ARKIVA/ Zbardhen dokumentet sekrete ruse. Fragment nga biseda e Enver Hoxhës me Josif Stalinin gjatë vizitën së dytë në Moskë, në mars të vitit 1949

Stalini-Enverit: “Kujdes me zgjedhjet, të jenë të lira e të ndershme”

Vetëm katër vjet pas çlirimit të vendit, komunistët, jo vetëm që dominuan në qeveri dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar, por kishin ndërmarrë me shpejtësi edhe një seri reformash. Ndërkohë që në vitin 1945 ishin bërë dhe zgjedhjet e para që për kohën u cilësuan si: të lira. Dokumenti në fjalë ndodhet në një nga botimet që mban vulën e Akademisë së Shkencave të ish-Bashkimit Sovjetik me dokumente arkivave e viteve 1944-1953, të botuar në Moskë në vitin 1998. Kur flitet për marrëdhëniet e Shqipërisë me ish-Bashkimin Sovjetik, midis të tjerash aty është transkriptuar dhe një bisedë e Stalinit me Enver Hoxhën, në mars të vitit 1949, e regjistruar nga pala ruse. Kjo merret për bazë si më e sakta, sepse është si një proces-verbal i atij takimi. Duke lexuar dokumentin të bie në sy fakti që Stalini e njihte mirë Shqipërinë në atë kohë. Ai, madje ka dhënë disa këshilla. Ato lidheshin me qëndrimin ndaj borgjezisë së vogël, intelektualëve, fesë, mënyrës së kompensimit të qeverisë. Nuk ka lënë pa përmendur disa rekomandime për kolektivizimin, politikën e jashtme.

Biseda e Enver Hoxhës me Stalinin në takimin e dytë midis tyre në Moskë, më 23 mars 1949, padyshim që është ruajtur në arkivat ruse. Nga biseda, e cila ka zgjatur më shumë se 2 orë, janë shkëputur vetëm pasazhet ku Stalini i jep disa këshilla të vlefshme Enver Hoxhës. Shënimet i ka mbajtur V.Erofejev.

Kolkozet

Duket se pjesa e parë e bisedës është përqendruar në krijimin e kooperativave. Duke pasur një raport të saktë mbi Shqipërinë dhe varfërinë në vend, Josif Stalini nuk ka qenë shumë optimist në krijimin e kooperativave shqiptare, ndaj dhe e ka këshilluar kolegun e tij Sekretar të Parë, të jetë më i kujdesshëm në këtë lloj reforme. Ja çfarë thuhet në dokumentet e arkivës ruse: “…Shoku Stalin vëren: Shqiptarët më duket po krijojnë kolkoze (kooperativa).

Hoxha përgjigjet: Në kongres u mor vendim të fillohet nga krijimi i kolkozeve, por të mos nxitohet me këtë punë.

Shoku Stalin thotë: Shokët shqiptarë nuk duhet të nxitohen të krijojnë kolkoze. Shqipëria është një vend i prapambetur malor. Madje dhe në Bashkimin Sovjetik, në rrethet malore, nuk ka kolkoze. Prandaj në Shqipëri, hë për hë, nuk duhen krijuar kolkoze. Po qe se fshatarët s’kanë plehra, kafshë dhe makina, shteti mund t’u vijë në ndihmë. Për këtë duhet që shteti të ketë pikat e veta të makinave dhe traktorëve, në mënyrë që, nëse fshatarët duan të marrin ndihmë me makina, shteti t’u lërojë tokën fshatarëve me ndihmën e këtyre makinave, ndërsa gjatë vjeljes së drithërave t’i ndihmojë fshatarët t’i shijnë ato. Për këtë ndihmë, shteti duhet t’u marrë fshatarëve njëfarë pagese në natyrë. Se si do ta ndajnë fshatarët midis tyre dhe misrin, kjo s’i takon shtetit. Shteti do të marrë pagë në natyrë. Shteti duhet të ketë një ekonomi të vetën me traktorë, makina shirëse dhe të tjera makina për të ndihmuar fshatarët, po qe se ata do të kërkojnë ndihmë. Këto s’janë kolkoze, por në të njëjtën kohë kjo do t’u japë mundësi fshatarëve t’i kthejnë sytë nga teknika dhe të vlerësojnë rëndësinë e saj. Në kohën e vet kjo te ne quhej pikë makinash dhe traktorësh. Fshatarëve u jepeshin me qira makinat, të cilat pastaj i ktheheshin përsëri shtetit. E njëjta gjë duhet bërë dhe në Shqipëri. Për sa i përket shpërndarjes së të korrave, ata fshatarë që kanë më shumë tokë do të marrin më shumë, kurse ata që kanë më pak tokë do të marrin më pak. Kjo s’do të thotë luftë me kulakërinë, por ama kjo do t’i mësojë fshatarët pak të kamur të veprojnë bashkërisht.”

Borgjezia

Lidhur me borgjezinë në vend, dukjet se Josif Stalini nuk ndan të njëjtin mendim me Enver Hoxhën, prandaj biseda e tyre vazhdon në këtë mënyrë: “Shoku Stalin pyet nëse brenda Shqipërisë ka borgjezi tregtare kombëtare. Hoxha përgjigjet: Në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as fabrika, as dyqane, as shtëpi. Të gjitha këto asaj i janë marrë. Shoku Stalin thotë: Kjo s’është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra dhe për të bërë njëfarë tregtie, deri sa të forcohet shteti, sidomos nëse ndërmjet kësaj borgjezie tregtare kombëtare ka elementë, të cilëve u dhimbset liria dhe pavarësia e Shqipërisë. Të tillë elementë patriotikë ndërmjet borgjezisë duhen shfrytëzuar dhe jo larguar. Shoku Stalin thotë se ai mund të sjellë një shembull nga praktika që ekziston në Kinën Veriore. Ndërmjet borgjezisë kombëtare kineze, ndërmjet fabrikantëve të vegjël e të mesëm dhe ndërmjet tregtarëve ka të tillë që i mbështesin komunistët. Ne i këshilluam shokët kinezë të mos i largonin këta elementë. Kjo pjesë kombëtare patriotike e borgjezisë mendon se vetëm komunistët mund të mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e Kinës dhe se të gjitha partitë e tjera kanë falimentuar. Prandaj ajo po vendos kontakte me komunistët. Kjo pjesë e borgjezisë kombëtare është shkëputur nga Çan Kai Shia, sepse e pa që partia e tij nuk është e aftë të mbrojë një Kinë të bashkuar e të pavarur, sepse u bind që luftën për një Kinë të pavarur e bëjnë vetëm komunistët. Dhe borgjezia me të vërtetë i ndihmon komunistët. Siç dihet, Kina është e ndarë në dy pjesë: Veriore dhe Jugore. Disa shoqëri tregtare në veri të saj i furnizojnë komunistët kinezë me mallra nga jugu, duke përfshirë madje edhe mallra amerikane. Pyetjes se përse e bëjnë ata një gjë të tillë dhe përse sakrifikojnë paratë e veta, ata përgjigjen se nuk shohin, përveç komunistëve, askënd që mund të mbrojë pavarësinë e Kinës kundrejt Japonisë dhe Amerikës. Lenini kurdoherë mendonte që, po qe se revolucioni ka karakter antiimperialist për çështjen e mbrojtjes së pavarësisë së vendit që ndodhet e kërcënuar, komunistët mund të kenë njëfarë bashkëpunimi me borgjezinë kombëtare. Ky bashkëpunim është i lejueshëm në një etapë të caktuar në periudhën e parë. Këtë vërejtje të Leninit duhet ta mbajnë mend shokët shqiptarë. Në vendet e demokracisë popullore borgjezia kombëtare është bërë skandaloze me lidhjet e veta me pushtuesit gjermanë dhe italianë. Prandaj, kur trupat ruse hynë në këto vende, borgjezia iku me gjermanët. Në territorin e Shqipërisë s’ka pasur as trupa jugosllave dhe as trupa sovjetike. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, nëse shokët shqiptarë nuk i kanë masakruar të gjithë. Të largosh nga vetja një borgjezi që është për pavarësinë kombëtare dhe mund të ndihmojë, është një gjë që s’duhet bërë…”

Inteligjenca

Sipas dokumentit të arkivës ruse, Josif Stalini ka qenë partizan i ruajtjes së potencialit intelektual edhe pse ky potencial mund t’i përkiste asaj shtrese që nuk ishin simpatizantë të komunistëve. Ja çfarë thuhet më tej në dokument: “Shoku Stalin vazhdon: Kjo ka të bëjë edhe me disa elementë të inteligjencës, që nuk i simpatizojnë komunistët, por e shohin që pavarësinë e vendit mund ta mbrojnë vetëm ata. Prandaj këta njerëz të inteligjencës, edhe pse nuk i simpatizojnë komunistët, mund t’u japin atyre njëfarë ndihme. Ata, gjithashtu, s’duhen larguar nga vetja. Bolshevikët rusë nuk e kanë ndjekur një politikë të tillë. Rusinë në çastin e revolucionit askush nuk e pati pushtuar dhe askush nuk e kërcënonte, po të mos llogaritim luftën me Gjermaninë. Prandaj revolucioni rus nuk kishte karakter antiimperialist. Tehu i tij ishte drejtuar brenda vendit. Prandaj ka ndryshim midis asaj që ndodhte në Rusi dhe asaj që ndodhi në Kinë, Kore dhe vende të tjera. Përderisa në Rusi nuk kishte kërcënim të drejtpërdrejtë nga jashtë, borgjezia kombëtare ruse ishte armiku i papajtueshëm i revolucionit. Lufta me të zgjati disa vjet, borgjezia ruse nuk ishte patriote. Ajo thërriste në ndihmë francezët dhe anglezët, i bënte thirrje ndërhyrjes. Shokët shqiptarë, në politikën e tyre nuk duhet të kopjojnë atë që ndodhi në Rusi ose në vende të tjera. Ata duhet të mbajnë parasysh veçoritë e vendit. Po qe se në Shqipëri do të gjenden kapitalistë të vegjël që do të çelin ndërmarrje, dyqane apo punishte të vogla, atyre u duhen dhënë patenta, t’u vihet taksa, por t’u jepet mundësi të merren me veprimtari tregtare dhe industriale, deri sa të forcohet ekonomia e Shqipërisë…”

Feja në politikë

Përfaqësim nga gjithë shtresat, sekreti për stabilitetin në vend

Popullit s’duhet t’i dhunohet feja, thotë Josif Stalini gjatë bisedës së tij në takimin e dytë që ka pasur me liderin komunist të Shqipërisë. “Shoku Stalin thotë se, sovjetikët, bolshevikët, kanë një parim të tillë në ndërtimin e shtetit: nëse në vend predominojnë myslimanët, në qeveri shumica duhet t’u përkasë po ashtu myslimanëve. Popullit s’duhet t’i dhunohet feja. Ai s’ka për ta kuptuar pse në krye të qeverisë qëndrojnë myslimanët, në një kohë kur në një vend shumica janë të tillë. Këto janë gjëra elementare, por në Jugosllavi nuk e kanë kuptuar këtë. Natyrisht, kjo s’do të thotë që në qeveri duhet të jenë vetëm myslimanët, duhen zgjedhur edhe njerëz të aftë nga pakicat kombëtare për të ruajtur unitetin e popullit. Pjesëmarrja në qeveri e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe fetare do t’i sigurojë stabilitet vendit…” 

Deklarata

Copëtimi i Shqipërisë, një sajesë e perëndimit

Ja si e motivon Josif Stalini, gjatë bisedës me Enver Hoxhën, deklaratat për copëtimin e Shqipërisë:Shoku Stalin thotë se fjalët lidhur me copëtimin e Shqipërisë janë sajuar për të frikësuar shqiptarët. Siç dihet, pavarësia e Shqipërisë është siguruar me Deklaratën e tri fuqive, Amerikës, Anglisë dhe BRSS-së. Natyrisht, Deklarata mund të shkelet, por kjo nuk është kaq e lehtë. Për sa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi qëndrojnë në këmbë, e jo më të flasin seriozisht për copëtimin e Shqipërisë. Nëse shqiptarët do të mbajnë qëndrim të drejtë, nuk do të shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i cytin ata, por do të sillen me më modesti, Shqipërinë askush s’ka për ta prekur. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i përkasë Italisë, sepse kjo do të forcojë Italinë; nuk duan që ajo t’i përkasë Greqisë, pasi kjo do ta forcojë atë; nuk duan t’i përkasë Jugosllavisë. Për këtë shkak ata janë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.”

KUJTIMET/ Fragment nga libri i Enver Hoxhës: “Me Stalinin”

Enveri: “Ja këshillat që më dha Stalini”

Në formë më të shkurtuar dhe duke shkurtuar disa pjesë detajet e kësaj bisede gjenden edhe tek libri me kujtime shkruar nga Enver Hoxha, “Me Stalinin”. Duke kujtuar bisedën e dytë me drejtuesin komunist të Kampit Socialist, Enver Hoxha shkruan: “Shoku Stalin më pyeti: Keni krijuar shumë kooperativa të tilla? Ç’kritere ndiqni? Unë sqarova me këtë rast se kongresi orientoi që kolektivizimi i bujqësisë të bëhet gradual, i matur dhe në baza vullnetare…. Shoku Stalin tha se: Për sa i përket kolektivizimit të bujqësisë ju nuk duhet të shpejtoheni. Vendi juaj është malor dhe me reliev që ndryshon nga zona në zonë. Edhe te ne në zonat malore, të ngjashme me ato të vendit tuaj, i kemi ngritur shumë vonë kolkozet. Shoku Stalin tha pastaj: nuk e njoh historinë e karakteristikat e borgjezisë në vendin tuaj, dhe pyeti: Keni pasur ju borgjezi tregtare? I thashë se: Kemi pasur, një borgjezi tregtare në formim e sipër, por tani ajo nuk ka gjë në dorë. Stalini më pyeti: I keni shpronësuar krejt? Në përgjigje të pyetjes, unë i fola shokut Stalin mbi politikën që kishte ndjekur partia që gjatë luftës me klasat e pasura, për diferencimin e madh që kishte ndodhur nga qëndrimi i elementeve të këtyre klasave ndaj pushtuesve të huaj. …Për sa u përket atyre elementëve, kryesisht të borgjezisë së mesme e të vogël patriotike, që u lidhën me popullin në luftë e iu kundërvunë pushtuesit të huaj, – më tej vazhdova: – Partia i përkrahu, i mbajti afër dhe u tregoi rrugën e vërtetë për t’i shërbyer zhvillimit të vendit e pavarësisë së atdheut… Stalini më tha: Për sa u përket britmave që bëjnë armiqtë e jashtëm për ndarjen e Shqipërisë, ato bëhen sa për t’ju futur frikën, se në këtë drejtim unë mendoj se, aktualisht, nuk ka ndonjë rrezik. Kjo nuk ndodh nga “dashamirësia” e armiqve, por për një sërë arsyesh. Në radhë të parë, Shqipëria është një vend i lirë, i pavarur, populli atje ka marrë fuqinë dhe do të dijë ta mbrojë pavarësinë e vet, ashtu siç edhe diti ta fitonte. Së dyti, vetë armiqtë e jashtëm kanë kontradikta me njëri-tjetrin në lidhje me Shqipërinë. Asnjëri nga armiqtë nuk do që Shqipëria të jetë vetëm e njërit ose e tjetrit”.