Kalaja dhe mesazhi i Lord Bajronit

1556
Gëzim Llojdia
1. Qyteti i erërave të dikurshme, që njihet nga kohët e Ali Pashës, ndërsa monumenti i tij është simbolizuar në udhëkryqin e vogël në bronz. Me të gjitha takëmet, por shtrirë dhe me vështrimin nga vendlindja, hedhur në horizont, vështrimi i tij. Kalaja e Tepelenës, thotë studiuesi Gj. Karaiskaj, kur flet për kalatë shqiptare, është një nga ndërtimet e fundit mbrojtëse të Ali Pashës, sepse shumë shpejt filloi lufta midis ushtrive osmane dhe Aliut, kështu që shumë pjesë që u përkisnin ndërtimeve të brendshme të kalasë, mbeten të papërfunduara. Kalaja ka dëshmuar disa nga ngjarjet më dramatike në historinë e këtij qyteti. Shekuj më parë, qyteti kishte ndërtuar kështjellën e tij në këtë majë të kodrës. Muret e kalasë masive dhe të rëndësishme me mbrojtje substanciale dhe aq te rëndësishme janë ruajtur dhe mbajtur mirë nga koha,por jo nga njeriu. 

2. Tepelena është qyteti jugor, klima është e thatë, e nxehtë në verë dhe e ftohtë në dimër, me shumicën e reshjesh. Terreni është malor me disa lugina dhe një lumë kryesor, që ecën nën muret e kalasë. Aktivitetet kryesore ekonomike janë si ne te gjithë vendin, këtu diçka me tepër dallon blegtoria. Tepelena, vendlindja e Ali Pashës, ishte një nga selitë më të preferuara të tij, thotë Gj. Karaiskaj, prandaj, pak kohë pasi ai e shkëputi Tepelenën nga dora e Ibrahim Pashës, sundimtarit të pashallëkut të Vlorës, filloi ndërtimin e një saraji të madh, që kishte përfunduar në vitet e para të shek. XIX, ndërsa ndërtimin e kalasë, Aliu e filloi, kur po hynte në konflikt të hapur me Portën e Lartë. Një mbishkrim në gjuhën greke, që është murosur mbi hyrjen lindore, e daton këtë ndërtim me 1819.

3. Muret i gjen gjithkund ato qarkojnë kodrën e qytetit, ku erërat jugore kanë shpirtin e tyre, si simbol të fuqisë. Studiuesi Gj, Karaiskaj vijon: Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit. Ashtu si dhe kalaja e Gjirokastrës ajo nuk ka ndonjë formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale, që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve, për të kontrolluar më mirë këto të fundit, janë përdorur shpeshherë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave, që shohin në drejtimet kryesore të lëvizjes së mundshme të sulmuesve, të cilat zëvendësojnë në këto raste kullat ndërmjetëse. Terreni mbi të cilin është ndërtuar kalaja, paraqet pengesa të fuqishme natyrore, nga ana lindore dhe pjesërisht nga veriu; nga perëndimi, ku ndodhet edhe një nga hyrjet e kalasë, terreni është i ulët dhe për më tepër, në këtë anë, kalaja zotërohet nga një kodër më e lartë. Kështu, për sa i përket aftësive mbrojtëse, kalaja e Tepelenës qëndron shumë më poshtë nga ajo e Gjirokastrës. Muret vijnë duke u zgjeruar në bazë, duke rënë me pjerrësi në anën e jashtme dhe kanë një trashësi që lëviz nga 2,5-5m në pjesën e poshtme dhe 2-4m në të sipërmen. Në brendësi, ato përforcohen me breza druri dhe deri në gjysmën e lartësisë shërbenin dhe si mure mbajtëse, për shkak të mos nivelimit të terrenit të brendshëm me atë të jashtëm. Kullat, si dhe në ndërtimet e tjera të Ali Pashës, bien me faqe shumë të pjerrëta. Ato janë veshur nga jashtë me gurë të skuadruar me kujdes dhe zbukurohen nga korniza horizontale guri. Në pjesën e sipërme, muret përfundojnë me shtegun e rojeve dhe një parapet ku janë hapur frëngji të shumta për armë zjarri, midis të cilave ka frëngji dyshe për pushkë, ndërsa në vendet më delikate janë ndërtuar mashikula për hedhje lëngjesh të nxehta. Ndërtimet e brendshme, për ekonomizimin e vendit, i mbështeten mureve rrethuese. Ato mbulohen me qemerë cilindrikë, një thembër e të cilave është pjesë përbërëse e murit rrethues. Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin “Porta e Vezirit” (fig. 177). Interes për zgjidhjen e tyre arkitektonike, paraqesin edhe dy hyrjet e tjera, prej të cilave më e ruajtur është hyrja jugore (fig. 178). Ajo është ndërtuar pranë njërës nga kullat poligonale. Porta e jashtme nuk i ekspozohet drejtpërdrejt shikimit, pasi ajo është ndërtuar në faqen anësore të një të thelluare drejtkëndëshe të murit të kalasë. Përballë portës qëndron kulla poligonale, e cila, duke qenë me përmasa të mëdha, kontrollon, jo vetëm sheshin e vogël drejtkëndësh që krijohet para portës, por dhe krejt murin jugor. Porta e parë ose e jashtme, është e tipit portë-urë. E vendosur mbi një bosht rrotullimi horizontal në nivelin e pragut, ajo komandohej nga brenda nëpërmjet një çikriku me zinxhirë, që dilnin nga dy dritare të vogla dhe fiksoheshin në pjesën e sipërme të portës. Flegra e portës-urë shërbente njëkohësisht edhe si plan i pjerrët për bazamentin e nivelit të jashtëm dhe të brendshëm, mos nivelim që në gjendjen aktuale, arrin në 2 m. Mekanizmi i ngritjes dhe uljes së portës-urë ka qenë vendosur në pjesën e brendshme mbi një platformë dërrase, që vendosej mbi harkun e portës. Pasi kalon portën-urë, ndodhesh brenda një kthine katërkëndëshe, muri ballor i së cilës është pajisur me frëngji pushke. Frëngjitë komandoheshin nga një kthinë tjetër, që ishte për truprojën. Por, për të shkuar në oborrin e kalasë, duhet të ktheheshe nga e djathta, ku ishte një portë e dytë dykanatëshe, e cila sigurohej nga brenda me katarah. Kthina katërkëndëshe e hyrjes ka qenë mbuluar me një qemer cilindrik. Platforma që krijohej mbi këtë qemer si dhe ajo e kthinave fqinje qarkohej nga një parapet me frëngji pushke.

4. Në konceptin evropian çfarë është një kështjellë?
Një kështjellë (nga latinishtja: castellum) është një lloj i strukturës së fortifikuar të ndërtuar në Evropë dhe Lindjen e Mesme gjatë Mesjetës nga fisnikëria. Studiuesit debatojnë fushëveprimin e kështjellës , por zakonisht e konsiderojnë atë, të jetë vend qëndrim privat i fortifikuar i të zotit apo fisnikut. Gjatë afro 900 vjetëve që janë ndërtuar kështjella, ata morën në forma shumë të mëdha e me shumë karakteristika të ndryshme, edhe pse disa, të tilla si; mure perde dhe arrowslits, ishin të zakonshme. Një risi evropiane, kështjella me origjinën në shekullin e 9-të dhe 10, pas rënies së Perandorisë Karolingiane rezultuan në territorin e saj duke u ndarë midis zotërve individualë dhe princave.

Në Shqipëri:
Ndërtime të mëdha mbrojtëse, të përbëra nga mure rrethuese të forta me kulla të larta dhe nga ndërtesa e mjedise të brendshme të nevojshme për jetesë e për t’u mbrojtur në rast lufte. Kështjellat e para në trojet shqiptare janë ngritur qysh në neolitin e vonë, rreth viteve 2800-2700 para lindjes së Krishtit. Në periudhën e bronxit, por sidomos në periudhën e hershme të hekurit ato patën përhapje më të gjerë. Njihen disa kështjella ilire si Rozafa në Shkodër, Kështjella e Beratit, Lis, Bylis, Amanti, Butrint, Antigone etj. Më pas, në shek. IV-VI të erës së re u ngritën kështjella edhe në zonat e ulëta dhe në vende strategjike si Kështjella e Durrësit, Kështjella e Gjirokastrës, Kështjella e Elbasanit e më vonë edhe Kështjella e Krujës. Edhe në Mesjetë e deri në shek. XIX u ngritën dhe u rindërtuan shumë kështjella, saqë ato i gjen tashmë në shumë zona të trojeve shqiptare. Këto kështjella janë një pasuri e madhe për kombin shqiptar. Ato tregojnë për lashtësinë e tij në Ballkan, për artin e të ndërtuarit dhe për qendresën e tij ndër shekuj kundër armiqve që i janë kanosur. Kështjellat kanë vlera të mëdha kulturore dhe turistike.

Në Kosovë: Sipas Koha net: Duke qenë se emërtimin “Kosovë” e hasim edhe në disa vende, si në Dalmaci, Bosnjë e Maqedoni – në të vërtetë mu në pjesët ku ishte zhvilluar etnosi ilir – mendoj se ka prejardhje të njëjtë. Kështu, “Kosova Dalmatine” përmendet herët si “Campus Merularum” te kronika e Popit Duklanin e shekullit XII, pra e ka kuptimin e emrit “Fusha e Kosovës”, shkruan Enver Rexha në pjesën e katërt dhe të fundit të serisë mbi historiografinë për emrin Kosovë-Kosova të botuar në Shtojcën për Kulturë në “Koha Ditore”. Emri “Kosova” edhe në këtë dorëshkrim të shekullit XIII thuhet të ishte një term mbi bazën e gjuhës ilire. (“Kosova…”, M. Carabregu fq.18). 60 kështjellat e shekullit VI. Autori Q. Namani na ofron të dhëna që fjala “Kas” nënkupton fjalën “Kështjellë”, me arsye se vendi kishte shumë kështjella gjatë historisë – vetëm në shekullin VI kishte 69 kështjella që i paraqet autori Prokopi i Cezares, dhe fjalën “ova” që nënkupton “fushë”. Këto dy fjalë përbëjnë sot në gjuhën shqipe emrin “Fusha e Kështjellave” – “Kasova”, që me një metatezë, ndërkohë, emri do të kalonte në formën e sotme “Kosovë/a”. Para përfundimit duhet të theksojmë që kërkimet e deritanishme në fushën e toponimisë brenda kufijve të sotëm të Kosovës dhe në kontest të kufijve historikë, të cilat i janë përshkruar Dardanisë antike, dëshmojnë për një numër të madh shtresash gjuhësore të saj, studimi i të cilave krijon pasqyrën e saktë të kulturës gjuhësore, etnografike e historike të vendit. Në fondin e përgjithshëm të toponimeve të Kosovës dhe më gjerë, të Dardanisë, që e përbën fondi i vjetër iliro-shqiptar, do të ndeshim dhe fondin e shtresimeve romake, bizantine, saksone e sllave gjatë Mesjetës, periudhës osmane gjatë pesë shekujve, si dhe serbe në shekullin XX.

5. Udhëtari dhe poeti Lord Bajrnoni në vitin 1809 ishte mysafir në kala. Në kullën jugperëndimore qysh nga koha e regjimit të shkuar u vendos një basorelievi me fjalët e poetit: 

O Shqipëri ku lindi Iskenderi
këngë e rinisë fanar i të urtëve.
Shqipëri lejomë të kthej sytë e mi
Mbi ty o nënë e rreptë burrash…. 

Kulla jugperëndimore e Kalasë së Tepelenës.Aty gjendet basoreliv i Lord Bajronit i vendosur në murin e Kullës jugperëndimore të kalasë në sheshin ‘Lord Bajron’. Basorelievi është realizuar në bronz dhe vendosur gjatë periudhës së socializmit, në përkujtim të poetit dhe udhëtarit Lord Bajroni, i cili e ka vizituar Tepelenën në vitin 1809. George Gordon Byron (1788 – 1824) Bajroni, ishte poet anglez. Bajroni, shkruajnë studiuesit e letrave, ishte përfaqësues i romantizmit. Ai ka shkruar mjaft vepra letrare midis te cilave poemën “Childe Harold’s Piligrimage” (1812 – 1817). Kjo poemë është shkruar në baze të përshtypjeve nga udhëtimet në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali, etj. Për herë të parë në shqip,poema ka ardhur e përkthyer nga Skënder Luarasi.

”Shtegtimi i Çajld Haroldit” 
Lamtumirë, Atdheu im
O lamtumirë! Atdheu im 
Po zhduket dalëngadalë:
Gjëmon stuhia me tërbim, 
Çaçri gërhet mbi valë;
Pas diellit që po flakëron, 
Po nisemi të lirë; 
Dhe ty, si atij që perëndon,
Atdhe, Natën e Mirë!
Kur nesër rishtaz ai diell 
Do lindë me shkëlqim,
Do përshëndesim det e qiell Po jo atdhenë tim,
Në vatrën time nuk ka zjarr,
Nëpër avllit’ e forta 
Të kullës sime rritet bar, 
Imi qen po leh te porta.
“Ti pazh i vogël, pa m’u qas!
Pse qan e po vajton? 
Mos të tremb deti me tallaz,
A shqota të tmerron? 
Pa fshiji lotët; anija jonë
E shpejtë është dhe e fortë: 
Nuk ka skifter që fluturon
Më shpejt e më gazplotë”.
“Le të kanosen erë e det,
Nuk trembem nga asnjë shqotë;
Po, zoti Çajld, mos u çudit
Që po më rrjedhin lotë; 
Prej babës e prej nënës ik,
U ndava prej shtëpisë; 
Tani s’më mbetet asnjë mik, 
Veç teje e Prëndisë.
T’im at’ e pashë që duron, 
Kur më bekoi me mall;
Po nënën kush ma ngushullon,
Gjer sa të kthehem gjallë!”-
“Pusho, pusho ti djal’ i mirë! 
Të kanë hije lott; 
Po të isha vetë zemërdlirë, 
Nuk do t’i mbaja dot.
“M’u qas, m’u qas, ti trim besnik;
Përse më qenke zverdhur? 
Mos trembesh nga një frëng armik,
Apo nga det’ i ndezur?” – 
“Sër Çajld, nuk jam aq frikacak.
As zverdhur jam prej frikë;
Po kur kujtova gruan larg 
M’u zbeh faqja besnike.
Rron ime shoqe me tim bijë
Në kullë te këneta: Nd’e pyeçin ç’u bë babai,
Ç’t’u thotë nënë-shkreta?”
– “Pusho, trimi im, të mora vesh,
Ta njoha brengën tënde; 
Por unë zemër lehti qesh
Që shkoj nga këta vënde”.
Kush u beson psherëtimave
Të femrës që mbush sytë? 
Ia than lotët qepallave
Ndonjë dashnor i dytë.
S’qaj për gëzimet që humbas,
Rrezikun që më vjen;
Po vetëm qaj se nuk lë pas 
Asnjë që lotn’ e vlen.
Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi; 
Përse të qaj pra për të tjerë
– Për mua s’qau njeri. 
Do t’angullijë ndoshta sot
Imi qen gjer sa të gjejë
Ushqim nga ndonjë tjetër zot; 
N’ u kthefsha do më shqejë.
Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo
Në detin plot buçimë;
Dhe shpjermë në çdo vend që do,
Veç jo në vendin tim! 
Të falem det i kaltr’ i zi!
Dhe kur të shkel i lirë
Në dhé, të falem, shkretëti! 
Atdhe, Natën e Mirë!
Sigal