Kadare, viti 2001: Takimi i fshehtë Nano-Kostunica, gjë e keqe. Asnjë lider partiak s’ka mandate të përfaqësojë shtetin

784
Sigal

Intervista e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare dhënë gazetarit Dalip Greca në vitin 2001, intervistë që mbetet aktuale dhe pas 13 vitesh

Këto ditë, kur politika shqiptare, faktorët vendas e më gjerë po merren me incidentin e klerikut serb Irinenj gjatë vizitës së tij në Tiranë në Shenjtërimin e Kishës Ortodokse, redaksia e “Telegraf” gjykoi të ribotoj intervistën që shkrimtari i shquar Ismail Kadare i ka dhënë 13 vite më parë gazetarit Dalip Greca për gazetën “Ylliria”. Ndonëse kanë kaluar shumë vite e shumë gjëra kanë vajtur “në vendin e duhur”, mjaft thënie të Kadaresë atë kohë, sidomos për kontaktet e politikës shqiptare me krerët e Beogradit (Fatos Nano Kostunica), janë aktuale dhe sot, por me protagonistë të tjerë…

INTERVISTA

Kjo intervistë është nxjerrë nga arkivi im personal. Ajo u krye me shkrimtarin Ismail Kadare në shkurt të vitit 2001, kohë kur unë shërbeja si editor në gazetën “Illyria” në Nju Jork. Kam mendimin se pavarësisht largësisë kohore prej 13 vitesh, ajo e ruan aktualitetin, veçanërisht për marrëdhëniet pozitë- opozitë, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, zhvillimet në Luginën e Preshevës, në Maqedoni, nostalgjisë për diktatorin Enver Hoxha- shfaqja e fotografisë së Enver Hoxhës në miting të qeverisë në nëntor 2012 ka si paralelizëm shfaqjen në 2001 të fotografisë të Enver Hoxhës në mjediset e Ministrisë së Jashtme. Kadare e kritikoi rreptë asokohe klasën politike qeverisëse: “Klasa politike shqiptare që është në pushtet nuk mund të vazhdojë praktika të tilla dyfytyrëshe: nga një anë përgjërim i hapur për Europën e SHBA-ve, nga ana tjetër, nostalgji e fshehtë për stalinizmin apo Enverhoxhizmin.” Ndërsa për papërgjegjshmërinë e klasës politike, ai pat ngritur dy akuza: Ose klasa politike shqiptare është kaq e degraduar mendërisht e moralisht sa që nuk e kupton se po e tërheq krejt vendin, pra dhe veten e saj në katastrofë, ose ajo e kupton fare mirë këtë, por me ndërgjegje vazhdon veprën e saj shkatërrimtare: shembjen e Shqipërisë. Në të dy rastet ajo nuk meriton të ketë vend në Shqipëri. Ja intervista e plotë:

 Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë gazetarit Dalip Greca: Politika duhet të zgjedhë me ngut rrugën e vetme të shpëtimit të Shqipërisë

Zoti Kadare, le ta fillojmë këtë intervistë me letërsinë. Çfarë do të ketë në dorë së shpejti lexuesi shqiptar nga pena e shkrimtarit Kadare?

– Së shpejti do të botohen dy libra. I pari, “Unaza në kthetra” është një libër me sprova letrare e politike, si dhe me disa nga intervistat e viteve të fundit. I dyti është romani “Hija”. Ka shumë vite që është botuar në Francë dhe vende të tjera, por jo ende në gjuhën shqipe.

Duke bërë bilancin e krijimtarisë së deritanishme mendoni se keni thënë gjithçka përmes veprës tuaj?

– Askush nuk mund ta dijë kurrë nëse e tha plotësisht atë që duhet të thoshte. Megjithatë, duke kujtuar shumë shkrimtarë të tjerë të Shqipërisë dhe të botës, të cilëve rrethanat dramatike ua prenë në mes krijimtarinë, mund të them se hyj në ata shkrimtarë që e kanë pasur edhe kohën edhe mundësinë, të shprehen plotësisht. Me fjalë të tjera, nuk do të bëja fajtor askënd nëse diçka ka mbetur e paplotë, ose jo në atë nivel që do të dëshiroja.

Herën e fundit që ishit në Shqipëri ju paralajmëruat se: ftohja shkallë-shkallë e Kosovës me Shqipërinë do të përbënte boshtin e strategjisë serbe. Çdo të thoshit tani? A ka pasur efekt kjo strategji?

-Ju e dini ndoshta se ka vite që unë mbaj një qëndrim mjaft të ashpër ndaj klasës politike shqiptare. Nuk ia kam kursyer kritikat për asgjë. Megjithatë, do të thosha se, për sa i përket ftohjes, që disa herë vihet re në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, mendoj se faji nuk duhet kërkuar nga ana e Tiranës. Shqipëria mund të kritikohet për shumë gjëra, për mefshtësi në politikën e saj të jashtme, për mungesë largpamësie, për kompromise të panevojshme, por jo për acarim dhe ftohje me Kosovën.

Nëse TV i Kosovës, i drejtuar nga një shqiptar, për gati një muaj rresht ndërsa jep lajme nga gjithë bota, nuk jep asnjë lajm nga Shqipëria, për këtë nuk mund të akuzohet kjo e fundit. Për këtë mund të akuzohen ata shqiptarë të Kosovës, që me shumë zell afishojnë andej-këndej nervozizmin e tyre kundër Shqipërisë. Ata e bëjnë këtë duke shpresuar se do të tërheqin simpatinë e administratës ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, ata i thonë kësaj administrate: ju keni frikë nga Shqipëria e madhe? Na jepni ne ca favore e do të shikoni se jo vetëm Shqipërinë e madhe, por kurrfarë Shqipërie ne nuk e shohim dot me sy. Për fat të keq, kjo ka ecur disa herë. Por kjo shëmti nuk mund të ecë gjatë.

Në Shqipëri është folur gjatë për takimin e kreut të pozitës shqiptare, Fatos Nano, me kryetarin serb, Kushtunica. Fillimisht ky takim u përgënjeshtrua e pastaj u pohua nga vetë PS. Komenti juaj për atë që opozita po e quan afrim me Athinën dhe Beogradin dhe ndikimi i tyre mbi Shqipërinë?

-Nuk e di se në ç’ rrethana dhe për ç’ arsye është bërë ky takim. Që ai është mbajtur në fillim i fshehtë, natyrisht që është një gjë e keqe. Do të shtoja se takimi i një lideri partiak me presidentin e një shteti të kujton praktikat jo demokratike të komunizmit. Asnjë lider partiak shqiptar nuk ka mandat (tagër, siç thoshin të vjetrit) për të përfaqësuar shtetin.

Në këto kohë kemi një vatër të hapur rezistence të armatosur në Preshevë, Bujanovc, e Medvegjë. Ajo që quhet UÇPMB festoi një vjetorin e saj. Çfarë mendoni për prespektivën e kësaj rezistence?

– Që shqiptarët, ashtu si çdo popull, duhet t’i kërkojnë gjerë më një të drejtat e tyre, për këtë s’mund t’i ndalojë askush. Që të kërkojnë vëzhgim ndërkombëtar kur këto të drejta shkelen me këmbë, as për këtë s’mund të pengohen. Për sa i përket asaj që ndodh në Preshevë, Bujanovce Medvegjë, njoftimet janë kundër thënëse dhe e kam të vështirë të jap përgjigje. Kam dëgjuar se kohët e fundit shqiptarët atje kanë ndërkaq një përfaqësi politike dhe kërkojnë bisedime. Kjo është shenjë e mirë.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga një sulm i armatosur në Tetovë dhe një ushtri tjetër, “Ushtria kombëtare”, ka marrë përsipër autorësinë e sulmit. Sa e ndihmon apo e dëmton kjo çështjen shqiptare?

-Është hera e parë që e dëgjoj një gjë të tillë. Nuk mendoj se në gjendjen e sotme kjo e ndihmon çështjen shqiptare. Shqiptarët në Maqedoni duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre nëpërmjet rrugëve dhe institucioneve demokratike.

Le të kthehemi tek Kosova. Në mars të vitit të shkuar, në një shkrim të botuar në “Le Monde”, ju shkruat me entuziazëm se Kosova kishte ndryshuar shumë. Si do t’i vlerësonte shkrimtari ynë zhvillimet e gjertanishme, kur janë paralajmëruar zgjedhjet e përgjithshme?

-Kur e shkrova atë shkrim, Kosova ndërkaq ishte e lirë. Por miqtë e Jugosllavisë anembanë Europës kishin vënë kujën kundër Kosovës, pra kundër lirisë së saj. Shkrimi im ishte një përgjigje për atë krrokamë korbash. Kosova sot vazhdon të jetë e lirë. Kjo është kryesorja. Të tjerat, gjithë të tjerat, duke përfshirë edhe vazhdimin e lirisë, këto janë në duart e vetë shqiptarëve.

Shqipëria është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Shpresoni se do të ndryshojë diçka në komunikimin pozitë-opozitë, apo përsëri do të ketë mosnjohje të rezultatit nga njëra palë?

– Klasa politike shqiptare është përpara një prove themelore. Në qoftë se ajo do të vazhdojë praktikat e saj të deritanishme: provokimin, urrejtjen, përçarjen, me fjalë të tjera, në qoftë se do të vazhdojë atë rrugë të verbër që ka nisur, akuzat kundër saj do të jenë tepër të rënda. Prej kohësh i kam bërë këto dy akuza. Më lejoni t’i përsëris.

E para: ose klasa politike shqiptare është kaq e degraduar mendërisht e moralisht sa që nuk e kupton se po  e tërheq krejt vendin, pra dhe veten e saj në katastrofë.

E dyta: ose ajo e kupton fare mirë këtë, por me ndërgjegje vazhdon veprën e saj shkatërrimtare: shembjen e Shqipërisë.

Në të dy rastet, ajo nuk meriton të ketë vend në Shqipëri. Prandaj nëse dëshiron ta përligjë, qoftë edhe me vonesë veten, ajo duhet të zgjedhë me ngut një rrugë tjetër, të vetmen rrugë të shpëtimit: mirëkuptimin dhe dialogun. Për të dhënë një shembull: meqë jemi përpara zgjedhjeve, klasa politike që është në fuqi duhet të shkarkojë një orë e më parë KQZ (Komisionin Qendror të Zgjedhjeve). Dhe ky nuk është veçse një hap. I pamjaftueshëm natyrisht, po i domosdoshëm si hap i parë.

Ka një dialog të ashpër mes pozitës dhe opozitës, për atë që është quajtur provokim. E kam fjalën për dy figurat kryesore të diktaturës shqiptare Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Të parit iu shfaq fotografia në hollin e Ministrisë së Jashtme, të dytit, në një ceremoni në Muzeun kombëtar në kryeqytet, i jepet titulli “Qytetar nderi i Mallakastrës”. Mendimi juaj?

–Opozita shqiptare ka bërë shpesh vërejtje të drejta. Si puna e KQZ-së që sapo e përmenda. E keqja është se opozita bën vërejtje për çdo gjë dhe të gjitha vërejtjet i bën me të njëjtën gjuhë të ashpër, kështu që s’është e mundur të dallosh vërejtjet themelore nga të rëndomtat. Veç kësaj, opozita, pas çdo vërejtje e pas çdo mitingu, kërkon rrëzimin e qeverisë ose zgjedhje të parakohshme. Kështu që vetë ajo i ka zhvlerësuar këto dy kërkesa që janë maksimale dhe natyrisht dramatike. Një gjë e tillë, që të kujton kushtrimin e papërligjur për ujkun, është në dobi të pushtetarëve dhe në dëm të vendit, ngaqë asnjë vërejtje e opozitës nuk merret parasysh. Lidhur me dy figurat e diktaturës, kritika e opozitës është plotësisht e drejtë. I është bërë një provokim cinik jo vetëm asaj, por gjithë popullit shqiptar. Është shkelur me këmbë dinjiteti i tij. Është hedhur baltë mbi vuajtjet e tij. Në hollin e Ministrisë së Jashtme, të ministrisë që duhet ta lidhë Shqipërinë me botën e lirë, të vendosësh portretin e atij që ndau Shqipërinë nga bota, kjo është më shumë se provokim. Kjo është tallje me shtetin shqiptar, është hipokrizi e shpallur kundër aleatëve tanë euroatlantikë. Ç‘paska menduar ministri ynë i Jashtëm kur e paska bërë këtë?

-Meqenëse jemi tek figura e diktatorit Enver Hoxha. Kemi mësuar nga shtypi se romani “Dimri i vetmisë së madhe” sapo është ribotuar në Francë dhe në vende të tjera. Si shpjegohet interesimi për këtë roman, kur një nga personazhet historik është pikërisht diktatori shqiptar?

– Është e vërtetë se ky roman është botuar e vazhdon të botohet në shumë vende. Shtypi letrar i huaj është marrë e vazhdon të merret me të. Sipas këtij shtypi suksesi i romanit nxitet nga dy faktorë. Faktori i parë: ndryshe nga shumica e letërsisë komuniste që glorifikonte ndarjen me Perëndimin, ky roman shtjellon një këngë të kundërt: ndarjen me Lindjen. I shkruar e i botuar 30 vjet më parë, romani përshkruan iluzionin që lindi atëherë në Shqipëri; shpresën se Shqipëria, donte apo nuk donte, duke u shkëputur nga blloku komunist, do të bashkohej me Europën. Në roman personazhet flasin haptas për këtë shpresë. Ne e dimë se iluzioni mbeti iluzion. Megjithatë, përmendja e kësaj shprese ishte e rëndësishme dhe emancipuese, me një vend ku për një iluzion të tillë mund të të ikte koka. Faktori i dytë është se në këtë roman jepet një tablo globale e komunizmit, jashtëzakonisht e zymtë. Pjesa qendrore e romanit përshkruan mbledhjen e krerëve të 81 partive komuniste në Moskë. Ata janë përshkruar si nje klan i frikshëm, secili prej të cilëve mban të fshehur helmin dhe thikën, për t’ia ngulur njëri-tjetrit. Lexuesi botëror që dëshironte të dinte se ç‘kishte bota komuniste, kjo tablo i kallte datën, aq më tepër që ishte përshkruar nga një shkrimtar që jetonte në atë botë. Sikur Enver Hoxha ta kishte kthyer vërtetë Shqipërinë drejt Perëndimit, siç u shpresua në atë kohë, biografia e tij do të ishte mjaft e ndryshme sot dhe ndoshta nuk do të skandalizoheshim po t’ia shihnim portretin në Ministrinë e Jashtme. Por, ai  nuk e bëri atë kthesë sepse kishte frikë se fryma liberale do ta rrëzonte. Veç kësaj, a do ta pranonte perëndimi Enver Hoxhën? Kur e shkrova romanin unë besoja me naivitet se Perëndimi do ta pranonte, ashtu siç kishte pranuar Titon, me gjithë krimet e tij. Mendoj se romani “Dimri i vetmisë së madhe” ua kujtoi njerëzve atë shpresë, dhe ky është shkaku që dhjetëra mijëra kopje të tij u shitën brenda disa orëve në Shqipëri.

Në një intervistë të mëparshme dhënë gazetës “Illyria” jeni shprehur se stalinizmi për Shqipërinë është murtajë e shkuar murtajës. Bota perëndimore duhet ta ndihmojë Shqipërinë të çlirohet prej këtij  tmerri. Ç’mendim keni tani? Po e ndihmon bota Shqipërinë për t’u çliruar nga ajo murtajë?

-Dy vjet më parë kam shprehur shqetësimin për ca shenja që tregonin prirje të rikthimit të stalinizmit në Shqipëri. Për fat të keq, këto dyshime vazhdojnë. Nostalgjia për luftë klasash e disa liderëve kryesorë socialist, urrejtja e shfrenuar kundër opozitës, që në fund të fundit ngjan me urrejtjen bolshevike kundër së djathtës, marrja në poste të rëndësishme, ushtri, diplomaci, etj, e kuadrove të ish nomeklaturës komuniste, këto e të tjera si këto tregojnë një mendësi të errët staliniste. Klasa politike shqiptare që është në pushtet, nuk mund të vazhdojë praktika të tilla dyfytyrëshe: nga një anë përgjërim i hapur për Europën e SHBA-ve, nga ana tjetër, nostalgji e fshehtë për stalinizmin apo enverhoxhizmin. Ndarja e vërtetë dhe e sinqertë me krimin gjysmëshekullor komunist është e domosdoshme për çdo grupim politik në Shqipëri, e aq më tepër për ata që qeverisin. Kam parë në shtyp se sapo është botuar në Tiranë “Libri i zi  i komunizmit” i një grupi autorësh perëndimor. Që u botua ky libër është një ngjarje. Që të shkruhet versioni i tij shqiptar, do të jetë një ngjarje e madhe emancipuese. Disa mendojnë pa të drejtë se denoncimi i krimeve të një epoke përtërinë urrejtjen. Historia e njerëzimit ka treguar të kundërtën: çdo denoncim është një nxjerrje helmesh, një çlirim i ndërgjegjes, një përgatitje e paqes shoqërore. Populli shqiptar ka nevojë më shumë se kurrë për ta nxjerrë jashtë të keqen, e jo të ndërhyjë,  aq më keq, ta kultivojë atë. Kam mendimin se bota perëndimore mund ta ndihmonte më shumë Shqipërinë për t’u çliruar nga kjo lëngatë.

(E intervistoi Dalip Greca/ILLYRIA/ Shkurt 2001)

 DIÇIDURA E FOTOS

Shkurt 2001

Në Foto: Një intervistë me Ismail Kadarenë për TV Kultura Shqiptare në Nju Jork, shtator 2006, kur u nderua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Në këmbë ish- botuesi i ILLYRIA-s Ekrem Bardha dhe Adem Belliu, President i TV Kultura Shqiptare, duke filmuar.