Jovan Bizhyti: Partizani që mbijetoi kampit nazist të shfarosjes

992
Sigal

Ilia Ndreko, partizani që i mbijetoi kampit shfarosës gjerman në Klote të Rudesburgut në Austri

(Heroizma të pashkruara)

Jovan Bizhyti

Lufta Nacional Çlirimtare ka shumë histori, mjaft prej të cilave të pa thëna e të pa shkruara, që mbeten pjesë e heroizmave të bijve e bijave të këtij populli, që dha gjithçka për çlirimin e Atdheut. Njeri prej tyre ishte dhe partizani myzeqar nga fshati Libofshë, Ilia Ndreko. Ishte djalë i shkolluar në gjimnazin e Shkodrës, kur vendi sapo ishte pushtuar nga Italia fashiste. Pas gjimnazit, ai studioi në shkollën e plotësimit për oficer në Itali dhe në 1942, kthehet në Shqipëri me gradën nën/toger. Në fillim u emërua në një repart ushtarak në Seman të Fierit dhe më pas në Shkodër në një repart artilerie.

I ati i tij, Jovan Ndreko, ishte mësuesi i parë i shkollës së parë shqipe në fshatin Libofshë të Myzeqesë, që u ngrit në vitin 1908. Po ashtu ai ishte dhe anëtar i shoqatës patriote “Bashkimi”, së bashku me bashkëfshatarin e tij Naun Doko (Prifti). Në fillimet e Lëvizjes Nacional Çlirimtare i ati i tij Jovan Ndreko, u zgjodh kryetar i këshillit Nacional Çlirimtar të Komunës së Libofshës dhe më pas u përfshi në luftën Antifashiste, ku ra dëshmor në prag të çlirimit, në tetor 1944.

Ilia Ndreko në Çetën partizane të Shkodrës

Ilia Ndreko, gjatë kohës që shërbente në ushtrinë shqiptare nën regjimin fashist në qytetin e Shkodrës, ra në kontakt me drejtues të Lëvizjes Nacional Çlirimtare në Shkodër, konkretisht me Qazim Kapisyzin, të cilit i kërkoi të përfshihej në radhët e partizanëve të atij qyteti. Dhe në pranverën e vitit 1943, Ilia Ndreko arratiset nga radhët e ushtrisë fashiste, duke marrë me vete dhe 80 ushtarë dhe 18 mushka ngarkuar me armatim e municion artilerie dhe bashkohet me çetën partizane të Shkodrës.

Në kujtimet e tij Ilia shkruan: “Nuk e harroja kurrë shëmbullin e Spiro Moisiut, që në luftën italo-greke si komandant i batalionit “Tomorri”, dezertoi nga fronti i luftës bashkë me ushtarët e tij, duke mos iu bindur urdhrave të komandës fashiste italiane”. Më tej ai tregon: “Grupi i ushtarëve shqiptarë me kafshët e ngarkuara me municion luftarak, kaluam në mesnatë lumin Buna me një trap me ndihmën e fshatarëve dhe dolëm në fshatin Balaj, pastaj kaluam dhe lumin Drin ku na priste në fshatin Vukatan shoku Qazim Kapisyzi. Ai na udhëhoqi për t’u bashkuar me partizanët e Shkodrës”. Po ashtu, u arratis nga radhët e ushtrisë fashiste dhe oficeri Ali Kondi, duke marr ëme vete edhe 18 ushtarë e oficerë, që u bashkuan me radhët e partizanëve shkodranë. Në 30 korrik 1943, partizanët e qytetit verior të Shkodrës dhe të fshatrave për rreth, krijuan batalionin “Perlat Rexhepi” me rreth 150 partizanë. Ilia Ndreko u emërua nën/komandant kompanie.

Batalioni “Perlat Rexhepi”

Në 29 gusht 1943, batalioni “Perlat Rexhepi” ra në përpjekje me fashistët italianë, që përbëheshin nga rreth 1500 forca të armatosura me të gjitha llojet e armatimeve. Ajo betejë luftarake u quajt “Lufta e Reçit”, nga më të ashprat që zhvilloi batalioni “Perlat Rexhepi”, dhe që i shkaktoi armikut humbje në njerëz e dëme të tjera materiale. Në këtë betejë, partizani Ilia Ndreko mori 3 plagë të rënda në trup. Ashtu i plagosur ndoqi pas batalionin në marshimin e gjatë midis Alpeve të veriut. Në luftime të ndryshme në këto zona veriore, ky batalion u ndesh me forcat armike edhe deri në krahinën e Kosovës. Në shtator 1944, batalioni “Perlat Rexhepi” ra në përpjekje me forcat gjermane që shkelën trojet shqiptare dhe me mercenarët e Xhaferr Devës. Edhe kjo qe një luftë e ashpër që zgjati rreth 7 orë. Gjatë natës, shtabi i batalionit mori urdhrin nga komanda qendrore, që të ndahej në çeta, për të zbatuar më mirë taktikën e luftës partizane. Pastaj kaluan në krahinën e Gjakovës. Në luftimet që u zhvilluan me forcat gjermane në Fushë-Kosovë, Ilia Ndreko sërish mbeti i plagosur rëndë. Në pamundësi për t’u tërhequr pas batalionit, mbeti rob në duart e armikut gjerman së bashku dhe me shokë të tjerë, duke përfunduar në burgun e Gjakovës. Aty ishte bashkë me shokët partizanë si: Shefki Mustafa dhe Ibrahim Muhaxhiri nga Gjakova, Mit-hat Kopliku, Muho Brahimi, Qazim Cirilani dhe Met Hysa nga Shkodra e tjerë.

Në atë burg ndodhej me detyrë dhe kapiteni i xhandarmërisë Mark Doçi, vëllai i Mëhill Doçit, me të cilin Ilia njihej nga radhët e ushtrisë para se të arratisej dhe Marku u soll njerëzishëm me shokët e burgosur, duke i trajtuar mirë. Pas një muaji, nga burgu i Gjakovës, kaluan në burgun e Prizrenit. Edhe aty, Ilia gjeti shumë shokë partizanë jo vetëm nga batalioni “Perlat Rexhepi”, por dhe nga batalioni “Bajram Curri”. Plagët e marra në luftë po shëroheshin me kujdesin e vetë të burgosurve, pasi autoritetet e burgut as që interesoheshin për t’i mjekuar. Të burgosurit e Prizrenit bënë përpjekje për t’u arratisur, duke hapur një tunel të nëndheshëm, por para finalizimit, u diktuan dhe nisën dënimet e ashpra dhe reprezaljet. Të nxitur dhe nga ky shkak, autoritetet gjermane transferuan shumë nga të burgosurit, duke i çuar në kampin e Prishtinës. Ky ishte një kamp shumë i egër nazist, me kufizime ushqimi sa për të mbajtur shpirtin gjallë, me tortura çnjerëzore, ku vdisnin çdo ditë shumë të burgosur, që nuk i rezistonin dot torturave. Hapeshin gropa për varre masive nga të burgosurit për të varrosur shokët e tyre që vdisnin e pushkatoheshin.

Kampi i përqendrimit në Rudesburg të Austrisë

Nga kampi i Prishtinës, të burgosurit që mbijetuan, i çuan në Kreshtok-Plasë afër Vjenës dhe prej andej në Klote të Rudesburgut po në Austri. Aty ishte një masë e madhe të burgosurish. Kushtet e vështira dhe trajtimi çnjerëzor që u bënin nazistët gjerman të burgosurve, të cilët në mënyrë të fshehtë nisën organizimin e rezistencës. Në konspiracion të plotë, formuan një batalion me rreth 400 të burgosur për të qenë të gatshëm në situatat e reja që po krijoheshin në frontin e lindjes nga fitoret e Ushtrisë së Kuqe, dhe në atë të perëndimit nga aleatët anglo-amerikan. Për organizimin e batalionit të rezistencës, u krijua dhe një shtab drejtues. Si oficer i përgatitur, Ilia Ndreko u zgjodh komandant i batalionit të burgosurve, komisar u zgjodh Milan Zeqeviç, zv/komisar Shefki Mustafa nga Kosova, ndërsa anëtar Ibrahim Muhaxhiri, Galip Demi, Sami Peja dhe Jovan Gjini nga Drenova e Korrçës. Detyrat e këtij batalioni ishin:

-Për të qenë gati në momentet e zbarkimit të aleatëve antifashist.

-Për të mbajtur lartë moralin e të burgosurve.

-Për të organizuar rezistencën kundër torturave çnjerëzore të nazistëve.

Si rezultat i fitoreve që po arrinin aleatët në frontin e luftimeve, në shkurt 1945 në kamp u krijua një situatë e papritur. Gjermanët të alarmuar, i mblodhën të gjithë të burgosurit në sheshin e kampit dhe lexuan një listë me 300 emra, midis tyre dhe Ilia Ndreko dhe nën shoqërimin e forcave ushtarake, i hipën në një tren që vinte nga Vjena dhe i çuan në një qytet të vogël në kufirin jugosllavo-hungarez, përbri një kampi shfarosës me hebrenj. Në të dy këto kampe, ra sëmundja e tifos. Kush infektohej nga kjo sëmundje, e pushkatonin!

Nga vdekjet masive, të mbijetuarit i lëvizën sërish në një marshim të gjatë rreth 70 km. në këmbë, të lodhur e të rraskapitur. Edhe në këtë rast, kush mbetej rrugëve dhe nuk e përballonte dot marshimin, e pushkatonin dhe rrugët u mbushën me kufoma njerëzish. Pastaj i hipën në një tren për në qytetin Grac të Austrisë. Aty ishte një kamp i madh me emrin Leinfeldi, ku ishin përqendruar rreth 10 mijë të burgosur. Midis tyre ishte dhe i mbijetuari Ilia Ndreko, i cili jetonte ende me shpresa të humbura, sepse sëmundjet infektive dhe torturat çnjerëzore, merrnin çdo ditë jetën e dhjetëra e qindra të burgosurve.

Sapo erdhi pranvera e vitit 1945. Në këtë kohë sulmet e vrullshme të Ushtrisë së Kuqe po shfaqeshin në horizont dhe shumë shpejt ajo shkeli në kufijtë hungarezë, duke çliruar dhe Budapestin. Në 7 maj 1945, aeroplanët ushtarakë rusë, hidhnin fletushka në formë traktesh mbi kamp ku shkruanin se: “Së shpejti do jeni të lirë!” Në 8 maj 1945, Ushtria e Kuqe hyri dhe në qytetin e Gracit të Austrisë, duke hapur dhe dyert e atij kampi shfarosës, ku Ilia Ndreko me qindra e mijëra të burgosur të tjerë, dolën në liri.

Kthimi në Shqipëri e në fshatin Libofshë, i dukej si ëndërr! Shqipërinë e gjeti të çliruar, babanë dëshmor të Atdheut, ndërsa familjarët nuk e besonin se ai do kthehej një ditë i gjallë nga mortaja naziste. Fitorja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare solli dhe fitoren e jetës mbi vdekjen!

Ilia Ndreko, gjatë kohës që shërbente në ushtrinë shqiptare nën regjimin fashist, ra në kontakt me drejtues të lëvizjes Nacional Çlirimtare në Shkodër. Në pranverën e 1943, Ilia arratiset nga radhët e ushtrisë fashiste, duke marrë me vete dhe 80 ushtarë dhe 18 mushka ngarkuar me armatim e municion artilerie dhe bashkohet me çetën partizane të Shkodrës