Ju tregojmë ditën e fundit të luftës, kur gjermanët ikën nga Shkodra

850
Sigal


29 nëntori, dita e çlirimit në dritën e dokumenteve të shumta gjermane e të huaja.

Në dritën e dokumenteve të panumërta të të dy palëve ndërluftuese, por edhe të dëshmive të shumta të pjesëmarrësve në ato luftime për çlirimin e Shkodrës që jetojnë akoma; na duhet të deklarojmë me përgjegjësi se ajo e dhënë e marrë si e plotë përfundimtare, e shkruar nga një oficer pa emër, në një kohë që ai nuk dinte se ku kishte kokën e tij, pasi trupat e Ushtrisë së Kuqe kishin kaluar Oderin dhe ndodheshin 70 kilometra larg Berlinit. E ndërkohë trupat Aleate kishin kaluar lumin Rinnin (G. Zhukov fq 230) dhe ndodheshin 80 kilometra nga shtabi i “Vermathit”, jo vetëm nuk mund të quhet histori e mrekullueshme, por as mund të vlejë për një vlerësim historik, sepse dokumentet e më poshtme atë e zhvlerësojnë fund e krye. Ata janë shumë por po përmendim vetëm disa nga më kryesoret:  1- Korpusi XXI-Alpin i Komanduar dhe Gjenerali Ernst von Leyser (pjesa e grupit “E” të forcave Tokësore të vendosura në Frontin e Adriatikut). Me 29 Nëntor 1944 lëshoi qytetin e fundit të Shqipërisë, Shkodrën. (D.U.GJ. Fronti i Adriatikut K.T.B. fq 673 dt. 30 Nëntor 1944). 2- Raporti i Kolonelit Steyri, Nr. 000029, dt 28.11.1944 që u përmend më lartë, është sintezë e luftimeve në Tiranë dhe e lëshimit të Shkodrës. 3- Plani i tërheqjes i trupave gjermane nga Shqipëria që jep dt 30.11.1944. 4- Ditari i oficerit “SS” majorit Behn i jep fund dilemës se Shqipëria u çlirua me 28 Nëntor siç duan të thonë (zh)bërësit e historisë. 5- Plani (Procesverbali) i hedhjes në erë të Urave të Bahçallëkut e të Bunës në mbrëmjen e dt. 28 Nëntor 1944. 6- Gjenerali amerikan Percy: “Tani pothuajse e gjithë Shqipëria është çliruar” (Nga urimi i Perscy-t me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit)

Shih gazetën “Luftëtari” nr.46. 7- Ish anëtari i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, profesori i njohur Isuf Luzi, ka deklaruar publikisht: “Me 28 nëntor 1944 ishim në Shkodër, dhe atë pasdite ikëm për në Ulqin e më tej në Sarajevë e në Vjenë” (Intervista e tij dt. 6. Nëntor 1998). 8- Po vulën e vërtetësisë, kësaj date dhe ngjarjeje, ja ka vendosur njeriu i Perëndisë, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në Shqipëri në ato ditë në Shkodër, Nigris, i cili në raportin e tij që i dërgonte Selisë së Shenjtë në Romë shkruante “Kontigjenti i fundit gjerman u nis në ora 04 të datës 29.11 2014” Në këto kushte dhe në këto dokumente edhe të Vatikanit, a ka më të drejtë të diskutojë kur iku ushtari i fundit gjerman nga Shqipëria? Dhe përsëri të hidhen gurë në pus edhe tani në prag të 70 vjetorit  të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas? Është për të ardhur keq, por këtë që përsëriti me datën 24 tetor 2014 edhe profesori i mirënjohur amerikan Bernd Fischer në një intervistë dhënë gazetës “Dita” duke thënë: “Bindja ime është se data korrekte e çlirimit është 4 dhjetori 1944”, se gjermanët i mbetën idesë që u tërhoqën me 4 dhjetor , pra as me 28 as me 29 Nëntor. “Të them të drejtën është shumë e vështirë të përcaktohet se kur u larguan” – vazhdon profesori. – “Ideja është që duhet të festohet dita e çlirimit në mënyrë të përgjithshme dhe jo në një datë të caktuar, ose të festoni të dy ditët”. Këtyre vlerësimeve çdo emër mund tu vësh dhe nuk gabon. Por për neve, pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në ato ngjarje dhe të pranishëm në ato data të veprimeve luftarake për të cilat bëhet fjalë, kur me 1-2 dhjetor 1944, kaluam kufirin shtetëror në Han të Hotit. Dhe më 4 Dhjetor 1944 luftonim jo më për çlirimin e Shkodrës, që ishte çliruar me datën 29 Nëntor, por për çlirimin e Tuzit, Medunit, Bozhajt, Deçiçit etj në Mal të Zi. Na duket se këtu nuk bëhet më fjalë për datën e çlirimit, por bëhet fjalë për të mohuar LANÇ-in në tërësi, si pjesë e pa ndarë në Aleancën e Madhe Antifashiste anglo-sovjetiko-amerikane në Luftën e Dytë Botërore. Pra për të mohuar kontributin e popullit shqiptar në atë luftë për jetë a vdekje edhe për shqiptarët. Ndryshe nuk ka si kuptohen këto përpjekje mese djallëzore 24 vjeçare, ndaj asaj lufte që i garantoi pavarësinë e plotë Shqipërisë. Janë këto arsyet që neve, ish-pjesëmarrësit në atë luftë (që lamë edhe pjesë të trupit tonë atje), na indinjon dhe na revolton fakti i mohimit të së vërtetës historike për LANÇ-in dhe të datës të përfundimit të (çlirimit) të saj dhe jo diçka tjetër.

Naxhi Zhupa

Arif Bizhga

Mato Hasamataj

Shërbet Karuli

Zenel Koshaj

(Veteranë, invalidë të LANÇ-it, ish pjesëmarrës në luftimet në Mal të Zi).