Kadri Hazbiu: “Oficerët e liruar për gabime, roje në depot e armëve”

746

Albert Kotini

Leonard Veizi

(Vijon nga numri i kaluar)

DOSSIER III/ Pas letrës që Sekretari i Komitetit të Partisë të Uzinës së Poliçanit i shkruan Enver Hoxhës

Denoncime të vazhdueshme, për këdo dhe gjithçka. Në këtë mënyrë do të funksiononin aparatet e dikastereve kryesore të shtetit komunist shqiptar. Deri para pak kohësh kanë qenë të kontrolluara nën siglën “Sekret” dhe “Tepër Seret”, por tanimë nuk janë të tilla. Dokumentet e mëposhtme që bëhen publike nëpërmjet gazetës “Telegraf”, tregojnë për problemet që kishte një nga uzinat “Top Sekret” të prodhimit të armëve dhe municioneve, ajo e Poliçanit. Uzina është cilësuar si objekt i një rëndësie të veçantë dhe të gjitha shkresat që dilnin apo futeshin në të, klasifikoheshin në dosjet sekrete të arkivit. Në dokumentet në vazhdim që publikohen në gazetën “Telegraf” flitet për denoncime të personave që për një arsye apo një tjetër cilësoheshin si “jo më të besuar të pushtetit”

 

KARTELË

Hysen Zaimi

Poliçan – Skrapar

Shokut Kadri Hazbiu

Informoj se në Poliçan është vënë roje në depon e armëve të FVVP, Mulla Bilaj, i cili ka qenë oficer i MPB dhe është liruar e përjashtuar nga Partia. Fëmijët e tij dhe dy nuset e djemve të tij punojnë në vende tepër sekrete të uzinës. Drejtorisë së FVVP për ta parë e trajtuar së bashku me organet përkatëse.

Ismet Isufi

14.4.82

Shoku Hysen!

Mora letrën. E pamë me kujdes për sa ngre në të dhe po të përgjigjem.

Mulla Bilaj për gabimet që bëri, mori edhe masën që u gjykua e arsyeshme. Tani ai punon mirë dhe mban qëndrim të drejtë e të partishëm, prandaj është e lejueshme që të punojnë në vendet, ku janë Mullai dhe njerëzit e familjes së tij.

Të këshilloj të jesh më i pjekur në gjykimin e problemeve dhe të shikosh mirë të metat e punës tënde.

Të fala

Kadri Hazbiu

SQARIM

Hysen Zaimi është dënuar dy herë për rrahje 2-3 muaj burg.

Për Mulla Bilaj që bën fjalë letra është roje në depon e F.V. ka qenë komandant i repartit të sigurimit të uzinës (oficer) AP, në vitit 1977 është çmobilizuar dhe përjashtuar nga Partia për mungesë vigjilence e sinqeriteti, mbasi ka qenë prezent në një bisedë që ka zhvilluar me një ish-oficer Idajeti, dhe s’ka denoncuar. Si Hyseni janë përjashtuar edhe dy komunistë të tjerë, sepse nuk reaguan në vend kur foli keq Idajeti. Aktualisht Mulla Bilaj mban qëndrim të mirë, po kështu edhe dy personat e tjerë që kanë qenë bashkë me të. Këto të dhëna u morën nga shefi i sigurimit të Poliçanit, shoku Qemal Met Hoxha dhe sekretari i organizatës Partisë. Mendimi i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Skrapar, Selim Laze është që Mulla Bilajn të mos e heqin nga ky vend, sepse mban qëndrim të mirë.

Rustem Çurri

DENONCIMI

Kartelë

Kujtim Subashi

Lagje “Hekurudha” Rr. 11 nëntori Nr. 55 Elbasan

Shokut Kadri Hazbiu

Është punonjës në uzinën 12, Kombinati “Çeliku i Partisë” Elbasan. Më parë ka qenë oficer në organet e sigurimit dhe për dobësi në punën operative është liruar më 1976-n. Vitin e kaluar ka informuar për mungesa në uzinë sepse ishin futur njerëz të degjeneruar, imoral dhe është ngarkuar me përgjegjësi materiale një njeri që më parë ka përvetësuar. Në fillim vuri në dijeni shokun Hajredin Çeliku dhe më vonë informacionin ia dërgoi shokut Enver Hoxha. Pasi punoi ekipi i Komitetit të Partisë së rrethit për verifikimin e çështjeve të ngritura nga ai, Kujtimi u thirr në aparatin e KQPPSH, megjithatë ai nuk është i bindur për punën e ekipit dhe me përgjigjen që i është dhënë atij. Kërkon që shoku Kadri të shikojë informacionin që ai i dërgon Partisë dhe në qoftë se çështjet nuk qëndrojnë porositë e këshillat e tij do të jenë ndihmë për Kujtimin.