Kapedani i Shqipërisë, Tafil Buzi

3392
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kapedan Tafil Buzi dhe sundimtari i Egjiptit Mehmet Pasha

Emri i Tafi Buzit fillimisht është përmendur në vargjet që i kushtoheshin Ismail Bej Vlorës, para se të vritej me pabesi nga valiu i Janinës. Tafil Buzi dhe Çelo Picari e njoftuan Ismail Beun, që të mos shkonte në Janinë, e të mos i besonte këtij valiu. Prej Egjiptit ku ndodhej Tafil Buzi shprehu keqardhje që nuk u gjend një lab për të marrë hak për beun e Vlorës. Nismën dhe hakun e merr Zenel Gjonleka, djalë i ri, kur hyn në çadrën e Valiut dhe i bën të fala prej beut të Vlorës. Kapedan si Tafil Buzi e thanë botërisht se Shqipëria duhet të çlirohej nga zgjedha osmane dhe të drejtohet e qeverisej prej shqiptarëve. Kjo falë edhe mbështetjes që sundimtari i Egjiptit Mehmet Pasha kishte me Mustafa Bushatlliu dhe kapedanët shqiptarë Tafil Buzi, Abdyl bej Koka, Cane Myftari e Zylyftar Poda. Tafil Buzi kishte shërbyer si oficer me gradë të lart në ushtrinë e Egjiptit që drejtohej prej Mehmet Pashës. Kështu i ndihmuar me materiale luftarak dhe me porosi të tij, Tafil Buzi zbrit nga anijet e kohës në Jug të Shqipërisë.

 

Bashkimi luftarak i kapedanëve të Jugut të Shqipërisë

Kapedani Tafil Buzi e kishte të qartë veprimtarinë që do të bënte, për të bashkuar forcat dhe kapedanët shqiptarë dhe më tej për të larguar drejtuesit osmanë nga qytetet kryesorë të Jugut të Shqipërisë. Së bashku me Zenel Gjolekën u hodhën në veprime konkrete luftarake, ku në Grebene vranë sundimtarin osman, Veli Aganë. Kundrejt këtij veprimi luftarak dhe të menduar mirë, Porta e Lartë i besoi Emin Pashës së Beratit të asgjësonte forcat kryengritëse të udhëhequra nga Çelo Picari e Zenel Gjoleka. Në ndihmë të këtyre u rreshtuan dhe forcat e Mallakastrës të komanduara nga Tafil Buzi dhe nga kapedanë të tjerë të Labërisë dhe të Bregdetit. Kështu, këto forca të bashkuara të Jugut çliruan Gjirokastrën, Vlorën dhe Delvinën. Të entuziazmuara nga fitoret, forcat kryengritëse u nisën për në Berat, që u kurorëzua me fitore në vitin 1833. Të gjitha këto forca kryengritëse kapnin shifrën e 10.000 luftëtarëve. Me luftime heroike dhe të pashembullta kalaja e Beratit ishte fituar nga kryengritësit. Porta e Lartë përsëri me djallëzi dhe pabesi shpalli amnistinë dhe anulimin e reformave. Kalaja ju dorëzua pa luftë pashait osman, Mahmud Beu. Ky nuk e mbajti premtimin, por i përforcuar me osmanë të ardhur nga Azia filloi ndjekjen dhe arrestimet e kapedanëve të kryengritjes. Tafil Buzi me kadedanë të tjerë u gjendën në Korfuz. Këtu filluan përsëri përgatitjet për t’u kthyer në Shqipëri dhe të organizonte kryengritjen. Prej kryeministrit grek ju premtua për ndihmë, sapo të fillonin luftën. Në vitin 1834, Tafil Buzi me kapedanë të Labërisë vjen në Vlorë. Aty e pret e tërë paria e Vlorës dhe prej këtej Tafili shkon në Smokthinë, ku e pret trimi Cane Myftari me smokthinjotë, duke bërë “dasmë e gosti”.Kudo që shkoi në Labëri kapedani i Shqipërisë, u prit si hero dhe shpëtimtar. Në këngët e kohës kushtuar Tafil Buzit tregohet pritja e ngrohtë dhe gatishmëria për t’u inkuadruar në ushtrinë e tij. Tafili e përshkoi Labërinë poshtë e përpjetë për të takuar kapedanë me emër dhe për t’u organizuar për kryengritjen e madhe, duke arritur qëllimin e lartë të bashkimit dhe vendosmërinë për fitore.

Tafil Buzi në krye të betejave

Tafil Buzi formoi në Tepelenë më 27 qershor 1834, një ushtri prej 2.000 luftëtarësh. Së bashku me luftëtarët e Zenel Gjolekës niset të çlironte Janinën. Ai mendonte se do të kishte ndihmën e premtuar prej Greqisë. Pabesia e kryeministrit grek, bëri që beteja afër Janinës të bëhej kaspanë për luftëtarët shqiptarë. Tafil Buzi me gjithë humbjet e shumta, kërkon të kalojë në More dh t’i verë flakën, por Çelo Picari, nuk e lejon të kalojë kufirin. Tafil Buzi kthehet në Buz dhe kërkon sërish të nis luftimet për çlirimin e Beratit. Kryengritësit shqiptarë tani ishin të bashkuar. Në krye kishin kapedanë si Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Çelo Picari, Veiz Vasjari, Mete Jazo, Cane Myftari, Pasho Koka, Selfo Jaskëllari etj. Forca kryengritëse prej më se 25.000 luftëtarë bëri të dridhej jo vetëm Berati dhe Jugu i Shqipërisë, por gjithë Rumelia. Sulmi i luftëtarëve dhe kapedanëve shqiptarëve mbi kështjellë ishte luftarak. Këngët dhe vargjet që përshkruajnë trimëritë e tyre janë të pafundme. Sokëllimat, thirrjet, britmat dhe daullet e kryengritësve dëgjoheshin deri në Stamboll. Kështu në fund të dhjetorit 1834, kalaja e Beratit ishte përsëri në duart e kryengritësve, por përsëri ju dorëzua Mahmud Pashës. Kapedani Tafil Buzi me 6.000 luftëtarë, tentoi përsëri nga fundi i muajit shkurt 1835 të merrte përsëri kalanë e Beratit. Në vitin 1936 doli nga Stambolli amnistia dhe u plotësuan disa nga kërkesat e kryengritësve, si bijtë shqiptarë të mos shkonin më nizam, por ta kryenin ushtrinë në vilajetin e tyre, qeverisja e krahinave të Jugut të bëhej nga shqiptarë. Porta e Lartë u premtoi krerëve shqiptarë grada ushtarake, ofiqe dhe para. Ata që nuk u nënshtruan i internoi ose i helmoi pabesisht si kapedanët Ali Dervish Dukatin dhe Cane Myftarin. Zenel Gjoleka u emërua komandant në Arabi, Tafil Buzi në Irak, Çelo Picarin e internuan në Konjë, etj. Tafil Buzi ndërroi jetë në Siri, në vitin 1844, ku ushtrontë detyrën e guvernatorit të Alepos. Në këtë vit Zenel Gjonleka dhe Çelo Picari u kthyen në Jugun e Shqipërisë dhe filluan punën për organizimin e kryengritjes kundër reformave të Tanzimatit, e cila arriti kulmet e saj në vitet 1847-1848.

Vlerësim për patriotizmën shqiptare

Tafil Buzit është vlerësuar me dekoratën “Nderi i Kombit” për kontributin e shquar atdhetar, por dhe si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. Fan S. Nolit e vlerësonte për patriotizmën shqiptare. Për luftën dhe veprën e Tafil Buzit, këtë figurë të trimërisë dhe të mençurisë i cili ishte jo vetëm ishte prijës i kryengritjeve më të para mbarëshqiptare, por dhe pararendës i madh i vetëdijes kombëtare. Tafil Buzi me vizionin e tij përkrahu frymën luftarake për kryengritje të përgjithshme të përfaqësuesve të krahinave të jugut të Shqipërisë në një besëlidhje ushtarake dhe politike. Me patriotizmin e kthjellët e përparimtar, ai i bashkoi trimat e Jugut të Shqipërisë me shpalljen e bërë në kryengritjen e 1835, që ishte një nga proklamatat e para dhe thirrje për çlirimin e atdheut. Për herë të parë ky kapedan i Shqipërisë foli në emër të të gjithë vendit dhe të krahinave kryengritëse të Jugut.

Shoqata “Tafil Buzi”

Banorë të njësisë administrative të Buzit (të përbërë nga fshatrat Buz, Kalemaj, Badër, Kurtjez, Golemaj, Arrëz e Vogël, Shalës, Xhafaj, Gllavë, Selckë, Selckë e Vogël, Komar, Bardhajnë) të Tepelenës, së bashku me shoqatën atdhetare kulturore “Tafil Buzi”, i përkujtojnë gjithmonë këto ngjarje historike. Shoqata me emrin e Tafil Buzit tashmë prej vitesh e ka kthyer në festë tradicionale, nderimin e heroit të kësaj treve të lavdishme. Kryetari i Shoqatës “Tafil Buzi” Eqerem Osmani, ish-ushtarak madhor, në veprimtarinë e organizuar për Tafil Buzin shpreh mirënjohje për bij dhe bija të Buzit për kontributin e tyre të dhënë në këto vite për ruajtjen e traditave patriotike dhe atdhetare, si dhe për mbajtjen gjallë të kontakteve me fshatin dhe krahinën. Mjaft bij dhe bija të larguar nga fshati në kohë dhe periudha të ndryshme, kanë kontribuar dhe kanë ngritur degët e tyre në qytete të ndryshme të vendit, ku jetojnë, por edhe jashtë Shqipërisë. Veprimtari të tilla për figurat patriotike dhe atdhetare, duhet të sensibilizojnë të gjithë bijtë dhe bijat e krahinës së Buzit, për të kthyer sytë dhe për të mbështetur në vijimësi projektet e bashkëpunimit dhe të mendimit të përbashkët për më të mirën e zonës. Nga shumë buzjot që morën fjalën në këtë takim madhështor, premtuan se do të punojë dhe mbështesin të gjithë ata që do të kontribuojnë për zhvillimin dhe përparimin e zonës së Buzit.