Ju rrëfej Tiranën, si e konceptuan fashistët dhe komunistët

1194
Leonard VEIZI
Rrëfimi i arkitektit të njohur Petraq Kolevica për artin dhe idenë e ndërtimit në epokën komuniste të vendit 
Megjithëse ka probleme me shëndetin dhe shikimi i është dobësuar ndjeshëm, ai sërish del për çdo ditë nga apartamenti i tij. Nuk do ta ndihmojë njeri tek hipën e zbret shkallët e ulëta, përveç një karroce të vogël me rrota tek, e cila mbështetet për të pasur më shumë siguri. Arkitekti i mirënjohur Petraq Kolevica, më shumë nge të merret me artin e tij poetik apo me shënime në prozë dhe më pak mundësi të sjelli për Tiranën e sotme një maket të ri arkitekture. E pra, një pjesë e pallateve të banimit apo institucioneve të tjera të rëndësishme në vend, mbajnë firmën e projektit të tij… 
.Ai nuk është shumë optimist për gjithçka është bërë e po bëhet në Tiranë, duke theksuar se në fund të fundit, as projekti italian i paraluftës, as ndërthurja e modeleve fashist me ato të kulturës ruse dhe as ndërtimet e fundit që janë lartuar në Tiranë, nuk kanë sjellë ndonjë gjë të pazakontë në arkitekturë. Gjatë një interviste për “Telegraf”, Kolevica kujton gjithë punën dhe përpjekjet e tij, në një kohë kur arti modern quhej herezi dhe prangat për të të çuar në qelinë e radhës të qëndronin gjatë gjithë kohës mbi kokë:

Si do të profilizoheshit në arkitekturë?
Ka qenë viti 1952 dhe përpara se të mbaronim klasën e katërt në Gjimnazin e Korçës, na thanë të bënim lutje me kërkesën se në ç’degë dëshironim të vazhdonim studimet e larta. Nuk shihesha me sy të keq nga njerëzit e partisë në gjimnaz, po as me sy përkëdhelës, prandaj e dija se nuk do të më jepej bursë për studime jashtë shtetit. Megjithatë, duke u tallur me veten e me shoku-shokun, i bëmë ato lutje me kërkesa qesharake, ku pata shprehur dëshirën të studioja për tregti të jashtme, sepse më kishin thënë që atje mësonin 2-3 gjuhë të huaja dhe mua ato më duheshin për qëllime të tjera. Por kjo bursë s’mu dha.

Cilat ishin arsyet?
Të vërtetën e asaj kohe për bursën time e mora vesh plot dyzet vjet më vonë, kur më ra në dorë dosja me shkresa që mbahej për mua në zyrën e kuadrit të Institutit, ku pata punuar. Aty gjendej dhe shkresa me vendimin e organizatës bazë të partisë të Gjimnazit, ku thuhej: “I ati ka pasur 20 ose 30 dynym tokë në të cilën ka mbajtur dhe bagëti si lopë… nga reforma agrare i është marrë toka. Për bagëtinë që kanë, nuk u janë dhënë triskat e bukës. Opinioni i komisionit është që t’i akordohet gjysmë bursë brenda shtetit”.

Cila do të ishte bursa që ju akordua?
Fundi i gushtit i dha fund pritjes sime e merakut të nënës. Më lajmëruan se do të më jepej bursë të studioja në Institutin Politeknik të Tiranës në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Tani, që po i rikujtoj ato kushte, çuditem se sa të urtë e të bindur apo të shtypur, kemi qenë. Nga shkolla e konvikti (sot shkolla “Q.Stafa”), shkonim në mensën kundrejt stadiumit, Pallatit të Sporti: “Partizani”, që në mëngjes, të pinim një gotë alumini me të ashtuquajturin çaj dhe një copkë marmalatë. Racionin e bukës (600 gr në ditë) e mbaronim një ditë më parë. Në drekë, një supë me makarona e një lëng të kuq, që quhej yndyrë. Tri-katër herë në javë nga një copkë mish. Gjellë me presh, lakër, kungull, etj.. Dy vitet e para, bukë misri. Më 7, 8 e 29 nëntor, ëmbëlsirë! Dy lugë hallvë… Dhomat e fjetjes nga 5, 6 deri në 12 vetë. Asnjë lloj ngrohjeje. Larje në banjot publike dimër-verë, afër sheshit A. Rustemi. Të veshur keq e gjithmonë me këmbë të lagura. 

Po kushtet e mësimit cilat ishin?
Keq ishin dhe kushtet e mësimit. Tekste përgjithësisht nuk kishim. Gjatë orëve të mësimit ktheheshim në automatë shënime mbajtës. Mjetet e punës mungonin. Mësimin e gjeodezisë e bënim me një instrument të stërvjetër, që me tallje, e quanin “Astrollap”. Vizatimet i bënim me riga (trekëndëshe) druri të vjetër, shpesh të shtrembët, të huazuar nëpër miq e shokë. Dhe të doje të blije, nuk gjeje dyqan që të shiste gjëra të tilla. Në kushte të tilla të këqija banimi, ushqimi e studimi, që s’mund të kuptohen nga studentët e sotëm e ca më pak nga ata të nesërm, mbarova të pesë vjetët e asaj shkolle. Me disa profesorë rusë dhe me inxhinierë shqiptarë, që para tre-katër vjetësh kishin mbaruar studimet e tyre, kryesisht në Bashkimin Sovjetik, zhvilluam një mori lëndësh teknike, ku arkitektura zinte vendin përtej fundit. Zoti Besim Daja, më shumë nga dëshira e tij e mirë për të na dhënë disa njohuri, se sa për plotësimin e programit mësimor, na bëri 4-5 orë mësimi mbi historinë e arkitekturës ku, mbasi kaluam në një panoramë të shpejtë dhjetëra shekuj të arkitekturës antike, asaj babilonase, egjiptiane, greke, romake, asaj mesjetare e të Rilindjes, një orë e tërë iu kushtua kritikës së arkitekturës së epokës të kapitalizmit e veçanërisht asaj amerikane, që stigmatizohej si më e keqja. Doemos, profesori ynë i nderuar, s’mund të bënte ndryshe kur, në çdo gjë, lëvdohej BS e shahej Amerika.

Pra ju adoptuat modelet ruse të arkitekturës?
Gjatë viteve që vazhdova atë shkollë, e vetmja revistë arkitekture që vinte e lejohej të shihej ishte “Arhitektura SSSR” (Arkitektura e BRSS). Në ato vite (1952-1957), kur unë vazhdoja Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, shtypi, radioja, kinemaja, konferencat, s’kishin gjë tjetër veçse lëvdata për BS-në, të cilat amplifikoheshin në muajin e miqësisë shqiptaro-sovjetike, kur na mësonin të këndonim këngën për kodrat “Lenin”, ku ngrihej Universiteti i Moskës. Në këtë atmosferë më gjeti pranvera e vitit 1957, kur do të filloja projektin e diplomës. Si temë m’u caktua projektimi i një kinoteatri dhe konsulent u caktua arkitekti Gani Strazimiri, që kishte studiuar në BS, dhe në atë kohë mbahej si arkitekti më i zoti. Dhe me të vërtetë, për atë lloj arkitekture, ai ishte pa konkurrent.

(vijon nesër)
Kolevica kundër arkitekturës sovjetike
Si u zyrtarizuan ndërtimet butaforike
“Pas çlirimit, krahas entuziazmit sipërfaqësor të rindërtimit, filluan traumat e para sociale: burgimet, internimet, shpronësimet. Pas dashurisë me Titon, filloi inçesti me Bashkimin Sovjetik. Krahas ndihmave ekonomike me synime politike, vërshuan e na përmbytën dallgët propagandistike. Radioja fliste gjithë ditën për B.S., e prej saj buçisnin këngët ruse. Përmbi letërsinë dhe artet shkoi ruli i realizmit socialist. Balalajka e mbyti çiftelinë, Tvardovski përshkonte Labërinë, poetët himnizonin Stalinin. Duke mos dashur të le shteg për keqkuptime, them se mëria për propagandën e kohës nuk ma zbehu dëshirën për të njohur kulturën ruse. Qysh në vitin e fundit të gjimnazit ne filluam të talleshim me propagandën megalomane ruse. Në librin tonë të historisë, fizikës etj., në shumë faqe kishte shënime ku “sqarohej” se shumë shpikje të bëra nga shkencëtarët evropianë apo amerikanë në shek. XVIII e XIX ishin bërë kohë më parë nga rusët. Në njërin prej këtyre shënimeve p.sh., thuhej se hekurudhën e kishte shpikur një kovaç nga Urali që shinat i pati bërë prej druri. Bujë të madhe bëri dhe pretendimi rus për shpikësin e radios ku thuhej: “Jo! Radion nuk e ka shpikur Markoni, por shkencëtari i madh rus Popov!” Madje, dhe hija e Lomonosovit mbulonte Njutonin. Propaganda e llojit të mësipërm u shtri pastaj e u materializua në arkitekturë. Këtu ora eci mbrapsht të paktën një shekull. Me projekte të ardhur nga “Bashkimi i madh Sovjetik'” e me saze propagandistike nga prapa, u ndërtuan Kombinati i Tekstileve e Kinostudioja në Tiranë. Në fillim të viteve ‘50 erdhën disa arkitekte që kishin studiuar në B.S., e bashke me ta, u zyrtarizua arkitektura butaforike sovjetike, që polli e mbolli në të gjithë Evropën Lindore mostra ndërtesash të shëmtuara. Kështu te ne u ndërtuan banesat në Shallvare e gjatë Lanës, në Tiranë, hoteli “Adriatik” në Durrës, Teatri në Shkodër etj.. Dhe ky stil u kurorëzua me ndërtesën e Komitetit Qendror. Të gjitha këto bëheshin në kohën kur unë vazhdoja Fakultetin dhe ndonjëri nga ata arkitektë ishte dhe pedagog te ne. Madhështia e rreme, që kërkohej të arrihej me ndërtimet e mësipërme, solli një farë arkitekture të shpërshishur me kolona të kota, kapitele, korniza e dekore jashtë kohe që gjeti shpejt mosmiratim në popullin tonë”.

Aplikimi në vite
Si u ndërtuan “Dajti”, “Banka”dhe Materniteti
Por cilat kishin qenë modelet e aplikuara në arkitekturën shqiptare? Arkitekti i mirënjohur Petraq Kolevica sqaron: “Në periudhën e Shtetit të parë shqiptar, që lindi si Republikë e vdiq si Mbretëri, veçanërisht në vitet 1930-1940, nëpër qytetet tona kryesore u bënë ndërtime nën frymën e arkitekturës “Protomodeme”, e cila kishte filluar të përhapej në Evropë. Kështu mund të përmendja godinat e bankave në Korçë e në Tiranë, hotelin “Dajti” etj.. Vlen të përmendet që këtë kohë arkitekti Qemal Butka, që projektoi Bashkinë e Korçës, një kopsht fëmijësh në Tiranë, që fatkeqësisht u prish, si dhe banesën e tij, ku është i pari që futi me sukses elemente të arkitekturës kombëtare në arkitekturën e kultivuar. Nuk duhet harruar as shoku i tij, arkitekti austriak, që bëri plot ndërtime të bukura në Sarandë. Pushtimi fashist, ndonëse i shkurtër e në gjendje lufte, për interesat e veta, me synime koloniale, bëri ndërtime deri atëherë të panjohura në Shqipëri. Kështu p.sh., u ndërtuan të parat blloqe banesash 3-4 katëshe, godina e Kryeministrisë, kompleksi i sotëm Universitar dhe Materniteti në Tiranë. Nuk duhen harruar as vilat nazike që u ndërtuan në Tiranën e Re para e gjatë atij pushtimi e as ndërtesa e Kishës Katolike. Megjithëse në ndërtesat qeveritare të ndërtuara gjatë pushtimit ndihej fryma e stilit të arkitekturës fashiste të Piaçentinit, në përgjithësi u bënë ndërtime të bukura, me arkitekturë moderne, me materiale veshës e punime të cilësisë së lartë. Gjithashtu, në vitet e para të pushtimit, kur u zhvillua tregtia dhe shumë njerëz shkuan në Itali e gjetiu, panë ndërtimet e reja të atjeshme, gjë që e forcoi edhe më shumë shijen e popullit pro arkitekturës moderne aq dhe si mundnin ta kuptonin intuitivisht ata njerëz. Kështu, viti 1945, e gjeti popullsinë qytetare shqiptare, veçanërisht atë të shkolluar, me një shije relativisht të formuar pro arkitekturës moderne, racionale, funksionale. Intelektualët, që kishin studiuar në vendet kryesore të Evropës dhe ishin kthyer të punonin në vendlindje, dinin t’i çmonin ndërtesat si hotel “Dajti”, Banka e Materniteti në Tiranë dhe ato mbetën për shumë kohë njësi matëse krahasimi në gjykimin e vlerave arkitektonike të ndërtesave të mëvonshme. Ndërkohë filloi ndryshimi i sistemit shoqëror”.
Interesi i Enver Hoxhës për akomodimin e Sekretarit të Parë të BRSS-së
Sherri me Mehmet Shehun për vilën e Hrushovit në Vlorë
Nën drejtimin e S.Luarasit bëra ca vizatime planimetrike të një godinë ekzistuese, ku do të bëheshin ndryshime sipas disa porosive të dhëna nga diku. Ishte gjysma e dytë e vitit 1958. Një ditë pastaj shkuam në Vlorë në zonën e vilave të Ujit të Ftohtë. Hymë te njëra. Ishte ajo për të cilën kisha bërë vizatimet. S.Luarasi më shpjegoi edhe njëherë në vend se ç’ kërkohej të bëhej dhe ikëm. Aty nga fundi i shtatorit më thanë: “Me urdhër të Ministrit, do të vesh të punosh për atë vilën në Vlorë”. Më dhanë projektin që kishim bërë, të cilin do ta zbatoja dhe u nisa. Mbërrita. Ç’të shikoj? Vila dykatëshe ishte prishur. Ishte hequr çatia, dyshemeja mes kateve, dyert e dritaret dhe kishin mbetur vetëm muret mbajtëse, dy kate gati për t’u shembur në çdo çast. Për të fjetur më vunë në një dhomën si barake, poshtë kësaj vile, ku flinin policët. Më dhanë një brigadë me nja 25 veta dhe fillova. Llogaritjet konstruktive i bëja në këmbë e porosisja hekurat e soletave. Arritëm në çati, të cilën e kishim parashikuar të bëhej tarracë për ta bërë një vilë disi moderne. Një ditë përpara se të betononim trarët e tarracës, ia behu një ZIM i zi. U hap porta: Mehmet Shehu! “Si do ta mbuloni sipër?”- më pyeti. “Me tarracë” – i thashë. “Si?” – klithi Mehmeti. “Dashkeni të na piqni këtu? Me çati të bëhet! ” – tha dhe krisi iku. Erdha urgjentisht në Tiranë. Bisedova me S.Luarasin, ai shkoi bisedoi me të tjerët dhe më thanë të bëhet me çati të ulët me eternit e me parapet rreth e qark, që të mos dukej. U hoqën hekurat e trarëve. U prishën kallëpet, u vunë trarë e listela për mbulim me etemit. Ndërkohë që mbulimi me etemit po përfundonte, ia mbërriti përsëri ZIM-i i zi. Doli Mehmeti. “Me se po e mbuloni kështu?” “Me eternit”. “Pse në barakë do të na futni?”- klithi. “Ju thashë, mbulojeni me çati!” – dhe iku. Përsëri prishje. Përsëri nga e para çatinë. Për fat të mirë ishte hera e fundit. Gjatë ndërtimit erdhi për të parë vetë Enver Hoxha. “Të na e bëni të mirë këtë vilë, – tha – se nuk e duam për vete, e kemi për miq”. Shpejt paskëtaj, mora vesh, se do të vinte Hrushovi. 

Gjuetia në Karaburun
Kryeministri, “orgji” me derrat e egër
Gjatë ndërtimit të asaj vile mësova shumë gjëra. Pashë për herë të parë Koço Tashkon që pushonte në një nga ato vila të dorës së dytë. Nga sjellja haptas me mospërfillje e madje me përbuzje ndaj tij, e punonjësve të shërbimit e të rojeve, kuptova se ai tashmë ishte njeri i padëshiruar. Pashë nga afër tërbimin e Mehmet Shehut dhe orgjitë e tij gjahtare-gjakatare, kur dilte për të vrarë derr të egër në Karaburun. Më të tërbuar se ai, ishin rojet që e ndiqnin nga pas. Sapo ndalonin dy-tre gaze të vila mbi tunel, krijohej një atmosferë frike, terrori e tensioni të pashpjegueshëm. Qarkullimi rrugor ndalohej. Fabrika e vajit mbyllej. Shuhej kaldaja e saj se ai nuk dëgjonte dot zhurmën e lëshimit të avullit. Orgjitë e gjahut me sa duket i ishin bërë të domosdoshme atij njeriu që desh të shihte patjetër gjak. Atëherë mora vesh, se kur nuk vriste derr të egër, bëhej vetë i egër e s’guxonte t’i dilte njeri përpara. Që ta kishte të sigurt gjahun në zonën e Butrintit çoi derra të butë të zinj femra, që të kryqëzoheshin me të egrit e të shtoheshin. Pashë harxhime pa kursim për ta bërë zonën e vilave parajsë të mundshme përmbi tokë. U ndërtuan nja dhjetë vila të reja, u bënë rrugë e rrugica, mbilleshin portokaj, limonë, pemë. Vetëm mua më dhanë 100 ushtarë të komanduar nga një kapiten për të bërë pastrime rreth e qark. Nga fillimi i majit ’59 vila përfundoi dhe unë ika. Në qershor erdhi Hrushovi. Me sa kam dëgjuar, kjo vilë që u modifikua për Hrushovin, aty nga viti 1978, u prish krejt e në vend të saj u ngrit një vilë për Mehmet Shehun e projektuar nga K.Çomi.
Sigal