Sigal

Arkiva III/ Ish-Komandanti i Korpusit Novruz Dervishaj: “Bombardimi me armë të rënda i fortifikatës me njerëz brenda”. Kërkesa e Mehmet Shehut për të testuar ushtarakët e rinj

Ju rrëfej oficerët që u përdorën për eksperiment

Leonard VEIZI

Që çastin kur vishje uniformën me spaleta mbi supe, ishe i detyruar të zbatoje urdhrat e eprorit. Në të kundërt, nuk kishte prerje të ditës së punës, as lirim nga detyra, por gjyq ushtarak.

Historia që rrëfen ish-komandanti i korpusit, Novruz Dervishaj, është një tjetër çudi. Nuk ka qenë një stërvitje me municion manovre, dhe qeniet ku testohej armatimi ishin njerëz me uniformë, jo kavie eksperimentesh. Duhej provuar fortësia e fortifikatave të betonit. Deri këtu s’kish asgjë të keqe. E keqja filloi kur së bashku me fortësinë e betonit dukej provuar dhe guximi i ushtarakëve shqiptarë. Më shumë se 20 oficerë të rinj janë detyruar me komandë të futen brenda fortifikatës për të qëndruar aty derisa “lufta” të mbaronte:

Si e konsideroni sot çështjen e fortifikimit?

Nuk dua aspak të analizoj vetëm forcën apo rëndësinë e atij fortifikimi, të shpjegoj pse u ndërtua dhe a ishte efektiv. Këto janë probleme që kërkojnë gjykime, komplekse dhe unë, sado të marr përsipër ta bëj një gjë të tillë, nuk mund të arrij dot në një shpjegim shkencor. Por dihet se e tërë bota jo vetëm që ka ndërtuar sa e sa objekte për ushtrinë dhe popullatën, por ka shfyrtëzuar edhe çdo mundësi mbrojtëse të terrenit. Ne kemi menduar me bindje se bënim një punë me vlera të mëdha. Prandaj për disa vjet i kushtuam asaj dijet, energjitë dhe mundësitë tona. Edhe sot jam i bindur se tërë ato pika zjarri, veç e veç në kompleks, janë vija mbrojtëse të pakalueshme, por fortifikimi ynë u zhvlerësua, sepse u tradhtua nga lart, pra u sabotua pa iu dhënë mundësinë të përdorej.

Pra një mjet lufte u përdor vetëm në kohë paqe?

Më 1971 mora pjesë në një stërvitje eksperimentale në Qafën e Qarit. Korpusi i Korçës dhe MM kishin kohë që punonin. U tha se kjo stërvitje ishte eksperimentale dhe kishte si qëllim kryesor të provonte përgatitjen psikologjike të efektivit dhe forcën mbrojtëse të fortifikatave betonarme. Efektivi do të futej në këto rajone e pikëmbështetje betoni, ndërsa artileria e disa kalibrave do të përfaqësonte artilerinë e një divizioni, të imituar dhe të mbështetur nga aviacioni, e cila me shpenzime maksimale të municionit do të godiste drejtpërdrejt mbi këto rajone. Pastaj, krahas përllogaritjeve, do të bëheshin edhe pyetje për efektivat mbi ndikimet praktike dhe psikologjike.

U qëllua me municion luftarak?

Natyrisht. Kishin se çfarë të tregonin ata që morën urdhrin të qëndronin brenda fortifikatave. Shefi kryesor m’u drejtua mua: “Pa mblidhi oficerët e rinj, që nuk e kanë provuar luftën dhe futi në tunel!” Unë nuk pata kohë të arsyetoja, por komandova. Pastaj raportova: “Në rresht 22 veta, jemi gati për të zbatuar detyrën!” Tuneli ishte me seksion mesatar, por i paveshur me beton. Dukej tensioni ynë, por kërkonim të tregoheshim sa më trima. Filluan shpërthimet. Toka dridhej pas çdo goditje, guriçkat shkëputeshin nga tavani dhe binin me breshëri mbi kokat tona. Papritur gjëmimet u shtuan. Ca dëgjoheshin fare afër. Më bëhej sikur do të më çahej daullja e veshit, prandaj gojën e mbaja gojën hapur.

Si u përjetua emocionalisht një gjë e tillë?

Dikush ia mori këngës. E çfarë mund të bënim tjetër. U dëgjua një shpërthim i fortë, ndoshta i paparashikuar. Një predhë 45 kg e mortajës 160 mm, siç na thanë më pas, kishte shkatërruar pjesën e transhesë të mbuluar me elemente betoni dhe pas kësaj në ndienim valën goditëse, e cila kishte shpërthyer derën mbrojtëse, vërshoi në tunel, u përplas te një kthesë betoni dhe ashtu e amortizuar u fashit ngadalë derisa mbërriti te ne. Diçka ndiem, por s’u dhamë. Isha i detyruar të merrja frymë thellë për të mbledhur veten.

Sa do të vazhdonte ky tension?

45 minuta vazhdoi përgatitja e artilerisë dhe imitimi i aviacionit mbi ato fortifikata. Predhat e 7 grupeve artilerie dhe imitimi i aviacionit në vetëm 1000 metra katrorë kishin bërë punën e tyre. Përfundimet u dhanë në Boboshticë. “Hë, Novruz, si t’u duk eksperimenti?” – më pyeti Petrit Dumja. Pa hezitim iu përgjigja: “Tani nuk jemi më ata që ishim brenda, ca gurë na gudulisën në helmeta, dhe kjo mjafton për t’u tronditur.” – “Ke të drejtë, nuk është kollaj për t’u ambientuar”, – u përgjigj ai shkurt, siç e kishte në natyrë. Edhe më pas e kam kujtuar atë lloj eksperimenti. Ç’të qe?! Pse u bë në atë formë?! Ne që u futëm në tunel a nuk ishim njerëz?! Pse duhej të trajtoheshim si kavie?!

DËSHMIA

Vitet ‘74-‘75, ja historia e një krimi

“Viti 1974, as duhet fshehur e as duhet falur. E keqja duhet kërkuar në atë që sistemi ynë i quajtur socialist, kishte filluar të kalbej nga shumë faktorë, propaganda boshe kishte goditur ndjenjën e dashurisë për Atdheun, kishte ndrydhur lirinë e të gjithëve në emër të lirisë të njërit, hiqej liberale e demokratike por ishte kthyer në diktaturë, kishte shkuar në të përmbysur sepse nuk bëri asgjë nga ato që premtoi. Dyshimi, parandjenja e asaj që po ndodhte në të vërtetë, po e bënin punën turbull në trurin e tyre të mpirë nga ato mori ngjarjesh. Nuk ishin kurrë në gjendje t’u jepnin përgjigje vartësve, të cilët merrnin guximin të na pyesnin. U caktuan dy zv.ministrat e rinj të Mbrojtjes, i parë u deklarua Çakua, por u pa menjëherë se ato kompetencat i kishin të kufizuara. Ndoshta ata që i caktuan u vunë kufijtë deri ku, apo ndoshta nga që Shehu, tashmë edhe Kryeministër, i kishte marrë në dorë të gjitha frenat. I veshur me aq pushtete, e mbi gjithçka për sulmin ndaj “puçistëve”, ai shfaqej i rreptë, ambicioz, nevrik, grindavec, i pa kuptueshëm, ndëshkues, kategorik. Fjala, qëndrimi i tij i gjithëfuqishëm, e sidomos një vendim, i tregonin fundin secilit nga ne. Oficerët, këta ushtarë të bindur, besonin akoma në një rrugë dalje. Kurse komandanti i tyre, ai që kishte në dorë fatin e secilit, nuk komandonte më me arsye, por me pasion miop, me fraza politike. Ditët dhe netët pas 14 tetorit 1974, po merrnin hijen e dënimeve pa fre, dënime që të sillnin vdekjen. Ushtria tashmë, e demoralizuar ishte shndërruar në një kope pa besë e pa disiplinë, ajo ecte kuturu përpara. Vetëm ca parcela ushtarësh dhe disa oficerë që mund t’i numëroje me gisht, ngjanin akoma në ushtrinë e vërtetë. Oficerët, e kjo në pjesën më të madhe, duke mos i përtypur as reformat e 1967, e as goditjet e 1974 nuk dinin nga t’ia mbanin. Të mbështetnin të ashtuquajturin demokratizim, ushtria mbaronte, kthehej në turmë, të kundërshtonin do të thoshte më shumë se përjashtim nga ushtria, duke i humbur të gjitha. Gabimet ishin bërë me kohë dhe tani ishin të pandreqshme. Hynim dhe dilnim me frikë dhe me dyshime nga ato takime e mbledhje që qenë të dyshimta e të qëllimshme. Nga çdo mbledhje prisnim njoftimin kush ishte mënjanuar apo arrestuar, cilit nga ne do t’i lëshohej Shehu duke matur kështu pulsin e të gjithëve, prisnim cili nga ne mund të mos dilte nga mbledhja me funksionin që ishte futur në të. Mbledhjet e shumta, në të gjitha shkallët, analizat pas një Pleniumi të KQ apo të Byrosë Politike, deri tek një shënim i Enverit mbi një material apo një letër të një oficeri, u bënë moto e ditëve të fund vitit 1974. Ne kuadrot ushtarake, tashmë i kishim harruar tërë dinamikën që lidhej me punët tona të drejtimit ushtarak të njësive e reparteve. Ishim kthyer në ca njerëz që hynin dhe dilnin nga takimet dhe mbledhjet pa fund duke mbajtur nëpër çamta diskutime dhe të dhëna që të bënin gjëmën. Ndërsa shtypi i përditshëm, radio dhe televizor: lajmet e jashtme, pritjet dhe përcjelljet e të huajve, vazhdonin me rregullin e tyre sikur nuk po ndodhte asgjë. Vetëm buletinet e brendshme vinin ulërimën dhe paralajmëronin gjëmën që do të ndodhte. Kuadrot me çehre të goditur, na shikonin në sy, ata prisnin nga ne kryesorët, kërkonin një rrugëdalje, një shpresë, një çikë dritë. Por se mos ne nuk e patëm dhe nuk u a dhamë. Ne vetëm diku donim të kapeshim. Të gjithë tashmë të trembur dhe të paralizuar për të menduar qoftë edhe një çast me trurin tonë. Ishim mpirë. Lexonim si të marrosur buletinin e ri, futeshim me frikë në zyrën e Sekretarit sepse atje mund të mësoje diçka, prisnim me sytë hapur dhe veshët e ngritur çdo ndryshim të mundshëm. Një buzëqeshje e shefit na lumturonte, një shikim i ngrysur na fundoste. Mendo pastaj se çfarë na mbetej ne kuadrove kryesorë nga guximi që mund t’u jepnim vartësve tanë të shumtë, të cilët ishin futur ashtu si ne në darën e kontrollit me metodat e sigurimit dhe të analizave në parti. Diktatura dhe brenda tija diktatori vënë në lëvizje pjesën kafshore të tyre, të pangopur për të na dominuar ne njerëzve deri sa na shtrinë përtokë dhe u bindën që ne mjeranët nuk mund të bëheshim më njerëz për së mbari. Aty e humbën jetën shpejtë, me ngut, jo sepse nuk e dinin se ku vinin, por sepse u fut në mes forca e ligësisë. Kjo ndodh jo për vit e për ditë, ndërsa diktatura mbi çdo gjë rrafshon njerëzit duke i persekutuar dhe asgjësuar”.

Gjyqi i “puçistëve”

Asnjë dëshmi për veprimtari sabotuese

“Jemi një popull që u dashuruam pas dogmës së partisë. Anëtari i partisë nuk duhej të mendonte kurrë me kokën e tija, por me dogmën “revolucionar” , “besnik” dhe pa tjetër duhej të bëheshe i tjetërsuar, hipokrit, intrigant, servil duke e prishur personalitetin. Atëherë ndodhte dendur që në mbledhjet e organizatës ftonin pa parti, por më shumë nga ata që kishin edhe ndonjë cen. Kur të gjithë qeshnin me ndonjë batutë të deleguarit, ky nuk qeshte, fillonte dyshimi dhe debati: po ti pse nuk qeshe, nuk të pëlqeu shakaja e partisë… dhe kështu ishte zbuluar edhe një komplotist. Shumë nga ne Marksin e ka harruar, ndërsa Enverin e kemi mes nesh duke e përmendur aq dendur sa edhe kur e kishim në krye. Kjo ndodh se ca e duan e ca jo, por të gjithë merren me të. Ai lartësohet, thjesht sepse, ajo që mua më duket e mirë, e lavdishme ty jo, dhe ajo që dikush e shemb duke e sharë e denigruar, mua më duket heroike. Por dihet se përrallat i ngrenë në qiell heronjtë për mbi të gjitha dobësitë dhe pasionet njerëzore, e vërteta i zbret ata në tokë. Nuk mund të merremi me të gjitha ndodhitë e mira apo vrastare të asaj kohe, por midis tyre, tragjedinë e ushtarakëve nuk mund ta lëmë kurrë mënjanë. Prandaj, ndoshta, edhe në këtë libër duhet klithur, duhet bërtitur, duhet lebetitur për ta. Po nuk foli oficeri për oficerin, si vëllai për vëllanë, për tragjedinë e tyre, kujt do ti dhëmbë më shumë se ne. Ne, sepse i njohëm ata, punuam dhe jetuam së bashku, na mësuan, aspiruam, na thanë jetoni të denjë. Pastaj shkuam së bashku në kufijtë e atij asgjësimi, dhe nëse shpëtuam nga gropa kolektive, kjo është rastësi.

Merrni e lexoni materialet e hetuesisë së Ballukut, Dumes, Çakos etj., gjykimin e tyre, dhe dëshmitarët, që nuk janë pak, dhe asnjë vërtetim nuk mund të gjesh për veprimtari sabotuese, puçiste dhe armiqësore. Asnjë grup të organizuar këtu brenda dhe të lidhur me dikë jashtë për rrëzimin e pushtetit popullor. Ndërsa aktakuza dhe vendimi i gjykatës të lartë ushtarake, ata i gjykoj dhe i pushkatoj tashmë tamam për atë që ne sot e themi me fjalë-s’kishte kurrfarë grupi puçist. Pas 1966, u tentua të dilej me rregullore më të thjeshta, gjoja praktike. Kështu u kërkua, dhe u arrit, që, në një rregullore gjoja praktike dhe me përmbajtje partiake, të bëheshin bashkë; rregullorja e disiplinës; ajo e shërbimit të brendshëm; e garnizonit dhe e trupërojeve. Në këtë bashkim banal të jepeshin vetëm kërkesat më kryesore orientuese, të tjerat mendimi dhe iniciativa e oficerëve dhe liria e ushtarit si përçues i vijës së masës dhe i frymës popullore në ushtri, do ta pasuronin këtë bashkim të pa kuptimtë në procesin e zbatimit dhe çdo gjë do të “shkonte” më mirë se më parë. Ky qëndrim absurd dhe sakatim i rregulloreve nuk ishte parë në asnjë ushtri, apo thjesht grumbullim njerëzish të armatosur, sa do të bindur të ishin ata në disiplinë dhe sa do heronj në qëllimin e tyre ushtarako -politik. U harrua se çdo paragraf i çfarëdo rregulloreje, nga vetë emërtimi kërkon rregull dhe jo anarki. Çdo paragraf është shtuar e ripunuar, vit pas viti, vetëm për ti dalë përpara çdo të keqeje për të pasur rregull e disiplinë, për të pasur kompaktësi ushtari, për të shkuar në fund të fundit drejtë rrezikut në mbrojtje me jetën tënde të një rajoni apo shumë rajoneve, pjesë e Atdheut tënd ku ti si qytetar bën pjesë. Të shkosh aty i gatshëm për ta mbrojtur jo vetëm pa mëdyshje, por ta fitosh luftimin si pjesë e luftimeve që përbëjnë betejën, duke derdhur sa më pak gjak. Me një fjalë çdo paragraf është larë me gjak. Dhe heqja e fletëve të rregulloreve, s’është as më pak e as më shumë veçse prerje në trupin e shëndoshë të atij organizmi që quhet ushtri dhe që nuk mund të jetoj por vdes pa rregullore. Pas kaq vitesh, kur Dumja u denigrua, kur koha lufton dhe ha veten për të na folur për të vërtetën, kur shumë nga ne që e kemi njohur dhe punuar me të, nuk jemi më në jetë, kur disa, dhe shyqyr janë pak, kanë mëdyshje në jetën e ushtarakëve të asaj kohe, dëgjojmë dhe shikojmë ngurrime. Ngurojmë të shohim më këmbë monumentin e Dumes. Nga ai brez ushtarakësh, ashtu si për secilin brez që ecin njëri pas tjetrit, të mos kërkojmë çudira. Por thjeshtë dhe me dashamirësi të futemi në vitet ushtarake, dhe me siguri do të takojmë oficerë të përkushtuar, të ditur, trima, atdhetar, e midis tyre e gjithnjë mbi ta, do të shquajë Dumja. Dumja fenomen frymëzimi, dhe dorë e fortë për detyrat e mbrojtjes”.

Stërvitjet e mëdha

“Vitet tona në Shtabin e Përgjithshëm”

“Ministria e Mbrojtjes, në vitet që unë kam qenë në Degën e Përgatitjes së Shtabeve, zhvillonte 1-2 stërvitje në vit me aparatin e Ministrisë duke kaluar në organikën e kohës së luftës. Kjo do të thoshte që 10 apo 15 për qind e efektivave të kompletimit të zinin vendin e tyre organik. Po ashtu zhvillonte prova gatishmërie dhe marshime, mbledhje mësimore komandimi dhe njohje të armatimit dhe teknikës luftarake. Këto masa të parashikuara në plan kalendarin vjetor zbatoheshin nën drejtimin e Drejtorisë Operative, ku Dega e Përgatitjes së Shtabeve kishte rolin kryesor. Pastaj vinin masat e shumta ushtarake, të cilat aparati i Ministrisë i zbatonte gjatë vitit mbi komandat dhe shtabet e njësive. Këtu nuk po përmend masat e shumta që zbatonin për vete dhe mbi njësitë komandat e Ministrisë, armët dhe shërbimet. Të gjitha ishin parashikuar në planet vjetore e mujore dhe të miratuara nga Balluku apo Dumja sipas strukturës organizative që kishte MM të miratuara nga Këshilli i Mbrojtjes dhe Komandanti i Përgjithshëm. Për vitet ‘60-të, stërvitjet zhvilloheshin sipas shabllonit:.. Shqipërinë e sulmonin ushtritë armike fqinje, të cilët në bashkëveprim me forcat e NATO-s e më pas të Traktatit të Varshavës, synonin pushtimin ushtarak, rrëzimin e pushtetit popullor, ndarjen dhe copëtimin e vendit dhe vendosjen e sistemit kapitalist. Kur pas vitit ‘60 ne dolëm nga Traktati i Varshavës, ushtria Sovjetike dhe forcat e atij traktati u trajtuan si forca që mund të na sulmonin si armiq për të na pushtuar. Por as atëherë e as më pas nuk ndodhi ndonjë sulm ushtarak. Ndërsa ne duke e quajtur veten të fortë e të pa pushtueshëm tirrnim slogane bombastike për forcë e mbi forcë, për mundësi të përballonim shtete dhe super fuqi. Ushtarakët të detyruar hartonin plane mbrojtëse mbi çdo mundësi kundërveprimi, por duhet thënë se ne nuk u besonim atyre, por vetëm i hartonim duke zbatuar shabllone dhe diktime”.