Ja cilat janë problemet më të mëdha të Shqipërisë

2799
Sigal

Flet historiani i njohur Prof. Nikolla Pano: Ju rrëfej historinë shqiptaro-amerikane dhe rolin e Berishës e të Nanos. Vizita e parë në Shqipëri, kontributin e komitetit shqiptar të SHBA-ve dhe ndikimi i Fan Nolit e Faik Konicës në formimin tim

Historiani i njohur shqiptaro-amerikan rrëfehet, në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit

Problemet më të mëdha që ka sot Shqipëria është trashëgimia e hidhur dhe mungesa e fatit historik- një vend që ka arritur me vonesë dhe vështirësi atë çfarë kombe të tjera e kanë arritur me kohë. Shqipërisë, i duhet gjithmonë të kapë kohën e humbur.

Nikolla Pano, i lindur dhe rritur në një familje shqiptare në SHBA është një historian që flet jo vetëm për të shkuarën, por edhe për sfidat e tashme dhe të ardhme të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Për Profesor Panon, “fakti që më shumë se gjysma e popullit shqiptar u la jashtë kufijve të shtetit të krijuar më 1913, është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë sonë”. Sot, shqiptarët në rajon, thotë profesor Pano, duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri tjetrin në fushën kulturore, ekonomike dhe politike, por nuk duhet të nguten drejt bashkimit. Për idenë e “korrigjimin e kufijve” – historiani i njohur shqiptar thotë se është një mundësi që duhet parë, por duhet treguar shumë kujdes për të marrë në konsideratë interesat e popullsisë shqiptare dhe për të mos hapur Kutinë e Pandorës në Rajon. I rritur nën ndikimin e shqiptarëve të mëdhenj si Fan Noli dhe Faik Konica, Profesor Pano flet për rolin e madh dhe të pazëvendësueshëm të lobit shqiptar në Amerikë gjatë shekullit të kaluar, por edhe për kontributin tanishëm. Institucionet si Vatra, Dielli, Kisha Ortodokse shqiptare, farkëtuan patriotizmin shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Kur Shqipëria dhe shqiptarët ishin në rrezik, ishte kontributi i një galaksie të njohur shqiptarësh që bënë të mundur që presidentët amerikanë, disa herë gjatë një shekulli, (që nga Presidenti Uillson e deri tek Presidentët Klinton e Bush) të bënin ndërhyrje vendimtare në çaste kritike për Shqipërinë dhe Kosovën. Duke folur për sfidat e sotme të Tiranës, Nikolla Pano thotë se duhet luftuar pabarazia sociale, bjerrja e shtresës së mesme dhe i duhet dhënë fund situatës kaotike në drejtësi. Shqipëria duhet bërë thotë ai – një vend i drejtë ku njerëzit nuk duhet të vlerësohen nga fakti se kë njohin, por nga ajo çfarë dinë. Profesor Pano që ka vizituar shpesh Shqipërinë gjatë 45 viteve të fundit i njeh personalisht drejtuesit e tranzicionit të gjatë shqiptar – ata, thotë ai – jo gjithmonë kanë vepruar në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Intervista e plotë

Dua t’iu pyes për vizitën e parë në Shqipëri, në vitin 1973. Dua t’ju pyes pak për emocionet e përziera. Në një anë, vinit për herë të parë në vendlindjen e prindërve të tu, në anën tjetër Shqipëria në atë kohë ishte një shoqëri e mbyllur, ishte nën regjimin komunist. Njerëzit nuk mund të lëviznin lirisht, nuk mund të flisnin lirisht, feja ishte e ndaluar, prona private ishte e ndaluar. A mund të na tregosh pak si e përjetuat vizitën e parë në Shqipëri?

Së pari, nuk e dija se çfarë më priste. Kisha kohë që përpiqesha për të marrë një vizë. Më në fund arrita ta marr një vizë. Po prisja me mall të takohesha me njerëz të familjes sime. Kisha një kushëri të parë në Korçë dhe disa kushërinj të tjerë. Nuk dija shumë për ta, me përjashtim të letrave që shkëmbeja me to,… kisha lexuar shumë për Shqipërinë. Por ende nuk e dija se çfarë do të ndodhte. Por kur erdha u çudita për mirë, sepse të gjithë shqiptarët që takova, jo vetëm pjesëtarë të familjes sime ishin shumë të dashur, shumë miqësorë, shumë të hapur. Ishte shumë e vështirë në atë kohë të kuptoja se ky vend qeverisej nga një regjim totalitar, sepse në marrëdhëniet me familjen time më dukej sikur po takohesh me miqtë e mi në Amerikë apo në ndonjë vend tjetër të Evropës.

Nuk pikase ndonjë shenjë të varfërisë apo represionit në atë kohë?

Në fillim jo, por pak më vonë kur doja të vizitoja qytete të tjera të Shqipërisë m’u bë shumë e qartë se duhet të isha nën shoqërinë e një personi të besuar të regjimit, dhe më pas kur vizitova Shqipërinë, u ndaluam herë pas herë në postblloqe policie dhe shpejt e kuptova se jeta në Shqipëri nuk ishte e njëjtë me jetën në vende të tjera të Evropës apo në SHBA. Kjo ishte tejet e qartë. Dhe në momentin që po largohesha nga Shqipëria ishte koha e “plenumit të katërt”, fillimi i shtypjes së intelektualëve në Shqipëri dhe ishte një nga periudhat e errëta të historisë së Shqipërisë. Mbaj mend se kur kalova në Tiranë, shihja fletërrufetë që ishin të pranishme pothuaj në gjithë qytetin dhe njerëzit ishin të shqetësuar nga çfarë po ndodhte dhe ishte edhe më e qartë për mua, se Shqipëria ishte vend i shtypur dhe i udhëhequr nga njerëz të vijës së ashpër.

Ju u lindët në SHBA, më 1934 dhe prindërit e tu erdhën në Amerikë nga Korça…

Po, babai im e la Shqipërinë, më 1911 dhe nëna, më 1919. Ata emigruan në Amerikë. Në fillim im atë jetoi në Nju Hampsher dhe nëna ime në Mei. Më pas shkuan në Boston, aty u njohën dhe u martuan, më 1930. Motra im u lind më 1931, unë u linda më 1934 dhe motra e vogël u lind më 1939.

Lindur dhe rritur në një familje shqiptare në Amerikë. Flisnit shqip?

Po flisnim shqip. U rritëm me dy gjuhë dhe dy kultura siç i themi ne andej. Im atë hapi një dyqan ushqimor, kështu që natyrisht ne filluam të mësojmë edhe anglisht, nëna nisi të mësojë dhe të flasë anglisht, por në të njëjtën kohë ne flisnim shqip në shtëpi. Gjyshja vinte dhe qëndronte shpesh tek ne dhe me të ne mësuam shumë mirë shqipen. Më vonë, edhe im atë më mësoi të lexoj shqip dhe sillte në shtëpi gazetën “Dielli” dhe më pas edhe gazetën “Iliria” dhe im atë më mundësoi që të takoj edhe personalitete të shquara shqiptare si Fan Noli dhe të tjerë që jetonin në zonën e Bostonit. Ne shkonim në kishën ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit dhe shërbesat në kishë ishin në gjuhën shqipe, dhe gradualisht ne mësuam shumë mirë gjuhën shqipe, ndoshta jo shkëlqyeshëm, sepse me kalimin e kohës ne e përdornim pak më rrallë, por ne si fëmijë u rritëm duke mësuar dhe folur gjuhën shqipe në familje.

Ju jeni pagëzuar me emrin Nikolla Kristo, në nderim të shqiptarit të parë që ka shkuar në Amerikë në vitin 1886, ai kthehet disa vite më pas në Shqipëri në vitin 1892 dhe merr me vete 17 shqiptarë të tjerë dhe kjo është kolonia e parë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po kjo është e vërtetë, 17 djemtë ishin nga katundet e Korçës dhe ata ishin bërthama e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe gradualisht në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të gjithnjë e më shumë shqiptarë emigruan në Amerikë dhe në fillim të Luftës së Parë Botërore, ishin afro 10 mijë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Numri i saktë është pak i vështirë, sepse deri në nëntor të vitit 1912, nuk kishte Shqipëri dhe shumica e atyre që erdhën kishin pasaporta turko-osmane, disa erdhën nga Greqia, disa nga Rumania, disa nga Egjipti, pra është vështirë të thuash një numër të saktë, por ne besojmë se më 1914 ishin 10 mijë shqiptarë në SHBA.

Shqiptarët që lanë Shqipërinë për Amerikën, shkuan për punë, për biznes, më ambiciozët për t’u bërë mjek, avokatë, por …jo historianë. Pse zgjodhët të bëheshin historian?

Së pari, atë që erdhën në fillim erdhën për të mbijetuar, për të punuar, për të kursyer dhe disa prej tyre për t’u kthyer sërish në atdhe dhe ndoshta edhe për të nisur biznes. Por ata që ndenjën në Amerikë, mblodhën para dhe një nga arsyet që mblodhën para shumë dhe jetuan me shumë kursime, është që t’i jepnin fëmijëve një të ardhme më të mirë, p.sh., si unë që jam brezi parë i lindur në Amerikë, prindërit donin të na dërgonin në shkollë. Unë isha i interesuar në histori, shumë shokë të mi ishin të interesuar për mjekësi, ligj apo biznes dhe kjo për shkak të lidhjeve dhe shoqërive të krijuara në fëmijëri dhe shumë zgjodhën biznesin, sepse fryma e sipërmarrjes ishte nxitur nga prindërit – shumë prej tyre kishin biznese të vogla – dhe shumë prej tyre bënë goxha pasuri.

Cili ishte ndikimi që patën tek ti njerëz të mëdhenj si Fan Noli, Faik Konica, dhe më pas Stavri Skëndo?

Fan Noli, sigurisht nuk ishte vetëm lideri shpirtëror i komunitetit shqiptar, por ishte edhe lideri intelektual, ai shkroi si historian, ai shkroi shumë artikuj në gazetat e kohës, ai ishte intelektual i madh dhe shumë prej nesh, në fakt jo shumë, por disa prej nesh e adhuronim dhe kishim edhe fatin të bisedonim disa herë me Fan Nolin, ai na nxiste dhe ishte shumë i kënaqur që disa prej nesh do të studionim për historinë e Shqipërisë, për kulturën shqiptare dhe betejat e shqiptarëve për të ruajtur identitetin shqiptar.

Njerëz të mëdhenj si Fan Noli dhe Faik Konica, të dy u përpoqën të jepnin kontributet e tyre në Shqipëri, por nuk ia dolën. Ishte Shqipëria vend i vogël për t’i mbajtur këtu njerëzit e mëdhenj?

Interesant është fakti se si Noli ashtu edhe Konica jetuan shumë pak vite të jetës së tyre në Shqipëri, por kurrë nuk humbën sensin e identitetit shqiptar apo kombëtar, por siç edhe ju sugjeroni, kontributin e tyre më të madh për Shqipërinë e dhanë jashtë saj. Aktivitetet e Nolit dhe Konicës për “Vatrën” janë shumë të rëndësishme. Kontributi Nolit dhe Konicës është shumë i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, sepse ata ndihmuan që Shtetet e Bashkuara të ktheheshin në qendrën kryesore të nacionalizmit shqiptar.

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte farkëtuesi i tre institucioneve kryesore që ndihmuan zhvillimin dhe përparimin e nacionalizmit shqiptar:

Së pari, formimi i Kishës Ortodokse shqiptare, këtë vit përurojmë 110-vjetorin e liturgjisë së parë në gjuhën shqipe në Kishën Ortodokse;

Së dyti, gazeta “Dielli” që ende publikohet edhe sot e kësaj dite, gazeta më e vjetër shqiptare në botë.

Dhe së treti, shoqëria “Vatra” që funksionon edhe sot dhe ka një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan. Këto 3 “institucione”, ndihmuan komunitetin shqiptar në Amerikë, dhe fortifikuan patriotizmin shqiptar. Ky është teatri në të cilën operoi Noli dhe Konica dhe duke pasur parasysh që Amerika është vendi më i lirë në botë ata ishin në gjendje që të ushtronin aktivitetin e tyre krejt lirshëm, gjë që nuk do të ishte e mundur në vende të tjera të botës. Kjo ishte skena në të cilën ata operuan.

A ishte ndikimi i Nolit që ju u fokusuat në studimin e historisë shqiptare?

Po, siç e thashë, kam biseduar disa herë me Nolin për këtë. Sigurisht ka shumë pak universitete në botë që ofrojnë kurse për historinë e Shqipërisë, por unë kam bërë shumë kërkime dhe fokusi im ka qenë historia e Shqipërisë dhe historia e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Nëse dikush ju pyet: Çfarë është shqiptari? Si ia përshkruani shqiptarin një të huaji?

Së pari, duhet t’u shpjegosh ku është Shqipëria..

…nga pikëpamja gjeografike?

Po nga pikëpamja gjeografike, në fakt jo kaq shumë tani, por kur unë kam qenë i ri, ky ishte një problem, tani duhet t’u shpjegosh diçka për historinë e Shqipërisë. Ne shqiptarëve na është dashur të luftojmë përgjatë gjithë historisë, për të ruajtur identitetin kombëtar, një nga veçoritë është beteja për të zhvilluar gjuhën shqipe, beteja për të ngritur shtetin shqiptar dhe beteja për të arritur progres në fushën sociale dhe ekonomike, brenda shtetit shqiptar. Këta janë gjëra që njerëzit duan të dinë. Duan të dinë nga vijmë? U flas për teoritë se nga vijmë ne, por kryesisht njerëzit duan të dinë, çfarë jemi, çfarë na bën krenarë për trashëgiminë që kemi, kjo është interesante sepse ne e kemi sensin e krenarisë për trashëgiminë që ne kemi, nga heronjtë tanë ndërkombëtar- nga Skënderbeu- ai është burimi i unitetit kombëtar,… ne kemi plot intelektualë për të cilët jemi krenarë, për shembull Naim Frashëri dhe ka një listë me shqiptarë të mëdhenj, mendjendritur, Noli, Konica e shumë të tjerë, sot kemi Ismail Kadarenë dhe kemi plot të tjerë që na bëjnë krenar për trashëgiminë tonë, për atë që ne jemi dhe për aspiratat tona, ne sot duam të jemi pjesë e Evropës. Por ne duam të theksojmë siç bëri Fan Noli në shumë prej shkrimeve të tij, Konica, gjithashtu, se Shqipëria është pjesë e rëndësishme e civilizimit Perëndimor, se ne tradicionalisht më shumë kemi parë nga Perëndimi se nga Lindja.

A ka qenë historia pak e padrejtë me Shqipërinë, siç ju thoni, dëshira ka qenë për të parë drejt Perëndimit, por mbeti 500 vjet në Perandorinë Osmane, ka qenë Shqipëria pak e pa fat?

Patëm fatin e keq të ishim pjesë e perandorisë Osmane, na mbajti për një kohë jashtë rrjedhave të qytetërimit perëndimor, por gjithmonë kanë ekzistuar kontaktet me Perëndimin, që nga shekulli 16-të dhe i 17-të, patëm shumë klerikë nga Kisha katolike, në shekullin e 18-të dhe 19-të patëm fillimet e lëvizjes kombëtare dhe nga u orientuan këta njerëz, ku u orientuan pionierët e lëvizjes kombëtare? Ata panë drejt Perëndimit.

Vijon…

Nesër do të lexoni

Ndihma e presidentëve amerikanë për çështjen shqiptare

E kaluara dhe e ardhmja e marrëdhënieve të popullsisë shqiptare në Rajon

Pozicioni i ShBA-ve dhe Shqipërinë në çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë