Sigal

Krijimi i grupit “Banda e Lirisë” si formacioni i parë muzikor që luajti himnin kombëtar, këndimi i himnit të flamurit në betejat e çetave, si u këndua Himni në ditën e shpalljes së Pavarsisë nga delegatët

Ardhja dhe përhapja e Himnit Kombëtar në Shqipëri

Historia e plotë e Himnit shqiptar nga lindja deri sot

Në kuadrin e 106-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntorit e cila emërtohet nga të gjithë shqiptarët pa diskutim si Dita e Flamurit, natyrshëm redaksia e gazetës  “Telegraf” sjell për lexuesit historinë e plotë të Himnit shqiptar nga lindja e tij deri më sot. Një histori që mbart në vetvete mrekullinë dhe pushtetin e artit apo siç do ta quante Konica i madh “The sweet power of music”( Pushteti i ëmbël të muzikës), Kryekëngë që në momente kyçe ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve kudo që ata ndodheshin brenda kufijve shtetërorë, në trojet e tyre amtare në Ballkan apo në Diasporë. Me tingujt dhe fjalët e zjarrta të këtij himni, kësaj Kryekënge, ngritur mbi tekstin e Asdrenit “Betimi mbi flamur” janë shoqëruar çaste tepër të rëndësishme për fatet e Kombit, e shtetit amë dhe mbarë etnisë shqiptare.

Vijon nga numri i kaluar

Është folur a shkruar duke analizuar vetëm vargjet dhe muzikën- shkruan Eno Koço. Për këndimin të tij, apo për mënyrën si transmetohet nga zërat e njerëzve, pothuajse nuk është folur e shkruar kurrë. Ky komponent, transmetimi nëpërmjet këndimit, është thelbësor, është bazamenti apo kolona e tretë që mban më këmbë ngrehinën e himnit, apo të çdo pjese muzikore. Fjalët dhe muzika do të ishin të vdekura pa interpretimin e tyre. Si mund t’u imponoje veshëve të shqiptarëve një disiplinë muzikore. Kujdes këtu 1/8, këtu 2/4.?! Ule zërin pak këtu tek këto fjalët ”kush është burrë nuk frikësohet, po vdes, po vdes si një dëshmor,” sepse akordi është minor. Po si mund të ulej zëri aty ku fjalët kërkonin të shpërthente një britmë skllavërie e shtypur në kockat e kraharorit prej 500 vjetësh në një bunacë të pafund aziatike.?! Ç’thua more i uruar, mua mu këtu tek ky re minori yt, më vjen të ulërij sa të më plas gryka e zemra bashkë.!? Brenda një viti qenë të shumtë emigrantët e Bukureshtit që e sollën përmendësh himnin në Korçë e në zonat përreth. Pa nota dhe pa tekst të shkruar. Thjesht ashtu të incizuar në kokë. Dhe himni filloi të përhapej, u ngjit lart në fshatra, shkoi deri tek çetat e para dhe nisi shtegtimin. Koshadhet turke që ruanin grykat nuk e ndalonin dot siç mund të ndalonin abetaret e para po t’i gjenin. Kënga ishte e fshehur në tru e në zemër dhe bënte rrugën e saj. Një vit të tërë ndodhi kështu derisa një ditë kolonia vendosi ta binte këngën zyrtarisht, me nota e me letër…

“Zëri” i N. Naços: “Dy gjëra na duhen, vëllezër, për të bërë një Atdhe, një këngë dhe një flamur…Ora e Shqipërisë së lirë dhe të pavarme po bie. Prej Ismail Bej Qemalit dhe të tjerëve kam porosi ta çojmë këngën tonë në Atdhe” .Ti Hilë Mosi, prej Shkodre dhe ti Tashko Iloja prej Korçe do të niseni, bijtë e mi, qysh nesër të çoni me nota dhe me fjalë tek “Banda e Lirisë”, në Korçën tonë, këngën “Betimi mbi flamur.” E dimë që Kënga jonë e flamurit ka shkuar prej kohësh dhe është përhapur gojë më gojë, por ne duam që ajo të mbërrijë atje e saktë, ashtu siç i ka hije një Kryekënge kombëtare.”

“Ata po binin zyrtarisht prej shoqërisë Himnin në Atdhe. Ishte frundi i vitit 1908 ose fillimi i vitit 1909. “Ju jini kasnecët e lirisë- kish thënë kryeveterani i Kolonisë dhe atyre u ishin mbushur sytë me lotë. Kënga ka shkuar atje prej kohësh, por mund të jetë shrembëruar rrugës. Ju jini me shkollë çojeni në mëmëdhe ashtu siç duhet, me nota edhe me fjalë. Mund të harroni edhe emrin tuaj rrugës, po kurrë një fjalë nga këto të Asdrenit, se janë fjalë gjaku. Me këto fjalë do të bëjmë një mëmëdhe të tërë, bijtë e mi..  Dhe ata u nisën me një flakë e me një mall mu në zemër. Një geg e një toskë, një gjuhë e një rracë, një gjak e një flamur të kuq si gjaku i tyre… Ec e ec përmes Ballkanit me ngarkesën më të çmuar kombëtare që ka hyrë ndonjeherë në trojet e Arbërit. ”

“Banda e Lirisë” u krijua në Korçë, në 1 tetor 1908 me iniciativën e klubit “Dituria” Kishte 25 muzikantë dhe u vendos në ndërtesën e Shkollës së Parë Shqipe. Thanas Tashko, (i ati i Tefta Tashkos) drejtuesi i këtij formacioni, ofroi prej Egjiptit me kontratë dirigjentin e njohur, Paskal Anibale, me një pagesë prej 150 franga në muaj. Ndër instrumentet muzikore që ata përdornin ishin; flikorni, tromba, saksi, basi, kundërbasi, një fyell, dy daulle dhe katër klarineta. Nuk ishte thjeshtë një grup muzikor, ishte një çetë e madhe që me këngët e veta patriotike filloi t’i trembte autoritetet turke. Veglat e tyre të praruara po bëheshin po aq tmerruese sa martinat e komitëve në male. Menjëherë mbas krijimit të saj, kleri grek i Fanarit dhe agjentët e tjerë të Athinës, kundërvepruan me shpejtësi, duke krijuar shoqërinë muzikore “Anagjenezis”, ose “Përlindja”. Tani, për Shqipërinë që kërkonte lirinë, përveç çetave në male luftohej edhe me muzikë brenda në qytete. Gazeta “Lidhja Ortodokse” e Korçës, më 10 korrik 1909, shkruan: “Me rastin e ditës së shpalljes së Hyrjetit (Konstitucionit), “Banda e Lirisë” do të këndoje marshe kombiare të lirisë së mëmëdheut prej z. Mihal Grameno, “Sa të rronjë gjithësia” dhe nja dy të tjera”. Me dt. 31.7.1909 po kjo gazetë njoftonte: “Banda e Lirisë habiti botën me rrobat e bukura”. Më 14 shkurt, banda luajti në mitingun e alfabetit, ku morën pjesë mbi 10.000 vetë nga Korça, fshatrat dhe krahinat përreth. Më 31 korrik 1909 “Banda e Lirisë përcolli delegatet e Korçës, Janinës, Filatit, Leskovikut dhe Gjirokastrës në “Kongresin e Dibrës”. Nuk ka dyshim që kjo bandë është formacioni i parë muzikor që ka luajtur Himnin e Flamurit, edhe pse nuk ka dëshmi të shkruara për luajtje publike për shkak të reprezaljeve të pushtuesit. Nuk e bënte dot këtë hapur, por Himni gjëmonte në mjediset e veta të mbyllura e të besuara. Nuk është e mundur që pas dorëzimit të parteve të sakta të shoqëruara me fjalë prej Hilë Mosit dhe Tashko Ilos ata të mos e kenë luajtur me gjithë dufin e zemrës që u ngjallte një këngë e tillë patriotike. Nuk është rastësi që për të mbjellë terror një muaj pas betejës së Orman Çifligut turqit burgosen pa asnjë shkak të dukshëm, në gusht të vitit 1911, drejtuesit dhe muzikantët e “Bandës së Lirisë”: Kristaq e Idhomene Kosturin, Stavre Karolin, Mihal Gramenon dhe Tefik Panaritin etj. Pas tre muajsh, më 4 dhjetor 1911, autoritetet turke e mbyllin përfundimisht me dhunë “Bandën e Lirisë” të qytetit të Korçës. Që “Banda e lirisë“ ishte një çetë luftëtarësh këtë e tregoi 16 korriku i vitit 1911. Në çetën e vogël, që u fut këtë ditë në një luftë për jetë a vdekje me pushtuesin, tre prej gjashtë dëshmorëve që ranë me armë në dorë; Kristaq Furxhi, Nuçi Lapi dhe Petraq Tushi Krastafillaku ishin muzikantë dhe anëtarë të “Bandës së Lirisë“. Thonë se duke luftuar të tre trimat këndonin këngët e shokut të tyre, Mihal Gramenos dhe “Betimin mbi flamur“ të Asdrenit. Aty për herë të parë Himni u pagëzua me gjak ashtu siç ia do nderi Kryekëngës së Kombit. E kishin kënduar në dhomën e provave, tani po e këndonin në beteja. Në vend të saksit dhe trombave tani mbanin në dorë martinat. Ishin ato veglat që bënin shtratin muzikor. Plumbat e armikut që merrnin në gjokse e në ballë shtonin notat të reja në pentagramin e tij që u njom me gjakun e muzikantëve. Shtinin dhe këndonin. “Prej lufte veç ai largohet,-këndonte Nuçi Lapi në një anë. “Që është lindur tradhëtor ..” – ia priste Kristaqi me grykën e çarë nga një plumb turk në anën tjetër. Viktor Hygo pati thënë në kohën e vet: “Gjysma e fitoreve franceze i detyrohet Marsejezës”. Fjalët e Asdrenit mpikseshin me gulçe gjaku. Çfarë fati për një poet! Që nga kjo ditë “Banda e Lirisë” do të quhej nga populli i Korçës “Banda e Trimave”. Himni i Flamurit kishte hyrë tani në atdhe dhe i ishte lëshuar Shqipërisë së uritur për një këngë të madhe. Kurrë nuk ishte parë ndonjëherë të përhapej në këtë vend kaq shpejt një këngë si kjo. Ngjitej më shpejt se zogjtë deri lart në male, zbriste me përrenjtë poshtë luginave, e çonte krahinë më krahinë era. E pagëzonin me gjak komitët me guna, e mbushnin me djersën e pyjeve druvarët e maleve, karvanarët e çapitnin kalldrëmeve të pazareve, mësuesit e ndiznin zjarr nëpër sytë e vogëlushëve që nga abetaret. Të gjithë shtonin diçka nga zemra e tyre. “U bë Shqipëria! – bërtiste Lasgush Poradeci. – Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes ndër dhëmbë: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar.” Ndërkohë ai incizohej nëpër rrudhat e dheut, shpellave pellazgjike në Tomorr, nëpër zgavrat e lisave të Frashërit.. Kudo. Futej kudo edhe poshtë varreve, brenda kokës së helmuar të Petro Nini Luarasit, Himni po bënte staxhionimin e tij në banjën e gjakut të kombit. Katër vjet me radhë Himni bëri provën e tij në çdo cep të Shqipërisë. Takoi frymën e ngrohtë të çdo shqiptari, u gjakos në kryengritjet e mëdha të veriut. Dhe ish duke pritur ditën e shenjtë të pagëzimit.
5 nëntori 1912. Patriarku i madh i shqiptarizmit përpara se të nisej drejt Vlorës mbërrin dhe merr bekimin e rrugës së nisur në Bukuresht. Aty u mor vendimi. Në fillim, në sallën e madhe të Hotelit ‘Kontinental’ u hap flamuri kuq e zi. Kolonia ish e prerë. “Jo autonomi, po Shqipëri e mosvarme, më vete, e lirë. Aty Plaku i Shenjtë tha fjalët e famshme”
“… tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveç se të gjenden ca atdhetarë me guxim, dhe bashkë me mua të hyjmë të Shqipëri dhe të kasnecojmë vetqeverimin e saj…”  Kolonia e brohoriti dhe iu vu me mish e me shpirt aktit më të ndritur të gjithë historisë së kombit shqiptar. Aq seriozisht qe marrë puna e Kryekëngës, sa gjashtë burra të kolonisë së Bukureshtit në mbledhjen e 5 nëntorit 1912, qenë zgjedhur delegatë për në Vlorë edhe për të kënduar aty Kryekëngën. Katër prej tyre e kishin emrin Dhimitër dhe quheshin Dhimitër Zografi, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja dhe Dhimitër Ilo. Tre të tjerët janë Spiridon Ilo, Pandeli Mborja dhe Pandeli Evangjeli. Të shtatë u nisën disa ditë më vonë dhe u bashkuan më Ismail Bej Vlorën në Trieste nga ku, më 19 nëntor nisen për në Durrës. Katër të tjerët, delegatët e Korçës; Thanas Floqi, Petro Mborja, Pandeli Cale dhe Petro Emanueli ishin vetëdashës, domethënë vullnetarë. dhe të katër ishin edhe muziktarë, pjesëtarë të bandës “Liria”. Ata udhëtuan gjysmë ilegalisht me kuaj e në këmbë nëpër rrugën Korçë – Leskovik- Tepelenë- Vlorë. Me siguri këngën e kanë kënduar edhe rrugës së gjatë si për t’i bashkuar zërat më mirë. I dymbëdhjeti pjesëtar i korit himnor thuhet se ka qenë Murat Toptani.  Sipas dëshmive delegacioni me në krye Ismail Bej Vlorën mbërriti në Vlorë, më 26 nëntor, ne orën 11.00 të natës. Midis tyre dihet mirë që rrugës Spiridon Ilo mbante në gji brenda këmishës një flamur kuq e zi që do ta nxirrte në Vlorë tek shtëpia e Marigo Pozios, kushërirës së tij, vajzës së tezes, ku fjeti atë natë. Sipas disa dëshmive të shkruara, Marigoja i qëndisi vetëm thekët dhe zbukurimet shqiponjës.  27 nëntori qe një ditë përgatitore.

Më 28 Nëntor, në orën 4 pasdite u bë shpallja e madhe.
Dihet që Himni u këndua në sallën e shenjtë të Pavarësisë. Por nuk dihen detajet. Dhjetëra pyetje të natyrshme të buisin në kokë. Sa ishin ata që e kënduan? Ishte një kor prej 12 burrash me emrat që përmendëm pak më parë që ishin të kolonisë së Bukureshtit? Apo korit iu bashkuan edhe të tjerë burra; si Luigj Gurakuqi që me siguri e dinin tashmë këngën. Mbase edhe vetë prijësi i Pavarësisë ka kënduar së bashku me ta? Kur u këndua kënga, para apo pas deklaratës së Pavarësisë. Ku ishte vendosur kori që u ngrit në këmbë për ta kënduar? Nuk kishte kohë dhe eksperiencë për të mbajtur protokolle të gjata. Ishte dita e parë e një shteti të sapo lindur dhe nuk patën nge t’i konsakronin me dekrete e vendime të gjitha ngjarjet e mëdha të kombit.  Por Kryekënga buçiti aty në orën e madhe. Në fillim u shtrua flamuri mbi tryezën ku do nënshkruhej akti i madh. Ismail Qemal Vlora duhet të jetë ngritur i pari në këmbë. Pas tij Kori. Një kor i mrekullueshëm, këngëtarë dhe delegatë. Kori i parë i Himnit. Bashkë me ta gjithë krahinat e Shqipërisë. Edhe ato të bëra grusht në atë sallë bashkuan mushkëritë me ta. Vetëm Kosova e Boletinit ishte rrugës duke ardhur përmes flakëve… Kur Plaku i shqiptarizmëz dha leje, me një përkulje të lehtë koke, gjokset e tyre thithen ajrin e njomësht të detit dhe ia dhanë me tërë kraharorin.
Rreth flamurit të përbashkuar…
Me një dëshirë e një qëllim.
Koha kishte ngrirë një çast. Plaku i shenjtë e bekoi këngën. Shqipëria ishte bërë! Shqipëria ishte bërë zyrtarisht, duke bekuar ato fjalë dhe një cohë të kuqe me shqiponjën e zezë dykrenore në mes.

Himni dhe flamuri, dy hipotekat e shenjta të kombit shqiptar

Lumenjtë e gjakut që rridhnin midis këtyre dy simboleve nuk mund të mateshin…  Tërë Shqipëria që ish jashtë e derdhur në atë shesh filloi të përlotej me ata qindra sy burrash gunëbardhë. Miliona të tjerë do të përloteshin prej ngazëllimit në njëqind e ca vitet e ardhshëm sa herë ta dëgjonin atë këngë. Do të qanin prej një lumturie që nuk thuhet dot me fjalë. Kur Himni Kombëtar shqiptar u bë një vjeç, vlonjatët ftuan motrën e tyre të madhe nga veriu për të çelur festën. Shkodra e gjithë u mallëngjye prej nderit dhe nisi bandën e saj “Daulla.” Frano Ndoja mblodhi djemtë e tij muziktarë dhe fluturoi. Kur hyri në Vlorë, orkestra e tij frymore e ndezi flakë qytetin. Por shpirti vlonjat mori zjarr kur banda e Shkodrës luajti Himnin e Flamurit, “..të gjithë atje duke iu bashkuar”  Lebërit u derdhën si dallgë deti drejt sheshit të shenjtë dhe i pritën si heronjtë e festës.

Viti 1917. Shqiptari emigrant, kompozitori Thoma Nasi themelon në Uorçester, Massachuset bandën e famshme “Vatra”, një nga lavditë e mëdha të historisë së muzikës shqiptare. Një vit më vonë ai boton të parën partiturë të Himnit me nota dhe fjalë. Viti 1918 është një ngjarje e madhe në historinë e Himnit tonë. Bëhet regjistrimi i parë i Himnit tonë Kombëtar mbi një pllakë gramafoni në Amerikë, në vitin 1918, pranë shoqërisë diskografike “Columbia” . Hapin historik e bën muziktari shqiptar Spiridon Tasi Ilo, njeriu që është ngado pas Himnit, në Rumani, kur u këndua, në Vlore si delegat dhe korist. Por për fat të keq ende kërkimet tona nuk e kanë gjetur dot këtë variant. Pesë vjet më vonë, që nga Amerika e largët Spiridon Ilos nuk i del malli për Kryekëngën. E regjistron sërishmi më 1923 në një pllakë me titullin Himni Shqiptar dhe shënimin Albanian Phonograph Records. Mbi të shton edhe emrin e shtëpisë diskografike “The Spiridon Co.” Ai fton në këtë akt të madhërishëm një tenor të famshëm me gjak shqiptar, që luante po atë vit në operën e Nju Jorkut rolin e Otellos, arbëreshin Xhusepe Mauro. Ne kemi fatin e madh t’i dëgjojmë ata të dy së bashku, sepse incizimi është ruajtur, megjithëse kanë kaluar 86 vjet. Është një emocion i mrekullueshëm që nuk do t’ia dijë fare për teknologjinë e prapambetur të kohës… Në arkivin personal të Vangjo Ilos, birit të tij, gjenden të gjitha dokumentet e printimit të pllakës dhe faturat e dorëzimit të saj në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, madje edhe reklamat për përhapjen e saj.

Himni ishte bërë zyrtarisht 7 vjeç, që kurse e pagëzoi Plaku i Vlorës. Me të në gojë kishin vdekur shumë burra. Por asnjë bandë muzikore akoma nuk kishte çuar drejt dheut të varrit në mënyrë ceremoniale ndonjë nga të vdekurit e mëdhenj të kombit shqiptar. Shteti i sapokrijuar ishte shprishur e mjegulluar në Luftën e Pare Botërore. Në shkurt të vitit 1919, sipër në një kodër të Kaninës, populli i Vlorës përcolli drejt tokës së ftohtë, arkivolin e Ismail Qemal Vlorës. Në skelë pat ardhur i mbuluar me një flamur italian, por poeti Ali Asllani, kryetar i bashkisë, nuk pati pranuar ta marrë në dorëzim pa u mbuluar me flamurin shqiptar. Ushtarakët italianë detyrohen të sprapsen dhe e shoqërojnë me marshe funebër deri lart në Kaninën e rrënjëve të tij. Arkivoli ulet drejt tokës me Himnin e Flamurit. Ai e kish pagëzuar dhe atij i takonte të ikte në përjetësi me Kryekëngën që vetë e bekoi shtatë vite më parë. Tre kilometra më poshtë, flamuri ish po aty në gjysmë shtizë. Ishte hera e parë që Himni incizohej në një gropë varri. Një vit më vonë lebërit, pasi ishin përgjakur në Kotë e në Drashovicë me ”Italinë dyzetmilionë,” do të derdheshin po si krushq e si dasmorë në Sheshin e Flamurit duke pasur në ballë bandën “Vatra,” që luante Himnin. Ishte hera e parë që shqiptarët luftonin duke pasur një muzikë të shenjtë në front. Krijuesi i saj, Thoma Nasi i kishte shtuar himnit një marsh tjetër të lindur në betejë e sipër me poezinë e famshme: “Vlora, Vlora,” të Ali Asllanit.

Vijon