Ja si e përzunë dhespot Jakovin e Korçës nga Shqipëria

1115
Sigal

Sa e vështirë është të përzësh një klerik që punon kundër Shqipërisë?

Më në fund qeveria shqiptare ishte bërë zonjë e vetes. I kishte rrahur zemra fort ashtu siç i rreh një shqiptari të vërtetë dhe ishte ulur për të marrë një vendim përfundimtar. Dhespot Jakovi i Korçës duhej të largohej nga Shqipëria. Nga Greqia kishte ardhur, në Greqi duhej të shkonte. Nuk kishte më vend për të. Ligësitë e tij kishin qenë të panumërta. Durimi kishte kaluar çdo lloj caku. Jakovi kishte qenë dhespot i Durrësit, por kishte pak kohë që kishte zaptuar edhe Korçën. Nuk i kishte dërguar kush ftesë, por ai vendoste vetë për gjithçka. Kishte nxituar të hynte sa më parë në këtë qytet, sepse ato kohë pritej ardhja e themeluesit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, Theofan Noli. Ardhja e Nolit të Madh do të shënonte dhe fundin e gjithë klerikëve që kishin punuar dhe punonin kundër Shqipërisë. Mjaft më! Kjo gjë e tmerronte dhespot Jakovin, ndaj ishte betuar se nuk do të lejonte kurrë që këmba e Nolit të shkelte në Korçë. Më kot ishte përbetuar i ziu dhespot. Fjalën e dhënë nuk do ta mbante dot. Fan Noli do të vinte dhe ndjekësit e tij, (dhespotit), do të pësonin zhgënjimin më të madh të jetës së tyre

 Vendimi i qeverisë

Pavarësisht nga presionet e kishës greke, qeveria e kishte marrë vendimin për largimin e dhespot Jakovit. Tashmë dhespoti po mblidhte plaçkat… Drejtori i policisë, Nik Dishnica dhe z. kapiten i xhandarmërisë, Stathi, që do ta shoqëronin në ikjen e tij, e prisnin te dera. Kishte kaluar një farë kohe dhe dhespoti nuk po dilte. Po vonohej. Dukej se nuk kishte dëshirë të largohej nga mitropolia e Korçës. Nuk i ndahej dot shpirti nga Shqipëria. Kishte ëndërruar gjithnjë që këtë vend ta kishte çifligun e tij, por sado që të vonohej nuk e shpëtonte dot asgjë. Nuk i kishte mbetur asnjë rrugë tjetër përveç ikjes. Ndoshta priste ndonjë anulim të urdhrit. Më kot shpresonte. Qeveria shqiptare e kryesuar nga Pandeli Evangjeli (nga Shalësi i Kolonjës), nuk do të bënte asnjë hap mbrapa. As që mund të mendohej. Dy njerëzit e qeverisë që do ta përcillnin deri atje, ku ai do të linte përfundimisht tokën shqiptare, vazhdonin të ishin aty, në pritje të daljes së dhespotit. Atë çast, gjithkush prej shqiptarëve dëshironte t’i jepte urimin: “Në djall shkofsh dhespot Jakovi!” Ishte nëntori i  vitit 1921.

 Lajmi

Lajmi për ikjen e Jakovit pushtoi gjithë Korçën: “Po përzënë dhespot Jakovin!…”. Qeveria e Pandeli Evangjelit ka dhënë urdhër të prerë. Dhespoti të largohet nga Shqipëria! Pandeli Evangjeli u tregua kolonjar i vërtetë! Shprehje e fraza të tilla kalonin sa te njëri te tjetri. Njerëzit nisën të mblidheshin te mitropolia. Ndoshta këtë gjë kishte pritur edhe dhespoti: ardhjen e besimtarëve. Shpresonte se ata do t’i dilnin në mbrojtje, ndaj dhe përpiqej të vonohej sa më tepër. Gjithnjë kishte menduar se mbështetësit e tij kishin qenë të shumtë. Llogaritë i bënte me të hollat që kishte harxhuar. Vetëm para pak kohësh kishte paguar një shumë të madhe parash. Priste të dëgjonte thirrjet e tyre: “Duam dhespot Jakovin!…”. “Duam dhespot Jakovin!…”, por asgjë e tillë nuk po ndodhte. Përkundrazi, po ndihej diçka e frikshme. Dukej sikur njerëzia do të hynte brenda mitropolisë e do të dilte që andej duke nxjerrë dhespot Jakovin zvarrë nëpër shkallë. Dhespoti po e kuptonte se duhej të dilte. Nëse do të vazhdonte të qëndronte, mund t’i ndodhte edhe ndonjë e keqe edhe më e madhe. Dhe ai, (më mirë se kushdo tjetër), e dinte mirë që në Korçë mund të ndodhin edhe gjëra kaq të papritura sa mund të mos të mos i kesh kaluar kurrë nëpër mend. Korça nuk ishte vetëm e besimtarëve, por e gjithë njerëzve që banonin në atë krahinë të madhe. Dhespoti nuk donte t’i sillte nëpër mend ato çfarë i kishte ndodhur një herë e një kohë, kur kishte qenë për herë të parë dhespot i Korçës, në vitin 1914. (Ne do ta rrëfejmë më poshtë). Ja që historitë u përsëritkan!

 Të lumturuar

Ndryshe nga ç’ kishte menduar dhespoti, se ndjekësit e tij do të ishin të shumtë, banorët e qytetit të Korçës kishin filluar të ndiheshin të lumturuar, zot në shtëpinë e tyre. Përveç qeverisë shqiptare, në këtë vend nuk mund të urdhëronte dot asnjë qeveri tjetër. Deri atë ditë dhespot Jakovi ishte sjellë sikur të ishte qeveri mbi të gjitha qeveritë. Nuk pyeste për asgjë dhe për askënd. Bënte gjithçka që dëshironte e dinte të bënte. Dhe ai dinte të bënte vetëm keq. Ishte pjellë e së keqes. Për dhespotin, shqiptarët ishin një tufë njerëzish që duhej të qëndronin gjithnjë të përulur përpara gjunjëve të tij. Askush nuk duhej t’i kundërshtonte. Ai ishte zot, edhe më i madh se Zoti vetë! Përpiqej të përhapte vetëm frikë. Shprehja e tij e njohur ishte: “Do t’i zhduk me rrënjë e me farë të gjithë ata që nuk e duan Greqinë!” Sigurisht që nuk do t’ia dilte dot, por ardhjen e shpejtë të Fan Nolit e shihte si një vdekje reale të të gjitha ëndrrave të tij.

 I mashtruar

Dhespoti nuk po dilte nga mitropolia. Vonesa e tij po binte në sy të të gjithëve. Ç’po ndodhte vallë me dhespot Jakovin?  Më vështirë se atë ditë nuk e kishte parë ndonjëherë veten. Nuk i kishte mbetur asnjë rrugëdalje. Çfarë duhej të bënte! Për herë të parë po kuptonte se as Korça dhe as Durrësi nuk e kishin dashur. Ai nuk kishte qenë i mirëpritur as si njeri dhe as si dhespot. I urryer kishte qenë pafundësisht. Zoti e paskësh lindur për të qenë fatkeq, por ai nuk kishte mundur ta kuptonte, sepse përsëri Zoti kishte qenë ai që e kishte lindur dritëshkurtër për të mos qenë i aftë të shihte larg. Kjo e bënte zhgënjimin e tij një humnerë të pafundme e të frikshme, dëshpërimin e tij rrënues dhe humbjen katastrofike. E megjithatë, ai vazhdonte të pyeste veten: Si ishte e mundur të ndodhte kështu? Për sa kohë që kishte qëndruar me forcë i ishte dukur vetja mbret mbi të gjithë mbretërit. Të vërtetën, që shqiptarët nuk e kishin dashur kurrë, as e dëshironte dhe as nuk e pranonte dot. Dhe kishte të drejtë. Njerëzit që deri atë çast i kishin qëndruar pranë i kishin thënë pareshtur se besimtarët e Korçës ishin gati të bëheshin “fli” për të. Po tani ku janë?- pyeste veten. Përse nuk po ndihen? Megjithatë ai ende shpresonte se mund të ndodhte ndonjë mrekulli, por Pandeli Evangjeli ishte nga ata që nuk e hanë fjalën e dhënë. Ai dëshironte ikjen e dhespot Jakovit dhe mbërritjen e të Madhit Theofan.

 Shpërfillës

Dhe megjithatë, Jakovi, sërish priste të vinte një urdhër i dytë që anulonte të parin. Një urdhër ku të thuhej: “Dhespot Jakovi nuk mund të largohet nga Shqipëria, kjo gjë mund të bëhet vetëm me urdhrin e Patriarkanës së Stambollit”. Ndaj vinte vërdallë nëpër mitropoli dhe nuk dëshironte të dilte jashtë prej saj, ku e prisnin drejtori i policisë Nik Dishnica dhe z. kapiten i xhandarmërisë, Stathi për ta shoqëruar deri në daljen përfundimtare nga kufiri shqiptar. Nëpër faqet e shtypit të kohës thuhej vazhdimisht se dhespot Jakovi ishte i padëshirueshëm për Korçën, por ai, ashtu si gjithnjë, nuk besonte në asgjë nga ato që thuheshin. Ai e shpërfillte Shqipërinë, qeveritarët e saj, politikanët. Për të, Shqipëria nuk ekzistonte. Shteti i saj nuk ishte gjë tjetër veçse një farsë. I dinte edhe kërkesat e Korçës për largimin e tij nga Shqipëria, por edhe kjo gjë as e kishte trembur, as e kishte shqetësuar. Përpiqej që në sytë e ndjekësve të vet të ishte një hero, një Krisht që po përpiqeshin ta kryqëzonin. Ankesat ndaj dhespotit kishin zënë fill që nga koha kur qeveria kryesohej prej Iljaz Vrionit. Kjo qeveri  e quajtur “e koalicionit”, u formua më 11 korrik 1921. Kërkesat drejtuar kësaj qeverie kishin qenë të shumta, por që të gjitha kishin mbetur pa përgjigje. Qeverisë së Vrionit iu desh të përballej me probleme të shumta. Partitë që kishin krijuar qeverinë kishin hyrë në konflikt, udhëhiqeshin nga interesat e tyre të vogla partiake dhe etja për pushtet. Për çështjen e dhespotit duket se e kishin të pamundur të gjenin kohë, të uleshin dhe të merrnin një vendim për largimin e tij.

 Iljaz Vrioni

Megjithatë, qeveria e Iljaz Vrionit kishte nisur të gdhihej me gazetën “Koha” mbi tavolinë. Ajo ishte një prej gazetave që e kishte marrë seriozisht çështjen e largimit të dhespot Jakovit. Ja çfarë shkruhej në faqet e saj: “Në qytetin tonë (Korçë), ku fatkeqësisht kemi fatin që kemi dhespotin e Durrësit pa pasur një kalite që të qëndrojë dhespot në Korçë, na ka sjellë në një shkallë dëshpërimi. Me këdo që llafosesh, me këdo që takohesh, do të kuvendojë gjësend për Jakovin, duke kallëzuar secili prej të ndonjë prej radhët propagandistike të tij. Këtë javë, si motra jonë, (gazeta)“Posta e Korçës” në dy kryeartikuj, njërën pas tjetrës, bën fjalë për dokumentet dhe propagandat të këtij dhespoti. Neve themi se dokumente prej të dhespotit do të ketë në duart e saja, (por) vetë qeveria jonë nuk po merr asnjë masë mbi këto. Atëherë, (dilte në përfundim gazeta “Koha”), duhet të themi se qeveria tonë është mjaft e fuqishme dhe përdor gjithë fuqinë e saj mbi ata njerëz, të cilët i janë përulur flamurit dhe kanë përqafuar dhe nderojnë nomin (ligjin) e shtetit shqiptar. Me një fjalë, qeveria është e fortë për patriotët, ndërsa të huajt i lë që të shijnë lirisht me propagandat e tyre dhe për të futur zjarr në Korçë dhe të mos shikosh që të llafosen dy nacionalistë tok. Më i madhi turp nuk do të bëhet në qoftë se qeveria do të qëndrojë edhe (ende) në gjumë, duke lënë që Jakovi të jetë qeveri mbi qeveri. Do mos zgjatemi më shumë sot, duke pritur se do të merren masa të shpejta. Ndryshe nuk do të flemë po do të punojmë dhe do të zgjojmë popullin duke i kallëzuar sa dimë (Gazeta “Koha”, e shtunë, 20 gusht 1921)

 I pandalshëm

Dhespot Jakovi ende vazhdonte të qëndronte në ambientet e brendshme të mitropolisë. Dukej sikur dëshironte t’u thoshte të gjithëve: “Askush nuk më nxjerr dot mua nga mitropolia!”. Në të vërtetë, deri atë ditë atë njeri nuk e kishte trembur asgjë. Edhe kur shtypi i kishte ngritur tonet e ankesave, ai sërish nuk ishte tërhequr. Madje ato ditë ai shkoi në Boboshticë dhe ndaloi priftin të meshonte. E ndaloi, sepse prifti nuk e quante veten grek. Ishte sërish gazeta “Koha” që solli këtë fakt: “Jakovi ndali priftin e Boboshticës nga mesha. Thuhet se do të ndalojë edhe tjetrin që të frikësojë katundarët”. (Gazeta “Koha”, 20 gusht 1921). Sipas kësaj gazete, dt 3 shtator 1921, kur koha e hapjes së shkollave po afronte, dhespoti u bë edhe më energjik. Mblodhi mësuesit e shkollave greke dhe u dha porosinë: “Forconi sa më shumë propagandën!” Nismës së dhespotit iu bashkuan edhe disa grekomanë. “Do të shpërbleheni”,- u tha ai, -pagesa e rrogës do të jepej njëherësh për 6 muaj”. Por jo vetëm kaq, do t’u jepej edhe një shtim rroge për shtrenjtësinë. Kaq mjaftonte. Mësuesit e shkollave greke dhe atdhemohonjësit u përhapën nëpër familjet e Korçës. Përcillnin mesazhin e dhespotit: “Mos i dërgoni fëmijët në shkollat e shtetit, por në shkollat greke”. “Kufijtë e 1913-ës ende nuk janë përcaktuar, Korça do t’i mbetet Greqisë”.

 Njerëzit

E megjithatë qeveria e Vrionit vazhdonte të qëndronte e heshtur. Pyetjet e njerëzve ishin bërë edhe më të shumta: “Gjer kur pra, kjo gjendje? Pse s’ merren masa të rrepta kundra këtyre paudhësive nga ana e qeverisë? Policia ç’ bën? Ç’ rri Jakovi këtu? Pse i lë të huajt të veprojnë si u pëlqen për propagandën e vet? S’ka një qeveri sot këtu? S’kemi Ministri të Drejtësisë? S’kemi të Punërave të Brendshme? Pse pra, të lihen liruar shkollat e propagandës greke? Shkollat janë tonat, ne i kemi ndërtuar. Gjer dje, kur s’kishim një shtet, kishim një komunatë dhe qenë t’ asaj, sot me qenë se kemi një shtet, janë të shtetit. Shteti lypset t’i marrë dhe t’i mbyllë ato të propagandës. Populli sot me një zë thërret kundër kësaj padrejtësie dhe kërkon drejtësi nga e ndershmja qeveri e tij dhe ka të madhe shpresë se zëri i tij do të dëgjohet dhe që sot e tutje do të mos ketë shkolla greqisht si këtu në qarkun e Korçës ashtu dhe në vise të tjera të Shqipërisë (Gazeta “Koha” e shtunë, 3 shtator 1921). Kjo ishte dhe arsyeja pse dhespoti ende vazhdonte të besonte se do të vinte një urdhër që të lejonte qëndrimin e tij në Korçë. Sigurisht që e gënjente mendja.

 

Dhespoti: Ju jeni grekër!

Edhe pse qeveria nuk po merrte asnjë masë, artikujt e gazetave po bëheshin edhe më të ashpër. Po i referohemi përsëri gazetës “Koha”. Në një artikull të shkruar nga Lipi, nga Pogradeci, thuhet: “…Dhespoti na mëson se jemi grekër dhe ne mbasi kemi nevojë për shërbime fetare ( lindje, vdekje, martesë etj) ia bëjmë “hatrin” gjer të shohim një kryefetar tonin. Plotëhirësi, në qoftë se është e vërtetë kjo gjë, atëherë kini shkelë një nga porositë e Mojsiut që thotë: “Mos gënje!” Plotë hirësia e juaj e dini fort mirë se qyteti i Korçës me gjithë prefekturën e saj s’ka asnjë grek. Si pra, juve, duke shkelë ma të njishmen dhe më të parën e porosinavet kristiane me punën tuaj, vini në kundërshtim me misionin e shenjtë që ju asht dorëzuar?! Populli shqiptar nuk ju beson. Në qoftë se ju doni të gënjeni popullin, populli ju thotë se keni gënjyer veten tuaj. Kombësia shqiptare e Korçës është sheshit, s’ka nevojë as për shpjegim, as për prova. Gjuha që përdoret nëpër shtëpitë dhe i shurdhët fare të jesh, provon se asht thjesht shqiptare”. “Ja se ç’më tha një tjetër anëtar i juaj, vazhdonte të shpjegonte artikullshkruesi me emrin Lipi: “Dhespoti na thotë se Korça, padyshim (?) do hyjë në Greqinë (do të bëhet pjesë e saj) dhe gjer atëherë njeri që më kundërshtohet sot, nesër kam për ta shuar nga kjo botë me gjithë fëmijët e tij (!) Plotëhirsësi! Në qoftë se është e vërtetë kjo gjë, keni shkelë porosinë themelore të fesë kristiane që thotë: “Duaje armikun!”. Plot hirësi, do vijë një ditë që populli që juve sot e tmerroni me shpatën e Greqisë, nuk do të durojë ma. Populli shqiptar duron, po nuk harron. Juve duke punuar në këtë mënyrë kërkoni të hiqni popullin prej kapistalli; sigurisht, ta dini, se kapistalli do të këputet dhe mjerë për ju, shqelmat që do të merrni. Tmerri  i ka këmbët e shkurtra dhe pas çastit të tmerrit vjen një çast guximi, nga i cili nuk do të shpëtoni as në brimë të gjarprit”

 

Dhespoti: Mësoni greqisht!

Artikulli i Lipit vijonte më tej: Ja seç më tha një tjetër një anëtar i juaj: “Dhespoti na thotë të dërgojmë fëmijët në shkollat greke se kemi tregtinë me Selanikun dhe pa ditur gjuhën greqisht nuk do të jemi të zotët të bëjmë një tregti të mirë dhe se me gjuhën shqipe s’u japin (japin) plaçka!!! Plotë hirësi, në qoftë se asht e vërtetë kjo gjë, bëni një mëkat, imzot. Tregtari edhe grek në qoftë, nuk shet plaçka me fjalë greqishte, po me të holla dhe të hollat dinë çdo gjuhë. Sot tregtia e Shqipërisë bahet me Italinë dhe me Austrinë dhe rrallë ka shqiptar që dinë italishten ose gjermanishten. Bbesoj se tregtari i Greqisë që blen plaçka në Francë dhe në Amerikë, nuk lypset, medoemos, të jetë poliglot. Fabrikanti frang ose amerikan do kujdeset të ketë në zyrën e tij një njeri që të dijë greqisht. Në qoftë se tregtarët grek dhe izraelitë të Selanikut duan të fitojnë, do të kujdesen të kenë nëpër shtëpitë e tyre tregtarë nëpunës që të dinë shqip. Plot hirësi! Besoj se ta kam me të drejtë, duke e zverdhur tregtarin shqiptar me propagandën tuaj, me Greqinë, i bëni një dëm ekonomik bashkëkombëtarëve tuaj se sa bashkëkombëtarët e mi, të cilët do të gjejnë në Itali ose në ndonjë vend tjetër plaçka më të lira dhe më të mira”

 

Dhespoti: jo vëllazëri me myslimanët!

Përsëri më të njëjtin artikull. “Ja seç më tha një tjetër anëtar i juaj: “Dhespoti sa herë piqemi me atë, na thotë se myslimanët nuk bëhen njerëz, myslimanët janë të ndaluar prej fesë së tyre (?!) të përparojnë dhe të qytetërohen dhe se neve çdo marrëveshjeje me ata, t’i largohemi, bashkëpunimit me ata t’i druhemi etj. Plot hirësi! Në qoftë se është e vërtetë ajo, e ja atëherë, keni bërë një mëkat të madh, duke nda dhe përça, kur feja thotë: “Duani shoqi-shoqin! Si Plotë hirësia juaj guxoni t’i flisni popullit ndryshe dhe ndryshe punoni vetë?…”. “… Qëllimi i juaj i zi qepet me fije fort të bardha; që atje tutje bie erë të ligë; të vjen të vështirë posa e sheh. Plotë hirësi, për nderimet e larta që kam për fenë time kristiane, nuk do t’ju përmend ç’ dëgjova për vjedhjet që bahen prej këshilltarëve të kishave, kryetar i të cilave jeni juve, për grabitjet që bahen prej arkave të manastireve dhe të tjera. Populli e di fort mirë që plotë hirësia e juaj kini dije për këto gjëra të paudha dhe ju dënon në heshtje. Si kristian shqiptar dëshiroj t’ju shoh larg politikës dhe atëherë nga fundi i Shqipërisë, si i marrë do të vija, t’ju kërkoj uratën. Si nacionalist shqiptar dëshiroja të hidhnit përdhe mitrën që ju rëndon kokën, kryqin që ju gërvisht qafën dhe rrobën e zezë që ju fsheh ndjenjat atdhetare. Oh sa hije do t’u kishte, do të qesh i pari që të përpjek duart dhe me gjithë që do t’ju kundërshtoja pas fuqisë sime, do t’ju shtrëngoja dorën duke ju përgëzuar për veprën kombëtare tuajën, po si Peshkop  me kryq dhe me djallëzi asht turp, turp Plotë hirësi! (Pogradec, Lipi). (Gazeta “Koha”,  e shtunë, 24 shtator 1921).Megjithatë, me kalimin e disa muajve, qeveria e Vrionit kishte rënë. Ajo qeveri pati jetë të shkurtër. 11 korrik 1921- 16 tetor 1921. Më 16 tetor 1921 në krye të qeverisë kishte ardhur Pandeli Evangjeli

 Dhespot në Korçë!

Drejtori i policisë dhe kapiteni vunë re se dhespoti po e tepronte me vonesën e tij. I kërkuan të dilte e të niseshin për udhë. Nuk voni shumë dhe doli. Ndoshta në këtë çast dhespotit do t’i jetë kujtuar koha kur erdhi në Korçë si dhespot për hërë të parë. Ai nuk e kishte harrur Korçën, por as Korça nuk e kishte harruar atë. E mbanin mend mirë njëri-tjetrin. Dhespot Jakovi kishte qenë një nga organizatorët e të ashtuquajturës “kryengritja e Vorioepirit”. Që nga ajo ditë banorët e qytetit nuk e thirrën më “dhespot”, por “agjent i Athinës”.  Kjo histori ndodhi pranverën e vitit 1914. Dhespoti ishte kthyer përsëri pas 7 vitesh në vendin e krimit. E kishte marrë malli për Korçën. Dëshironte t’i vinte zjarrin sërish e të ngrohej me zjarrin e saj. Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij e përshkruan kështu atë ngjarje të paharrueshme që nisi pas mesnate në orën 03.00, kur njerëzit prisnin agimin e një dite të re: “Më 2 prill 1914, në Korçë plasi kryengritja e organizuar nga agjenti grek Jakovi, dhespot i Korçës, dhe nga Këshilli i Mitropolisë. Ky plan u vu në zbatim nga vullnetarët grekomanë të qytetit e të fushës, nën komandën e kapedan Sulios, si edhe prej ushtarëve grekë të fshehur në Korçë, të cilët zunë pozitat më me rëndësi të qytetit. Përnjëherësh u dha kushtrimi ndër fshatra, në të cilat patriotët filluan të grumbulloheshin e të organizoheshin. Forcat e Kajo Kapedanit u vendosën nën vreshtat e Korçës, ku shpartalluan fuqitë e Jorgji Bushos, ish-deputeti i Serfixhës në parlamentin otoman, të cilat po marshonin për në qytet. Nga ana tjetër, fshatarët e Mborjes, në grykën e Mborjes, shkatërruan fuqinë e doktor Harisjadhit (korçar) të përbërë prej 400 vetash”. E pra, edhe në këtë ditë tmerri  të prillit 1914, dhespot Jakovi kishte mbetur brenda mitropolisë si një brejtësi i kapur në çark

 I rrethuar në mitropoli

Po. Më në fund qyteti i Korçës ishte çliruar, por dhespoti kishte mbetur brenda mitropolisë dhe nuk dinte ç’të bënte. Të qëndronte aty? Shqiptarët do ta gjenin medoemos. Të ikte? Po ku të shkonte? Shqiptarët përsëri do ta kapnin teksa ai do të përpiqej të vraponte duke u  fshehur herë pas here nëpër qoshka e sokakë të vjetër të Korçës. Çfarë të bënte? As Zoti nuk po i ofronte ndihmë. Ashtu si 7 vjet më parë po i ndodhte edhe tani që i ishte dhënë ultimatumi për t’u larguar nga Shqipëria sa më parë. Historia u përsëritka. Thonë që një herë shfaqet si tragjedi e një here tjetër si komedi, por për dhespot Jakovin  në të dy rastet kishte qenë qesharake dhe e turpshme. Atij i mbetej vetëm të ngrinte duart lart e të dilte me flamurin e bardhë. Dhe kështu ndodhi. Përkrah shqiptarëve luftonin edhe oficerë holandez. Me shqiptarët ishte bashkuar dhe amerikani Harold Sherëood Spencer. Sipas një artikulli të Prof. Dr Uran Asllanit: “Amerikani që luftoi për çlirimin e Korçës”, pasi na bën me dije se dhespot Jakovi kishte mbetur brenda në Mitropoli, na shpjegon kapjen rob të tij:  “Nismëtari i rrethimit të Mitropolisë, kapjes dhe burgosjes të peshkopit grek, me veprimtari të vazhdueshme antishqiptare, Jakovit, edhe dërgimit të tij në Elbasan, u bë amerikani Spencer”. Banorët e Korçës e mbanin mend Jakovin edhe për diçka tjetër. Ai kishte qenë edhe një nga penguesit e ngritjes së flamurit shqiptar në Durrës nga Ismail Qemali, sepse, sipas tij, flamurin e pavarësisë së Shqipërisë nuk e donte as Europa e krishterë!

 Vepror Hasani