Jovan BIZHYTI/ 73 vjet nga krijimi i çetës së parë partizane në Myzeqe dhe beteja e Kolonjës

1309
Sigal

Në vjeshtën e vitit 1942, lufta kundër pushtuesve fashistë kishte nisur të merrte një karakter më të organizuar në radhët patriotike dhe të rinisë myzeqare. Mbi bazën e vendimeve të Konferencës së Pezës, po ngriheshin në çdo fshatë, Këshillat Nacional Çlirimtare, të cilat një nga detyrat kryesore kishin mobilizimin e popullit pa dallim feje krahina dhe ideje në luftën partizane  për çlirimin e vendit. Në aksionet e veçanta që po organizoheshin kundër fashizmit, ishin shquar mjaft patriotë e idealistë të rinj, që po merrnin mbi supet e tyre përgjegjësi e angazhime sublime për t’i dalË zot vendit. Dhe këta patriotë e idealistë nga skaje të ndryshme të Myzeqesë, vendosën të bashkohen për të krijuar Çetën e parë partizane. Disa nga këta partizanë myzeqarë, ishin angazhuar në çetat më të hershme që ishin ngritur, si në atë të Pezës dhe të Matit. Shtimi i radhëve të partizanëve, bëri të nevojshme që të ngrihej edhe në Myzeqe, çeta e parë partizane. Dhe këta djelmosha vendosën të mblidhen në 24 dhjetor 1942 në mënyrë ilegale në fshatin Gradishtë. Aty u diskutua dhe u vendos vendi ku do të mblidheshin për krijimin e Çetës. Duhej një fshat me baza të sigurta ku do të strehoheshin partizanët dhe një familje patriote ku do të  mblidheshin  për  të  marrë  këtë  vendim  të  rëndësishëm. Të nesërmen, më 25 dhjetor 1942, partizanët mbërritën në fshatin Kolonjë dhe u vendosën në baza të sigurta të fshatarëve patriot, ku bashkë me këto familje festuan dhe darkën e Krishtlindjeve, një rit fetar që festohej nga banorët e krishterë. Të nesërmen, në mbrëmje të 26 dhjetorit, shtëpia e  familjes Robo me të parët e tyre, Kosta e Taqi Robo, priti 21 mysafirët e parë me pushkët në krah e gjerdanët e fishekëve në brez. Oda e madhe e miqve ishte e shtruar me qilima e sixhade të leshta dhe nga oxhaku shpërndahej ngrohtësia e zjarrit që flakëronte në  krye. Xha Kosta, plaku më i madh i shtëpisë, i ulur në njërën qoshe, ftoi të uleshin për karshi Spiro Moisiun, Pipi Bakallin i deleguar i Qarkorit, Rahman Uruçin, si më të rritur dhe të tjerët pas tyre. Xhorxhi Robo, djalë i shtëpisë,     së bashku me bashkëfshatarët e tij, Kolin, Kiun, Nakun dhe Miti Bozon, kujdeseshin për masat mbrojtëse në fshat dhe për rreth shtëpisë. Xha Kosta u uroi mirëseardhjen djemve të luftës dhe Xhorxhi, si kryetar i celulës së Partisë Komuniste të rrethit të Lushnjës, hapi takimin me sihariqin se atë natë historike po krijohej Çeta e parë partizane në Myzeqe, krijesa që do jepte sinjalet e para të luftës partizane, vazhdimi i së cilës do të pasohej më pas dhe nga çeta të tjera, batalione e brigada që do të bëheshin tmerr i armikut deri në çlirimin e plotë të vendit. Pjesëmarrës atë mbrëmje ishin plot 21 vetë, po thuaj të gjithë të rinj. Në sytë e tyre shihej gëzim e krenari, po ashtu dhe optimizëm e besim se kjo shkëndijë do zgjerohej dhe do shtrihej në gjithë Myzeqenë e në gjithë Shqipërinë. Veç këtyre, ishin dhe shumë djelmosha të tjerë që kishin shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar Çetës së parë, por s’kishin mundur dot të ishin prezent atë natë. Spiro Moisiu u zgjodh këshilltar ushtarak i Çetës nga përvoja e gjatë e tij si ushtarak. Ai u foli partizanëve për detyrat luftarake që e prisnin këtë Çetë, aksionet që do të kryente dhe puna për shtimin e radhëve. Pastaj pjesëmarrësit zgjodhën një zëri komandant të Çetës, Rahman Uruçin, patriot trim e i vendosur. Rahmani ishte pa shkollë ushtarake, por jeta dhe veprimtaria e tij patriotike dhe antifashiste, e kishin bërë luftëtar të zot, organizator dhe strateg në luftën kundër armikut. Rahmani vinte nga shtresa e fshatarësisë, njihej si antizogist dhe patriot i vendosur për çlirimin e vendit. Në drejtimin e Çetës, si zv/komandant u zgjodh Vesel Ahmeti, komisar Muharrem Shabani dhe zv/komisar Hasan Gina. Të pranishëm në përbërje të Çetës partizane atë natë ishin : Rahman Uruçi, Xhorxhi Robo, Vesel Ahmeti, Naim Kuçi, Hasan Gina, Muharrem Shabani, Koli Ll. Bozo, Irakli Bozo, Nako Bozo, Miti Bozo, Beqo Arapi, Pasho Zoto, Sefedin Arrëza, Josif Pogaçe, Myslym Emini, Rako Gjermeni, Miti Gjermeni, Naxhi Xherahi, Skënder Libohova, Sadik Koprencka  dhe  Skënder  Çela.

Aksioni i parë i Çetës partizane kundër repartit të ushtrisë italiane në Libofshë

Në dhjetëditëshin e fundit të muajit janar 1943, Çeta partizane e porsa krijuar ndërmori aksionin e parë të saj kundër një batalioni bregdetar dhe postë-komandës së karabinierisë bregdetare italiane, në fshatin Libofshë. Në këtë aksion, Çetës iu bashkëngjitën dhe partizanë të tjerë nga Libofsha e zona për rreth si: Nikoll Kule, vëllezërit Llaqi e Mihal Jano, Spiro Kule, Jovan Sema,  Sefer Hajdari, Hysni Sanxhaku, Sotir Kule e të  tjerë. Disa ditë para se të niste aksioni i Çetës kundër forcave italiane, Xhorxhi Robo dhe Koli Ll. Bozo shkuan në Libofshë për të njohur situatën dhe për të marrë takim me disa nga të rinjtë aktivistë të Frontit Nacional Çlirimtar, që i ishin bashkuar Çetës partizane. Ishte mëngjes janari kur Llaqi Jano dhe vëllai i tij Mihali kishin çuar herët bagëtitë në livadhet pranë pyllit. Në shtëpi erdhën dy shokë nga Kolonja, fshat që ndahej me Libofshën nga kodrat e pyllëzuara të Manastirit të Ardenicës. Ata kishin ardhur herët në mëngjes, të maskuar me rroba të vjetra e kasketa në kokë, që të mos njiheshin nga armiku. Plaku i shtëpisë, Kozma Jano, nuk i njohu djemtë e miqve të tij nga  Kolonja.-Duam Llaqin dhe Mihalin, – thanë ata. -Urdhëroni brenda pini nga një gotë qumësht të freskët, – u tha Xha Kozmai, – sa të vijnë çunat se kanë çuar bagëtitë në livadhe. Nuk vonoi dhe çunat erdhën. Xhorxhi dhe Koli sapo ishin ulur. Xhorxhi i foli vllahçe Xha Kozmait. Ai po i vështronte me vëmendje dhe iu përgjigj me të njëjtën gjuhë. -Pse çoban jeni ju ? – u tha  ai. -Janë çoban nga Kolonja, – ndërhyri Llaqi. – Xhorxhi është nipi i Kosta Robos dhe Koli është djali i Llazar Bozos, miq të tu. Xha Kozmai i përqafoi. Pastaj bashkë me Llaqin dhe Mihalin u futën në një nga dhomat e shtëpisë dhe diskutuan për aksionin e parë që do të bënte Çeta partizane kundër postë-komandës italiane në Libofshë dhe detyrat që do të kryenin partizanët në  këtë aksion. Para nisjes së sulmit luftarak të 28 janarit 1943, në ora 21 të mbrëmjes u organizua aksioni i prerjes së linjave telefonike që lidhnin Libofshën me qytetet e fshatrat për rreth. Kështu, për prerjen e linjës Libofshë-Divjakë u ngarkuan Sadik Koprencka dhe Nikoll Kule, për linjën Libofshë-Lushnje u ngarkuan Llaqi Jano dhe Jovan Sema, dhe për linjën Libofshë-Fier u ngarkuan Mihal Jano dhe Sefer Hajdari. Pas kryerjes me sukses të këtij aksioni, në ora 22 të natës, nisi sulmi i befasishëm luftarak ndaj repartit italian të postë-komandës. Për disa orë u zhvillua një luftë e ashpër midis çetës partizane të përbërë nga rreth 30 partizanë dhe repartit ushtarak italianë i kompletuar dhe i armatosur deri në dhëmbë. Posta e karabinierisë italiane u dorëzua pas një lufte heroike, ku partizanët e Çetës mundën të marrin disa armatime që i zunë armikut dhe para se të vinin përforcimet nga batalioni bregdetar italianë, Çeta u tërhoq drejt katundit Vanaj, pastaj përshkoi pyjet në kodrinat midis Kolonjës dhe Bitaj pa pësuar asnjë  humbje në njerëz. Aksioni i çetës partizane u ndihmua dhe nga patriotët e Libofshës si : Themi Ndini, Kristo Ndreko, Jorgji Ndreko, Kozma Jano, Uani Llambër Doko, Uani Gori Kule, Zoi Ndreko, Arshin Koprencka, Kozma Çomo, Kozma Bardhi e të tjerë, të cilët e mbështetën totalisht luftën partizane. Përpjekja e parë e Çetës u konsiderua si një sukses, pasi u ndesh me një ushtri të armatosur dhe krijoi tmerr e panik në radhët e armikut. Partizanët ishin të pakët në numër, me armatim të pakët me pushkë të vjetra dhe bomba dore, por dominonte guximi e trimëria, duke luftuar të vendosur për çlirimin e vendit. Gjenerali i brigadës bregdetare italiane Silvio Robino, me anë të një telegrami, njoftonte eprorët e Tiranës se : “Mbrëmë rreth orës 22 të natës së 28 janarit 1943, në Libofshë një çetë e armatosur, tue pre linjat telefonike, ka sulmue papritur gazermën e vogël të postë-rojes së kompanisë 428 të batalionit të bregdetit dhe armës së karabinierisë me anë të një zjarri të gjallë, të shtime me breshëri e bomba dore. Sulmuesit ftonin ushtarët duke thirrur : – dorëzoni  armët! Në këtë përpjekje mbetën të plagosur dy ushtarë tanë, Palumbo e Xhuzepe”. Të nesërmen, reparti italian dhe posta e karabinierisë u larguan nga Libofsha. Nga aksionet e vazhdueshme të çetës partizane, postat e karabinierisë italiane u larguan dhe nga fshatrat ku ishin dislokuar si në Bubullimë e në  Fiershegan.

Terrori dhe djegia e fshatit Kolonjë nga krimineli Isa Toska dhe fashistët  italianë

Aksionet e Çetës partizane u bënë tmerr për pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kolonja ku ishte krijuar Çeta, ku kishte bazat e saj dhe ku një pjesë e partizanëve të saj ishin nga djemuria e fshatit, u vu në qendër të vëmendjes të fashistëve italianë, të cilët angazhuan bashkëpunëtorin e tyre të ngushtë, kriminelin Isa Toska, i cili kishte bërë shumë krime e grabitje në fshatrat e Myzeqesë. Duke gdhirë 15 prilli 1943, e premte e zezë para Pashkës ortodokse, zbarkuan në fshatin Kolonjë forcat mercenare të ardhura nga Fieri nën drejtimin e Isa Toskës dhe të mbështetura nga fashistët italianë me dy tanke e tre autoblinda. Shumë nga burrat që u gjendën nëpër shtëpi, u morën peng në qendër të fshatit, ndërsa shtëpitë u grabitën, duke u marrë drithërat e bukës, rezervat e tjera ushqimore, veshmbathjet, deri dhe bizhuteritë nga duart e nga qafat e grave. Pas këtyre bastisjeve, Isai dha urdhër që t’u vihej zjarri shtëpive që ishin baza të çetës partizane. Zjarri dhe tymi pushtoi gjithë fshatin. Flakët shkrumbuan shtëpitë e Kosta e Taqi Robos, Llazar Bozos, Loni e Jorgji Bozos, Vasil Bozos, Luçi Bozos, Gori Bozos, Mina Bizhytit e Todi Dojës. Kryeplakun e fshatit, Vasil Bozo, e pushkatuan në një nga rrugët e fshatit, kurse Petri Bozon dhe Pasho Zoton i morën rob dhe mbas shumë torturash, i pushkatuan në afërsi të fshatit Luar të Roskovecit nga ishte dhe vetë Isa Toska. Sa erdhën partizanët e Çetës nga zona e Gradishtës dhe e Libofshës, fshati ishte djegur dhe mercenarët ishin tërhequr për në strofkën e tyre. Kjo reprezalje e ky terror, nuk i trembi fshatarët e Kolonjës e të Myzeqesë, përkundrazi ata e shtuan më shumë urrejtjen ndaj pushtuesve fashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, duke u lidhur edhe më ngushtë me Luftën Nacional Çlirimtare. deri  në  çlirimin  e  plotë  të  vendit.