Ja si u ndërtuan veprat e mëdha në vendin tonë

155

Nga Shefqet Kërcelli

Rrëfimi i Selamet Carrës nga Kavaja, montatori i përjetshëm dhe pionieri i veprave të mëdha

E takuam montatorin e vjetër në shtëpinë e tij, tek lagja e Carrukëve, siç i thonë kavajasit. Lagje, e cila ndodhet në zemër të Kavajës. Sipas burimeve historike të qytetit Kavajë, fisi i Carrave e ka origjinën nga Mirdita, dhe është vendosur atje gjatë sundimit Osman. Siç ndodhte rëndom aso kohe, mjaft të krishterë katolikë u konvertuan në myslimanë, për t’i shpëtuar gjenocidit osman. Një nga këta është dhe ky fis me emër jo vetëm në Kavajë, por gjithë Shqipërinë. Në një të diel qershori, bashkë më kapiten Besnik Dedën, nip në këtë familje, vizituam një nga familjet e këtij fisi, familjen e zotit Selamet Carra. I ulur në verandën e shtëpisë, ambient tipik për çdo ndërtesë kavajase, Selameti, sipas zakonit, ngrihet dhe na pret tek porta. Nga pamja, trupi dhe mosha, Sela të duket si një burrë 50 vjeçar, pavarësisht se po i afrohet të 80-tave. Duke menduar për vitet e punës dhe vështirësitë e kaluara, pamja e këtij burri nuk tregon moshën reale. Në çast po mendoja se, nuk është e vërtetë thënia se, puna të plak. Më mirë se kushdo këtë e vërtetonte pamja që afronte Selameti. Ndërkohë mikpritja dhe bujaria e kësaj familjeje është e njohur në gjithë vendin. Një njeri punëtor, patriot, me zemër të madhe, me një familje të mrekullueshme, Selameti e ka të vështirë të flasë për veten e tij. Vërtet, njerëzit që kanë bërë punë të mëdha e kanë të vështirë të flasin për veten, janë tepër modestë. Kur mendoj shumë e shumë të tjerë, që çdo natë mburren e çajnë televizionet për punët e mëdha që kanë kryer, mendja më shkon, se sa larg janë këta mburravecë të mërzitshëm me këtë njeri montator që ka lënë gjurmë në çdo cep të vendit tonë. Kudo ku ndërtohej një impiant, një pallat, një fabrikë, një uzinë, një TEC, një Hidrocentral, i pari ishte Selameti me shokët e tij. Gjithsesi me dashamirësinë e thjeshtësinë që i karakterizon këta njerëz, arritëm që nëpërmjet bisedës sonë t’i shkëpusim disa kujtime nga jeta e tij, mbushur plot me ngjarje, ndodhi e punë në veprat industriale të Shqipërisë.

Po kush është Selamet Carra?

Selameti ka lindur në Kavajë, në vitin 1943, në një familje tregtare. I ati, Abdurrahmani, punonte ditë e natë për të siguruar jetën e fëmijëve dhe të vinte njëfarë pasurie në ato vite të vështira. Por, jeta e Abdurrahmanit u shkurtua mbas represionit komunist dhe sekuestrimit të pasurisë të vënë me djersë, për vite me radhë. Ai u nda nga jeta në vitin 1956, duke i lënë fëmijët në moshë të vogël. Shpejt Sela i vogël, siç i thërrasin shkurt në Kavajë u vu përballë vështirësive të jetës. Ishte koha kur luftohej për bukën e gojës. Kështu krahas mësimit në shkollën fillore “Met Babamusta”, Sela bënte punë të ndryshme për të jetuar, ku spikasnin dëshira e tij për hekurat. Nga shkolla fillore ai kujton bashkëmoshatarët e tij, p.sh., Met Kapllanin, një nga intelektualët e spikatur të këtij qyteti. Mbas përfundimit të shkollës në Kavajë, Sela, i pasionuar pas hekurave, në vitin 1959, shkoi në politeknikumin “7 Nëntori”, shkollë e cila ishte trashëguese e denjë e shkollës së Harry Fullcit. Madje siç kujton Sela: “Pavarësisht ndryshimit të emrit e viteve të kaluara, ende aty ekzistonte mentaliteti se, këta që vinin në politeknikum, ishin spiunë të Harry Fullcit, të CIA-s. Në këtë shkollë pioniere të mekanikës shqiptare, vazhdova degën hidraulike bashkë me Sadat Isufin, Nevrus Xhemalin, Hysen Kollcakun etj., disa prej të cilëve qëlloi që të punonin dhe gjatë jetës me mua”, tregon Selameti. Programi i kësaj shkolle ishte thuajse ai i dikurshmi, një javë teori, një jave praktikë. “Në verë punonim{në ndonjë rast po lë dialektin kavajas}, tek objektet që lanë rusët. Mua p.sh., praktika më qëlloi fillimisht tek TEC-i në Cërrik, pastaj tek fabrika e pasurimit të bakrit, Rubik, fabrika e verës Shkodër, fabrika e vajit Peqin etj. Ishin eksperienca të pazëvendësueshme këto, sepse këtu mësova të gjitha elementët bazë praktikë të një hidrauliku e montatori të ardhshëm. Sigurisht ne kishim dhe mësues të talentuar, që na qëndronin pranë, derisa të na futeshin në kokë mësimet, si Stilian Doraci, nga Shijaku, i cili na jepte Matematikë dhe Gjeometri, Bashkim Zaimi, mekanikë, që më vonë u bë Drejtori im në Ndërmarrjen e Montimit, e plot të tjerë. Kjo shkollë më vlejti, jo vetëm mua, por gjithë shokëve, sepse ne ishim brezi që ndërtuam veprat industriale në vendin tonë. Le ta lëmë politikën mënjanë, do flasim për zanatin dhe kualifikimin si montator, elektricist etj. Aq të rëndësishme për vendin tonë. Që tani janë nënvlerësuar. Gjatë asaj kohe ne bënim dhe shkollën dhe paguheshim. Kur punonim në këto vepra, 50% i merrte shkolla, 50% ne. Ishte një mënyrë që na nxiste dhe për të mësuar dhe për të punuar. Dëftesa barazohej me atë të shkollës së mesme, pra gjimnazit. Gjatë kohës që punova në Cërrik, kisha mësues dhe brigadierë rusë. Me thënë të vërtetën, na qëndronin pranë dhe na mësonin, nuk rezervoheshin për të na i dhënë zanatin. Ata qëndronin me ne dhe pasdite, hanin me ne, flinin në një fjetore. Kjo periudhë më ndihmoi të mësoj goxha fjalë rusisht, të cilat më vlejtën më vonë për të lexuar skicat e projektet e ndryshme që montuam.

Nga politeknikumi tek veprat e para….

Në vitin 1962, mbas një arsimimi të thellë profesional dhe praktikës dolëm në jetë. Ne na caktonin sipas rretheve, kështu që unë fillova në Durrës. Fillimisht në Ndërmarrjen e Ndërtimit Durrës {NN}, ku bëja punimet hidraulike tek banesat e reja trekatëshe me tulla të bardha, atje ku niset autobusi i Shkozetit. Quhej blloku nr.5. Mbaj mend zotin Koço Pano, Drejtor i kantierit dhe zotin Apostol Dhimgjini, Drejtor i Përgjithshëm. Kantieri ishte tek NSHN Shkozet, më parë ka qenë ke elektriku. Unë me grupin tim bënim punimet hidraulike dhe elektrike. Puna jonë varej nga koha sa mbaronin punimet inxhinierike-muratorike të një godine dhe kërkesat ditore. Ndërsa muratorët bënin punimet e tyre, ne ato hidraulike dhe elektrike. Zakonisht çdo ditë realizonim punimet në 4-5 hyrje, 8 orë punë dhe rrogën e kishim bazë. Krahas këtyre në vitin 1961, kam punuar për ndërtimin e hotelit “Kruja e re”. Më pas, në vitet ’63-64, kreva shërbimin ushtarak në një repart këmbësorie në Gramsh. Dhe këtu vazhdova të ushtroj zanatin, pasi ushtria kishte nevojë. Bëja punime të ndryshme riparuese në repart, në kaldajë, instalime hidraulike. Mbas punëve të kryera, oficerët me jepnin leje, por unë s’kisha nevojë, pasi isha mësuar larg shtëpisë.

Montator i veprave të mëdha…

Direkt mbas ushtrisë, tregon Sela, u caktova tek Ndërmarrja e Montimin në Tiranë, NMI, e cila kryente montimin industrial të veprave të rëndësishme në gjithë vendin. Fillimisht më çuan në Fier, pasi Fieri u bë epiqendër e disa veprave të rëndësishme industriale. Këtu u bëra mjeshtër montimi, pasi punova në disa vepra. Në Rafineri, TEC, Azotik. Kishim kushte dhe dieta, punonim dhe jashtë orarit sepse na motivonin me interesin ekonomik në radhë të parë. Qysh atëherë s’kam menduar për politikën, shihja zanatin, punë, familjen dhe shpërblimin. Drejtues të asaj kohe ishin Rahman Hanku, Drejtor i NMI, Tiranë, ndërsa në Fier, drejtor kantieri kisha zotin Niko Lako dhe zotin Sotiraq Selenica, inxhinier për turbinat. Unë me shokët e mi ngritëm sistemin hidraulik të turbinave, bashkë me kinezët. Aty nga hidraulik, u bëra, montator dhe saldator për të gjitha llojet e saldimeve, përfshi atë me oksigjen. Si montator kalova shumë profesione, shumë lloje punësh dhe disa objekte. Kam realizuar çdo detyrë që më caktohej, nuk e kisha të vështirë, çdo punë që duhej e bëja në kohë. Për këtë jam vlerësuar dhe me stimuj të ndryshëm dhe dekorata. Gjatë montimit të rafinerisë punonim dhe me ish-të burgosurit politikë, me të cilët mbanim marrëdhënie të mira. Nuk i kam parë asnjëherë me atë sy. Për mua ata në radhë të parë ishin njerëz. Unë mbaja kontakt me zotin Hamdi Haska, inxhinier dhe brigadier, me atë komunikoja për çdo gjë. Punonim shumë, ishim të rinj. Kemi derdhur shumë mund e djersë për ti ngritur këto uzina dhe fabrika. Më shkojnë lot kur shoh gjendjen e tyre, tani. Jo thjesht si patriot dhe bashkëndërtues i tyre, por kur i shoh si janë katandisur, kam shumë emocione, janë prishur kot shumë fabrika, pa studiuar mundësinë e rivënies së tyre, duke përmirësuar teknologjikisht reparte të veçanta, është gjynah i madh… Nejse, kjo iku tashmë, dhe faji ngeli jetim. Kështu unë punova në rajonin industrial Fier-Ballsh, për 4 vjet.

Ndërtoj pranë shtëpisë sime…

Në vitin 1969, mbasi u ngrit baza e veprave në rajonin Fier-Ballsh, erdha në vendlindjen time Kavajë, pasi dhe këtu po ndërtoheshin disa vepra industriale, konkretisht fabrika e qelqit. U ndjeva mirë, pasi dëshira për qytetin tim, u bashkua me atë të montatorit. Ne ishim skalioni i parë në çdo vepër që do ndërtohej dhe largoheshim po të parët për të filluar një vepër të re. Nuk kishte gjë më të bukur se, sa të jesh afër shtëpisë. U bënë disa vite larg dhe mua më kishte marrë malli për qytetin tim, familjen, për shokët e fëmijërisë dhe rrugicat e qytetit. Dhe këtu nuk m’u ndanë kinezët, të rrinin në këmbë, ndërsa ne bënim zbatimin e projektit. Fabrika e qelqit filloi dhe mbaroi me kinezët. Ishte gjë e madhe për Kavajën. Drejtor i parë i fabrikës ishte zoti Rebani Shehu. Unë punova për ngritjen e sistemin hidraulik dhe impiantin e benzinës tek godina e xhamit. Punuam 4-5 muaj me disa shokë si ing. elektrik, Kadri Xhafa, përgjegjës sektori Viktor Kuri, shoku im montator Nevruz Xhemali, qëndroi atje për shfrytëzim, mirëmbajtje, po ashtu dhe Demir Pojana, saldator. Siç thashë më lart, ne montatorët ishim shumë të kërkuar, kalonim nga vepra në vepër, kështu nga Kavaja kaluam tek NISH Kimike në Durrës, një ndërmarrje e re, e sapokrijuar. Punuam këtu 3-4 muaj, derisa mbaruam montimin e pjesëve kryesore. Drejtor këtu ishte Ylli Doka, nga Shijaku. Ndërkohë shtëpinë vazhdova ta kisha po në Kavajë. Mu lutën të më jepnin në Tiranë, po nuk pranova. Si rashë në qafë shtetit se kisha shtëpinë time, që siç e sheh e kam rindërtuar tani mbas emigracionit. Epo, shumë të tjerë morën shtëpi në Tiranë, ja kthej. Ka goxha vlerë tani. Nuk e kemi pasur atë mendje në kavajasit, thotë Sela. Nuk donim të largoheshim nga Kavaja, ndaj nuk lakmonin as Tiranën as Durrësin.

Takimi me marinarët…

Gjatë kohës që punova në Durrës, në maj 1970, më qëlloi të montoj një vinç në Bazën e Kepit të Palit. Ishte periudha kur po ngrihej kjo bazë e rëndësishme e Flotës sonë Luftarake. Baza atëherë kishte pamjen e një kantieri. Punohej me makineri dhe krahë gjithandej. Ishim si ekip, bashkë me Demir Pojanën. Ky vinç ngrinte Katerat Silurues në shkallë për riparim. Gjatë kohës që ngrinim këtë vinç erdhi dhe ish-Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Na përgëzoi për punën e bërë. Kolegët e mi të Kepit të Palit, ju rikujtoj se vinçi i ngritur me duart e Selës, Demirit e shokëve të tij, ka funksionuar për më se 40 vjet, duke bërë atë punë që ju e dini mirë. Madje në dijeninë time di se, ky vinç është ende në funksion. Ka rëndësi të sjellim në vëmendjen tuaj krijuesit e atij vinçi. Se rëndom sot kemi një fenomen, e kam bërë atë, ose këtë vepër unë. Duhen saktësuar autorët e vërtetë të çdo pune. Këtu patëm kënaqësinë të njohim nga afër marinarët tanë, vijon shpjegimin Sela. Ishin të pashëm, i kishte hija uniforma, tepër korrektë me detyrën, të dashur me njeri-tjetrin dhe me ne. Na qëndruan afër për çdo nevojë që kishim. Për 3 muaj që punuam atje e ndjenim veten si në shtëpinë tonë. Por, kur jepej gatishmëria, fluturonin si pulëbardha mbi anije, dhe për disa minuta dilnin në det të hapur. Më këto përshtypje u larguam nga Kepi i Palit. Por, nga këtej më qëlloi përsëri me marinarët, pasi ju bashkuam dragës “Adriatiku”, me kapiten Zija Bidulin, e cila thellonte portin e Durrësit deri tek bovat. Fillimisht bëmë disa riparime nënujore të dragës, duke u zhytur në thellësi, pastaj vendosëm tubat që çonin llumin tek pjesa veriore e portit. Me këto mbetje u krijua dhe shëtitorja “Taulantia”. Ishte një sistem tubosh që zgjaste qindra metro, duheshin specialistë. Me këto lëvizje e punime të shpeshta, ne nuk na thërrisnin në zbor, sepse e kryenim duke punuar sa në një repart në tjetrin. Dhe montimi i këtyre veprave kishte afate të përcaktuara mirë. Në rast moszbatimi penalizohesh keq. Dihej çfarë të priste… Po ne sistemi na donte për punë, na I kishte nevojën.

Përsëri në Ballsh…

Në vitin 1970, filloi ndërtimi i Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh. Ishte komplet teknologji kineze, natyrisht jo e avancuar për kohën. Brigada jonë prej 15 vetësh, {brigadier Jahja Ceka, nga Ndroqi}, me montatorë nga gjithë Shqipëria, instaloi sistemin hidraulik, rezervuarët mbi e nëntokë, tubat me rreshta, e kate, kalonin rreth 30 tuba, {ose estakate} shkurt dhe sistemin e pompave. Nuk kishim vështirësi në montim, pasi ja kishim marrë dorën, projektet i kishim gati, shumica në rusisht, gjuhën teknike të së cilës ne e kuptonim, plus që kishim një inxhinier kinez nga Shangai që na qëndronte pranë. Pavarësisht nivelit teknologjik, për mendimin tim, kjo uzinë s’duhej dëmtuar. Me pak ndërhyrje, p.sh. tek sistemi i ventilimit që komandohej me dorë, mund të zëvendësohej me korrent, duke u komanduar nga Salla e Komandës, apo dhe ndërhyrje të tjera, për të cilat ne i kemi specialistët. Uzina u la në mes, sepse në v.1977, kinezët ikën. Hyri politika në mes. Më ka qëlluar të shoh situatën dhe kur u prishëm me rusët më parë. E njëjta situatë. Disa kuadro u dënuan për arsye se në një farë mënyre nuk pajtoheshin me këtë prishje, se e shihnin problemin nga ana ekonomike. P.sh., ish-Drejtori i NNI, Fier, Xhavit Sollaku. Mbaj mend që punimet në uzinën e Ballshit ndiqeshin direkt nga K.ing. Llambi Kona, Në Ballsh, Muhamet Hoxha, Drejtor i NMI Tiranë, Xhavit Sollaku, Ing. Selim Pipi, ing.Ylli Goxhe etj.

Drejt hidrocentralit të Fierzës…

Përsëri mbasi mbaruam montimin e pjesëve kryesore na çonin në vend tjetër. Gjeografia e punëve e djersës sonë prek gjithë vendin. Kështu në 77 shkuam në Fierzë. Punuam atje deri më 28 korrik 1978, sa ikën kinezët. Unë bëra sistemin tuba-ujë-vaj. Ishte fat për ne, që inxhinieri kinez që hapte e mbyllte valvolat e pompave, më tregoi sekretin e tyre, para se të largohej. Në fakt u tregua i sinqertë. Ne i kishim montuar të katër pompat, kinezi më konsideronte si mik, erdhi me vrap tek unë dhe më mësoi funksionimin e tyre. Jepi 60 mm, pastaj stop! Më porositi. Ishte çështje teknike e rëndësishme. Ai dhe mund të mos e kishte treguar. Për mendimin tim bëri një veprim korrekt e njerëzor, larg politikës. Në Fierzë punova 2 vjet, pavarësisht vështirësive merrnim goxha rroga, hanim dhe peshk trofta sa mundeshim nga lumi i Valbonës. Ishte një gjë se dhe drejtuesit e kohës, personeli inxhiniero-teknik, rrinin me ne, hanin e pinin me ne, tek mensat e punëtorëve. Në vitin 1984, Drejtor Raqi më çoi në Koman, montuam turbinat franceze. I mbaj mend si sot të dhënat e tyre, ishin më të vogla se ato kineze. Tubacion 7 m, spresori 35 mm, i trashë. Ndërsa tek kinezet punuan 12 saldatorë se ishin më të rënda se francezet, këtu më pak. Kompresori gjerman dallonte nga ai rus, francezët kishin tubacione më të vogla, të cilat prodhonin me shumë energji duke konsumuar më pak ujë. Për të montuar ishin njësoj. Ne ishim përshtatur me këto pajisje, i dinim përmendësh. Specialistët francezë kishin pajisje për të kontrolluar turbinat poshtë, ata ishin vetëm asistentë. Nga ana e zanatit, montimi i turbinave, si proces ishte i njëjtë, pavarësisht se ato kineze ishin me avull dhe francezet me ujë. Edhe sot mund ta zbatoj projektin e montimit të turbinave. Punova dy vjet në Koman, Drejtor ishte Ismail Ahmeti, ndërsa Fahrudin Hoxha, projektues i digës. Mbas përurimit me sukses të HEC, ndërmarja jonë ia dorëzoi atë personelit shfytëzues. Mbas vënies në punë të kësaj vepre, nga viti ’79, unë zbrita poshtë, në jug, afër qytetit tim, deri në vitin 1990, -vazhdon tregimin montatori veteran. Punova në Fushë Krujë, te fabrika e çimentos, Laç, te superfosfati, Bulqizë, në Durrës, tek ujësjellësi, tek dy pompat thithëse të kënetës, tubacioni i ujësjellësit në Fushëkuqe, Xhafzotaj-Arapaj, dy linja 500 KWH deri te kodrat e Kokomanëve. Vinim çdo natë në shtëpi, me makinën e Fiqos, që çonte dhe merrte punëtorët e portit. Transporti ishte pak i vështirë në atë kohë. Përveç këtyre kam punuar tek plastika, montuam repartin e ri të atletikës, me Naim Hoxhën, mos gaboj vitet 1980-81, tek NISH Goma e Re montova presën rikoperto. Drejtues kanë qenë Luigj Aleksi dhe më pas Liri Laknori. Gjithashtu kam punuar tek peshku në Spitallë, shtesa e fabrikës së verës, fabrikën e arançatave në Durrës etj. Punova derisa u prish NMI, viti 1995. Nga vitet ’1998-’99, kam shërbyer në kompani private p.sh. Në impiantin e Bovillës, në spitale montoja kaldaja, kaloriferë, frigoriferë, deri në v.2000, kur shkova në emigracion në Itali.

Emigranti montator…

Në Breshia vazhdova po me hekura, mekanik e saldator. Montova mullinj, gjeneratorë, çdo punë që dilte. I bëja me lehtësi, krahasuar me punët që kisha përballuar në Shqipëri. Në v.2010, u aksidentova në punë. Nuk më ndihmuan për këtë rast. Nuk vazhdova më punë. U ktheva në Shqipëri ku vazhdova jetën familjare. Doja të shtoja se, të gjithë ata që e kanë mbaruar politeknikumin 7 nëntori kanë dalë të zotë. Mundësitë e mia ishin më shumë, por unë gjithë jetës ngela një montator i thjeshtë. Nuk ia ula kokën kujt, vetëm me djersë. Nuk bëra asnjëherë kërkesë për në parti. E dija që s’do më pranonin, pasi burri i motrës sime, Hiqmetes, zoti Ali Mema, ishte nga fisi i Biçakëve të Elbasanit. Dihet qëndrimi i sistemit ndaj kësaj familje patriote. Për këtë lidhje ne u persekutuam gjithë kohës. Motra nga mësuese e talentuar u detyrua të bënte punë krahu. Asnjëherë nuk u vlerësuan aftësitë dhe talenti i saj si artiste. Pasi krahas punës ishte dhe drejtuese e grupit të valleve të femrave në Kavajë. Shyqyr që ndodhën ndryshimet dhe jeta jonë rrodhi ndryshe dhe për Hiqmeten e familjen e saj. Zoti e deshi që t’i dilte lotaria amerikane dhe të jetë tashmë qytetare e nderuar në Amerikë. Atje në Klivlend, {Ohajo} ata jetojnë bashkë me dy djemtë, Samirin dhe Arbenin, si dhe vajzën Suela, e cila është mësuese, ndjek profesionin e së ëmës. I uroj atyre shëndet e mbarësi në tokën e premtuar. Ato ishin këto ditë në Shqipëri, u çmallëm duke rikujtuar jetën tonë, por dhe mësuam për jetën e tyre në Amerikë. Tashmë Selameti jeton me familjen e tij, gruan Fadile dhe dy fëmijët, Fatjona e Franci, që ndjehen krenarë për punën e babës së tyre. Selameti ka punuar në gjithë këto vepra nga viti 1960 deri 2000, plot 50 vjet, një montator i përjetshëm, mbase dhe rast unik në botë. Ai është dekoruar disa herë me Urdhrin e Punës. Por çfarë pensioni merr? Vetëm 13 mijë lekë të reja në muaj. Të gjithë duan nga shteti, thotë Sela, por ne krijuam pasurinë kombëtare, ky pension është qesharak. Ndërsa kujton shokët e ngushtë, Naim Hoxhën nga Tirana, Luan Hasanin nga Vlora, Perent Ustalli, nga Fieri etj. Selameti shpreh keqardhjen për veprat e dëmtuara. Njëkohësisht, nuk e fsheh ëndrrën e tij,- sikur të isha përsëri i ri do vazhdoja të montoja vepra të reja për vendin tim, thekson ai. Vlerësim dhe respekt për montatorin e përjetshëm Selamet Carra dhe shokët e tij, që i dhanë vendit këto vepra të mëdha, pjesë e pasurisë sonë kombëtare.