 shtator 1943 Ali Këlcyra, i cili kishte nënshkruar disa muaj më parë, më 15 mars 1943, marrëveshjen me gjeneralin Dalmaco, ku Balli ndër të tjera e siguronte komandantin e trupave pushtuese italiane në Shqipëri se “asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik të Shqipërisë. Në pranverë dhe verë të vitit 1943 krijohen çetat partizane si dhe ato të Ballit. Më 16.03.1943, në Badëlonjë, krijohet çeta partizane “Musa Fratari”, me komandant Feti Bubësi e komisar Dashnor Mamaqi, më 13.05.1943, në Biovizhdë të Rëzës, krijohet çeta e “Rrëzës”, me komandant Riza Çaçi dhe komisar Minella Bulka, më 15 prill 1943, në Radovickë të Dangëllisë, krijohet çeta “Naim Frashëri”, me komandant Feti Radovicka dhe Komisar Petrit Radovicka, më 20 qershor 1943, në Kajcë të Dëshnicës, krijohet çeta “Dëshnica”, me komandant Et’hem Xhaferaj dhe komisar Lumo Pavari, më 18 korrik 1943, në Fratar të Dëshnicës, krijohet çeta “Riza Velçishti”, me komandant Muharrem Çaçuli dhe komisar Neim Guri, më 16 shtator 1943, në Vinokash II të Dëshnicës, krijohet çeta “Çlirimi”, me komandant Rustem Tahiri dhe komisar Minella Bulka. Në këtë hapësirë kohore kemi edhe formimin e çetave balliste: në Dangëlli çetat e Avni Radovickës e Myslim Zavalanit, ne Cerie çeta e Veli Zleushës, ndërsa në Dëshnicë çetat e Karafil Zhepovës, Tahir Seniçanit dhe Xhemal Gurit. Midis çetave partizane dhe çetave balliste konfrontimi politik do të kalojë më vonë edhe në konfrontim ushtarak dhe këtë e shikojmë sidomos gjatë Operacionit armik të Dimrit 1943 – 1944 dhe operacionit nazist të Qershorit 1944 në Cerie, në Dëshnicë e në Dangëlli, në pika të tjera të rrethit të Përmetit dhe se në luftimet me pushtuesit marrin pjesë forcat e UNÇSH. Më 7 tetor 1943, kur gjermanët kishin pushtuar Shqipërinë, Mit’hat Frashëri, kryetari i Ballit, u shkruante komiteteve krahinore të Ballit: “Të pezullohet çdo operacion luftarak kundra forcave gjermane”. Nojbaheri, nazist i rangut të lartë që drejtonte trupat gjermane në Shqipëri, shkruante: “Burrat e Ballit Kombëtar, kurrë nuk u ndeshën me forcat tona… Ata na mbronin nga partizanët”, ndërsa gjenerali Deivis, në ditët e para të janarit 1944, shkruante: “Qeveria e Britanisë duhet të denoncojë Këshillin e Regjencës, Ballin Kombëtar dhe Zogistët, te cilët(sipas informatave) po bashkëpunojnë plotësisht me gjermanët kundër LANÇ”.

 

Aksioni i Kuqarit dhe Përmetit, 1 – 6 korrik 1943. Djegia e parë e Përmetit, më 6 korrik 1943

 

Sulmi i kombinuar i Kuqarit dhe i Përmetit, 1 – 6 korrik 1943. Nisur nga numri i forcave partizane që morën pjesë, nga hapësira e territorit ku u zhvilluan luftimet dhe nga madhësia e kombinimit taktik të veprimeve luftarake, Lufta e Kuqarit dhe e Përmetit është aksioni më i madh që kishin zhvilluar deri në atë kohë repartet partizane në mbarë Shqipërinë. Morën pjesë 12500 partizanë nga qarku i Korçës, i Gjirokastrës dhe i Beratit dhe luftimet u zhvilluan në Kuqar, në Përmet, në Qafën e Kiçokut, në Grykën e Këlcyrës, në Zonën e Çarshovës dhe në Shkallën e Barmashit. U drejtua nga një Shtab i Përbashkët Operativ me anëtarë nga tri qarqet: nga qarku i Korçës – Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Teki Koloneci, Raqi Themeli, Petrit Dume, Misto Treska, nga qarku i Gjirokastrës – Islam Radovicka, Tahir Kadareja, Behxhet Mema, nga qarku i Beratit – Zylyftar Veleshnja, Mestan Ujaniku, Xhelal Staravecka, Neshat Hysi, Ramiz Aranitasi. Nga Përmeti në këtë shtab ishte Alqi Kristua. Komandant i operacionit u caktua Nexhip Vinçani. Shtabi i Përbashkët Operativ u vendos në Velçisht, në shtëpinë e atdhetarit të njohur Riza Velçishti.

Luftimet kudo u zhvilluan të ashpra dhe me humbje të mëdha për fashistët e Musolinit. Në luftimet e Mezhgoranit, më 2 korrik 1943, ra heroikisht Asim Zeneli, biri i madh i Progonatit të Kurveleshit, komisari i çetës “Hajrdin Tremishti”.

Më 5 korrik 1943, mbas tërheqjes së partizanëve, autokolona fashiste e shoqëruar me tanke e autoblinda, e ardhur nga Berati, doli në Qafën e Kiçokut dhe u drejtua për në Këlcyrë e Përmet. Fashistët e autokolonës, dogjën dyqane në Ballaban e në Sukë dhe, po atë ditë, në mbrëmje, dogjën 60 dyqane dhe 20 shtëpi në tregun e Këlcyrës.. Më 6 korrik 1943, autokolona ushtarake fashiste, pasi ndaloi pak në Kuqar, në orën 6 të mëngjesit hyri në kazermat e Përmetit dhe, gjysmë ore më vonë, dogji 177 dyqane (të tregut) dhe 125 shtëpi (të lagjes Varosh) të qytetit të Përmetit.

Aksioni i Kuqarit dhe Përmeti është aksioni më i madh i zhvilluar nga forcat partizane e forcat territoriale antifashiste jo vetëm në trevën e Përmetit, por edhe në Shqipëri.

Më 11 korrik 1943, ditë e diel, fashistet e Musolinit, kryejnë masakra në fshatrat Zhepë e Draçovë të Rëzës së Përmetit. Vranë 32 burra dhe djem në Zhepë dhe 28 burra e djem në Draçovë. Pas masakrës në njerëz të pafajshëm nazistët gjermanë u vunë zjarrin 48 shtëpive në Zhepë dhe 26 shtëpive në Draçovë.

Çlirimi i Përmetit, më 13 shtator 1943

Qyteti i Përmetit u çlirua më 13 shtator 1943. Qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë. Më 8 shtator 1943 kapitulloi Italia fashiste. Ishte ky një lajm i gëzueshëm ndaj dhe u prit me entuziazëm, si kudo edhe në Përmet. U kremtua sipas traditës me të shtëna pushkësh. Të nesërmen batalioni partizan “Naim Frashëri” u vendos mbi kodrat e Përmetit në pritje të urdhrit për të sulmuar e marrë qytetin e Përmetit. Gjithashtu po atë ditë u vendosën dhe disa ishin në rrugë e sipër për tu vendosur përreth Përmetit edhe forcat territoriale të Qendrës së Përmetit, çeta partizane e forcat territoriale të Dangëllisë si dhe forcat territoriale të krahinës së Malëshovës. Fashistët e garnizonit ose do të tërhiqeshin pa luftë nga qyteti ose do të sulmoheshin nga luftëtarët e UNÇSH. Qëndrimi i mëtejshëm i garnizonit u bë i rrezikshëm dhe vdekjeprurës për vetë garnizonin ndaj ditën e gjashtë, më 13 shtator 1943, ai u largua nga qyteti dhe po atë ditë u veprua kështu edhe nga garnizoni i Kuqarit. Në Përmet hynë forcat e UNÇSH. U çlirua kështu qyteti i Përmetit. Edhe pas kësaj dite pushtuesit hitlerianë kanë hyrë e qëndruar në qytetin e Përmetit, e kanë riokupuar edhe tri herë të tjera në kohë të ndryshme, por vetëm për disa ditë, më 2 nëntor 1943, vetëm 1 ditë, më 28 janar deri më 2 shkurt 1944, vetëm 6 ditë dhe, herën e tretë, më 11 qershor 1944 deri më 29 qershor 1944, domethënë 19 ditë, pra në të tri herët ata me vështirësi qëndruan 26 ditë në qytetin e Përmetit. Edhe pse jemi para një fakti të tillë, dita e çlirimit të qytetit të Përmetit është 13 shtatori 1943 dhe jo 29 qershori 1944. Pse? Sepse pas 13 shtatorit 1943, gjatë ditëve që u okupua, nazistët hitlerianë nuk mundën të ngrejnë pushtetin dhe administratën e tyre në qytetin e Përmetit, ata qëndruan në këtë qytet në ecje e sipër gjatë operacioneve të tyre ushtarake që ata ndërmorën për të asgjësuar LANÇ dhe shkatërruar UNÇSH në Shqipërinë e Jugut.

              Brigada VI dhe XII. Dështimi i operacionit armik të Dimrit 1944

Edhe pas çlirimit të Përmetit, përmetarët e vazhduan luftën për çlirimin e Shqipërisë. Gjithnjë e më shumë rriteshin radhët e luftëtarëve të UNÇSH. Më 12 tetor 1943 në Kajcë formohet batalioni “Dëshnica”, me komandant Abdyl Harka dhe komisar Halit Selfo, ndërsa në Përmet riformohet batalioni “Naim Frashëri”, formuar më parë më 16 gusht 1943 në Poliçan të Gjirokastrës, me komandant Feti Bubësi e komisar Petrit Radovicka. Më 21 shkurt 1944, batalioni “Dëshnica” u riorganizua në dy batalione, në batalionin “Çome Mandi” dhe në batalionin “Hiqmet Dusha” dhe, mbi bazën e këtyre dy batalioneve, mbas një kohe të shkurtër,më 12 mars 1944, në Fratar të Dëshnicës riformohet Grupi V Zonës I Operative, i formuar më parë më 29 tetor 1943 në Përmet me komandant Pano Xhamballo e komisar Qazim Kondi. Grupin V i riorganizuar në Fratar njihej ndryshe si Grupi V Dëshnicës apo Grupi i Dëshnicës, me komandant Andrea Nasi e komisar Mehmet Dusha, në vartësin e të cilit ishin edhe dy batalione territoriale të Dëshnicës, të cilët drejtoheshin, njëri nga Myftar Bejua dhe tjetri nga Kame Aliu.

Nesër do të lexoni:

– Përmeti, në dimrin e viteve 1943-1944, u përfshi në operacionin e madh të pushtuesve gjermanë të quajtur “Horridoh”

– Më 26 janar 1944 në Përmet u formua Brigada VI e UNÇSH nga batalionet “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Baba Abaz” dhe “Naim Frashëri”

– Më 30-31 janar 1944 nga partizanët u zhvilluan luftime të ashpra kundër nazistëve në rajonin Tremisht – Gosnisht – Lupckë

– Sukë, 20 maj 1944 formohet Brigada XII UNÇSH, partizanët për formimin e brigadës erdhën nga Labëria