Kadare i drejtohet Ramizit: Kemi harruar mëshirën kristiane

889
ARKIVA XI / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990

TAKIMI ME INTELEKTUALËT

(vijon nga numri i kaluar)
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së njëmbëdhjetë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualet, zhvilluar më 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë pjesë, diskutohet mes Ramiz Alisë, Ismail Kadaresë. Në mënyrë të veçantë shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, përqendrohet në punën e organeve shtetërore dhe të informacionit, lidhur me aspekte te ndryshme sociale dhe politike.
Ismail Kadare: “Mendoj se çdo popull, sidomos populli shqiptar, është shumë i ndjeshëm ndaj ndjenjës së drejtësisë, kur vendoset drejtësia në vend. Një nga themelet e stabilitetit të vendeve ka qenë gjithmonë që kush forcë drejtuese ka marre namin me të drejtë ose pa të drejtë që e ka vendosur drejtësinë. Kjo ka qenë gjithmonë e njohur në histori, që ky hyri si respektues i ligjeve, ky që nuk i respektoi ligjet, ky i mori nëpër këmbë, ky s’i mori. Domethënë edhe populli jonë e ka shumë të theksuar ketë ndjenjën e drejtësisë. Prandaj ajo që kërkohet nuk është as për hakmarrje, as për meskinitet, që kërkohen disa përgjegjës për punën edhe pse nuk janë përfshirë direkt, por të marrin dënim, sepse kjo krijon një kënaqësi të madhe në popull, krijon një siguri, krijon një qetësim shpirtëror. Kurse e kundërta krijon një acarim shumë të madh. Prandaj, hezitimi disa herë i solidaritetit, disa janë në rrethe ku kryhen këto padrejtësi. Për shembull, unë kalova një ditë, ju e përmendet atë drejtorin e policisë që ishte shkarkuar nga puna, e kishin hequr nga puna, e pashë në rrugë prapa “Dajtit”, e përqafonin njerëz në mënyrë agresive, në mënyrë të shëmtuar dhe ai i veshur me rroba civile ngjante ndryshe dhe ishte rrethuar nga ish-kolegë a kolege të tij për t’i treguar një lloj mbështetje. Këtë unë e quaj një lloj mbështetje kriminale, në qoftë se ai është hequr për një gjë të shëmtuar, ka kapërcyer ato kompetencat e policisë, ka qëlluar me armë, ka plagosur apo ka vrarë. Këta njerëz hiqen akoma se janë militante, me ç’të drejtë? Se kjo gjë rrezaton kudo pastaj. Prandaj mendoj unë, kjo nuk është aspak një ndjenjë meskine, sepse populli nuk u gënjekërka fare. Di vetëm që filani ka shtënë, filani ka dhënë urdhër të keq, filani është i dalluar për egërsi, ai kënaqet dhe di që filani u shkarkua për këtë gjë. Dhe mendoj unë që diçka në shtyp nga kjo, një pjesë e këtyre rasteve, duhet të dalë, sepse ndihmon dhe nuk sjell asnjë të keqe. Mendoj se në vendin tonë është krijuar një, një… domethënë trajtimi me realizëm i asaj që përmenda vetëm ndihmon në stabilitetin e njerëzve. Aq sa të gjykohet. Nuk jam për lajme sensacionale, as për të shuar kuriozitetin e sëmurë të njerëzve, por ama një minimum realist dhe solid i informacionit patjetër që duhet të jetë. Nuk mund televizioni të shtojë folklorin sa herë që ka ngjarje delikate. Për mua, unë e quaj këtë gjë një zgjidhje qesharake. Shton këngët popullore se kujton që po rrit edukimin e njerëzve. Mendoj që në Shqipëri, duke marrë shtypin dhe të gjithë ne, ka një egërsim të madh, të dyanshëm. Nga një numër i pafund njerëzish që përplasen dhe rrezatojnë ndjenja jo njerëzore me njëri-tjetrin dhe pastaj kalon te tjetra. Ky rrezatim domethënë, mijëra njerëz vërtiten te ne me lutje, me gjëra që absolutisht nuk duhet të harxhoje kaq shumë kohë, ka një mungesë moskuptimi nga nëpunësit. Kjo mungesë moskuptimi kalon disa herë tek ata njerëz që ankohen. Si të thuash, një mungesë ndjenjë njerëzore shumë të madhe, me të cilën shtypi jonë, organizatat e partisë, shoqëria jonë nuk merret më për të ecur përpara. Ne kemi bërë vërtet luftë kundër asaj që quhet mëshirë kristiane, por kemi harruar që këto ndjenja janë ndjenja njerëzore, që janë mbi fe. Ka një mëshirë njerëzore që është gjithashtu një kategori humane njerëzimi. Ka një kërkim ndjesë, një pardon. Të gjitha këto janë përjashtuar nga jeta jonë. I kemi përjashtuar dhe nuk i kultivojmë. Nuk është vetëm mëshira, nuk është vetëm kristiane, është një nga ndjenjat më të mëdha të njerëzimit. Të të vijë keq për tjetrin kur vuan dhe t’ia zgjidhësh atë që ka, sepse nuk ka vetëm kategori objektive në jetë, ka dhe kategori njerëzore. Unë kam njohur, me ka qëlluar rasti, zyrtare, që nuk i vjen fare keq, madje kanë kënaqësi që e shohin të vuajë tjetri, qeshin kur i thua: “He mo ai sakat, punë e madhe, 8 muaj ka që rri në rrugë”. U ankuam një herë ne bashkë me Leta Shkurtin, për një familje që vazhdon akoma të … ka që nga vjeshta e vitit të kaluar vazhdon edhe tani, ka kaluar gjithë dimrin në rrugë, me plasmas: Po i dhamë një herë, e bëri naze për shtëpi. Si mund të lësh pa shtëpi një familje, me grua, me fëmijë. Të rrijë në rrugë dhe as nuk ndiejnë keqardhje fare, por reagojnë duke qeshur: Ka të drejtë ka, por do t’ia zgjidhim. Ky ishte një nga shembujt e panumërt që janë në jetën e përditshme njerëzore dhe këta njerëz vërtiten zyrë më zyrë, qytet më qytet, unë i shoh që flenë nëpër lulishte, asnjërit nuk i vjen keq. Të shtrirë atje barkas me dhjetëra, natën, se nuk kanë ku venë, aty para shtëpisë sime, nuk i pranojnë hotelet, me fëmijë, flenë burri, gruaja dhe 3 fëmijë. Unë nuk e di Komiteti Ekzekutiv i ka parë, por duhet t’i ketë parë. Policia i ka parë. Nuk mendojnë ndonjëherë se ku do të venë këta njerëz, janë shqiptarë, janë qytetarë të këtij vendi. I shikojnë me mijëra që kalojnë aty edhe thonë: Mor po ç’është kjo?! Por, asnjë nuk i ndihmon, nuk hyn ndonjë ligj apo ndonjë komitet, apo ndonjë shkresë, nuk hyjnë këta njerëz. A mund të jetë margjinuar kaq shumë shoqëria tonë?! Prandaj them unë që shtypi jone do të trajtojë probleme sociale, kupton ti. Mund të gjejë, ka me mijëra të papunë, jo me sensacione, por t’i trajtojë, por ka mënyra për t’i trajtuar. Mendoj se një perspektivë e pret populli jonë. Unë kam gjithmonë besim se populli jonë, pavarësisht nga ajo natyrë dinamike që quhet dhe nervoze disa herë, në thelbin e tij është i duruar. Nuk ka populli shqiptar padurim të sëmurë, nuk besoj se ka. Unë mendoj se vetëm duhet gjendur gjuha, marrëveshja, dialogu i mirë me të. Është populli, duhet të ketë mirëkuptim të madh me shtetin. Unë kam këtë besim te patundur, e kam pasur dhe do ta kem në gjenetikë të gjerë. Prandaj nëse krijohen të tilla eksese dhe padurime, krijohen nga një mosfunksionim i mirë, nga rrethana të tjera që u analizuan dhe u fol këtu, por edhe nga një mosfunksionim i mirë i administratës me të. Por, unë mendoj se janë shumë probleme që duken shumë gogol, që janë tepër të kapërcyeshme. Unë mendoj që në propagandën tonë duhet t’i japim perspektive ekonomisë. Të themi gjëra roze kot, të japim gënjeshtra kot, por ama ajo që do të bëhet, nuk ka pse kështu… Ta themi që përpara, edhe nëse do të bëhet pas pesë vjetësh, ta dijë ai që edhe kjo naftë do të dalë pas pesë vjetësh, kjo rrugë do të ndërtohet pas pesë vjetësh. Sepse në fillim sapo ai të shikojë buldozerët e parë, ajo do të krijojë ndjenjë gëzimi te njerëzit dhe ai e ndjen mirëqenien që atje, kur e shikon që kalon makina, po e rindërton ndërkaq, që filloi. Po kështu pa thënë asgjë, duke i mbajtur gjysma nëpër zyra, nuk dihet se çfarë do të ndodhi, se çfarë ashtu… Me realizëm, shtëpitë do rriten kaq, mirëqenia do të rritet kaq, për dy vjet nuk do të rritet asgjë se nuk ka mundësi, por ama mund të ketë. Pasi perspektiva është një fuqi reale, materiale. Perspektiva, shpresa janë gjëra reale, nuk janë ëndërrime si të thuash. Që nga momenti që vepron me afat, ajo fillon të veprojë në ndërgjegjen e njeriut. Ajo thotë që e dua pasnesër kur e ka të turbullt se çfarë do të ndodhi. E shikojmë dhe dëgjojmë se çfarë po bëhen, mundësia, kontrata, ato që mbyllen të reklamohen se janë gëzim i madh, nëse do të bëhen, hotel, rrugë, plazh. Të gjitha këto duhet të dihen, nuk ka asgjë të keqe. Me të vërtetë njëra e ka afatin tre vjet, por njëra e ka afatin 3 muaj, njëra e ka katër muaj dhe ai e di që kjo vjen përpara dhe kjo vjen më pas, krijohet një vizion i qartë i jetës. Gjithashtu mendoj që konkretisht meqë është përpara ligji i zgjedhjeve, mendoj që është një nga ligjet e rëndësishme që do të luajë rol. Unë nuk jam specialist dhe nuk jam marrë ndonjëherë me këtë gjë, por e them si parim, si të thuash. Suksesi i këtij ligji, konceptimi i tij sa më i mirë, sa me i thellë, sa më i drejtë, do të lozi një rol shumë të madh bashkë me këtë të perspektivës ekonomike”. 
Sigal