Ja si Abaz Kupi hodhi në erë urën e Shijakut para 7 prillit

495

DOSSIER/ Trupat italiane për pushtimin e Shqipërisë udhëhiqeshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni

– Abaz Kupi hedh në erë urën e Shijakut

– Ngritja e Komitetit të Përkohshëm Administrativ me Xhafer Ypin në krye

– Më 15 prill 1939 Shefqet Vërlaci i dorëzon kurorën shqiptare Viktor Emanuelit III

– Më 23 prill, Françesko Jakomoni, emërohet mëkëmbës i parë i mbretit italian në Shqipëri

– Më 2 qershor 1939 pushtuesit italianë formojnë Partinë Fashiste Shqiptare

 

Stefan Tetollari, historian

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Trupat italiane për pushtimin e Shqipërisë udhëhiqeshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni

Mbasi e kuptuan që Shqipëria nuk do të aneksohej në mënyrë paqësore Musolini dha urdhër për pushtimin e Shqipërisë. Trupat italiane udhëhiqeshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni që kishte në dispozicion për luftë një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta ku një ndihmë të madhe do kishte edhe nga qielli nëpërmjet aeroplanëve. Të nesërmen në mëngjes, të premten e zezë, më 7 Prill 1939, mora një mesazh telefonik prej Legatës Britanike në Durrës, ku më thanë se një flotë e madhe italiane kish hyrë në limanin e Durrësit: kishin zbarkuar trupa italiane dhe se luftime të rrepta qenë zhvilluar. Bashkëfjalimi telefonik në fjalë m’u ndërpre dhe vetëm më vonë u mor vesh se shqiptarët, në barrikadat e ngritura nëpër rrugët e Durrësit, i hodhën italianët në det tri-katër herë, duke vrarë qindra ushtarë italianë. Luftimet qenë zhvilluar gjithashtu në Shkodër dhe në Sarandë e në Vlorë. Italianët mendonin se brenda datës 7 prill do të pushtoni gjithë Shqipërinë, llogari që nuk doli, jo për shkak se kishin nënvleftësuar rezistencën Shqiptare por sepse luftimet qenë të rrepta. Luftimet më të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin Vlorë e Sarandë luftimet qenë të rrepta. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga Abaz Kupi, që kishte rreth vetes 600 luftëtare të pajisur me pushkë. Ata zmbrapsën disa herë sulmin e armikut duke mbytur edhe disa motobarka italiane.

Abaz Kupi hedh në erë urën e Shijakut

Abaz Kupi hodhi në erë urën e Shijakut për të penguar marshin e italianëve. Marshi u pengua edhe nga dërgimi në Durrës i një delegacioni i dërguar nga Zogu për të biseduar me Guzzonin për të arritur një marrëveshje me të. Më 7 Prill Zogu ndoqi planin e Pandeli Evangjelin për të organizuar një qëndresë jashtë Shqipërisë. Ai mori rrugën për në jug të Shqipërisë për t’u larguar në Greqi. Në rastin e Shqipërisë Italia kishte synime dhe interesa të kahershme strategjike.

Së pari, Shqipëria kishte pasuri të lakmueshme, natyrore, shfrytëzimi i të cilave mendohej se do t’i sillte Romës përfitime ekonomike.

Së dyti, kishte pozitë strategjike, e cila ishte pikë kyçe mes lindjes dhe perëndimit.

Pushtimi i Shqipërisë ishte një ndër aktet e para agresive vendosja e regjimit Nazi-fashist në gjithë botën. Ata donin të ndanin botën në zona pushtimi. Italia synonte të ndërtonte e të rikrijonte perandorinë e madhe nën shembullin e perandorisë Romake. Detin Mesdhe ajo e quante deti ynë. Italianët që në ditët e para të pushtimit filluan zbatimin e masave të përpunuara në Romë që synonin ndërtimin e rendit pushtues.

Ngritja e Komitetit të Përkohshëm Administrativ me Xhafer Ypin në krye

 

Ndër masat e para që u morën ishte ngritja e Komitetit të Përkohshëm Administrativ me Xhafer Ypin në krye. Deri në çastin e pushtimit Xhafer Ypi kishte qenë ministër dhe kryeinspektor i Oborrit të ish mbretit Zog. Në një fjalim në radio ai e justifikoi pushtimin e vendit me arsyen se vendi ishte përballë katastrofës në regjimin e Zogut dhe se ardhja e italianëve e kishte parandaluar katastrofën, – thoshte Ypi. Ky i fundit luajti rolin kryesor në thirrjen e “Asamblesë Kushtetuese”, që përbëhej nga 159 anëtarë, kryesisht pronarë tokash, bajraktarë, tregtarë dhe klerikë. “Asambleja” u mblodh për herë të parë më 12 Prill 1939. Fillimisht ajo rrëzoi dinastinë zogiste dhe abrogoi Statusin themeltar të 1928-ës, i cili shërbente si bazë ligjore e monarkisë. Gjithashtu, “Asambleja” vendosi bashkimin e Shqipërisë me Italinë nën kurorën mbretërore të Viktor Emanuelit III dhe nxiti popullsinë të besonte te Italia. Pra, Shqipëria do të funksiononte zyrtarisht si monarki kushtetuese autonome, e trashëguar e Kurorës së Savojës. “Asambleja Kushtetuese” krijoi një qeveri “shqiptare” me kryeministër Shefqet Vërlacin, pronar i madh tokash dhe armik personal i Zogut.

Më 15 prill 1939, Shefqet Vërlaci i dorëzon kurorën shqiptare Viktor Emanuelit III

 

Më 13 prill 1939 Këshilli i Madh Fashist miratoi bashkimin e shpallur nga “Asambleja kushtetuese” shqiptare. Më 15 prill një delegacion i madh zyrtarësh shqiptarë, me në krye Shefqet Vërlacin i dorëzoi kurorën shqiptare Viktor Emanuelit III. Komanda ushtarake varej nga komanda e përgjithshme ushtarake. Më vonë u shkrinë forcat ushtarake shqiptare në atë italiane. U shpall suprimimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe krijimin e nën/sekretariatit për punët shqiptare në Ministrin e Jashtme të Italisë. Më 22 prill 1939 Jakomoni dhe Vërlaci nënshkruajnë Koventën Ekonomike Doganore. Sipas së cilës mallrat shqiptare dhe italiane do tregtoheshin të lirë ndërmjet njërit vend në tjetrin. Ata sa erdhën mbyllën disa gazeta dhe filluan botimin e gazetës “Fashizmi” që më vonë u quajt “Tomori”.

Më 23 prill, Françesko Jakomoni, emërohet mëkëmbës i parë i mbretit italian në Shqipëri

 

Më 23 prill, Françesko Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri, u emërua mëkëmbës i parë i mbretit italian në Shqipëri. Mëkëmbësia nga ana e saj, sapo u krijua dekretoi formimin e Këshillit të Epëm Fashist Korporativ, që do luante rolin e parlamentit. Kryetar i Këshillit u zgjodh Terenc Toçi. Në këshill veç politikanëve shqiptarë që kishin pranuar pushtimin, bënin pjesë dhe një sërë zyrtarësh italianë. Anëtarët e këshillit zgjidheshin me dekret të mëkëmbësit. Mëkëmbësi i përgjithshëm, më emër të mbretit Viktor Emanueli III dhe në bazë të urdhrave të Musolinit ushtronte gjith pushtetin në Shqipëri. Kryeministri dhe kabineti i tij shkarkoheshin jo nga parlamenti, por nga mbrerti respektivisht mëkëmbësi i tij. Ministrat ishin shqiptarë, por pranë çdo ministrie kishte një këshilltar italian, i cili mbikqyrte veprimtarinë e ministrisë dhe aktet e nxjerra prej saj. Ata në fakt drejtonin punët e ministrisë dhe vareshin nga Jakomoni. As ministrat por edhe kryeministri nuk mund të firmosnin apo të shpallnin ndonjë dekret pa pëlqimin e mëkëmbsit të mbretit. Tani mund të themi pa frikë se qeveria shqiptare egzistonte vetëm formalisht dhe çdo gjë tani kontrollohej nga Jakomoni. Në qershor 1939 u miratua edhe Kushtetuta e re shqiptare e cila përbëhej nga 7 kapituj dhe institucionalizonte bashkimin e Shqipërisë nën Mbretërinë Italiane.

Më 2 qershor 1939, pushtuesit italianë formojnë Partinë Fashiste Shqiptare

 

Më 2 qershor 1939 pushtuesit italianë formuan në Shqipëri Partinë Fashiste Shqiptare, si degë e Partisë Fashiste Italiane që varej drejtpërsëdrejti nga Musolini. Kjo ishte partia e vetme politike në Shqipërinë fashiste. Sekretar i përgjithshëm i saj u zgjodh Tefik Mborja. Zyrtarisht, nuk egzistonte ndonjë detyrim për të hyrë në parti, por atyre që nuk pranonin të aderonin, ua bënin jetën të veshtirë, sidomos nënpunësve të administratës. Edhe flamurit shqiptar iu shtua emblema e fashizmit italian. Partia fashiste shqiptare tani ishte degë e partisë fashiste italiane që drejtohej nga B.Musolini. Të gjithë nënpunësit shtetërorë duhet të ishin pjesë e partisë fashiste. U morën shumë masa në arsim u ndaluan shumë lëndë dhe literaturat e huaja i hoqi nga qarkullimi. Lejoheshin vetëm literatura fashiste. Misioni francez i arkeologjisë që udhëhiqej nga Leon Rei, u detyrua të pezullojë punën dhe të ikë nga Shqipëria. Në këtë kohë u largua nga Shqipëria edhe fondacioni amerikan Rokfeler. Pushtuesi shtoi dhunën e terrorin mbi popullsinë civile dhe mori masa për të shtypur çdo lëvizje qëndrese. Kështu, që në ditët e para të pushtimit u dërguan në burgjet dhe në ishujt e Italisë rreth 1000 veta atdhetarë shqiptarë. Me qëllim që të stabilizonte gjendjen në vend, pushtuesi mori disa masa të shpejta. Në këtë kuadër, në fillim të qershorit 1939 Jakomoni nxori dekretin për çarmatosjen e popullsisë brenda 30 ditëve. Ky dekret parashikonte dënime të rrepta deri dhe në pushkatim për ata që si bindeshin urdhërit. Pushtuesi ngriti edhe disa organizma të posaçëm që situata të mbahej nën kontroll. Të tillë ishin komisioni “për gjurmimin e personave të dyshimtë për regjimin”, gjykata ushtarake të përbërë nga oficerë italianë. U ndalua qarkullimi natën. U ndalua dëgjimi i radiostacioneve të huaja. Tani mund të themi pa frikë që Italia ishte zotëruesja e gjithçkaje në Shqipëri. Ata u përpoqën të kishin çdo gjë në duart e tyre bile bile edhe popullin gjë që se arriti ta bënte kurrë. Me gjithë përpjekjet që u bënë në këtë aspekt, populli shqiptar asnjëherë nuk pranoi të bëhej pjesë e partisë fashiste. Në vartësi të Partisë Fashiste u krijuan dhe një numër organizatash ndihmëse pas pune (dopo lavoro), të rinisë, të grave, të studentëve universitarë, shoqata kulturore e sportive etj., të cilat do të punonin për të përhapur idetë dhe organizimin fashist në shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, veçanërisht rinisë.       Tek kjo parti që italianët patën shumë shpresa që në fillim u ndje që qe e vakët kjo qe bojkotuar nga shqiptarët. Ata e dinin se kjo parti ju kishte sjellë pushtimin e vendit të tyre. Ata filluan ta kuptonin që formimi i partisë fashiste qe i nxituar, dhe që e morën pa njohur realitetin e vendit. Rezistenca popullore filloi që, më 7 prill 1939 dhe vazhdoi me forma nga më të ndryshmet. Aktivitetet me karakter fashist në shkolla bojkotoheshin nga nxënësit shqiptarë. Çiano e kuptoi që në fillim që pushtimi nuk do pritej mirë nga shqiptarët. Siç shkruan në ditarin e tij, në sytë e përlotur të shqiptarëve ai mundi të shohë trishtimin që ata ndjenin për humbjen e pavarësisë. Ndjenjat atdhedashëse, por dhe gjendja e vështirë ekonomike do ti çonin shqiptarët drejt organizimit dhe kundërshtimit të regjimit të pushtimit. Ata e kuptuan shumë shpejt se hedhja e parave në Shqipëri ishte vetëm për përmbushjen e objektivave politike e ushtarake të fashizmit italian. Studentët e nxënësit bënë rezistencë në forma të ndryshme.

Nesër do të lexoni

-Në 28 nëntor demonstrata mbarëshqiptare me parulla kundër Italisë

Puka kundërshton gjithnjë pagimin e taksave shtetërore

Format e para të rezistencës antifashiste të popullsisë së Rrëzës në Përmet

Greva e punëtorëve të Përmetit, që punonin tek shoqëria italiane “Puricelli”

Më 17 të muajit, një njësit gueril i Përmetit goditi një automjet ushtarak

Telegramet italiane për shkatërrimin e vijave telegrafike

-27 nëntor 1942, sulmi kundër garnizonit armik të Përmetit

– Çeta e Rrëzës së Përmetit dhe aktiviteti i saj